Bankina e Tiranës, përgjegjësi dhe vlerësim kampionësh

INTERVISTA/ Flet pinjolli i Dinastisë “Mile”, trajneri i ri i bardhebluve, Vangjel Mile në startin e trajningut

Nga Agron KAJA

NOA

Një javë në stolin e Tiranës, sa jeni përshtatur me ritmikën e punëve në skuadër?

Të them të vërtetën, ka vështirësi. Por duke qënë se unë njihem me ekipin që më parë në kontakte të drejpërdrejta, ma ka lehtësuar pak punën e përshtatja e ka bërë më të lirshme mua dhe stafit. E kam marrë me pasion e seriozitet këtë post.

Po me përgatitjet në fazën përgatitore, ku jeni përqëndruar më shumë?

Deri tani në aspektin fizik e teknik, për të përmirësuar në grup filozofinë e lojës. Pra, fizik e tekniko-taktik, se lojtarët vijnë nga pushimet, edhe pse punuan edhe pas kampionatit me trajnerin Bledi Shkëmbi

Tirana ka bërë edhe përforcime në merkato, ju e mendoni të plotësuar grupin?

Në merkato kanë ardhur greku Valerianos, kamerunasi Tabeku, një gjeorgjian, Etjen Tare dhe Anxhelo Tafas. Do presim të tjerë deri në 2-3 përforcime cilësore në mesfushë dhe sulm. Mbrojtja dhe porta janë të konsoliduara me Kozin e Tafas.

Në ndeshjen miqësore që zhvilluat në fundjavën e kaluar, si e “lexuat” situatën në skuadër?

Përpos rezultatit me Ilirinë e Prizrenit (2-3), ishte ndeshje ku skuadra u përgjigj mirë në fushë. Kjo ishte e para miqësore që kur jam ulur në stolin e Tiranës, dhe pashë edhe momente që do përmirësohen gjatë përgatitjeve, para startit të sezonit.

Pjesën tjetër të fazës përgatitore do ta zhvilloni në Greqi, pse kjo lëvizje?

Faza përgatitore me itensitet të lartë fillon nga data 21 korrik, pastaj më 28 do shkojmë në Selanik ku është akomoduar edhe ekipi i Elbasanit. Aty do luajmë edhe  5 miqësore, me Kallamatën, Elbasanin, etj. Kuptohet, kushtet përgatitore aty janë më të mira.

Tashmë është përcaktuar edhe kalendari i kampionatit për sezonin e ri, si është ai për Tiranën?

Të gjitha ndeshjet në kampionat, si brënda dhe jashtë fushe, kanë vështirësi. Por, referuar kampionatit të kaluar, shpresoj të jemi më të kosnoliduar. Po ndërtojmë një ekip që mos të ketë problematika, të jetë ekip dominues në kampionat e kupë.

Edhe në këtë sezon Tirana do të shëtisë nëpër stadiume, apo e keni rregulluar “Selman Stërmasin”?

Stadiumi “Selman Stërmasi” është në gjëndje të mirë, ndërkohë që Tirana do ketë dy stadiume gjatë sezonit të ri. Kemi kontratë dhe do luajmë gjatë kampionatit në “Selman Stërmasi” dhe në “Air Albania”, presim edhe një tjetër konfirmim.

Në sezonin e kaluar Tirana dështoi në kampionat e kupë, po për sezonin e ri cilat janë synimet bardheblu?

Sezoni i kaluar mbetet një kapitull reflektues.Tirana është skuadër e madhe në futbollin shqiptar, dhe përgjegjësia është e madhe në çdo sezon. Për sezonin e ri që po përgatitemi, Tirana ka synime maksimale për të luftuar në të gjitha trofetë.

Është përcaktuar edhe një rregull i ri për ndeshjet “Final “, Tirana e mendon të jetë pjesë me këtë rregullore?

