Besa, ekipi që e nderon Superioren

638
  1. Magani: Futbolli duhet të këmbejë përvojat më të mira midis Kosovës dhe Shqipërisë
Sigal

Superliga si asnjëherë kaq rivalizuese, si në kreun, ashtu edhe në fundin e saj

Gugash Magani, i lindur më 14 Mars 1965 është një nga futbollistët shqiptarë, i cili ka luajtur pjesën më të madhe të karrierës së tij 22-vjeçare me ekipin e vendlindjes, Shkumbinin e Peqinit, ndërsa është aktivizuar edhe me Besën e Kavajës dhe me Partizanin. Trajner i spikatur por edhe babai i dy talenteve të futbollit tonë, Arturit dhe Endrienit. Mbas një përvoje të shkurtër në kampionatin e Kosovës, trajneri i shquar rikthehet për të drejtuar bankinën e Besës së Kavajës, pas 7 vitesh. Pas një karriere të shkëlqyer si futbollist, Magani do të niste “zanatin” e trajnerit në vitin 2008 si trajner i ekipit të origjinës, Shkumbinit. Karriera e peqinasit të bankinave tashmë i ka kaluar atë të 10 viteve dhe më shumë se sukseset statistikore, trajneri ka ditur të vërë në zbatim në ekipet që ka trajnuar një disiplinë të një standardi tjetër duke krijuar atmosferën e harmonisë në grup por duke qenë njëherazi edhe një trajner, prind dhe mësues i mirë. Nga statistikat e trajnimit në bankina të ndryshme mësojmë se Magani e ka nisur në vitin 2008 me Shkumbinin për të vazhduar me Flamurtarin 2009-2011), Besën (2011-2012), Shkumbinin (2012), Teutën (2013), Tiranën (2013-2015), Teutën (2015-2016), Flamurtarin (2016) , Teuta (2016-2017), Trepça ’89 (2017-2018), Besa (2018-…, më shumë se 275 takime në bankinë për 10 vjet. Por ajo që absolutisht e bënë të veçantë trajnerin peqinas është se Magani mund të jetë një nga trajnerët e paktë që është i kërkuar pothuaj në të gjithë ato ekipe që i ka trajnuar njëherë.

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” trajneri i shquar do të jepte mendime për shkëmbimin e eksperiencave të Superligave të Shqipërisë dhe Kosovës, për Besën si një ekip potencial për të kapur Superligën, si dhe për ecurinë e kampionatit të kategorisë së parë dhe Superligës Shqiptare.

Besa, një “dashuri” e vjetër, por në kategorinë e parë, a nuk ka ca “spaleta” më pak?

  1. Magani Nuk është tamam kështu sikurse pyesni ju, sepse unë më shumë se kaq bëra një zgjedhje “zemre” dhe kjo nuk i llogarit “spaletat”. Unë pranova me kënaqësi ftesën që më bëri presidenti i Besës dhe nuk e shikoj fare si ulje “gradash gjenerali” këtë fakt, që të drejtoj Besën në Kategorinë e Parë, aq më tepër që unë e zgjodha Besën të parën, edhe pse kisha disa kërkesa nga ekipe të Superiores.

Ktheheni pas një përvoje në kampionatin elitar të Kosovës, duke trajnuar Trepçe ’89. Cilat janë ndryshimet midis superiores sonë dhe asaj të Kosovës në infrastrukturë, cilësi apo menaxhim. Çfarë përvojash duhet të këmbejmë që të përmirësohemi respektivisht?

