Eduard Dervishaj: Klubet e Futbollit mbas viteve 1990

47
Sigal

Problemet e mëdha të fillimit të viteve 90 do të binin me gjithë peshën e tyre edhe mbi futbollin. Struktura e aktiviteteve u dëmtua seriozisht. Klubet, që deri atëherë kishin pasur buxhetin e garantuar nga shteti (mjaft komod për kohën), papritur u gjendën përpara vështirësive shumë të mëdha financiare. Kjo periudhë kaq e vështirë u bë e mundur të kapërxehet falë pasionit të anëtarëve të komunitetit të futbollit dhe ndihmës ekonomike të qeverisë dhe pushtetit lokal. Trashëguam një komunitet aktiv me emra të respektuar e të njohur në futboll, të cilët morën përsipër drejtimin e klubeve dhe u përballën me sfida të mëdha për të siguruar mbijetesën e tyre. Të gjithë sekretarët e klubeve u zgjodhën nga asambletë e tyre (modeste në atë fillim), por nën kujdesin e pushteti lokal dhe të pavarura në administrimin e brendshëm. Gjatë viteve 1995-1996 u rrit interesi i sponsorëve dhe shumë prej tyre kishin filluar bashkëpunimin me shumë klube e veçanërisht në Kategorinë e Parë megjithëse niveli ekonomik i tyre ishte akoma modest. Për kontributin e rëndësishëm që i jepnin klubit ata de fakto morën rolin e presidentit dhe u miratuan formalisht në asambletë e klubeve! Kjo ecuri pozitive u rrënua me ngjarjet e vitit ‘97.

Mbas ngjarjeve të vitit 1997 nuk pati asnjë projekt serioz qeveritar për të ardhmen e kësaj pasurie shoqërore. Këto institucione të vjetra të shtetit shqiptar, në shumë raste, u braktisën në fatin e tyre. Në raste të tjera ishin me fat mbasi drejtues të përgjegjshëm të pushtetit lokal u kujdesën për ta. Por pati dhe raste, kur klubet ranë në duar të individëve pa identitet që i kthyen klubet në kioskat e tyre dhe i shkëputën nga komuniteti! Fatkeqësisht në ndonjë rast ranë dhe në duart e njerëzve pa integritet!

Në këtë kohë filloi dhe i ashtuquajturi proçes privatizimi, i cili pak a shumë mori formën përfundimtare rreth vitit 2011 dhe u përcaktua forma ligjore: Shoqëri Aksioner (1.Kompani/individ me Bashkinë; 2.Aksionerë vëtëm Bashkia) si dhe Shoqata (që supozohet se klubi mbetet pronë e anëtarëve). Aty ku pretendohet se u privatizuan, proçedurat legale nuk ishin të qarta dhe aspak transparente, madje në atë kohë ka patur kritika, që jane bërë “hile” me asetet për rritjen e vlerës me qëllim që më pas një aksion të ketë një kosto të konsiderueshme për cilindo, që do kërkojë të jetë aksioner te kjo skuadër. Nuk po hyj në detajet teknike mbasi zgjatemi shumë dhe nuk ka interes për lexuesin. Një gjë është e qartë: mungesa e transparencës! Po dal nga tema, sa për t’ju kujtuar një detaj: A keni dëgjuar më për gazetën “Sporti Shqiptar”, një gazetë gati 90 vjeçare dhe pa dyshim krenaria e sportit tonë? Edhe ajo u privatizua. Rezultatin aty e keni!

Në shumë nga klubet tona, edhe sot që po shkruaj, mungon Informacioni ekonomik dhe as që bëhet fjalë për kontroll financiar të tyre. Duhet të dini se është detyrim që një herë në vit ky informacion të bëhet publik: 1. Llogaritë vjetore, 2. Likuidimi i buxhetit, 3. Llogaritë financiare të ndërmjetme, 4. Buxheti për sezonin e ri, 5. Marrëveshjet dhe kontratat me Administratat Publike, 6. Subvencione dhe ndihma publike, 7. Sponsorët.

Klubet që marrin pjesë në aktivitetet europiane, në përputhje me Rregulloren e Liçensës UEFA, paraqisin kërkesat e mësipërme. Por kemi një kontradiktë këtu; një nga politikanët e njohur shqiptarë dhe ish-zv/kryeministër (anëtar i një klubi dhe sportdashës) ka akuzuar për mungesë kontrolli dhe shkruajtur shumë, madje ka arritur deri aty sa t’i bëjë thirrje qeverisë në parlament (Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Taksave) të kryejë kontrolle në klube, për pjesën që i takon shtetit, si një domosdoshmëri për transparencën e këtyre shoqërive aksionere! Çfarë ka ndodhur? Asgjë…?

