Andrea Marko: Në Shqipëri, futbolli e trajneri në pozicion të vështirë

996
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Andrea Marko, ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, të cilit sistemi i kaluar ia ndërpreu karrierën si “bastexhi”
Ndoshta gaboj që në fillim të bashkëbisedimit tonë, por, ka kohë që Andrea Marko duket si i shmangur nga mediat e shkruara, për ju mbetet i vërtetë ky konstatim?
Ky është konstatimi juaj, ndoshta për faktin, se së bashku kemi disa vite pa komunikuar në gazetën “Telegraf”, sepse unë kam shkruar mbi 120 artikuj në gazetat sportive e më gjerë, e të gjitha opinionet i kam përmbledhur në librin tim “Opinion”.
Konstatimi duket real, kur kujtojmë, se në vitet e fundit ju i jeni përkushtuar më shumë ekranit, se sa shkrimeve në gazetë.
Unë kam vite që punoj si opinionist në televizionin “Super Sport”, pasi më parë kam shkruar shumë, por kur nuk paguhesh, nuk mund të vazhdosh më bashkëpunimin me çdo gazetë. “S’ka para, s’ka botë”, kjo thënie për mua ka aktualitet në çdo kohë dhe ajo duhet respektuar. Sepse kënaqësia nuk është vetëm kur të del emri në gazetë, por edhe shpërblimi për atë punë që ke bërë. Ka ikur koha me “Bravo, të lumtë!”. 
Gjatë karrierës suaj si futbollist me Dinamon, keni luajtur në një nga brezat e shkëlqyer të kësaj skuadre ndër vite, e ndjeni sot këtë atmosferë?
Dinamo ka qenë një ekip ëndrrash, të paktën në periudhën kur unë isha pjesë e saj. Nëse do ta filloja nga treshja e sulmit: Përnaska-Ballgjini-Zëri, natyrisht që nostalgjia është e madhe. Por edhe mesfusha ku unë luajta kishte emra të mëdhenj si Çeço, Çiraku, Mergjyshi, Ibërshimi, Kodra e Çoçoli, për ta mbyllur këtë nostalgji me qendërmbrojtësin nga më të mirët e kohërave te Dinamo, Mujo Targajn.
Ka qenë për ju Dinamo një trampolinë drejt Kombëtares?
Patjetër që po, sepse po të luaje me Dinamon, Partizanin e 17 Nëntorin (sot Tirana), ishe njëherësh edhe kandidat për ekipin kombëtar. Me këtë nuk dua të them, se nga skuadrat e tjera kishte përjashtime, por realisht ka qenë fakt, ku në 80% të ekipeve të kryeqytetit luanin futbollistët më të mirë të vendit.
Te skuadra e Dinamos ju përmendët disa breza futbollistësh, çfarë sillni sot në kujtesën tuaj?
Ka aq shumë gjëra për të thënë, sa do t’ua u mbushja gjithë gazetën tuaj. Po kujtoj që unë kur luajta për herë të parë me Dinamon e të rriturve, fanellën ma dorëzoi i madhi Frederik Gjinali. Është një karrierë e gjatë, edhe pse në vitin e 12-të u ndërpre për arsye banale të asaj kohe.
Cilët kanë qenë trajnerët që ju punuat gjatë karrierës suaj si futbollist te Dinamo?
Po, kanë qenë Durim Shehu, Sabri Peqini, Skënder Jareci, Bahri Ishka e Fatmir Frashëri, për të cilët do të thosha, se kanë qenë trajnerë të mirë, por edhe edukatorë të tillë. Për të gjithë ruaj konsideratat më të mira dhe i kujtoj me respekt e nostalgji.
Në karrierën tuaj si futbollist, ju pësuat edhe një goditje nga sistemi i kaluar, duke ju larguar nga futbolli, ka lënë kjo ndonjë brengë për ju?
