Daja: Vllaznia meriton vlerësime, Alban Hoxha ka ende probleme

67
Sigal

Ilir Daja u shfaq optimist në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Vllaznisë. Megjithatë vlerësimet për shkodranët nuk munguan me Dajën që analizoi edhe sulmin e skuadrës shkodrane ndërsa foli edhe për rotacionin që mund të bëjë në skuadër gjatë këtyre dy javëve ndërsa konfirmoi edhe njëherë faktin se Alban Hoxha është rikuperuar por edhe ndaj Vllaznisë titullar do të jetë Aldo Teqja.

Vllaznia – “Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë vjet dhe e ka startuar edhe këtë sezon shumë mirë. Më kujtohen fjalët e një trajneri të Dinamos, i nderuari Bejkush Birçe që thonte ‘një lojë e bukur mbahet mend një javë, ndërsa rezultati hyn në histori’. Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia. Ata luajnë një futboll të hapur, kjo shihet dhe nga golavarazhi, luhet në një vend që është komod se stadiumi ‘Loro Boriçi’ është një nga stadiumet e reja të Shqipërisë. Pavarësisht se tifozët shkodranë do të bëjnë tifo për skuadrën e tyre, dihet që nëse luan bukur dhe nëse merr pikë në Shkodër mund të dalësh edhe i duartrokitur. E gjitha kjo panoramë, do të thoja që ka edhe vështirësinë e vetë dhe bukurinë e saj për të luajtur futboll në Shkodër.”

Dëshira e lojtarëve – “Në këto ndeshje të fundit ku kemi marrë fitore, kryesorja ka qenë dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të shkuar te rezultati. Unë do të kërkoja vazhdimësinë që të bëhet një miksim ku motivimi, dëshira dhe sakrifica të jenë të parat.”

Sulmi i Vllaznisë – “Vllaznia ka një ndër sulmet më të mira të kampionatit, por nuk besoj që janë të varur vetëm nga një lojtar. E rëndësishme për ne është që të fokusohemi tek të gjithë ekipi i Vllaznisë.”

Rotacioni – “Ka pasur dy opsione nga stafi që mund të bëjmë edhe rotacion të mundshëm sepse ndeshjet janë afër, vendosëm që t’i japim përparësi atyre lojtarëve që kanë qenë këto 3-4 javë në formacion. Me afrimin e lojtarëve të dëmtuar mund të ndryshojmë diçka sepse nuk kanë diferencë të madhe me ata që luajnë në formacion.”

Alban Hoxha – “Alban Hoxha ka vazhduar stërvitjen me grupin, por jo në portë pasi ka ende probleme me gishtin e dorës”, përfundoi Daja.