Sigal

Një Kupë Bote është në gjëndje të shuajë përfundimisht luftën mes dy armiqëve? Mesa duket jo, sepse nuk ka mjaftuar ajo e vitit 1998, dhe nuk ka arsye pse të funksionojë me atë të porsa fituar nga Franca. Dy prej protagonistëve të atij triumfi në shtëpi të përfaqësueses së “Gjelave” të udhëhequr asaj kohe nga Jacquet, janë në armiqësi të hapur dhe as ngritja e trofeut në Rusi nuk ka mjaftuar për të zbutur tonet e polemikës. Ndaj, trajneri i ekipit kampion bote, Didier Deschamps po mendon seriozisht të denoncojë ish-shokun e tij të skuadrës, Christophe Dugarry. Lajmi është publikuar nga “Sport” dhe mësohet se masa që pritet të ndërmarrë tekniku francez, ka të bëjë me kritikat e marra gjatë Kupës së Botës.

I gjithë faji i Benzema. Madje i mos grumbullimit të sulmuesit të Real Madrid nga ana e trajnerit Deschamps për Kupën e Botës të zhvilluar në Rusi. Nga mikrofoni i RMC, ish-futbollisti i Milan pat sulmuar teknikun e “Gjelave” me motivin se kishte lejuar që një antipati personale të triumfonte mbi të mirën e Francës dhe se nuk i kishte sqaruar futbollistit arsyet e përjashtimit: “Deschamps ka marrë peng kombëtaren dhe kjo mund të jetë e dëmshme. Nuk është bukur të kesh një sulmues që ka fituar katër trofe të Champions League dhe që nuk mund të luajë me Francën, sepse ka folur keq për trajnerin…”.

Deschamps gjithsesi iu përgjigj Dugarry-s pas Botërorit të fituar, duke theksuar se: “Ka tejkaluar çdo kufi dhe nuk ka respekt në nivel njerëzor. Bashkë kemi përjetuar gjëra, por si karakter kam parë edhe më keq. Dhe nëse do të përballesha me atë sot, nuk do t’i thoja as mirëdita dhe as mirë u pafshim”. Nga ana tjetër edhe Dugarry u përgjigj: “E vërtetë, nuk kam të njëjtin karakter me atë dhe jam i lumtur. E kam njohur Deschamps në 1990 apo 91 dhe është folur gjithmonë në mënyrë të veçantë për atë. Më pas kuptova se është përfshirë gjithmonë në gjëra të çuditshme”. Sulme e akuza që duket se kanë motivuar Deschamps të denoncojë ish-shokun e tij të ekipit te Franca, Dugarry.