Ka qenë viti 1986 kur ndodhi ajo që po përmendni ju, ashtu ishte regjimi, ashtu ishin ligjet e tij, të dënonin edhe për një fjalë goje, jo për atë çka më akuzuan mua. Sepse në atë kohë bëri të veçantë rasti im, pasi mua më akuzuan për baste ndeshjesh, një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë. Më afruan te Dinamo në vitin 1987, por unë nuk pranova, ndoshta edhe pse isha 31 vjeç.
Dhe si erdhi situata që ju të riktheheshit në futbollin shqiptar, tashmë në bankinë?
Rikthimi ishte pjesë e pasionit tim, por edhe një detyrim profesional. Më parë se të filloja trajningun në ekipe të të rriturve, unë kisha krijuar në vitin 1993 ekipin privat “ALPAO”. Më pas, në vitin 2002 fillova së pari trajner te Luftëtari në Gjirokastër, për të cilën dua të falënderoj Presidentin e asaj skuadre, Harri Lena.
Më pas, keni qenë trajner edhe në disa skuadra të tjera, keni ndonjë konkluzion teknik për këtë përvojë?
Është e vështirë sot që të menaxhosh brezat, por ndjehesh krenar për punën. Në futbollin shqiptar, pozicioni i trajnerit është shumë i vështirë. Është një profesion me risk të madh, sepse je në shënjestër të gjithë opinionit, tifozëve, mediave, pse jo edhe të drejtuesve të klubit. Është një pozicion që mbart gëzim e zhgënjim, këtu trajneri nuk është autonom në vendimmarrje. Mendoj se duhet një legjislacion tjetër për një menaxhim ndryshe nga Presidentët, klubet, drejtorët teknikë e trajnerët.
Pse aktualisht jeni fokusuar vetëm në ekranin e televizionit si opinionist sportiv, është ky një pasion i vjetër apo e momentit?
Më duhet ta përsëris atë çka ju thashë më sipër, se unë kam shkruar shumë artikuj sportivë, të cilët i përmblodha në librin tim. Kur nuk paguhesh, nuk mund të vazhdosh, dhe duke e gjetur veten në Super Sport në gjithçka që duhet, natyrisht që këtu do të vazhdoj, madje me respektin më të madh për këtë “gjigand” mediatik sportiv.
Cili është këndvështrimi juaj për kategorinë Superiore sot?
Është një kampionat interesant që ka progres nga sezoni në sezon. Më vjen mirë që Partizani e Kukësi po vendosin “hegjemoninë”në Superiore dhe kjo është gjë e bukur për futbollin. Tirana nuk duket se po i ndjek këto të dyja, ndërkohë që Skënderbeu është përmirësuar në vazhdimësi dhe e mendoj pretendent serioz për titullin. Edhe në zonën e mbijetesës, skuadrat janë të forta dhe deri në mbyllje do të kemi një kampionat të bukur.
Po për trajnerët e Superiores sot, si e shikoni trajtimin e tyre?
Le ta përsëris veten edhe në këtë përgjigje, duke ju thënë se në këndvështrimin tim është zbehur roli i trajnerëve. Kur mendon që sot, me lekët e shtetit shqiptar Presidentë të klubeve të futbollit janë edhe kryetarë bashkie, ky është një paradoks që sjell ato çka unë ju përmenda në këtë bisedë. Duhen respektuar shumë ata presidentë skuadrash që kanë mbetur të tillë, për të cilët nuk është thënë aq sa meritojnë. 
Cilën skuadër e mendoni Kampione të Kategorisë Superiore në këtë sezon?
Në fakt është shpejt për të thënë një përcaktim të përafërt, sepse jemi në mesin e sezonit për të dy kompeticionet. Treshja që renditet në vendet e para do të jetë pretendente, pa Tiranën. Kukësi është realisht pretendenti kryesor, Partizani e vuri në dyshim këtë synim me humbjen në Gjirokastër, ndërkohë që Skënderbeu ka ekip të mirë dhe do ta përdorë eksperiencën deri në fund. Për mbijetesë, Korabi është i deklaruar për momentin, ndërsa skuadra tjetër mund të dalë nga Laçi, Teuta dhe Flamurtari.
