Artur Lekbello: Për luftën sportive, ky është Kampionati më i bukur

739
Agron KAJA

SKANER SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Partizanit, Tiranës, Teutës dhe i Flamurtarit në përballjen e madhe me Barcelonën
Krahas detyrimeve tuaja në familje, punë e shoqëri, e ndiqni futbollin shqiptar?
E ndjek periodikisht Kategorinë Superiore, ndërsa për kategori të tjera vetëm kur rastis. Gjithsesi, kur Teuta luan në Durrës takimet e saj, unë jam prezent në çdo ndeshje, Kampionati, Kupe apo edhe miqësore të jetë. Kështu më duket se e ruaj atë lidhjen e madhe shpirtërore që kam me futbollin, i cili po më mban “peng” edhe në këtë moshë.

Në Kategorinë Superiore janë luajtur 22 javë, cili është këndvështrimi juaj për zhvillimin e ndeshjeve në tërësi?
Sikundër janë luajtur këto 22 javë, mendoj se ka pasur ndeshje të mira dhe ndeshje të dobëta, ka pasur ndeshje me arbitrime të mira, por edhe ndeshje ky gjykimi nuk ka qenë në nivelin e skuadrave. Ka pasur gjithçka në këto 22 javë, ato dukuri që futbollin e bëjnë të bukur, tërheqës, e ndonjëherë edhe të mërzitshëm.

Po skuadrat në përgjithësi, si janë shfaqur deri në këto 22 javë të luajtura?
Ka një ndarje treshe skuadrash në tabelën e renditjes, çka e bën edhe më të bukur luftën për të gjitha skuadrat. Kështu, për titullin Kampion janë këto tre skuadra: Kukësi, Skënderbeu e Partizani, për vendin e katërt që luan në Evropë më afër duken Tirana, Luftëtari e Vllaznia, ndërsa për mbijetesë, veç Korabit që mund të quhet i zbritur në Kategorinë e Parë, nga treshja Teuta, Flamurtari e Laçi do të dalë skuadra tjetër që do të zbresë një kategori më poshtë sezonin tjetër.

Sipas jush, kjo renditje do ta bëjë edhe më të bukur e më të fortë këtë Kampionat?
Besoj se po, dhe për mendimin tim, ky është Kampionati më i bukur, sa i përket luftës sportive. Duke ju referuar renditjes aktuale në Superiore, dhe nëse do ta shohim këtë tregues në syrin e një specialist futbolli, ai shfaqet dukshëm thuajse në të gjitha ndeshjet, ndërkohë që kulmin e kapi ditën e hënë në “derbin” e kryeqytetit Partizani-Tirana 2-1.

Në karrierën tuaj si portier i Partizanit dhe i 17 Nëntorit, sa ndeshje “derbi” keni luajtur?
Unë thuajse i kujtoj të gjitha ndeshjet “derbi” në kryeqytet, pasi kam pasur fatin që të luaj me Partizanin dhe me 17 Nëntorin (sot Tirana). Duhet të jenë mbi dhjetë të tillë, dhe atëherë ka pasur edhe një dallim shumë të madh social, pasi miqësia ka qenë shumë e mirë nga të dyja skuadrat e tifozeritë e tyre. Bëhej një ndarje logjike e miqësore, duke e ndarë veten nga fusha dhe jashtë saj. Sot, kjo kjo miqësi dhe ky respekt i ndërsjelltë nuk ekzistojnë.

Dhe për “derbin” Partizani-Tirana 2-1, sipas jush, ishte një rezultat logjik i lojës që u zhvillua?
Natyrisht që logjika e ndeshjes erdhi në sinkron me rezultatin përfundimtar të saj. Nëse sjellim në kujtesë një kronikë të shkurtuar të kësaj ndeshjeje, ritmika e lojës dhe rastet në portat respektive ishin gati të barabartë mes tyre. Nëse do të kishte më shumë saktësi në finalizim nga të dyja skuadrat, rezultati mund të ishte ndryshe, me më shumë gola, por gjithmonë me fitues Partizanin.

