Sokol Haxhia: “Të tregojmë forcën tonë ndaj Norvegjisë!”

691
Sigal

Agjenti i FIFA-s që solli De Biazin te Kombëtarja: “Dhjetëra drejtues klubesh europiane në Qemal Stafa”

Sokol Haxhia, agjenti shqiptar i FIFA-s, me një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kontakteve të trajnerit të Xhani De Biazi me Federatën Shqiptare të Futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se ka ardhur koha që, “Kombëtarja shqiptare të bëjë hapim e madh në nivel ndërkombëtar”. “Të gjithë e dimë forcën që ka Norvegjia, por tani është momenti që, në të dëshmojmë plotësisht forcën tonë”, – tha Haxhia, i cili prej më shumë se 20 vjetësh jeton dhe punon në Itali, duke pasur një numër të madh lojtarësh nën menaxhimin e tij. “Tribuna e ‘Qemal Stafës’ do të jetë e mbushur me drejtues klubesh europiane. Vetëm nga Italia do të vijnë 4-5 klube të Serisë A që më kanë kontaktuar. Vijnë për të vëzhguar disa lojtare tanë të Kombëtares”, – theksoi agjenti shqiptar i FIFA-s. Haxhia vlerësoi si tepër pozitive

 – Zoti Haxhia, na ndajnë 48 orë nga përballja me Norvegjinë, një sfidë e shumëpritur në ambientin futbollistik shqiptar. Si do ta vlerësonit?

– Unë mendoj që, është një ndeshje që i duhet dhënë rëndësinë siç i jepet çdo ndeshje ku në lojë janë tri pikët. Sigurisht që, është një sfidë me shumë rëndësinë, duke u nisur edhe nga fakti se, do të përballemi me një kundërshtar që do të bëjë ç’është e mundur për të dalë i pathyer nga “Qemal Stafa”.

– Ka një presion kombëtar, për të marrë patjetër fitoren…

– Sigurisht, siç çdo shqiptar uroj që, të fitojmë, pasi kjo do të thoshte shumë për ecurinë tonë në katër ndeshjet e tjera, tri prej të cilave janë në transfertë. Fitorja na jep një siguri në forcën tonë. Mendoj se, është momenti i duhur për të bërë të famshmen “kapërcimin e cilësisë”, si ekip Kombëtar, pra edhe për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve të mira.

– Arritëm një fitore surprizë në Oslo, me një gol të realizuar nga Hamdi Salihi. A mund ta përsërisim në Tiranë?

– Të gjithë e dimë forcën e Norvegjisë por, akoma nuk jemi mësuar të njohim forcën tonë. Mendoj që, rezultati i këtij takimi vlen për këtë aspekt, pasi mund të na bëjë të vetëdijshëm për forcën që kemi. Do të thosha pa ngurrim se, kemi një nga ekipet më të mira në historinë e Kombëtares në dekadat e fundit.

– Tri fitore në pesë ndeshje, nëntë pikë dhe vendi i dytë në grup, statistika që nuk i kishim arritur kurrë më parë, as me Brigelin dhe Kuzhenë. Loja jonë dallohet për kompaktësinë dhe efikasitetin. Sa ka ndikuar trajneri Xhani De Biazi?

– Kemi fatin që, në stol kemi një strateg si De Biazi, një trajner me personalitet dhe me dije të vlefshme, e që na e lakmojnë shumë vende të tjera për punët dhe kualitetin dhe një staf shume të përgatitur, përfshirë edhe ndihmësin e tij Tramexani.

– Kur De Biazi mori përgjegjësinë për të drejtuar ekipin Kombëtar shqiptar, ai ndodhej në fundin e një gjenerate dhe në fillimin e një erë të re. Duket se ai ia ka dalë me afrimin e shumë lojtarëve të rinj, gjashtë prej të cilëve thirren për herë të parë kundër Norvegjisë…

– Rezultatet flasin vetë, si në pesë ndeshjet zyrtare, por dhe në shtatë ndeshjet miqësore. Rinovimi i ekipit kombëtar, zbulimi dhe vlerësimi i lojtarëve të rinj, nuk ishte një detyrë e lehtë, pasi këtu flitet për ekipin Kombëtar. Unë mendoj se, De Biazi e ka fituar edhe këtë bast, boll të numërojmë më shumë se 15-20 lojtarë të rinj të provuar, dhe krijimin e një bërthame prej 35-40 futbollistësh të gatshëm për çdo ndeshje.

