01
Rishikojmë ligjin për arsimin e lartë, diaspora të bëhet pjesë e stafit akademik!
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rishikimin e ligjit të arsimit të lartë, që synon të adresojë problematikat dhe të transformojë universitetet. Në prezantimin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, Rama përmendi progresin, por shtoi se ka edhe një ‘volum jo të vogël gjërash’ që duhen adresuar.
“Kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurim ata që janë të domosdoshme për tu adresuar, duke filluar rishikim i ligjit të arsimit të lartë që i janë ribërë vitet për t’u riparë nga maja e një eksperience të akumuluar, por edhe shumë të rejave në botën akademike. “, u shpreh Rama.
Duke iu referuar raportit të fundit mbi arsimin e lartë, Rama tha se rekomandimet që janë dhënë janë të gjitha të vërteta dhe duhet të shërbejnë si pika referimi për të ardhmen. Kreu i qeverisë theksoi se, në një kohë kur Shqipëria po punon për të hyrë në BE, duhet që të kapim ritmin dhe t’u japë të rinjve shqiptarë, por jo vetëm, një ofertë akademike serioze dhe konkurruese. Ai vlerësoi si një domosdoshmëri që pjesë e stafit akademik në vend të bëhet edhe diaspora. Ky duhet të jetë target i universiteteve, shtoi ai.
02
Paralajmëron Rama: Do sekuestrohet çdo objekt i pabanuar
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në takim deputetët e Tiranës dhe drejtorët e bashkisë, lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike. Ai u shpreh se aksioni do të vijojë, sepse ka shumë pritshmëri nga qytetarët.
Ai u shpreh se nuk do të ketë tolerim edhe ndaj objekteve që janë legalizuar. Kryeministri paralajmëroi së do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’.Gjithashtu ai theksoi se do të konfiskohen edhe objektet në të cilat është shkelur leja e ndërtimit përtej masës 2% të kufirit të parashikuar në leje.“Nga ana tjetër, do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anë e kanë shkelur edhe të ligjshme edhe të ndërlikuara, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me 2% të kufijve të lejes. 2% është krejtësisht e arsyeshme që është edhe në vende të tjera të botës, por kur ky 2% kapërcehet, kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese. Paligjshmëria është e plotë sepse shkelje në ndërtim dhe ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi bëhen në vetëdije dhe janë një shkelje në vazhdim të ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në dyert e shtetit”, tha Rama.



