Në veçanti për lojën, në çfarë niveli ishte ajo për gjatë 90 minutave?
Me një gjykim të ftohtë dhe si specialist futbolli, unë e quaj këtë një “derbi” të mirë, por që kishte edhe mangësi, kryesisht në spektaklin e varfër dhe në marrëdhëniet me topin. Nëse Tirana nuk do të kishte problematikën e menaxhimit, ky “derbi” do të ishte edhe më i bukur se sa pamë ditën e hënë në “Selman Stërmasi”. Sepse Tirana ka kualitete që mund të rritnin edhe më shumë nivelin e ndeshjes, ndërsa për Partizanin fjalët janë nga më të mirat për këtë “derbi”, sepse e dominoi gjithë ndeshjen dhe ja arriti synimit për tri pikët. 

Në këndvështrimin tuaj profesional, si u duk ky “derbi” brenda dha jashtë fushës?
Me sa pashë, ngjyrat e ‘derbit’ ishin të zbehta, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Problematika që kanë pasur dy skuadrat mes njëra-tjetrës, bëri që mungesa e spektaklit të ishte prezent, edhe pse në situata të veçanta e pamë ndonjë shkëndijë të tillë.

Partizani si fitues, në cilët tregues mendoni se ishte më superior se Tirana në këtë “derbi”?
Unë do të thoja se në të gjithë treguesit, Partizani dallohej nga Tirana, por më shumë spikati vendosja e mirë që trajneri Starova kishte bërë, dhe më pas lëvizshmëria e madhe me dhe pa top që bëri në lojë e gjithë skuadra. Këtë nuk e përballoi si duhet Tirana, me gjithë lojën e mirë të saj nga starti i ndeshjes e deri në mbylljen e saj.

Me këtë fitore të Partizanit, mbetet ende e hapur lufta “treshe” për Titullin Kampion?
Partizani ka bërë një hap të madh drejt luftës për Titullin Kampion, por nuk duhet të mbetet vetëm këtu dhe të zhgënjejë me ndeshjet në vazhdimësi. Të gjithë ndeshjet e mbetura për Partizanin do të jenë si finale, nëse do të jetë kërkues për Titullin, e kryesisht ato me rivalët për këtë trofe, Kukësin e Skënderbeun, do të jenë edhe më të vështira.

Çfarë tregon më shumë për ju renditja aktuale e Kategorisë Superiore?
Duke ju referuar së pari renditjes, unë them se ky kampionat po më pëlqen. Jo vetëm për luftën sportive, por edhe për mënyrën se si ka ardhur deri këtu, duket se ka kualitete në të gjitha skuadrat. Duke mos përjashtuar në ndeshje të veçanta edhe Korabin e vendit të fundit, të gjitha skuadrat e tjera janë në luftë të ashpër sportive për arritjen e synimeve të tyre, dhe kjo është pra bukuria dhe e veçanta e këtij kampionati.

Po tifozeria, si e ka “bërë detyrën” në këto 22 javë të Superiores, e në veçanti në “derbin” Partizani-Tirana 2-1?
Tifozët gjithmonë i japin bukuri dhe kënaqësi çdo ndeshjeje futbolli, e në veçanti ndeshjeve “derbi” këtu në kryeqytet. Tifozët e Partizanit e bëjnë diferencën me të gjitha tifozeritë e tjera në Shqipëri, jo vetëm për numrin e madh, porn ë veçanti për spektaklin që dhurojnë para, gjatë dhe pas ndeshjeve. Nëse Tirana nuk do të kishte problematikën e saj, në stadium do të kishte më shumë tifozë dhe më shumë spektakël.