– Do të jenë përballë njëri-tjetrit, dy trajnerë që dallohen shumë për aspektin taktik, si Xhani De Biazi dhe Egil Olseni i Norvegjisë. A mund ta konsiderojmë këtë ndeshje edhe një sfidë midis tyre?

– Sigurisht që, po. Kjo ndeshje mendoj që, është si një lojë shahu midis dy trajnerëve. De Biazi e fitoi duelin e parë, madje në shtëpinë e Olsenit, por kjo nuk do të thotë aspak se trajneri ynë e ka fituar raundin e dytë. Futbolli është një lojë jologjike, duhet të kesh aftësinë dhe fatin me vete. Gjithsesi, se kush do të fitojë në “Qemal Stafa”, kjo do të merret vesh pas 90 minutave të ndeshjes.

– Ndeshjet ndërkombëtare, sidomos ato në nivel të përfaqësueseve janë një vitrinë e mirë për futbollistët. Ju jeni një prej menaxherëve më të mirë shqiptarë, me një listë të pasur lojtarësh dhe administrator i një prej shoqërive më të njohura në transferimin e lojtarëve. Në dijeni tuaj a do të ketë agjentë të FIFA-s dhe skaut lojtarësh në “Qemal Stafa”?

– Padyshim që, po. Në të tilla ndeshje duhet të tregojnë kualitetin që kanë lojtaret e talentuar sepse në ndeshje të tilla që një klubi i mbushet mendja të investojë tek ky apo ai lojtar. Tribuna e “Qemal Stafës” do të jetë e mbushur me drejtues klubesh europiane. Vetëm nga Italia do të vijnë 4-5 klube të Serisë A që më kanë kontaktuar. Vijnë për të vëzhguar disa lojtare tanë të Kombëtares.

– Një mesazh i fundit përpara sfidës me Norvegjinë?

– Shpresoj që, Zoti të jetë me ne dhe në fund të 90 minutave të jemi ne ata që do të gëzojmë.

Mbërrijnë norvegjezët, sot stërvitje në “Qemal Stafa”

 Norvegjia mbërriti dje në Tiranë, ndërsa sot skuadra do të zhvillojnë stërvijen e vetme njohëse në “Qemal Stafa” në orën 18:00. Pak, para se të nisë seanca e fundit stërvitore trajneri Olsen do të japë konferencën e zakonshme për shtyp në vigjilje të sfidës me kuqezinjtë. Dyert e “Qemal Stafës” do të jenë të hapura për mediat vetëm gjatë 15 minutave të para të seancës së fundit. Takimi i shumëpritur Shqipëri–Norvegji do të nisë të Premten në orën 20:30, ndërsa të shtunën në orën 11:30 në ambientet e “Sheraton” është parashikuar një tjetër konferencë për shtyp, para se delegacioni norvegjez të niset drejt Rinasit. Norvegjia ka dy lojtarë kosovarë, Adrian Gashin dhe Valon Berishën.

  Opinion

“Shqipëria edhe mund të humbë”

