Sigal

“DERBI” TIRANA-PARTIZANI/ U luajt dje në stadiumin “Selman Stërmasi” ndeshja e 150-të “derbi” kryeqytetit, ja si e analizon për “Telegraf” ish-trajneri në disa skuadra të Kategorisë Superiore

ANESTI GJOKA

Rëndësi ka që ky “derbi” u kthye në një spektakël që na kishte munguar

Nga Agron KAJA

Një “derbi” i pritur me interesim të madh, e justifikoi dje loja që u zhvillua?

Për mendimin tim, rëndësi ka që ky “derbi” u kthye në një spektakël që na kishte munguar. Loja kishte momente të mira, por edhe mangësi nga të dyja skuadrat, por që Partizani ishte ai që gaboi më pak dhe e shfrytëzoi mirë momentin e shënimit të golit.

Në këndvështrimin teknik, cili është mendimi juaj për ndeshjen “derbi” dje, Tirana-Partizani?

Partizani ishte më i qartë se Tirana në fushën e lojës, sepse bardheblutë u treguan nervozë në momente vendimtare. Mendoj se mesfusha e saj nuk funksionoi në lartësinë që kërkonte kjo ndeshje e madhe. Ndërsa Partizani u menaxhua mirë nga bankina e Skënder Gegës në këtë sfidë.

Kishit pritshmëri, që rezultati i kësaj sfide të dilte 1-0 për Partizanin”

Pritshmëria ime ishte që ndeshja të kishte më shumë ekuilibër, nga presioni që të sjell në fushën e lojës një ndeshje “derbi” në të tilla përmasa. Por Partizani tregoi nivel më të mirë se Tirana, dhe superioriteti i tij në këta tregues, solli edhe fitoren, që mund të ishte edhe më e thellë.

Si ndikoi performanca e tifozerisë në këtë ndeshje “derbi”?

Futbolli shqiptar ka nevojë për performancën e tifozerisë, gjithmonë në kuptimin dashamirës. Edhe pse kishte momente që nuk duhet të ndodhnin, por që nuk ndikuan në rezultat dhe nuk ia prishën bukurinë ndeshjes, për mua, tifozeria meriton notën maksimale.

Siguria në stadium u mbajt nga stjuardët, tregon kjo se tashmë kemi hyrë në rrugën e duhur për këtë shërbim?

Sigurisht që po, sepse dje ka fituar edhe qytetaria në stadiumin “Selman Stërmasi”. Por, ne në Shqipëri ende kemi nevojë për policinë e shtetit në stadiume, dhe këtë e pamë qartë në momente të veçanta gjatë kësaj ndeshje “derbi”.

Sot do të luhen katër ndeshjet e tjera të javës së 6-të, mundet të presim ndonjë surprizë në to?

Janë të gjitha ndeshje të forta, por unë nuk pres ndonjë surprizë të veçantë. Shikoj si ndeshje të vështirë Kamza-Laçi, sepse kjo tradicionalisht ka qenë ndeshje me rivalitet, ndërsa Teuta e Kukësi kanë mundësinë që të ngjiten në renditje. Rëndësi ka që të prodhohet lojë e mirë.

Për mendimin tim, rëndësi ka që ky “derbi” u kthye në një spektakël, i cili na kishte munguar. Loja kishte momente të mira, por edhe mangësi nga të dyja skuadrat, por Partizani ishte ai që gaboi më pak dhe e shfrytëzoi mirë momentin e shënimit të golit