Si ish-futbollist i Teutës, si e mendoni situatën e saj në vendet e fundit të renditjes?
Teuta i ka kualitetet që të jetë një skuadër me renditje më të mirë në këtë kampionat, por më shumë mendoj se ka qenë një nga skuadrat e pafat për rezultatet që ka arritur. Por kjo renditje është edhe për faktin se i ka munguar shumë shënimi i golit, përpos lojës së mirë. Unë do të veçoj edhe ardhjen e Maganit në bankinë, e cila ka qenë një plus për menaxhimin e drejtimin e skuadrës së Teutës në këtë sezon futbollistik

Nga kreu në fundin e renditjes, sipas jush, cila skuadër del Kampion, dhe cila do të zbresë së bashku me Korabin në Kategorinë e Parë?
Duke e nisur nga kreu, sikundër edhe është ecuria e tyre, për Titullin Kampion janë të deklaruara tre skuadra: Kukësi, Skënderbeu e Partizani. Unë mendoj se më pranë këtij trofeu do të jetë skuadra e Skënderbeut, sepse kalendari e favorizon shumë shkëputjen në tre-katër ndeshjet e para të fazës së fundit. Ndërsa për mbijetesën, skuadra që do të shoqërojë Korabin në Kategorinë e parë do të dalë nga treshja Teuta-Flamurtari-Laçi.
Duke iu referuar së pari renditjes, unë them se ky kampionat po më pëlqen. Jo vetëm për luftën sportive, por edhe për mënyrën se si ka ardhur deri këtu, duket se ka kualitete në të gjitha skuadrat. Duke mos përjashtuar në ndeshje të veçanta edhe Korabin e vendit të fundit, të gjitha skuadrat e tjera janë në luftë të ashpër sportive për arritjen e synimeve të tyre kjo është dhe pra bukuria dhe e veçanta e këtij kampionati

Artur Shkëlqim Lekbello
Datëlindja: 25 janar 1958
Vendlindja: Durrës
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Gjatësia: 186 cm
Roli në fushën e lojës: Portier
Skuadra ku ka luajtur: Në sezonet 1978-1984 me Partizanin, në sezonet 1984-1986 me 17 Nëntorin (sot Tirana), në sezonin 1986-1987 me Flamurtarin, në sezonin 1987-1988 me Lokomotivën (sot Teuta), në sezonin 1988-1989 me 17 Nëntorin, në sezonin 1990-1991 me Teutën, në sezonin 1991-1992 me Partizanin

Tituj e trofe: Kampion me Partizanin në sezonet 1978-1979, 1980-1981; Kampion me 17 Nëntorin në sezonin 1984-1985; Kupën e Shqipërisë me Partizanin në sezonin 1979-1980 dhe me 17 Nëntorin në sezonin 1985-1986

Me Kombëtaren: Në hapësirën 1986-1989 luajtur në 2 ndeshje
Aktualisht: Ushtarak, me detyrë, përgjegjës i Zyrës së Emergjencave në Prefekturën e Durrësit; trajner te moshat e Teutës

KUPA E SHQIPËRISË
Për finale, më pranë Tirana me Skënderbeun
“Sikundër edhe u pa në ndeshjet çerekfinale, katër skuadrat që u kualifikuan për në gjymsëfinale, e merituan plotësisht. Por unë i trembem Kupës në kuptimin e përcaktimit të çiftit finalist, sepse duke qenë aty skuadra që e kanë fituar atë, ndeshjet gjysmëfinale do të jenë shumë të vështira për të katërta skuadrat. Nuk do ti referohem pozicioneve që kanë tre skuadra e Superiores, por edhe skuadrës së Besëlidhjes në Kategorinë e Parë, por të gjitha skuadrat kanë treguar se janë të forta në fushën e tyre. Si durrsak, do të dëshiroja që Kupën ta fitojë Teuta, ndërkohë që më favorit shikoj edhe Skënderbeun. Sepse duke qenë në luftën për mbijetesë, Teuta do të ketë ngarkesë të madhe fizike e psikologjike të luftojë në të dy frontet, e po kjo situatë është edhe për Tiranën. Për Besëlidhjen mendoj se deri këtu ka qenë një sukses dhe në finale mendoj se do të jenë Tirana-Skënderbeu”.

