Besa Dusha:“Të dashur kolegë”, 55 portrete të Marika Kallamatës për aktorët e mëdhenj

679
Sigal

INTERVISTA/ Flet Besa Dusha, redaktore e librit “Të dashur kolegë” me autore Marika Kallamatën

Ajo po mbush 83 vjeç, por nga skena është larguar shumë shpejt, qysh në vitin 1987 kur doli në pension. Disa kohë para pensionit ajo mori titullin “Artiste e Merituar” dhe më pas askush nuk është kujtuar për të as për  vlerësime, as për role. Sipas të gjithë specialistëve të artit skenik, Marika Kallmata, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma dhe Mihal Stefa, mbeten katër aktorët e mëdhenj të roleve të karakterit apo episodik, role, të cilat i kanë vendosur ata në panteonin e pavdekësisë së artit teatror shqiptar. Qysh në vitin 1967 ajo, nëpërmjet, përshkrimeve, apo vargëzimeve ka përshkruar karakteristikat e korifenjve të artit skenik shqiptar, ku përfshihen rreth 55 personazhe që sot e kësaj dite quhen të pazëvendësueshëm në aktrimin shqiptar. Midis tyre ajo ka përshkruar Naim Frashërin, Pjetër Gokën, Violeta Manushin, Sandër Prosin, Marie Logorecin, Drita Pelingun, Lazër Filipin, Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën,Besa Imamin, Ndrek Lucën, Prokop Mimën, Kadri Roshin, Tinka Kurtin, Pirro Manin, Robert Ndrenikën, Roland Trebickën, Roza Anagnosti, etj..

  Si lindi ideja për këtë libër?

Marika nëpër vite i kishte bërë këto vargëzime, apo bejte, ndaj dhe si nëntitull librit i përcaktohen, urime, përshkrime, portrete në vargje nga Marika Kallamata. Pra, libri nuk është shkruar sot, por zë fill qysh në vitin 1967 kur Marika ka filluar të shkruajë vargëzimet e para për kolegët e saj, aktorët më të talentuar shqiptarë të të gjitha kohërave. Janë rreth 55 portrete të vargëzuara dhe përshkrime që e kanë zanafillën që në fillimet e para të teatrit shqiptar. Pra libri nuk ka përcaktime kohore, por sa herë Marika shihte miqtë e saj në role, mundohej t’i portretizonte. Por frymëzimi i saj ka ardhur dhe në kohë ditëlindjesh si: Liza Vorfit, Drita Pelingut, Lazër Vlashi, Lazër Filipit, e me radhë. Por këto nuk janë përvjetorë fikse, por disa në 80-vjetor, disa në 70-vjetor e me radhë. Interesant janë vargëzimet si portret në 60 -vjetorin e Violeta Manushit, kur ajo ishte gjallë. Po kështu Drita Pelingu ka një vargëzim në një moment të caktuar të jetës së saj. Portreti i Roland Trebickës është bërë në vitin 1980, ku Landi ishte tepër i ri dhe në kulmin e famës së tij. Ndërsa portretin e Roza Anagnostit e ka bërë kur ajo mbushi 60-vjeç. Pra libri në strukturën e tij, nuk ka një rregullsi, për ditëlindje, apo për nderime të ndryshme, jo, ai është spontan, dhe urimet, përshkrimet, vargëzimet e portreteve janë hedhur në kohë të ndryshme në situata të ndryshme dhe për personazhe të ndryshme.

 Kush është e veçanta e librit?

P.sh më ka tërhequr vëmendjen kur gratë aktore janë mbledhur me rastin e 8 Marsit. Pikërisht në këtë moment vjen dhe frymëzimi i Marikës që bën një përshkrim interesant, ku në disa portrete, ajo imagjinon se si do jetë, Margarita, Drita, Violeta, Tinka, pas 20 vjetësh. Në këto përshkrime të kësaj dite mbizotëron vargu humoristik, pra përshkrimi humoristik që del si diçka e veçante, shumë spontane.

 Momenti kur është shkruar për vetë Marikën?

