Gianni rrugë të mbarë! E kreve detyrën, por nuk je Skënderbeu!

556
Nga Xhevdet ZEKAJ
OPINION/ Dorëheqja e De Biazit nga stoli i Kombëtares, largimi i një trajneri mesatar, pa Dukën nuk arrinte dot asnjë sukses
Preferenca e Presidentit të FSHF-së: Po kërkoj një trajner italian 
Nga dita e mërkurë kur Xhani De Biazi zyrtarisht u largua nga stoli i Kombëtares shqiptare, fluksi i SMS-ve në celularin e Presidentit të FSHF-së ka qenë i madh, me emra të personave të gatshëm të zënë vendin e mbetur bosh. Sipas një deklarate të tij në kanalin televiziv Top-Channel, zgjedhja e FSHF-së për teknikun e ardhshëm, që do të marrë drejtimin e kuqezinjve, nuk do të vonojë shumë. “Nuk ka mjaftuar një ditë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve të De Biazit, dhe kanë qenë dhjetëra, apo qindra mesazhe, që më kanë mbushur telefonin. Personalisht po kërkoj një trajner italian”, këto ishin fjalët e Armand Dukës, dhe mesazhi tashmë është i qartë: Mundësia për një trajner shqiptar, do të jetë një zgjedhje dytësore.
Mediet e Apenineve: Ishte shpërthimi i helmuar ndaj FSHF-së
“I lënduar nga kritikat e shumta kohët e fundit, dhe i ndërgjegjshëm që kishte dhënë gjithçka për kauzën, Gianni De Biasi i jep lamtumirën Kombëtares shqiptare”, shkruan “Sport e Vai”. Ndërsa “Corriere dello Sport”, e cilëson një lamtumirë të hidhur, të ndikuar nga presidenti Armand Duka, ndërsa kanë nisur që tani pretendimet e ekipeve për të marrë në stol trajnerin e rikthyer në Itali. De Biasi po joshet jo pak, për tw provuar sërish Serie A, një kampionat të cilin e la pa shkëlqim në vitin 2010 kur drejtonte Udinezen.
Kam thënë me kohë, se, Gianni De Biasi i dha profesionalizëm mesatar ekipit tonë, disiplinë, por se kjo kombëtare i fali LAVDINË! Madhështinë! Suksesin! Ka dy ditë që jemi përfshirë në një falënderim kolektiv për Ganiun! Dhe bëjmë shumë mirë, dhe këtë gjë ne shqiptarët e kemi bërë në shekuj, e bëjmë edhe kur vdes një maskara, një kriminel, apo një prostitutë. Themi pafundësisht, se ishte burrë apo grua e mirë., edhe pse i kishte nxirë jetën familjes e komunitetit.

Opinionet nuk janë gjë tjetër vetëm se bashkimi i ca kuptimeve të vërteta, me kuptimet e pavërteta, të drejtuara në adresë të njërit apo të tjetrit, hajde ta gjemë kush ka të vërtetën. Ganiun e gjetëm trajner deri në nivele të Serisë B, më shumë pa punë, se me punë. I shoqëruar pafundësisht me shkarkime, apo ndërprerje të parakohshme të kontratës. Giani De Biasi erdhi në mandatin e tretë të Dukës, që kishte forcuar kalanë e futbollit, por dhe ishte bërë lojtar në FIFA-s e UEFA-s, sidomos pasi syrgjynosi idealizmin e Bujar Leskës, në një kohë kur FSHF-ja ishte organizuar dhe modernizuar, në një kohë që lumi i futbollistëve të rinj, të cilët donin të vishnin fanellën e kombëtares, gëlonte pafundësisht. Në këtë atmosferë pozitive, Gianni De Biasi erdhi me një përvojë pozitive mesatare, dhe dha kontribut në ndryshim të mentalitetit të kësaj skuadre, por për aktorët që kanë qenë afër, e dinë shumë se Paolo Tramexani ishte lideri trajnues e profesionist i kombëtares sonë. De Biasi erdhi i punësuar në Shqipëri, mori disa rezultate që janë “ajsberg”, për të thënë të vërtetën, prandaj përsëri i themi faleminderit, por jo për ta mitizuar, a thua ai ishte Messia që shpëtoi Shqipërinë! Nuk mjaftuan paratë pa fund, kontrata e reklama të majme, nuk mjaftuan titujt dhe medaljet, dekorimet, lajkat, librat e tjera, por tashmë duhet ti ulemi në gjunjë dhe të shpallim zi kombëtare, dhe për çfarë? Çfarë nuk i dhamë këtij të punësuari, që në fakt, detyrat i realizoi me ndihmën apo kopjen e Armand Dukës. Për një trepikësh i shtruam qilimin e kuq???!!! Po Islanda që fitoi e shkoi deri ne çerekfinale, a më tej, si u prit? Po tre pikë me ballkanasit morëm, dhe normale faleminderit, por jo kaq shumë. Janë shumë gjithë ky përkushtim e përulje, deri në poshtërim për Ganiun! E tepruat o njerëz.

