Ardian Takaj: Dinamo e Zagrebit, short i kënaqshëm, do synojmë kalimin në grupe

453
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Skënderbeut, nga shorti tek aktualiteti, ja si ka ndryshuar skuadra e tij dhe kundërshtari në Evropa Ligë
Jeni president i skuadrës së vetme shqiptare që luan në Europë, si ndjeheni ju dhe skuadra?
Natyrisht që ardhja deri në play-off-in e Evropa Ligë është një arritje për gjithë skuadrën e Skënderbeut, e cila e ka merituar të jetë këtu. Ne kemi një ekip që tashmë e ka bërë traditë paraqitjen në Evropa, dhe ky tur në play-off nuk mund të quhet si një rastësi, pas një viti që ne kemi qenë jashtë Evropës, për arsye që tashmë janë bërë publike. Ndaj sot, jemi optimistë për çka kemi arritur, pse jo, për të shkuar edhe më tej.

Javën e kaluar u njohët me kundërshtarin në turin play-off të Evropa Ligë, si e keni parë këtë short?
Për nga mënyra se si u ndanë grupet, mendoj se për ne është një short i kënaqshëm. Sepse u shmangën skuadra shumë më të forta se sa Dinamo e Zagrebit, si Ajaksi apo Fenerbahçeja. Këta nuk i doja, dhe shorti më “dëgjoi”, ndërsa të gjitha skuadrat e tjera nuk mendoj se kanë ndonjë nivel më të lartë se sa skuadra jonë.

Ndryshe nga sezonet e kaluara, pse e kishit fiksim këtë short?
Sepse Skënderbeu nuk është më skuadra e viteve më parë kur debutonte në Evropë, edhe pse ka kapur grupet dy sezone më parë. Duke i quajtur skuadrat thuajse në të njëjtin nivel, natyrisht që fiksim kuptohet që të kalojmë më tej. Prandaj ju deklarova më sipër se ky është një short i kënaqshëm për ne.

Ju thoni i kënaqur, ndërkohë që përvoja me kroatët flet negativisht, e keni parasysh edhe këtë fakt?
Patjetër që po, por kanë qenë dy vite më parë, dhe që atëherë, të dyja skuadrat kanë pësuar ndryshime. Ne e vlerësojmë Dinamon e Zagrebit me gjendjen aktuale, sepse nuk është më ajo skuadër e dy viteve më parë, as në përbërje, por as edhe në trofe. Vjen në këtë tur si nënkampione e Kroacisë, dhe nga formacioni i dy viteve më parë janë vetëm katër lojtarë, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës ka ndryshuar.

Ju atëherë i humbët të dyja ndeshjet, sot e mendoni që keni ndryshuar edhe ju, për ti kaluar kroatët?
Edhe ne si skuadër kemi ndryshime, madje nga ato dy përballje, janë shtatë futbollistë, dhe këtu ne mendojmë se kemi diçka plus nga Dinamo. Ne kemi katër largime të spikatura, si kapiteni Shkëmbi që u largua nga futbolli, sulmuesi Salihi, mesfushorët Berisha e Ersuedrinja. Gjithsesi, ne e kemi bërë plotësimin me emra të tjerë, e njeri prej tyre është Ali Soue, i huazuar nga Kievo e Serisë A të Italisë. Ne mendojmë se nuk është ajo Dinamo e dy sezoneve të kaluara.

Nëse ju keni menduar se keni shanse, sa për qind janë në favorin tuaj?
Ne i kemi shanset tona për të shkuar bë fazën e grupeve. Edhe në dy ndeshjet e kaluara me Dinamon e Zagrebit ne i kishim mundësitë, por e nisëm keq në takimin e parë në Elbasan, dhe takimi i dytë në Zagreb u bë i vështirë për tu përmbysur.

