Viron Bezhani/ Një sistem efikas për një pjesëmarrje dinjitoze

450
Sigal

Shpesh sistemi që ne përdorim për të arritur te qëllimi ynë nuk është ai i duhuri, duhet një ligj më i mirë

Problemi i lindur ditët e fundit në sportin shqiptar me mospjesëmarrjen e kombëtares së basketbollit në arenën ndërkombëtare nxori edhe një herë në pah vështirësitë që po kalon sporti ynë. Probleme që më së shumti janë trashëguar nga një periudhë e gjatë e përgjumjes së pushtetarëve, të cilët e çuan sportin drejt greminës. Natyrisht që në rastin specifik, apo edhe në shumë raste të tjera të ngjashme me të, jo gjithçka varet nga shteti apo sportistët, por edhe nga vetë drejtuesit tanë në sport. Dhe kjo ka sjellë një kompleksitet problemesh, të cilat ende nuk kanë gjetur zgjidhje dhe që sot pasqyrohen me të drejtë nga mediat sportive e më gjerë. Sporti në të gjithë botën, ashtu sikurse duhet të funksionojë edhe në Shqipëri, zhvillohet në bazë të një piramide, ku një bazë e gjerë dhe e shëndoshë sjell një majë të fortë e solide, që di të rezistojë në çdo moment problemeve. Ndoshta kjo gjë nuk ka funksionuar në rastin e basketbollit, apo njerëzit nuk kanë ditur të menaxhojnë mirë situatën. Por, më së shumti, sa më solide është baza ku mbështetet një Federatë, aq më e suksesshme do të jetë maja, pra një ekip kombëtar. Kjo jo vetëm në futboll, basketboll, volejboll e sporte të tjera, por edhe tek ne si KOKSH, që gjithashtu ecim në bazë të këtij parimi. Në fund të fundit, edhe ne në veprimtaritë tona olimpike, përzgjedhim më të mirët, ata që kanë sukses në sportet e tyre. Më të mirët, ata që kanë mundur të dalin në majë, ndërkohë që baza është një numër i madh sportistësh që luajnë e zhvillojnë aktivitetin e tyre sportiv në Federatat e tyre dhe që synojnë të njëjtën gjë, përfaqësimin në Lojërat Olimpike.

Por jo gjithnjë gjërat funksionojnë ashtu si duhet, pasi shpesh, edhe kur kemi një bazë të fortë, nuk dimë të gjejmë rrugët e duhura për të shkuar. Shpesh sistemi që ne përdorim për të arritur te qëllimi ynë nuk është ai i duhuri. Njerëzit anashkalojmë faktorët e ndryshëm anësorë që kanë ndikimin e tyre në rrugën tonë dhe që në fund akumulohen e ndikojnë në performancën tonë. Kjo ka të bëjë edhe me një menaxhim jo të mirë të burimeve njerëzore, situatave, financave etj., të cilat një ditë dalin në sipërfaqe. Dhe atëherë është shumë vonë për të korrigjuar gabimet e bëra dhe të kthehemi pas. Në fund, këto gabime të përdorura në sistemin e ndjekur do të pasqyrohen në një fushë futbolli, në një pallat sporti, poligon qitje, ring, pishinë apo tapet. Dhe ky pasqyrim i punës jo të mirë është rezultati, që shpesh është i dobët, madje i frikshëm. Apo më keq akoma, nuk arrijmë të marrim pjesë në veprimtari kombëtare apo ndërkombëtare dhe rezultati mungon fare, pasi ai fshihet në punën e dobët të drejtuesve, që nuk janë të aftë të zhvillojnë sportin. Ndaj sot unë kërkoj një punë më të fortë në bazë, një përfshirje më të madhe të rinisë në sport, për të pasur nesër një piramidë më të madhe e të suksesshme. Futja e sportit në shkolla, rregullimi i infrastrukturës, ndihmesa më e madhe financiare e shtetit dhe privatëve si dhe përmirësimi i ligjit të sportit janë kushte të domosdoshme që sporti të kthejë kursin e të shohë për nga e ardhmja me një mentalitet tjetër. Ky është një sistem zinxhir: Duhet një ligj më i mirë për të afruar privatin në sport e t’i krijojmë atij lehtësi si dhe të hapë palestrat e shkollave për njerëzit që duan sportin; kjo lehtëson edhe shtetin, i cili mund të investojë në infrastrukturë e kështu do të kemi më shumë masivitet. Pra, një bazë më të madhe të piramidës. Kjo, në fund do të sjellë një majë, pra një kombëtare, më të mirë, më të fortë, më të suksesshme në çdo sport. E në fund edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të ketë një ekip olimpik më të fortë se kurrë dhe pjesëmarrja si e Federatave ashtu dhe e KOKSH-it në arenën ndërkombëtare do të jetë më pozitive. Sot e rëndësishme në sistemin që duhet ndjekur është bashkëbisedimi i përbashkët për çdo problem që lind, bashkëpunimi për t’i kaluar së bashku problemet. Askush nuk mund të ecë përpara i vetëm, as një Federatë që mendon se e vetme dhe e izoluar nga komuniteti i saj mund të përballojë krizën e problemet. Përkundrazi, ndihma dhe zgjidhja e problemit vjen pikërisht nga poshtë, nga komuniteti i saj, nga baza e piramidës që ajo Federatë ndërton. Sa më e fortë ajo aq më e suksesshme do të jetë në punën e saj, askush nuk do ta kritikojë dhe rezultatet do të jenë më të lehta për t’u arritur.

 Prezantohen uniformat e Lojërave Olimpike “Sochi 2014”

 Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bëri prezantimin e uniformave sportive që do të veshin dy sportistët tanë Erjon Tola dhe Suela Mëhilli në lojërat Olimpike dimërore që do të zhvillohen në Sochi të Rusisë në datat 7 deri 23 Shkurt. Sipas presidentit të KOKSH-it, Viron Bezhani, institucioni që ai drejton ka bërë të pamundur për t’u ofruar kushtet optimale stërvitore sportistëve, duke u siguruar edhe bursa olimpike. Sekretari i KOKSH-it, Stavri Bello, theksoi se po bashkëpunohet ngushtë me Federatën Shqiptare të Skive që të afrohen sa më shumë talente që përgatiten jashtë vendit, për të rritur jo vetëm numrin e pjesëmarrësve në lojërat olimpike por shtrirjen në disiplina të tjera. Drejtuesit e KOKSH-it dhe të Federatës Shqiptare të skive objektivat e dy skiatorëve shqiptarë në “Sochi 2014” mbetet përmirësimi i rezultateve të “Vankuver 2010”, të zhvilluar katër vjet më parë në Kanada. Për Erjon Tolën kjo është hera e tretë që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, pas atyre “Torino 2006” dhe “Vankuver 2010”, ndërsa për Suela Mëhillin është hera e parë. Kjo është edhe hera e parë që, Shqipëria merr pjesë me dy sportistë.