Me këto që po shkruaj nuk kam aspak për qëllim të paragjykoj e aq më pak të dyshoj për individë, që kanë investuar apo investojnë në klubet shqiptare si dhe për organizmat që drejtojnë futbollin shqiptar, por thjesht mendoj se futbolli ynë ka nevojë për diskutim, debate dhe jo të ngelemi vetëm me skemat taktike të skuadrave tona dhe ato të huaja apo ato të Kombëtares (temë për ta diskutuar një herë tjetër). Duhet kuptuar që futbolli është shumë më tepër se kaq!

Deri më sot, të paktën unë, nuk kam parë asnjë individ që të humbë paratë e tij thjesht nga dashuria për klubin. Për “dashuri” mund të kontribuosh një here, por ta mbash klubin për shumë kohë më e pakta do të kërkojnë të rikuperojnë ato çfarë kanë investuar! Një klub futbolli është si një “thes i shpuar”, që nuk mbushet kurrë. Në Europë/botë ata individë të pasur, që angazhohen në futboll ndërtojnë struktura të tilla që klubi të bëhet produktiv në të kundërt dhe ata do të falimentonin (nuk përfshij këtu kompanitë e fuqishme aksionere ‘Holding’ apo ata pak investitorë mbrapa të cilëve është një qeveri). Dhe të jesh produktiv do të thotë të kesh nivel infrastrukture; mundësisht ta shfrytëzosh stadiumin gjithë ditëve të javës; të rrisësh të ardhurat e ditës së ndeshjes (biletat + shpenzimet e tjera të spektatorëve), marketingu + rrjetet sociale, shitja e të drejtës TV, akademitë, shit-blerjet e futbollistëve, etj.,etj.

A ka ndonjë klub shqiptar që ka krijuar struktura moderne dhe të jetë produktiv? Si mbijetojnë këto klube duke blere futbollistë të huaj? Trajnerë të huaj? Duke bërë periudhat përgatitore jashtë vendit dhe njëkohësisht duke bërë greva dhe ndërprerje të kampionatit për t’i kërkuar qeverisë së vendit më të varfër në Europë financim ose lehtësime fiskale për rrogat e futbollistëve? Cila qeveri në botë, në formë direkte dhe indirekte, do të bënte një marrëzi të tillë, për një ndërmarrje private siç është klubi? Edhe bankat kur u japin kredi klubeve jua pËrcaktojnË me përqindje se për çfarë zëra do të investohen këto para! A dihet kjo?

Këto që kam shkruajtur më sipër si dhe formulat e “çuditshme” të organizimit të kampionatit kanë prodhuar situata shumë të dëmshme për futbollin tonë. Për një kohë të gjatë në Superiore kanë munguar dhe mungojnë klube si: Flamurtari, Dinamo, Elbasani (i shpërbërë), Besa, Tomorri, Lushnja, Luftëtari, Apollonia…! Si mund të jetë një garë interesante dhe të rrisi të ardhurat në mungesë të klubeve të traditës dhe të qyteteve më të mëdha të vendit?

Kjo nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë vetëm me drejtimin e gabuar të klubeve apo me ekonominë e tregut. Mendoj se ka munguar një strategji e institucionit drejtues të futbollit në bashkëpunim të ngushtë me klubet (duhet ditur se në mungesë të Ligës Profesioniste, të gjitha aktivitetet organizohen nga FSHF-ja dhe janë nën juridiksionin e saj).

Po e mbyll shkrimin me një homazh për të paharruarin Fatos Baxhaku i cili së bashku me Astrit Hafizin, në vitin 2010, kanë bërë një reportazh shumë interesant mbi futbollin shkodran. Ndërmjet të tjerëve, në vizitën e tyre në Shkodër, u takuan dhe me aktorin e njohur të Estradës së Shkodrës, Besnik “Besa” Çinari. Po citoj disa nga fjalët e Z. Çinari: “Ktu n’Shkodër futbolli asht njisoj si buka. Ky qytet nuk mundet me jetu pa te. Jetë e mot në Shkodër futbolli është trajtuar si një pjesë fort e rëndësishme e jetës qytetare, njësoj si muzika, teatri, estrada, piktura. A e dini pse Shkodra asht kaq e ndjeshme ndaj futbollit? -pyet Besa -sepse ktu kurr nuk asht da prej pjesës tjetër të kulturës. Sporti, futbolli nuk janë gjana të dorës së dytë, sikurse mund të thotë ndonjë, janë pjesë, dhe e rëndësishme fort madje e krejt kulturës”.

A e luajnë sot këtë rol klubet e futbollit në jetën e shoqërisë shqiptare ashtu siç thotë Z. Çinari për Shkodrën dikur?

Vijon me “KS Dinamo”…