Analiza e specialistit të futbollit, Gerd Haxhiu për Telegraf: Për lojtarët dhe trajnerët, kjo ishte një javë testuese

152
Sigal

SUPERIORE/ U luajtën sfidat e para të sezonit të ri. Ja analiza e specialistit të futbollit, Gerd Haxhiu

Agron KAJA

Java e parë e Superiores trokiti shpejt, në tërësinë e tyre! Si i përshkruani të pesta ndeshjet?

Duke ditur se luhej java e parë, teknikët ishin të fokusuar te pikët, jo te performamca. Sepse skuadrat vinin nga fazat përgatitore të ngarkuara dhe nuk pritej më e mira. Pas fazës së parë, skuadrat vijnë në 80% të formës, por me çka u shpreh në fushë, jam i kënaqur me paraqitjen.

Dy fitore në transfertë dhe një fitore vendase, me dy barazimet, ishin këto rezultate të pritshme?

Duke ju referuar përgjigjes e pyetjes më sipër, do të shtoja se çdo rezultat është i pritshëm në start. Skuadrat në këtë javë më shumë shikojnë vendosjen e lojtarëve në fushë, edhe ndonë prurje të re të përshtatet me grupin.

Nga tre fitoret, cilën e veçoni si të paparashikuar, atë të Vllaznisë me Partizanin, apo të Egnatias me Dinamo City?

E vetmja skuadër e përgatitur m’u duk Tirana, edhe në aspektin tekniko-taktik. Skuadrat e tjera ishin thuajse të barabarta, por e paparashikuar ishte fitorja e Vllaznisë me Partizanin, rival për titull. Egnatia tregoi se është skuadër e mirë.

U dhanë 2 kartonë të kuq dhe 26 kartonë të verdhë, tregojnë këto për një parapërgatitje të dobët?

Për kartonët e kuq them se ishin për sjellje të dobëta ndaj rregullores, dhe këtu mendoj se FSHF-ja duhet të tregohet e palëkundur. Kartonët e verdhë ishin për ndërhyrje jo të rregullta dhe janë normale në dyluftimet që bëhen në fushën e lojës.

Sa spikatën blerjet e reja që skuadrat kishin bërë gjatë merkatos së kësaj vere?

Vetëm Tirana guxoi në merkato, të tjerat ishin më të kursyera, dhe janë të justifikuara. Një nga dy mënyrat e blerjeve është që klubet të stepen për shpenzime të mëdha, prandaj nuk pamë lojtarë me vlera të konsiderueshme teknike e monetare. Ndoshta është starategji.

Në këtë sezon nisi aplikimi për sjelljen e re të kapitenit tek arbitri, si u pa në javën e parë?

Kjo formë është e vjetër, edhe kur unë kam luajtur futboll. Jam i mendimit se kapiteni nuk është vetëm lojtari i parë në fushë, por edhe trajneri, lideri e përgjegjësi në fushën e lojës. Është një rregull që i vlen futbollit, Rregullore e drejtë.

Në të pesta ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore, si u shfaq tifozeria në stadiume?

Në raport me sezonin e kaluar, kjo javë kishte më shumë tifozë. Po i referohem ndeshjes Teuta-Bylis, ku tifozët durrsakë ishin të shumtë, po kështu edhe në Korçë. Në Laç kishte shumë tifoza të Tiranës e te Partizani-Vllaznia ishin të shumtë. Dinamo-Egnatia pak tifozë, por e justifikueshme.

Në javën e parë arbitrat sikur ishin më të lehtësuar në fushë, pse ndodh kjo?

Nuk është paragjykimi për arbitrat, sepse sistemi VAR e ka bërë më të saktë nivelin e gjykimit. Ndaj konstatimi juaj se arbitrat dukeshin të lehtësuar, ishte kryesisht për këtë fakt, por edhe perfomanca e tyre ishte normale në vendimmarrje.

Cila është këshilla juaj për vazhdimësinë e garës së Superiores 2024-2025?

Këshilla ime në aspektin teknik, që kolegët trajnerë të guxojnë më shumë, të mendojnë edhe për argëtimin e tifozëve. Ndërkohë që vetë klubet dhe komisionet e displinës në FSHF të jenë më korrektë, të ndëshkohen për t’u mos përsëritur rastet e kartonëve të kuq.

 

Kategoria Superiore do të vazhdojë Abissnet Superiore

FSHF-ja dhe kompania e internetit “Abissnet”, kanë firmosur dje marrëveshjen për tre sezonet e ardhshme për të drejtën e emrit të kampionatit Kategoria Superiore.

Nga ky edicion e në tre vitet e ardhshme, kampionati Kategoria Superiore do të quhet sërish “Abissnet Superiore”. Gara ishte hapur nga FSHF-ja që në muajin mars të këtij viti, por oferta e kompanisë “Abissnet” u shpall fituese pas ankandit për shitjen e emrit të këtij kompeticioni, pasi paraqiti ofertën më të mirë.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2024-2025

Rezultatet-Java 1

Datë 18 gusht 2024

Dinamo-Egnatia          0-2

Teuta-Bylis                  2-1

Datë 19 gusht 2024

Laçi-Tirana                  0-0

Partizani-Vllaznia        0-1

Skënderb-Elbasani      1-1

 

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Egnatia         1          3

2.Teuta            1          3

3.Vllaznia        1          3

4.Skënderbe    1          1

5.AFElbasani  1          1

6.Tirana           1          1

7.Laçi              1          1

8.Bylis 1          0

9.Partizani       1          0

10.DinamoC    1          0

 

“Shkundet” Dinamo, gati Bregun për transfertën në Ballsh

Në javën e parë të Kategorisë Superiore 2024-2025, Dinamo City humbi me Egnatian kampione në fuqi, por në këtë start kjo skuadër e kontestoi shumë gjykimin e arbitrit Eldorian Hamiti. Por stafi teknik dhe klubi shpresojnë që gjithçka të jetë ndryshe në Ballsh, ku do të luajnë ndeshjen e javës së dytë. Afrimi më i ri, Dejvi Bregu mungoi ndaj Egnatias, pasi Federata Polake e Futbollit nuk kishte dhënë miratimin në FSHF. Por Dinamo do ta ketë në dispozicion për ndeshjen e fundjavës me Bylisin, edhe pse ai nuk do ta nisë nga minuta e parë, por do të jetë një “armë” e fortë edhe në stol. Në formacion pritet që të rikthehet Baton Zabërgja, dhe me shumë mundësi do të mungojë sërish Klevi Qefalija. Dinamo vazhdon të jetë aktive në merkato dhe deri më 31 gusht pritet që të afrohen edhe dy-tre lojtarë,një mbrojtës qendre, një mesfushur dhe një tjetër për sulmin.