Po si fituese të Kupës së Shqipërisë, cilën skuadër e shikoni më të sigurt?
Siguri nuk ka deri në ndeshjen finale, por edhe Kupën e mendoj tek ajo treshe që kryeson kampionatin e Kategorisë Superiore. Në futboll nuk përjashtohen edhe surprizat, ndaj edhe këtu ndoshta mund ta kemi një të tillë deri në ndeshjen finale.
Somario 1
Dinamo ka qenë një ekip ëndrrash, të paktën në periudhën kur unë isha pjesë e saj. Nëse do ta filloja nga treshja e sulmit: Përnaska-Ballgjini-Zëri, natyrisht që nostalgjia është e madhe. Por edhe mesfusha ku unë luajta kishte emra të mëdhenj si Çeço, Çiraku, Mergjyshi, Ibërshimi, Kodra e Çoçoli, për ta mbyllur këtë nostalgji me qendërmbrojtësin nga më të mirët e kohërave te Dinamo, Mujo Targajn
Somario 2 
Trajneri është një pozicion që mbart gëzim e zhgënjim, këtu trajneri nuk është autonom në vendimmarrje. Mendoj, se duhet një legjislacion tjetër për një menaxhim ndryshe nga Presidentët, klubet, drejtorët teknikë e trajnerët
Andrea Marko
Datëlindja: 3 nëntor 1956
Vendlindja: Tiranë
Sporti i ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor
Skuadrat ku ka luajtur: Me Dinamon: në skuadrën e të Rinjve në periudhën 1972-1975; në skuadrën e të Rriturve në periudhën 1975-1987
Tituj e trofe si futbollist:Kampion me Dinamon në sezonet 1975-1976, 1976-1977, 1979-1980, 1985-1986; Kupën e Shqipërisë me Dinamon në vitet 1977-1978, 1981-1982
Me Kombëtaren: Me U21 luajtur 6 ndeshje (Kampion i Ballkanit 1978); me Kombëtaren luajtur në 5 ndeshje
Titujt sportivë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Mirënjohje e Futbollit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar
Si trajner:Me Luftëtarin në vitin 2002, me Bylisin 2002-2003, me Pogradecin 2003-2004, me Apoloninë në vitin 2005, me Albpetrolin në vitin 2006, me Skënderbeun në vitin 2009, me Kastriotin në vitin 2011
Aktualisht: Drejton Shoqatën e Futbollit “Marko Futboll”, opinionist në Super Sport
KËNDVËSHTRIMI PËR KOMBËTAREN
Skuadra ka rënie, lojtarët nuk luajnë shumë në kampionate
“Me pjesëmarrjen në ndeshjet finale të Kampionatit Evropian “Euro 2016”, Kombëtarja jonë e futbollit shënoi kulmin e historisë së futbollit tonë. Kjo krenari sot vihet përballë një realiteti ndryshe. Nëse do të thosha se “mali ka dy faqe”, realisht duhet të nënkuptojmë që edhe në futboll janë prezent të dyja anët e medaljes. Ndeshjet eliminatore për “Botërori 2018”, e kryesisht humbja me Izraelin, na zbritën nga Evropiani me këmbë në tokë. Duhet të jemi realistë në Grupin G eliminator, sepse kemi dy nga skuadrat më të mëdha në Botë, Spanjën dhe Italinë. Por, në këto eliminatore të Botërorit nuk është ai ekip që luajti në Evropian. Së pari, largimi i Canës ka lënë një boshllëk në mbrojtje, por edhe në motivimin e skuadrës si kapiten, e kësisoj secili futbollist duket sikur luan për hesapin e vet. Ndërsa është evident fakti që në Kombëtaren tonë ka futbollistë të cilat pak aktivizohen ose edhe nuk luajnë fare në skuadrat e tyre, duke bërë që edhe cilësia e lojës të bjerrë. Menaxherët e Kombëtares duhet të punojnë që, lojtarët e Kombëtares të luajnë sa më shumë në skuadrat e tyre në Evropë e në Botë. Në vazhdimësi, përmirësim mund të pritet edhe nga pjesëmarrja në Kupën e Kombeve”.