KOMBËTARJA
Nga Evropiani në Botëror, me dritëhije të mëdha
“Duhet pranuar fakti se gjatë vitit të kaluar, Kombëtarja jonë bëri historinë me pjesëmarrjen në ndeshjet finale të “Euro 2016”. Ishte një sukses që nuk ishte arritur asnjëherë, e për këtë natyrisht që meritë kishin të gjithë faktorët dhe aktorët, njëherësh edhe I gjithë Kombi shqiptar që jetoi me ato tre ndeshje në Francë. Por, duke e parë edhe në ndeshjet e “Botërori 2018”, këtu do të thosha se janë dy moment të rëndësishme që duhen vlerësuar. Së pari, përvoja e skuadrës në tërësi dhe e gjithë futbollistëve në veçanti, bëri që ata të mos e menaxhojnë mirë vazhdimësinë e tyre. Momenti tjetër është se, në këto ndeshje ne kemi në grup dy skuadra Kampione Bote, Italinë dhe Spanjën, të cilat në psikologjinë e skuadrës ndoshta kanë dhënë efekte jot ë mira. Humbja me Izraelin ishte pjesë e kësaj situate, dhe në vazhdimësi mendoj se duhet parë për një skuadër me elementë më të rinj”.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet/ Java e 23-të
Të shtunën, 25 shkurt 2017
Luftëtari-Laçi 14:00
Teuta-Korabi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Të dielën, 26 shkurt 2017
Kukësi-Partizani 14:00
Tirana-Flamurtari 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 22 46
2.Skënderbeu 22 44
3.Partizani 22 42
4.Luftëtari 22 28
5.Tirana 22 27
6.Vllaznia 22 27
7.Teuta 22 23
8.Laçi 22 21
9.Flamurtari 22 20
10.Korabi 22 11
(Flamurtari është penalizuar 
nga KD me -6 pikë)
Golashënuesit
13 gola: P. Pejiç (Kukësi)
10 gola: C. Ekuban (Partizani)
8 gola: A. Taku (Tirana), H. Salihi (Skënderbeu)
7 gola: Emini (Kukësi), T. Bushiç (Flamurtari)
6 gola: Reginaldo (Luftëtari)
5 gola: N. Shtubina (Vllaznia), D. Bregu (Luftëtari), D. Shkodra (Flamurtari) 
4 gola: J. Adeniy, L. Latifi (Skënderbeu), M. Ndockyt (Tirana), S. Plaku (Korabi), I. Batha (Partizani)
3 gola: B. Aquino (Laçi), F. Bangal (Teuta), I. Galiç (Flamurtari), A. Ribaj (Teuta), K. Abazaj (Luftëtari), R. Hebaj (Vllaznia), 
2 gola: A. Çyrbja, A. Magan, T. Cmajcanin (Teuta), Dvornekoviç, K. Lushtaku (Kukësi), B. Lulaj (Laçi), A. Tafili, E. Bakaj (Vllaznia), A. Shehaj, D. Alvesh, B. Telushi (Flamurtari), S. Atanda, B. Azubel, J. Bardhi (Partizani), B. Jashanica (Skënderbeu), B. Ramadani (Luftëtari), Gj. Muzaka (1 Tirana+1Skënderbeu)