Pesë pikë mori, kaq, asnjë më tepër! Dy barazime me Danimarkën dhe një fitore në Portugali. Kaq! Të tjerat janë poshtë ajsbergut, dhe nëse ka ndonjë njeri që meritonte qilimin e kuq, ai është Armand Enver Duka, titullari, lobisti, lojtari, kapiteni i suksesit evropian. Kaq, më shumë nuk them dot se do më thoni antishqiptar. Gianni De Biasi iku??? Natyrisht që duhej të ikte pas Francës, përpara një viti, nëse do ishte aq burrë i zgjuar apo profesionist i madh. Por jo, ai është një trajner mesatar, që pa Dukën nuk arrinte dot asnjë sukses. Dhe kjo është aq e vërtetë, sa Tramexani ka ofertë shumë të mirë, sepse bota do specialistin e mirë, jo burrin e mirë. Nuk e di, por gjithë ky turravrap për të mitizuar Giani De Biasin, më duket servilizëm, por më kujton se dashuria për lavdinë nuk është gjë tjetër, vetëm se dëshirë për t’u pëlqyer të tjerëve si vetja, dhe kjo është sëmundje shqiptare. Të mirëkuptohemi, që Gianni De Biasi është një trajner që, duam apo nuk duam, edhe kontribuoi për këtë kombëtare, por kush trajner shqiptar apo i huaj nuk e ka bërë këtë? Loro Boriçi, Bejkush Birçe, Agron Sula, Neptun Bajko, Medin Zhega, Shyqyri Rreli, Sulejman Demollari, Dosena, Bariç, Kuzhe, Haan, Brigëll? Secili dha kontributin e tij në kohën dhe me profesionalizmin e tij, me të mirat dhe të këqijat e tyre, pra kështu dhe Ganiu pati shancin që punoi me Dukën, pati Ballist Morinën, pati e pati… Tashmë Gianni De Biasi iku, por ne jemi këtu dhe pas katër vitesh, ne mund të shkojmë në Botëror, po po, mund të shkojmë në mos në Katar jo, por tek ai me 48 skuadra po e po. 
Porosia miqësore e gazetarit
“I dashur Gianni, mos harro se, etja për lavdi është vetia më e pandashme e njeriut, në të njëjtën kohë, ajo është dhe vërtetimi më i padiskutueshëm i meritave të larta që ka njeriu, sepse duke qenë zotërues i sa e sa virtyteve, nuk i shijon kënaqësia që këto i japin, pa qenë i rrethuar nga respekti i dashamirëve. Dhe, më mirë se në Shqipëri dhe nga shqiptarët, nuk ke ku e gjen. Miqësisht më dëgjo e beso, dil në pension e mos merr skuadër, sepse do pendohesh. Nuk gjen askund Shqipëri. Do kuptosh se lavdinë që të falën shqipot, do ta shuash brenda një muaji, dhe ne do themi: Na ishte një Gani Gianni De Biasi apo Xhani o Xhan, që lavdia shqiptare ia mori mendtë dhe harroi edhe vet se kush ishte, sa vlente. Gianni De Biasi Nderimet i ndryshojnë zakonet. Ishalla kjo nuk ndodh me ty atje në Italinë e 60 milionë trajnerëve, analistëve, rregullave, kalçiopolit, mafies etj, etj. Shqipëria këtu do jetë në pritje të ardhjes të një tjetri për të falënderuar, dekoruar, mitizuar dhe përse pa asnjë titull do i shtrojmë qilim të kuq, pastaj ai do iki, në lot dhe përsëri në pritje”.
E përsëris, se Gianni De Biasi i dha profesionalizëm skuadrës me suportin e Dukës, bëri menaxherin e shkëlqyer për shumë transferime, kush e kundërshtonte e pësonte, por ne i dhamë lavdinë, madhështinë! Prandaj qau… Do t’i mungojnë lëvdatat e pafundme dhe paratë e të gjitha llojeve
Valter Zenga, mundësi, apo fjalë?
Ndërsa ditën e mërkurë në Konferencën e shtypit, Presidenti Duka po përcillte me emocion dorëheqjen e De Biazit, thashethemet e merkatos u ndjenë që në sallën e mbledhjeve të FSHF-së. Por, dje kanë dalë si alternativa në ajër, duke u fokusuar së pari te Vlater Zenga, ish-portieri i Interist dhe i Kombëtares italiane. Sot 57 vjeç, Zenga ka një karrierë të pasur në bankina, ku mund të quhet edhe si një “shëtitës” i madh. E ka nisur si trajner i New England, dhe e fundit po në Angli, me Volherhempton.
Sigal