Besart Berisha ja bën 4-2 Del Pieros

546
Sigal

Sulmuesi kosovar i Brisbejnit mund legjendën italiane: “Fanellën e Del Pieros e doja për vëllain e gruas”

Brisbejn Roar i dha fund thatësirës, ndërkohë që Besart Berisha është gjithmonë e më afër thyerjes së rekordit të shënimit të golave në ekipin e tij, teksa Brisbejn mundi 4-2 Sidnejin e Alesandro Del Pieros, në “Suncorp Stadium”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të të kampionatit australian, A-League. Një ndeshje speciale për Besart Berishën, i cili realizoi një gol të shkëlqyer teksa vallëzoi midis tre mbrojtësve të Sidnejit, e duke errësuar kështu dygolëshin e legjendës së Juventusit. Me golin e realizuar në minutën e 56-të, i 25-ti për të me Brisbejnin, Besarti barazoi rekordin e holandezit Serxho van Dijk. Golat e tjerë të Brisbejnit u shënuan nga Tomas Broih (30′), Erik Partalu (32′) dhe Ben Halloran (44′). Kjo ishte fitorja e parë e Brisbejnit pas fitores 5-0 me Melburn Vikçëri (më 13 tetor, ku spikati tripleta e Besartit). Ndeshja prodhoi shumë emocione, për vetë faktin se, jo vetëm që u shënuan gjashtë gola, por ylli italian, Alesandro Del Piero realizoi dy gola brenda gjashtë minutash, 42′ dhe 48′, në dopjetën e tij të parë në Australi.  “Ne nuk bëmë një ndeshje të keqe, por kjo nuk është mënyra më e mirë për të luajtur”, – tha pas ndeshjes Del Piero, duke iu referuar kontrollit më të madh të lojës nga Roari i Berishës. “Jam shumë i lumtur që u paraqita kundër një ylli botëror si Del Piero. E vlerësoj shumë si futbollist. Me dy golat e sotëm fantastikë vërtetoi se është një yll”, – tha Berisha. Ish-lojtari i përfaqësueses së Shqipërisë tregoi se, pas ndeshjes ka ndërruar fanellën me Del Pieron, që është futbollisti më i paguar në historinë e  Australisë. “Fanellën ia kërkova pasi vëllai i gruas sime është një adhurues i flaktë i Del Pieros dhe Juventusit. Pasi ia tregova këtë gjë Del Pieros, i ndërruam fanellat”, tha Berisha për mediat. Sezonin e kaluar, Besarti udhëhoqi Roarin drejt titullit, ndërsa vendosi edhe shumë rekorde e fitoi shumë çmime. Berisha me rekorde pritet të vazhdojë edhe këtë edicion.

__________________________________________________________________________________________________________

DY SHQIPTARË NË GJERMANI PËRJASHTOHEN PËRJETË NGA FUTBOLLI

Dy futbollistë shqiptarë të skuadrës FC Iliria Rozenhajm, një skuadër amatore, u përjashtuan përjetë nga futbolli në Gjermani, pas akteve të tyre të dhunshme ndaj gjyqtarit. Vendimi ekstrem është marrë nga Federata Bavareze e Futbollit, por ai ka fuqi në të gjithë Gjermaninë. Ngjarja e shëmtuar ndodhi pikërisht në ditën e bashkimit të dy Gjermanive, më 3 tetor, gjatë një ndeshjes të zhvilluar në Bajernin Jugor, për kategorinë e dhjetë në Gjermani (A-Klase). Lajmi u raportua nga gazeta lokale gjermane “Oerbayerisches Volksblatt”, që e konsideroi incidentin një kapitull të trishtuar, ndërsa e kishte titulluar artikullin e saj të gjatë “Karton i kuq për gjithë jetën”. Ngjarja e pazakontë e që bëri bujë në të gjithë landin e Bavarisë ndodhi në fund të ndeshjes, menjëherë pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit amator nga Feldkirshen-Vesterhami. Gjyqtari kishte marrë disa të kafshuara dhe disa goditje në sy, ndërkohë që trajneri i ekipit mik, në tentativë për të shuar sherrin mori disa sekonda më pas një shkelm brutal direkt e mbi stomak. Si gjyqtari, ashtu dhe trajneri u trajtuan më pas në një klinikë lokale. Arbitri, i cili kishte një përvojë të gjatë prej 18 vjetësh në futbollin rajonal, mund të rrezikonte dhe verbimin pas goditjes, dhe pasi iu nënshtrua ekzaminimeve dhe ndërhyrjeve në një klinikë të specializuar në Munih, iu bë e mundur shikimi te syri i majtë deri në 70 për qind. Trajneri i ESV-së u trajtua për disa ditë me radhë për probleme në stomak. Klubi shqiptar i FC Iliria u gjobit nga gjykata sportive me shumën e 500 eurove, për thyerjen e disiplinës dhe të rregullit, një shumë e konsideruar si shumë e lartë nga drejtuesit.