 Është një poezi e Sulejman Pitarkës me të cilën mbyllet libri “Urim për ditëlindje Marikës” në kujtim, apo në nderim të të gjitha portreteve, vargëzimeve, përshkrimeve që ajo u ka bërë të tërë artistëve. Është një poezi e veçantë ku miqtë e saj të punës i dedikojnë disa vargje zemre, jo vetëm si shpërblim të atyre vargjeve që ajo kishte bërë për ‘ta, por dhe me rastin e ditëlindjes. Njëkohësisht dhe Drita Pelingu me Mragarita Xhepën i bëjnë një poezi të vockël paksa humoristike.

 Sa vjeç është tashmë Marika?

Ajo mbush plot 83 vjeç dhe ka një memorie fantastike, ka një memorie sikur të jetë në moshën e rinisë. Kujtimet e jetës i ruan të freskëta sikur t’i ketë jetuar sot.

 Në çfarë moshe ka luajtur për herë të parë Marika në teatër?

Në moshën 20 vjeç, ka qenë ndër pionieret e para të teatrit shqiptar. Kishte një rol figuranteje. Ishte viti 1950.

Me rastin e promovimit të librit ju do shfaqni dhe një dokumentar?

 Po, është një dokumentar, modest, i thjeshtë, rreth 30 minutam ku del pak a shumë jeta e saj skenike. Ky dokumentar me skenar të Klinton Nesturit dhe me regji të Marsela Lenës është një dokumentar, ku jepen pikat më kulmore të jetës së saj, pasi jeta skenike e Marika Kallamatës është shumë e gjerë, shumë e bukur, shumë interesante.

Sa role ka Marika në jetën e saj skenike?

Ka më shumë se 100 role si në teatër po ashtu dhe në film. Pra në këtë dokumentar janë pjesë Andon Koço, Marsela Lena, Klinton Nesturi dhe një ndihmesë shumë, shumë modeste e kam dhënë unë.

 Si ishin ruajtur këto poezi?

Për çudi Marika dokumentacionin e ka ruajtur në mënyrë fanatike. Kur i pashë këto poezi mendova se do bëja një libër të vogël, kështu ishte ideja ime që u përkrah nga vetë Marika. Por aty pashë se ajo kishte në këto, përshkrime, vargëzime dhe historikun e teatrit, rrugëtimin e tij që në vitin 1945, kështu që mendova që libri të dilte i plotë.

Në leximet e para çfarë të bëri më përshtypje?

Më bëri përshtypje jo vetëm mënyra e përcaktimit të portreteve, por dhe pyetja që ajo kishte hedhur për zgjidhje. Dhe kjo pyetje ishte, përse kishin dalë në këtë kohë, kaq artistë të mëdhenj, përse, të tillë s’mund të dalin në çdo kohë, kur më parë  Shqipëria nuk ka pasur një të kaluar, një histori të mirëfilltë teatri, një eksperiencë përveç disa teatrove amatorë në Tiranë, Korçë dhe në Shkodër.

 Dhe pse jua besoj juve këtë libër Marika?

Pasi jam mike e familjes së tyre. Unë nuk jam mikeshë moshe, por një simpatizante, një njeri që e kam si pjesëtare të familjes.

 Në rolet e saj çfarë veçohet?

Dua të them se Marika nuk ka role, ajo ka role të karakterit, role episodikë. Që në fillimet e saj atë e tërhiqnin rolet e karakterit, pra ato role kërkonte dhe vetë. Katër aktorë luanin role të tilla të karakterit apo episodik. Marika Kallmata, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma dhe Mihal Stefa. Pra katër aktorë që janë evidentuar vetëm me role të karakterit. Kjo është një veçori në teatrin shqiptar.

A është vlerësuar Marika kohët e fundit?

Ajo ka dalë në pension në vitin 1987 dhe askush nuk është kujtuar më për të. Titullin “Artiste e Merituar” e ka marrë para se të dilte në pension dhe më pas ndaj figurës së saj ka një heshtje të plotë.