Botëror kozmopolit, ekipe me ngjyra të ndryshme

1221
Sigal

Franca ka 11 lojtarë nga tetë shtete të ndryshme. Zvicra me pesë shqiptarë, Gjermania me tetë “jo arianë”

 Një Shkodran te Gjermania! Një Xherdan te Zvicra! Një Adnan te Belgjika! Një Panajotis te Greqia! Janë këta katër nga nëntë shqiptarët që marrin pjesë në Botërorin e Brazilit. Në një Kampionat më kozmopolit se kurrë! Edhe pse zyrtarisht në “Brazil 2014” marrin pjesë 32 vende, në të vërtetë gjeografia e origjinës së lojtarëve është akoma më e madhe dhe arrin të paktën në 80 kombësi të ndryshme. Pasaportat dhe prindërit që vijnë nga larg vendosin për të ardhmen e lojtarëve, dhe në mes është dhe paraja.

Kur Mario Baloteli, sulmuesi me ngjyrë i Italisë shënoi golin e fitores 2-1 ndaj Anglisë, tifozët “axurrë” i thurën lavde, ndryshe nga fyerjet raciste që ia adresojnë atij ultrasit ekipeve të ndryshme kur ai luan për Milanin. Baloteli është lindur në Palermo dhe flet me dialekt breshian. Por, nuk është vetëm Italia që ka lojtarë me ngjyrë apo të kombësive të tjera. Në fakt, shumë nga vendet pjesëmarrëse kanë lojtarë që vijnë nga ish-kolonitë e tyre, emigrante apo kanë më shumë pasaporta se një agjent i KGB-së. Spanja, kampionia ende në fuqi, por tashmë e eliminuar nga Botërori ka në gjirin e saj Diego Kostën, i lindur në Brazil, i grumbulluar në të kaluarën nga Skolari, por që ka hequr prej disa vitesh nga pasaporta “karioka”. Falë paraqitjeve të shkëlqyera me Atletikon e Madridit (kampion i Spanjës dhe finalist i Ligës së Kampioneve), ai mori një ftesë nga Visente Del Boske. Në fakt, Diego Kosta ishte një nga zhgënjimet e mëdha të këtij Botëror, ashtu si dhe vetë Spanja. Në dy ndeshjet e para ai nuk shënoi asnjë gol. Holandezët kanë në gjirin e tyre jo pak lojtarë më origjinë të huaj: portieri Majkël Vorm, i lindur në Utreht nga prindër emigrantë; anësori Zherëm Lens (Surinami), mesfushori i Milanit, Nigel De Jong (po me origjinë surinameze); Bruno Martins (i lindur në Portugali); sulmuesi Guzman (i lindur në Toronto, të Kanadasë). Uruguai, i cili ia doli të ishte i treti Botërorin e kaluar, ka marrë portier argjentinasin Fernando Muslera. Italia, përveç Balotelit (me prindërit e tij nga Gana) ka dhe mbrojtësin Paleta, argjentinas. Franca është një tjetër shembull i skuadrës multietnike: Paul Pogba (Guinea), Karim Benzema (Algjeri), Musa Sisoko (Mali), Mamadu Sakho (Senegal), Valbuena (Spanjë), Blaise Matuidi (Angola), Patris Evra (Senegal), Luak Remi (Martinika), Eliakuim Manga (Kongo), Rio Mavuba (Angola), Bakari Sanja (Senegal). Është e vërtetë që, francezët kanë një histori të gjatë dhe komplekse koloniale, dhe pavarësisht kundërshtimeve të forta me nuanca raciste të Marinë Lë Pen, emigrantët që janë të zotë në top kanë zënë vend në skuadrën franceze. Edhe Zvicra, që në shkurt të këtij viti organizoi një referendum për të vendosur një çati për emigracionin, është një skuadër të “huajsh”, ku në të bëjnë edhe pesë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi (shënoi golin e parë të një lojtari shqiptar në Botëror). Te skuadra e Otmar Hicfeldit luajnë edhe Goran Inler (Turqi) Mario Gravanoviç (Kroaci), Trankuilo Barneta (Itali). Argjentina ka nga ana e saj Gonzalo Higuain, i cili është gjysmë francez. Kombëtarja gjermane, tashëm prej disa vjetësh është bërë një skuadër shumëetnike. Nëse nuk do ta kishte këtë “fytyrë”, trajneri Johakim Lëvi duhej të hiqte nga Mesut Ozil (Turqia), Miro Kloze (Poloni), Sami Khedira (tunizian nga nëna), Shkodran Mustafi (Shqipëri). Interesant është rasti i vëllezërve Boateng, ganezë, Zherom ka zgjedhur Gjermaninë, ndërsa Kevin-Prins luan për kombëtaren e Ganës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një tjetër Kombëtare e përzierë: Hozi Altidore (prindërit nga Haiti), Omar Gonzales (Meksika), Miks Disekerud (Norvegjia), Xhermën Xhons (Gjermania), Fabian Xhonson (Gjermania), Alehandro Bedoja (Meksika), Xhon Bruks (Gjermania), Timi Çandler (Gjermania), Xhulian Grin (Gjermania). Belgjika ka “emigrantët” e saj: Adnan Januzaj është shqiptar, Fellainin ka pasaportë marokene, Aksel Usitel nga Martinika, prindërit e Musa Dembele janë lindur në Mali; Kevin Mirala ka origjinë spanjolle, Rumeli Lukaku vjen nga Kongo.

