Armando Cungu: Nuk më tremb askush dhe asgjë, fitojmë ndaj çdo ekipi

317
Sigal

Skuadra e Laçit këtë sezon në Superligë mund të quhet ekipi i surprizave, ku përveç fitoreve në kampionat, ka arritur të sigurojë edhe kalimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke mundur Partizanin 3-0 në shtëpi. Një rezultat ky i arritur shumë shpesh nga kurbinasit që u ka dhënë një tjetër status në Superligë, atë të “tmerrit të skuadrave të mëdha”, pasi mjafton të kujtohen arritjet e fundit për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Mundën Kukësin, mundën Partizanin dhe mundën Tiranën, tani shkojnë në Vlorë për të vazhduar serinë e fitoreve të mëdha, e një faktor kyç në këto arritje ka padyshim trajneri Cungu që në intervistën dhënë për “Telegraf” foli mbi shanset që ka Laçi për Europa League dhe vlerat e këtij ekipi, ekip që nuk i druhet askujt në Superligë, pavarësisht diferencave të mëdha mes klubeve.

 Ndeshja ndaj Flamurtarit është e rëndësishme për kampionatin, por a mos ka akoma “ndikim” 3-0 i arritur ndaj Tiranës?

Në këtë pikë që ka arritur kampionati, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, si e tillë nuk bën përjashtim as Flamurtari. Por, nuk mendoj se ndikon fitorja me Tiranën, tashmë ajo ka mbaruar dhe po fokusohemi vetëm te Flamurtari.

Fusha e Vlorës njihet për vështirësinë e saj, synoni një tjetër fitore, apo jeni të kënaqur edhe me barazimin?

Laçi ka treguar që nuk është trembur nga asnjë ekip dhe në asnjë fushë, kështu që, patjetër, si në çdo ndeshje që kemi hyrë për ta fituar atë, i tillë do të jetë edhe objektivi i radhës, fitorja.
Deri më tani keni bërë mrekulli me Laçin, por synimet tuaja me këtë skuadër, për këtë sezon, cilat janë?

Synimet e mija janë të marr sa më shumë nga çdo ndeshje dhe pse mos ta provojmë deri në fund edhe zonën europiane, paçka se është shumë e vështirë pasi kemi konkurrencë me ekipe shumë të forta, si në cilësi e kontingjent ashtu dhe në investimet e bëra.

Vetëm 4 pikë diferencë me Flamurtarin, jo shumë për të pasur sigurinë “Europa League”, do ia dilni deri në fund të mbani këtë ritëm?

Thashë  edhe më sipër, është e vështirë, por, ne si skuadër, do të provojmë deri në fund.

Një kalendar i vështirë për Laçin, pas vizitës në Vlorë i drejtoheni Shkodrës. Një Vllazni e “ringjallur” është gjithmonë e frikshme?

Çfarë ringjalljeje? Për atë fitore pas 7 humbjesh radhazi, fitore që erdhi ndaj Apolonisë, skuadër tashmë e dorëzuar?! Jo, nuk është e frikshme.

Më shumë duhet të keni frikë ju nga Flamurtari apo Partizani nga ju, Laçi pra, kur vetëm 6 pikë ju ndajnë?

Nuk më tremb askush dhe asgjë! E kemi treguar në fushë se nuk trembemi dhe e kemi treguar përballë çdo ekipi, si me lojë ashtu edhe me rezultate.
A luan Laçi më mirë pa tifozë në fushën e vet? Duke parë fitoret e mëdha që po korrni në mungesë të tyre?

Nuk do thosha kështu. Ata janë inspirimi jonë dhe kemi nevojë për mbështetjen e tyre.

Edhe sa fitore te tjera 3-0 ju duhen që ta quani të suksesshëm këtë sezon?

Për mendimin tim tashmë jemi të suksesshëm, pasi jemi në 4 ekipet më të mira në Kupë, gjithashtu po rivalizojmë në kampionat ekipet me peshë që përmenda edhe më lart, e sigurisht kjo ecuri në vetvete është një sukses.

Një deklaratë në distancë për Ramelan dhe Flamurtarin, si kundërshtarin direkt, keni?

Nuk merrem me deklarata boshe, por preferoj të flasim me futboll, në fushë.

Cila fitore ndaj skuadrave “të mëdha” ju gëzoi më shumë? Ndaj Kukësit, Partizanit apo Tiranës?

Jam ndjere mirë në çdo fitore, pasi për mua si trajner kanë vlera të gjitha.

A është i plotë grupi i lojtarëve për ndeshjen ndaj Flamurtarit? A ka ndonjë mungesë?

Kemi mungesa, por Laçi është mësuar tashmë, nuk na bëjnë më përshtypje. Në fakt, nuk e di ta kemi pasur grupin e plotë këtë sezon.

Faleminderit!

Besara IBRAJ

Ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit, ekipet nuk bien dakord mes tyre

Vetëm një ditë larg derbit e çdo gjë u bë e ngatërruar për ndeshjen Tirana-Partizani që edhe pse ishte programuar të luhej nesër në “Qemal Stafa”, u anulua. Pse? Sepse fusha nuk është akoma gati, edhe pse ka pothuaj një muaj që tapeti është shtruar. Një gjë e tillë u konfirmua nga Eduard Prodani, drejtori i stadiumit, që në konferencën për shtyp tha se ndeshja nuk duhet të zhvillohet në “Qemal Stafa”, pasi sipas fjalëve të ekspertit grek, fusha nuk do e përballonte në këtë kohë një 90 minutësh lojë, duke u bërë kështu një rrezik i vazhdueshëm për lojtarët që do të ndesheshin me një terren jo të përshtatshëm për të luajtur. “Kompania e cila është marrë me shtrimin e tapetit, pa edhe njëherë sot (dje) gjendjen e fushës dhe doli në konkluzionin se fusha nuk është ende gati dhe ka probleme. Ka probleme për lojtarët, pasi mund të dëmtohen dhe jo tapeti. FSHF mori vendimin që ndeshja mos të zhvillohet në këtë stadium”, deklaroi Prodani. E nisur nga kjo, palët, Tirana-FSHF-Partizani, ranë dakord që të shtyhej zhvillimi i takimit, për tu luajtur me datë 12 mars, datë kur stadiumi do të jetë plotësisht gati dhe mbi të gjitha do të luhet në “Qemal Stafa”, por çdo gjë u anulua më vonë nga klubi i Partizanit, që kërkojnë që ndeshja të luhet nesër, e nëse nuk luhet në datën e caktuar, çka barazohet me paaftësinë e Tiranës për të organizuar takimin si skuadër pritëse, kërkojnë fitoren në tavolinë. Ka reaguar edhe klubi i Tiranës që ka akuzuar Partizanin për “ndryshim mendjeje”, kur kishin rënë më parë dakord që takimi të zhvillohej me 12 mars, duke e cilësuar vendimin e Partizanit si një sjellje fëminore.