E vërteta është se, ashtu sikurse ne që duhet të marrim shembull nga kampionati i Kosovës, ashtu edhe ata duhet të mësojnë nga ne. Problemi nuk është që të evidentojmë epërsitë, por të shkëmbejmë dhe të përvetësojmë eksperiencat më të mira të dy kampionateve tona. Dua të them se ajo që ne na bën superior ndaj kosovarëve është infrastruktura. Terrenet tona sportive, edhe pse jo të përhapur në të gjithë territorin janë shumë më cilësore. Terrenet e futbollit në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar, por gjithsesi ata janë në rrugën e mbarë, sepse ndryshimet kanë filluar. Stadiumet “Fadil Vokrri” i Prishtinës dhe “Adem Jashari” në Mitrovicë janë tregues se atje gjithçka do të ndryshojë për mirë. Për sa i përket cilësisë ajo është relative, sepse ka elementë që cilësia e kampionatit tonë është më e lartë, ndërsa rivaliteti është në të njëjtat nivele. Menaxhimi…, është një art që ata e kanë të perfeksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga periudha që qëndrova në krye të ekipit “Trepçe ’89”, jo vetëm që nuk pashë, por as dëgjova që të kishte ndonjë problem financiar sikurse ndodh shpesh këtu me likuidimet apo kontratat. Atje kishte një respektim dhe disiplinë të hierarkisë së kompetencave në mënyrë të përkryer. Gjithçka ishte brenda kontureve të kontratave dhe këto kontrata nuk kishte kush “guxim” t’i cenonte.

Mbas 7 viteve ktheheni te Besa. Në çfarë niveli është konkurrenca në kategorinë ku militon Besa dhe cilat janë objektivat tuaj dhe të Besës ?

Ndoshta si asnjëherë tjetër konkurrenca, jo vetëm në kategorinë e parë dhe në grupin tonë, (B) por si asnjëherë tjetër e tillë është në të gjitha kategoritë e futbollit dhe kjo e ka bërë më të bukur futbollin tonë. Jemi përballë një grupi dhe ekipesh shumë shumë të forta sikur është Bylisi, Egnatia, Lushnja, e pse jo edhe Orikumi. I njohim vështirësitë për t’ia dalë, dhe kjo nuk është e pamundur. Kemi një skuadër të mirë dhe shpresoj që gjërat të na ecin mbarë. Besoj se janë 3-4 skuadra për të luftuar deri në fund. Besa e ka potencialin për në Superiore, pasi edhe tradita është bonus dhe aset që duhet vlerësuar dhe ne këtë e kemi më shumë se të tjerët, patjetër përpos kualitetit të futbollistëve. Se çfarë do të shpalosë Besa, kjo i ngelet kohës. Qëllimi…, po padyshim ne jemi Besa dhe nuk ka dyshim që Besa e ka vendin në Superiore.

Objektivi juaj është dalja në Superiore. Projekti juaj është më afatgjatë apo përfundon këtu?

Padyshim që nuk përfundon këtu. Unë jam profesionistë dhe gjithçka e pranoj dhe kuptoj, por mendoj se duke i marrë një nga një çështjet do të shkojmë edhe te një projekt afatgjatë.

Ku e mbështet këtë?

Unë jam “vendas” në Kavajë dhe e njoh mirë ambientin. Këtë siguri e mbështes tek bashkëpunimi shumë i mirë me Bashkinë, me presidentin e ekipit, por edhe tek një tifozeri që me futbollin “ushqehet”.

Si po ecën përgatitja dhe merkatoja e deritanishme?

Po besoj se mirë, kemi afruar disa futbollistë, përqindja më e madhe e lojtarëve kanë ardhur, por, nëse vjen edhe ndonjë një sulmues, do e prisnim me kënaqësi.

A mund të na jepni ndonjë mendim për superioren deri në përfundim të dy fazave?

Mendoj se është në një pikë tejet interesante. Rivaliteti është i dukshëm në të dy anët e klasifikimit dhe ky e bënë më të bukur garën. Kryesimi i Partizanit është i merituar, por e shikoj nën presionin e ndjekësve dhe veçmas të Kukësit dhe Teutës. Nuk mund të parashikoj, por besoj se nuk do ketë lëshim gjatë garës, si për kreun, ashtu edhe për fundin e kampionatit.

Ilir. J Hoxha

Somario

Unë jam “vendas” në Kavajë dhe e njohë mirë ambientin. Këtë siguri e mbështes tek bashkëpunimi shumë i mirë me Bashkinë, me presidentin e ekipit, por edhe tek një tifozeri që me futbollin “ushqehet”

Grupi B

Skuadrat          Nd       P

  1. Bylis 14 30
  2. Besa 14 26
  3. Egnatia 14 25
  4. Pogradeci 14 22
  5. Lushnja 14 21
  6. Oriku 14 18
  7. Apolonia 14 17
  8. Tomorri 14 16
  9. Elbasani 14 10
  10. Turbina 14 8