Sulejman Demollari : “Fitorja me Armeninë, detyrë shtëpie e Kombëtares”

604
Në atmosferën e ndeshjes së Kombëtares sonë me Armeninë, në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 2016” Grupi I, e cila në publik nuk është se po ngroh shumë, për “ish-ët” kuqezi ka një tjetër ndjeshmëri dhe arsyet janë reale. Në këtë “vorbull” emocionesh është edhe ish-kapiteni i Kombëtares sonë, Sulejman Demollari, i cili Armeninë e quan kundërshtar të vështirë, nisur nga paraqitjet e saj në ndeshjet e luajtura në grup. Por sipas tij, duke pasur parasysh përbërjet, zhvillimin e ndeshjes në fushën tonë dhe historinë e dy skuadrave, Kombëtarja shqiptare është më pranë fitores. Këndvështrimi i Demollarit orientohet drejt fitores së Kombëtares sonë.
Si ish-futbollist e kapiten i Kombëtares, si ndjehet Demollari në këtë atmosferë në prag të ndeshjes me Armeninë?
Për këtë ndeshje mendoj se si interesimi, ashtu edhe atmosfera do të jenë në maksimumin e tyre. Këtë e mbështes me gjendjen e mirë aktuale që po kalon skuadra jonë Kombëtare, njëherësh edhe në përkushtimin e madh profesional që ka treguar FSHF-ja për këtë sfidë.
Në 13 vite karrierë me Kombëtaren keni luajtur 50 ndeshje, po kundër Armenisë keni pasur rast, apo edhe me futbollistë armenë?
Me sa mbaj mend, në kujtesën time nuk e kam pasur këtë mundësi, por kjo nuk mendoj se më pengon në njohuritë e mia për kombëtaren e Armenisë. Më esenciale është se për momentin, Armenia ndodhet e fundit në renditjen e grupit tonë eliminator, ndërsa ka zhvilluar lojëra të bukura e cilësore.
Nisur nga renditja e Kombëtares sonë në Grupin I eliminator, e mendoni përballjen me Armeninë si vendimtare për të shpresuar kualifikimin?
Unë mendoj se kjo me Armeninë do të jetë një përballje e veçantë për momentin e mirë që po kalon skuadra jonë kombëtare, por edhe pas rezultateve bindëse që ajo ka arritur në grupin eliminator. Mendimi im është që të luajmë vetëm për fitore dhe kjo do të arrihet.
Me futbollistët që ka thirrur trajneri De Biazi për këtë ndeshje, sipas jush, janë mundësitë reale për ta fituar sfidë?
Patjetër që po. Unë përmenda arsyet që duhet kërkuar fitorja, e këtu do të shtoja se trajneri De Biazi ka bërë zgjedhje që e garantojnë suksesin ndaj Armenisë. Por, këtu do të rikujtoja se nuk duhet nënvleftësuar në asnjë moment kundërshtari.
Në këndvështrimin tuaj, çfarë mund të përmirësojë Kombëtarja jonë për ta fituar ndeshjen me Armeninë?
Për aq njohuri sa kam unë për këtë Kombëtare, veç vlerave që ka, i duhet që të ndryshojë mentalitetin si fitues në lojë. Me sa jam në informim, stafi drejtues ka punuar shumë në këtë drejtim, e ky mendoj se ka qenë momenti i vetëm për ndryshim.
Armenia renditet e fundit në Grupin I eliminator, me 1 pikë. Të dielën kundër skuadrës sonë mendoni se ajo i ka mundësitë të tregojë më shumë?
Po e ripërsëris, se edhe pse ndodhet e fundit në renditjen e Grupit I, Armenia në çdo përballje në këtë grup ka treguar vlera të dukshme në lojën e saj. Edhe pse në 3 ndeshje ka 1 barazim dhe 2 humbje, të gjitha skuadrat janë ndjerë në vështirësi në çdo rezultat që është fiksuar ndaj Armenisë. Por, ne e kemi fiziologjinë e lojës sonë të orientuar drejt fitores.
Të dielën luhet edhe ndeshja tjetër e Grupit I, Portugali-Serbi, mund të jetë kjo një përballje e lehtë për portugezët?
Kjo ndeshje mendoj se orientohet më shumë drejt Portugalisë si favorite për fitore. Portugezët janë një nga skuadrat favorite për kreun e grupit, por edhe Serbia ka lojtarë cilësorë që luajnë në skuadra të mëdha në Europë. Do të jetë e vështirë, ndërsa mendoj se barazimi e kënaq Serbinë, pse jo edhe ne.
Ndeshja luhet në “Elbasan Arena”, sa mund të ndikojë kjo në atmosferën e tifozerisë, e cila është mësuar që Kombëtaren ta shohë në “Qemal Stafa”?
Në një ndeshje futbolli të kombëtares, dihet se tifozi është faktor plus për arritjen e suksesit. Edhe në Elbasan, por edhe në ndeshje jashtë Shqipërisë, “Lojtari i 12-të” nuk ka munguar me performancën e tij në shërbim të skuadrës. Mendoj se po të japin maksimumin në shkallët e stadiumit, do ta kurajojnë skuadrën që ajo të japë maksimumin për fitore.
Në kompanitë e basteve në Europë, por edhe në Shqipëri, Kombëtarja jonë kuotohet si favorite për fitore. Ju çfarë rezultati mendoni?
Unë nuk jam i fiksuar pas parashikimeve të kompanive të basteve, por nuk them se duhet nënvleftësuar çdo parashikim i tyre. Konkretisht, duke u bazuar në njohuritë që kam për futbollin shqiptar dhe atë evropian, edhe unë Shqipërinë e quaj favorite për fitore ndaj Armenisë.
Nëse do tu kërkoja një rezultat tipik në logjikën e basteve, çfarë mendimi keni?
Atëherë, duke qenë se ju po këmbëngulni për këtë version bastesh, unë vendos vetëm 1, që është fitorja e Shqipërisë.
Cili është apeli i Demollarit në prag të kësaj ndeshjeje me Armeninë?
Është shumë konkret: Kujdes që nga minuta e parë e deri në fund të ndeshjes në çdo repart në fushën e lojës. Edhe pse Armenia është realisht ekipi i vështirë, për skuadrën tonë është plotësisht e kalueshme. Apeli im është i qartë: Luani për fitore se do ta arrini atë!
Jeni optimist se mund të na rikthehen 3 pikët për ndeshjen me Serbinë?
Duke parë përkushtimin e madh dhe në logjikën juridike që kanë treguar drejtuesit kryesorë të FSHF-së për këtë tri-pikësh, unë jam optimist se ato pikë na takojnë ne. Shpresoj shumë te drejtësia sportive evropiane.
Nëse skuadra jonë do të renditet në vendet e kreut në Grupin I, e mendoni se ajo mund të jetë të Francë?
Pse jo, në këtë edicion evropian shanset janë të mundshme. Por nëse fitojmë me Armeninë dhe të na rikthehen tri pikët e Serbisë. Prej këtej kalon kualifikimi ynë.
Sigal

