Bayern mposhtet sërish/ Upamecano merr të kuqen e dytë brenda javës! Sirena largimi për Tuchel

21
Sigal

Bayern Munchen ka marrë një tjetër disfatë pasditen e sotme. Bavarezët u mposhtën në transfertë nga skuadra e Bochum me rezultatin 3-2. Tashmë shpresat për një tjetër titull kampion duken larg, pasi diferenca me Leverkusenin kryesues shkon në 8 pikë.

Musiala do të hapte llogarinë në sfidën e sotme në minutën e 14’. Por kundërpërgjigjja e vendasve do të ishte e shpejtë me Asanon në të 38-ën dhe Schlotterbeck në të 44-ën që do të përmbysnin shifrat.

Në pjesën e dytë, mbrojtësi i Bayern, Upamecano ndëshkohet me karton të kuq, i dyti brenda javës pas atij në Champions me Lazion. Francezi shkaktoi sërish një penallti dhe nga pika e bardhë lojtari i Bochum, Stoger do të shënonte të tretin. Në fund të lojës,Bayern ngushtoi rezultatin me të zakonshmin Harry Kane.

Kjo humbje e zhyt edhe më tej në krizë skuadrën bavareze teksa sirenat e largimit bien për trajnerin Thomas Tuchel.