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet/ Java e 20-të
Dje, 5 shkurt 2017
KUKËSI-TEUTA 1-0
Shënues: Emini 37′ 
LAÇI-TIRANA 1-0
Shënues: Mensah 35’
PARTIZANI-VLLAZNIA
Shënues:
Sot, 6 shkurt 2017 
Korabi-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Luftëtari 17”00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 20 42
2.Partizani 20 35
3.Skënderbeu 19 35
4.Tirana 20 27
5.Luftëtari 19 25
6.Vllaznia 20 21
7.Laçi 20 20
8.Teuta 20 19
9.Flamurtari 19 17
10.Korabi 19 11
Golashënuesit
12 gola: P. Pejiç (Kukësi)/ 9 gola: C. Ekuban (Partizani)/ 7 gola: A. Taku (Tirana)
6 gola: Reginaldo (Luftëtari), H. Salihi (Skënderbeu), D. Shkodra (Flamurtari), I. Emini (Kukësi) 
5 gola: N. Shtubina (Vllaznia)
4 gola: J. Adeniyi (Skënderbeu), D. Bregu, K. Abazaj (Luftëtari), M. Ndockyt (Tirana), S. Plaku (Korabi)
3 gola: B. Aquino (Laçi), F. Bangal (Teuta), Batha (Partizani), T. Bushiç, I. Galiç (Flamurtari), L. Latifi (Skënderbeu), A. Ribaj (Teuta)
2 gola: A. Çyrbja, A. Magani (Teuta), Dvornekoviç, K. Lushtaku (Kukësi), B. Lulaj (Laçi), A. Tafili (Vllaznia), A. Shehaj, D. Alvesh (Flamurtari), S. Atanda, B. Azubel (Partizani), B. Jashanica (Skënderbeu), B. Ramadani (Luftëtari)
1 gol: J. Bardhi, L. Ibrahimi, A. Torrasa, L. Trashi, E. Vila (Partizani), F. Bardulla, S. Cicmil, E. Çinari, R. Hebaj, A. Marku, E. Vrapi (Vllaznia), I. Berisha, A. Fazliu, B. Radoviç, B. Telushi (Flamurtari), E. Boyom, A. Montero, D. Rapo (Luftëtari), A. Çelhaka, Pericles, F. Toski, R. Lushkja, Mensah (Laçi), T. Cmajcanin, N. Gripshi, B. Kotobelli, A. Hila (Teuta), I. Serxhinho, B. Nimaga (Skënderbeu), I. Ede, E. Hoxhallari, G. Muça, Gj. Muzaka, M. Nkounkou (Tirana), A. Gavazaj, E. Kaja, S. Mziu, N. Nexhipi (Korabi), B. Greca, Rangel, S. Guri (Kukësi)
Shënues: 73 futbollistë, 33 janë të huaj
Pse nuk u licencua stadiumi i Korabit?
Në fundjavën e kaluar, nga ana e FSHF-së është bërë publik vendimi për stadiumin e Peshkopisë, pasi gjithçka është punuar aty, ka marrë notë pakaluese. Komisioni i Licencimit ka rrëzuar përsëri kërkesën e klubit dibran për ta licencuar këtë stadium, në të cilin, ende janë duke u kryer punime rikonstruksioni. Sipas komisionit, stadiumi nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve në Kategorinë Superiore, ndërsa ndeshja e sotme Korabi-Skënderbeu, do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Sigal