 

32 skuadra të Botërorit kanë 120 milionë futbollistë të regjistruar. SHBA-të kanë 24,5 milionë

 Miliona futbollistë, për të formuar Kombëtaren

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendi që, ka të regjistruar më shumë futbollistë në planet, i ndjekur nga Gjermania dhe Brazili. E themeluar në vitin 2013 dhe me dhjetë pjesëmarrje në Kampionate Botërore, SHBA-të kanë të regjistruar në databazën e federatës rreth 24 milionë 472 mijë e 778 futbollistë në 9000 klube, në një vend me një popullsi prej 317 milionë banorësh. Trajneri Jurgen Klinsman ka një bazë super të madhe lojtarësh, për të përzgjedhur 23 lojtarët me të cilin ai mbërriti në Brazil. Të kuptohemi, në këtë numër përfshihen të gjitha kategoritë e moshave dhe të gjitha nivelet e kompeticioneve, lokale, rajonale,  dhe kombëtare. Gjermania (82 milionë banorë), aktualisht vendi i 2-të në renditjen e mujore të FIFA-s, ka 26 mijë e 837 klube dhe afërsisht 16 milionë e 308 mijë e 946 futbollistë. 18 pjesëmarrje për Gjermaninë në Botërore, tre tituj kampionë (1954, 1974, 1990), katër herë nënkampione (1966, 1982, 1986, 2002) dhe katër herë e treta ((1934, 1970, 2006, 2010). Federata e tretë me më shumë lojtarë të federuar është ajo e Brazilit me 13 milionë e 197 mijë e 733 futbollisti, që përfaqësojnë 29 mijë e 208 klube. Brazili (rreth 201 milionë banorë), është i vetmi që ka marrë pjesë në të 20 kampionatet, ndërkohë që është dhe ekipi më shumë trofe: 5 herë kampion bote (1958, 1962, 1970, 1994, 2002); 2 herë nënkampion (1950, 1998), 2 herë i treti (1938, 1978) dhe 1 herë i katërti (1974). Meksika renditet e katërta me 8 479 595 futbollistë, ndërsa në Top-10 të 32 skuadrave pjesëmarrëse janë dhe Nigeria (6 653 710), Rusia (5 802 536), Italia (4 980 296), Japonia (4 805 150), Franca (4 190 040) dhe Anglia (4 164 110). Nga tre vendet ballkanike që, përfaqësohen në këtë Botëror: Greqia ka 1926 klube dhe 760 621 futbollistë; Kroacia 1464 klube dhe 362 514, si dhe Bosnja, 773 klube dhe 200 240 futbollistë. Boshnjakët renditen në këtë klasifikim specifik.

 

Shteti           Klube           Lojtarë

1.    SHBA          9000             24 472 778

2.    Gjermania    26 837   16 308 946

3.    Brazili   29 208   13 197 733

4.    Meksika       311        8 479 595

5.    Nigeria  52          6 653 710

6.    Rusi             14 329   5 802 536

7.    Italia      16 697   4 980 296

8.    Japonia  2000             4 805 150

9.    Franca   20 062   4 190 040

10.  Anglia   42 490   4 164 110

11.  Kolumbia     2773             3 043 229

12.  Spanja   18 190   2 834 190

13.  Argjentina    3377             2 658 811

14.  Kili       5762             2 608 337

15.  Irani             120        1 806 544

16.  Algjeria 2090             1 790 200

17.  Holanda 4856             1 745 860

18.  Koreja J.      100        1 094 227

19.  Kosta Rika   254        1 084 588

20.  Ekuatori       201        1 029 655

21.  Gana            280        987 500

22.  Australia      3868             970 728

23.  Belgjika 2058             816 583

24.  Bregu F.       220        801 700

25.  Kameruni     223        785 515

26.  Greqia   1926             760 621

27.  Zvicra   1806             571 700

28.  Honduras     227        420 600

31.  Portugalia    2748             547 734

30.  Kroacia 1464             362 514

31.  Uruguai 1220             241 300

32.  Bosnja   773        200 240

  

Bundesliga në gjurmët e surprizës së Lëvit, Shkodran Mustafit

  Tre klube të Bundesligës së Parë gjermane janë në gjurmët e Shkodran Mustafit, mbrojtësit shqiptar që merr pjesë në Botërorin e Brazilit për “Die Mannschaft”. Lajmi raportohet nga tabloidi prestigjioz “Bild”. 22-vjeçari bëri debutimin e tij në Brazil, kur ai zëvendësoi Mats Humlesin e dëmtuar. Detyra e shqiptarit ishte të mbulonte yllin e Portugalisë dhe një nga dy lojtarët më të mirë në Botë, Kristiano Ronaldon. Ai konsiderohet si një nga surprizat e trajner Johakim Lëv. Mustafi është formuar si futbollist te Hamburgu, ku mori pjesë qysh në moshën 14-vjeçare në Akademinë e klubit gjerman. Në vitin 2009, në moshën 16-vjeçare ai largua në Angli te Evertoni. Në ishull ai nuk luajti, por u transferua në Itali te Sampdoria. Nga viti 2012 ai është titullar në ekip, ku falë paraqitjeve të mira fitoi dhe një vend në Kombëtaren gjermane. Mustafi deklaroi së fundi se, Bundesliga ishte dhe qëllimi i tij. Dhe një transferim drejt Gjermanisë ai e kërkon sa më shpejtë që të jetë e mundur. Sezonin e kaluar, Mustafi luajti 33 nga 38 ndeshjet e Serisë A. Sipas menaxherit Xhanluka Di Marcio, tre klube janë në ndjekje të Mustafit: Borusoa Dortmund, Bajer Leverkuzen dhe Shalke 04. Mustafi ka një kontratë me Sampdorian deri në vitin 2016. Aktualisht ai vlen katër milionë euro, por çmimi mund të rritet nëse ai do të paraqitet mirë në Botëror.