E mendoj Tiranën në zonën “Final 4”, dhe çdo lloj rregulli që është në shërbim të futbollit duhet përkrahur. Duhet parë, por unë nuk e gjykoj, sepse kam detyrë që me çdo skemë zyrtare, ta përgatis sa më mirë skuadrën që drejtoj.

Tre skuadrat tona kanë luajtur turin e parë në Europë, cili është komenti juaj për rezultatet që arritën në turin e parë?

Unë i kam parë të gjitha ndeshjet. Egnatia mu duk sikur e nënvleftësoi turin e dytë, ndërsa Partizani duhej ta kalonte turin. Vllaznia korrigjoi humbjen e parë dhe bëri detyrën, sepse kundërshtari nuk kishte nivel. Uroj tre ekipet që do luajnë të enjten, vetëm fitore.

AVANTAZHET E BANKINËS

Me Tiranën, Vangjel Mile e ka eksperiencën e parë në bankinë të Abissnet Superiore. Ai konsiderohet afrim që do të sjellë filozofi të re te bardheblutë, me ide të reja në organizim dhe në lojë. Mile ka Linencë UEFA PRO dhe nuk është i konsumuar në bankinat e tjera të futbollit shqiptar. Pas lënies së futbollit si lojtar, ai ka qënë në pozicione drejtuese në ekipe private dhe akademi futbolli.Tifozët bardheblu e kanë pritur mirë dhe do jenë mbështetje e madhe për Tiranën elitare.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet e Tiranës

Sezoni 2025-2026

Faza e parë

Java 1

Bylis-KF Tirana

Java 2

FK Vora-KF Tirana

Java 3

KF Tirana-Flamurtari

Java 4

Egnatia-KF Tirana

Java 5

KF Tirana-Dinamo C

Java 6

Partizani-KF Tirana

Java 7

KF Tirana-Teuta

Java 8

Vllaznia-KF Tirana

Java 9

KF Tirana-AF Elbasani

Nga Dinamo te Tirana, karriera e Vangjel Miles në Superiore

 

Vangjel Mile është djali i Kristaq Mile dhe Marinda Preka. Ka lindur në Berat më 1 korrik 1986. Fillimet me futbollin i ka nisur në Greqi me moshat te Akademia e AEK, ndërsa në moshën 15 vjeçare nisi karrierën në Shqipëri me Tomorin, nën kujdesin e babait të tij trajner, Kiço Mile. Në sezonin 2004-2005, në moshën 18 vjeçare, Vangjel Mile luajti me të Rriturit e Dinamos, ku në 8 ndeshje shënoi edhe 1 gol. Deri në sezonin 2016-2017, Mile u aktivizua në tetë skuadra të Superiores shqiptare dhe në dy të huaja, ku luajti mbi 255 ndeshje dhe shënoi 51 gola. Në periudhën 2001-2009, me Kombëtaret U17, U19 dhe U21, Mile luajti në 30 ndeshje dhe shënoi 8 gola, dhe në vitin 2010 është ftuar në Kombëtaren A dy herë, por pa mundur të aktivizohet. Ndërsa me trajningun e ka nisur pikërisht te Tirana në vitin 2023 në Akademinë e këtij klubi me moshat U17 dhe U19, si drejtor teknik. Nga korrik 2025-trajneri i parë te Tirana.

Merkato e Tiranës, nga një në çdo repart

Edhe para se Vangjel Mile të ulej në bankinën e Tiranës, merkato te skuadra bardheblu kishte nisur, ndërsa tani po vazhdon paralelisht me fazën përgatitore. Dhe, deri tani janë afruar: Mbrojtësi grek Jorgos Valerianos, sulmuesi kamerunas Serge Tabeku, gjeorgjiani Tsotne Patsatsia, Etjen Tare (djali i Igli Tares) dhe portieri Anxhelo Tafas. Mile bëri me dije se do të presin të tjerë, deri në 2-3 përforcime cilësore, në mesfushë dhe sulm, sepse mbrojtjen dhe portën e kanë të konsoliduar. Në miqësoren me Lirinë e Prizrenit, këto afrime u provuan në fushë.