1 gol: L. Ibrahimi, A. Torrasa, L. Trashi, E. Vila, R. Malota (Partizani), F. Bardulla, S. Cicmil, E. Çinari, A. Marku, E. Vrapi, D. Pjeshka (Vllaznia), I. Berisha, A. Fazliu, B. Radoviç, A. Fazlliu (Flamurtari), E. Boyom, A. Montero, D. Rapo (Luftëtari), A. Çelhaka, Pericles, F. Toski, R. Lushkja, Mensah (Laçi), N. Gripshi, B. Kotobelli, A. Hila (Teuta), I. Serxhinho, B. Nimaga, Radas (Skënderbeu), I. Ede, E. Hoxhallari, G. Muça, M. Nkounkou, O. Teqja (Tirana), A. Gavazaj, E. Kaja, S. Mziu, N. Nexhipi (Korabi), B. Greca, Rangel, S. Guri (Kukësi) 
FSHF/ KOMBËTARJA
Më 28 mars, miqësore me Bosnje Hercegovinën
Dje, Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin për ndeshjen miqësore për datën 28 mars 2017, e cila është tashmë zyrtare dhe e konfirmuar se do të luhet në “Elbasan Arena” kundër skuadrës përfaqësuese të Bosnje Hercegovinës. Kështu, pas takimit zyrtar me Italinë në 24 mars në Palermo, në kuadrin e ndeshjeve eliminatore për “Botërori 2018”, Shqipëria do të shfrytëzojë edhe datën e dytë të lirë të UEFA-s, atë më 28 mars ku skuadra e De Biazit do të presë në një takim miqësor Bosnjën. Kështu, kuqezinjtë do të përballen në një test miqësor me skuadrën e Edin Dzekos e shumë lojtarëve të tjerë, të cilët luajnë me skuadra të mëdha në Evropë. Orari I zhvillimit të ndeshjes mbetet për t’u konfirmuar në ditët në vijim. Njëherësh, FSHF-ja njofton se sot në orën 10:00 në hotel “Plazza” bëhet prezantimi i fanelës së re të ekipit kombetar për vazhdimin e eliminatoreve të Botërori 2018.

Ndeshjet me Bosnjën
30.11.1995 Miqësore Shqipëri-Bosnje H 2-0
24.04.1996 Miqësore Bosnje H-Shqipëri 0-0
08.10.2010 Euro 2012 Shqipëri-Bosnje H 1-1
07.06.2011 Euro 2012 Bosnje H-Shqipëri 2-0
Bilanci: N 4, Fitore 1, Barazime 2, Humbje 1, Golat 3:3


FSHF/ KURSI UEFA A
Për herë të parë në Shqipëri, kursi “Goalkeeper UEFA A” 
Në Kamëz, nisi dje kursi “Goalkeeper UEFA A”. Një staf i ardhur posaçërisht nga UEFA, së bashku me lektorin Mario Capece, janë prezentë në këtë kurs 2-ditor, ku një pjesë e madhe e trajnerëve të portierëve në Shqipëri janë regjistruar për ta ndjekur këtë kurs. Performanca e portierit, kuptimi i rolit dhe i detyrave të një trajneri portierësh, konfrontimi i ideve mbi tendencat e reja të rolit të trajnerit të portierëve, psikologjia e portierit dhe shumë pika të tjera do të realizohen nga stafi i UEFA-s në këtë projekt të ri shumë atraktiv, që realizohet nga Sektori i Edukimit Teknik pranë FSHF-së. Stafi i UEFA-s ndërkaq, në ditën e dytë do të realizojë edhe një leksion praktik për të gjithë trajnerët e portierëve në fushë, me ekipin Akademia U19.



PESHËNGRITJE
Konfirmohet zyrtarisht, në 2019, në Shqipëri Botërori i Peshëngritjes për paratërinjtë 
Nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, është bërë zyrtar njoftimi, se ajo ka marrë miratimin për të pritur një tjetër eveniment ndërkombëtar. Fjala është për kampionatin botëror të 2019-ës për paratërinjtë. Verdikti final u dha pas takimit që një përfaqësi e Federatës Shqiptare e përbërë nga presidenti Elez Gjoza, presidenti i Nderit të FSHP-së, Akademiku Gudar Beqiraj dhe sekretari i përgjithshëm Agron Haxhihyseni, zhvilluan në selinë qendrore të Federatës Botërore (IËF) në Budapest. Presidenti Tamas Ajan, shprehu mbështetjen për Shqipërinë në bazë materiale si dhe në asistimin me ekspertë ndërkombëtarë në kualifikimin e trajnerëve në vendin tonë.
Sigal