Këtë vlerësim kanë edhe drejtuesit e tjerë, trajnerët e lojtarët e Skënderbeut për Dinamon e Zagrebit?
Po, patjetër. Sepse ky vlerësim është i përbashkët, dhe janë ata aktorët e fushës: trajner-lojtarë që do ta zgjidhin përfundimisht enigmën e kualifikimit. Edhe Dinamo e Zagrebit ka mendimet e saj për ne, madje kam dëgjuar se kanë thënë për një kalim të lehtë të turit nga ana e tyre. Unë them se fusha do ta tregojë se cila skuadër do të shkojë më tej.

Ndeshjen e parë e luani në Kroaci, është ky një shans për kualifikimin e Skënderbeut?
Kur them se kemi ndryshime në raport me dy vite më parë, këtu e mbështes edhe deklarimin, se shanset tona për kualifikim janë të mëdha. Të dyja ndeshjet duan kujdes, sepse e tillë është formula për kualifikim. Për ne, rëndësi do të ketë menaxhimi i rezultatit në favorin tonë, për të dyja ndeshjet.

Në këto 10 ditë deri në ndeshjen e parë me Dinamon e Zagrebit, keni menduar të bëni përforcime në skuadrën tuaj?
Deri para ndeshjes së parë, çdo gjë është e mundshme për ndonjë goditje cilësore në merkato. Ne do të federojmë këtë javë futbollistin Ali Soue që e kemi huazuar nga Kievo, dhe ky do të jetë një armë plus për të dyja ndeshjet me Dinamon e Zagrebit.

Që do të thotë, se do të presim shumë ndryshime te Skënderbeu para dy ndeshjeve me Dinamon e Zagrebit?
Jo, sepse në tërësi do të jetë ky grup për të dyja ndeshjet me Dinamon, por duke qenë se kemi mbi 10 ditë kohë, mundësitë janë që të sjellim ndonjë lojtar që ti shërbejë synimeve tona, që në këtë dy ndeshje.

Një muaj më vonë, më 9 shtator do të nisë sezoni i ri i Kategorisë Superiore, kjo do të jetë skuadra juaj edhe në këtë start të ri?
Natyrisht që kjo do të jetë skuadra e Skënderbeut për sezonin 2017-2018. Ne jemi përgatitur për synime të larta, për të cilat jemi të bindur se janë mundësitë: fitorja e Kampionatit dhe e Kupës së Shqipërisë.
Ne i kemi shanset tona për të shkuar në fazën e grupeve. Edhe në dy ndeshjet e kaluara me Dinamon e Zagrebit ne i kishim mundësitë, por e nisëm keq në takimin e parë në Elbasan, dhe takimi i dytë në Zagreb u bë i vështirë për t’u përmbysur
PËRBALLJET
Skënderbeu-Dinamo Z
Liga e Kampioneve
Sezoni 2015-2016 
Turi play-off
Datë 19 gusht 2015 
Skënderbe-Dinamo Z 1-2
Datë 26 gusht 2015 
Dinamo Z-Skënderbe 4-1
BILANCI
Nd2, F0, B0, H2, G 2-6
920 mijë
Kjo është shuma në euro, që Skënderbeu përfiton nga UEFA, pas kalimit në turin play-off të Evropa Ligë
2 ndeshje
Me Dinamon e Zagrebit, Skënderbeu ka luajtur dy ndeshje dy sezone më parë, pikërisht në turin play-off
LOJTARËT
Nga dy përballjet e para, te skuadra e Skënderbeut nuk kanë ndryshuar shtatë lojtarë: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Lila, Nimaga, Latifi, ndërkohë që te Dinamo e Zagrebit janë katër lojtarë që luajnë ende: Sigali, Çoriç, Sudani, Hoxhiç.
TRAJNERËT
Edhe dy teknikët e skuadrave, Ilir Daja te Skënderbeu dhe Mario Cvitanoviç te Dinamo e Zagrebit, nuk kanë qenë pjesë e skuadrave të tyre dy sezone më parë në dy përballjet që kanë zhvilluar: 1-4 në Elbasan dhe 1-2 në Zagreb.
Sigal