 Nga Florian Hoxha

 Janë të paktë shqiptaret që pranojnë se, ndeshja e së premtes i ka brenda të tre rezultatet e mundshme, pra edhe humbjen e Kombëtares sonë e cila për çudi ndodhet në pozitat më të volitshme të historisë së saj të kualifikimeve europiane apo botërorë. Madje në rast fitoreje Shqipëria do të kapërcente edhe Zvicrën kryesuese, të paktën për një ditë duke qenë se kjo e fundit ndeshet me Qipron ditën e shtunë, pra një ditë pas ndeshjes sonë. Barazimi na mban aty stoikë dhe plot shpresë ndërsa humbja mund të na zbresë deri në vendin e katërt, atë vend që mban sot kundërshtari ynë Norvegjia. E pra, përballe kemi nordikët të cilët për gati 2 vjet (tetor 93-gusht 95) renditeshin të dytët në renditjen botërore të FIFA-s, e njëjta renditja që sot ne na rendit të 43-tët në botë. Vërtet kanë ndryshuar kohët dhe Norvegjia nuk ka më në gjirin e vet lojtare të tille si, Flo, Solskjaer, Iversen, Kerju, Fjortoft, Rekdal, madje nuk do të ketë as kapitenin e vet legjendar Rise. As Shqipëria nuk është ajo e dikurshmja. Si asnjëherë tjetër janë plot gjashte shqiptarë që luajnë në Serine A të Italisë (Cana, Strakosha, Bogdani, Çani, Basha, Ujkani). Për herë të parë në historinë tonë modeste kemi një lojtar në Ligën e parë spanjolle (Rama) ashtu siç kemi edhe një kapiten shqiptar të një ekipi të Bundesliges gjermane (Mavraj). Ne Zvicër shqiptarët fituan kupën (Abrashi, Brahimi) sikurse “lacialet” Cana e Strakosha, e po kështu bënë edhe Bulku e Sukaj në Iran. Ne Çeki, Bala u shpall nënkampion, tre shqiptarët e Janinës (Vila, Lila, Rrumbullaku) arritën Ligën e Europës e po kështu bënë edhe Bakaj e Vangjeli në Ukrainë. Ne Kinë, Salihi po shënon rregullisht e kështu po bën edhe Vajushi në Bullgari, ky i fundit luan nën drejtimin e fituesit të “Topit të Artë”, Hristo Stojçkov. Por, a mjafton kjo të themi me kaq guxim që Shqipëria do të fitojë të premten? Madje ka edhe nga ata që e quajnë edhe barazimin një rezultat dështues për ne. Më bëri përshtypje një deklarate e trajnerit norvegjez, të mirënjohurit Egil Olsen që u shpreh se, humbja e Norvegjisë në Shqipëri nuk do të thotë eliminim nga Botërori. E ndërkohë Shqiperia e vogël sillet e mendon sikur ndeshja e së premtes është e fundit dhe humbja na eliminon ndërsa fitorja na çon në Brazil. Sëmundje e vjetër e jona kjo, e cila për fat të keq nxitet edhe me tepër nga tituj e shkrime të papërgjegjshme të gazetave tona të shumta sportive. Nuk dua të zgjatem më tej por, dua ta mbyll me fjalët e mençura të Salihit, perla e te cilit na dha atë fitore të çmueshme në Oslo pak kohe më parë. “Duhet të mos e kemi mendjen as te renditja, as te Brazili. Duhet të kemi mendjen të kjo ndeshje dhe pas kësaj te ndeshjet e tjera. Kemi përshkuar vetëm gjysmën e rrugës dhe pas Norvegjisë na ngelen tri ndeshje jashtë fushës sonë, atje ku ne kemi pikën e dobët.

Kur Norvegjia na mundte 2-1 në vitin 1999

 Ia vlen të kujtojmë se, në të vetmen përballje me Norvegjinë në Tiranë, në një ndeshje të zhvilluar para 14 vjetësh, më 5 qershor 1999 për eliminatoret e Euro 2000, kemi humbur 2-1 me Astrit Hafizin në bankinë. Norvegjia nuk merr pjesë në finalet e një evenimenti të madh ndërkombëtar futbollistik, qysh nga Euro 2000.

TRI NDESHJET ME NORVEGJINË

NORVEGJI-SHQIPËRI 2-2

E mërkurë, 14 tetor 1998

Shënues: Rekdal 82’ (p), Berg 88’ / Bushi 38’, Tare 52’

Stadiumi “Uleval”, Oslo, 17 700 shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj, Haxhi, Bushi (84’ Halili), B.Kola (90’ Dalipi), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

SHQIPËRI-NORVEGJI 1-2

Shënues: Tare 13’/ Iversen 3’, A.Flo 83’

E shtunë, 5 qershor 1999

Stadiumi “Qema Stafa”, Tiranë, 12 mijë shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj (63’ Bellai), Haxhi, Bushi, B.Kola (70’ Duro), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

NORVEGJI-SHQIPËRI  0-1

Shënues: Salihi 67’

Stadiumi “Ulevall”, Oslo, 12 mijë shikues

Kualifikueset “Botërori 2014″

SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi (90’ Curri), Çani (Bogdani 75’). Trajner: Xhani De Biazi