Sulejman Demollari

Datëlindja: 15 maj 1964
Roli në fushën e lojës: Mesfushor-Sulmues
Skuadrat: Dinamo Tirana 1981-1991 (kapiten), Dinamo Bukuresht 1991-1994 (kapiten), Panionios Greqi 1994-1995 (kapiten), Gyori Rabaeta Hungari 1995-1996 (kapiten), 1996-2001 Semi-amatorë në Peskara, Itali.
Tituj e trofe të fituara me Dinamon: Kampion 2 herë; Kupën e Shqipërisë 3 herë; Superkupën 1 herë; Me Dinamon e Bukureshtit 1 titull Kampionë në Rumani
Kryegolashënues: Me Dinamon Tiranë 1989-1990, me 15 gola; me Dinamon në Rumani me 18 gola
Me kombëtaren: Në periudhën 1983-1996 (kapiten), luajtur 50 ndeshje, shënuar 3gola
Si trajner: Me kombëtaren 2001-2003, me Dinamon 2004-2005, me Lushnjën 2006, me Shkumbinin 2007, me Skraparin 2008 dhe me Kombëtaren U 15, 2009-2011 
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Sportist i Nderit në Tiranë, Qytetar Nderi në rrethin e Korçës, Mirënjohja e qytetit të Shëngjinit
Aktualisht: Specialist në FSHF