Altin Rraklli: “Fitorja jonë vjen me Greqinë!”

544
Sigal

Trajneri i Kombëtares së Femrave: “Nuk është turp të humbasësh 4-0 me Holandën e 120 mijë futbollisteve”

Edhe pse Shqipëria e futbollit për femra humbi 4-0 me Holandën në “Qemal Stafa”, në takimin e dytë eliminator të Botërorit 2015, trajneri Altin Rraklli pa shumë gjera pozitive të vajzat e tij, në krahasim me ndeshjen kundër Belgjikës, të humbur 2-0. “Objektivi ynë si ekip, si staf dhe si federatë është të lëmë pas një skuadër në grupin tonë, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne. Unë mendoj se ajo mund të jetë Greqia. Objektivi ynë është që, të fitojmë ndeshjen kundër Greqisë dhe ta lëmë pas atë”. Shqipëria do të luajë, më 26 tetor në Norvegji, për t’u rikthyer në “Qemal Stafa” kundër Greqisë katër ditë më vonë.

 – Rraklli, ndeshja e parë e Shqipërisë për femra në vendin tonë, përfundoi me një humbje të hidhur 4-0. Në këndvështrimin tuaj si trajner, ku çaluam?

– Rezultati nuk ishte i mirë, por mund të them se presioni në “Qemal Stafa” ishte shumë i madh. Nuk duhet të harrojmë faktin se, ne kemi vetëm rreth dy vjet që jemi krijuar si ekip Kombëtar dhe ëndrra e atyre vajzave ishte të luanin të paktën një herë në jetën e tyre në “Qemal Stafa”. Kur hodhi shorti i fazës së grupeve të Botërorit, pas kualifikimit tonë me meritën në paraeliminatoret e Maltës, dëshiroja që ato të luanin në këtë stadium. E theksoj, ka një peshë të rëndë ky stadium. Ndeshja u pa qysh në minutat e para, kur ne nuk e përballuam dot Holandën. Pësuam dy gola shumë të shpejtë nga gabimet qesharake, që normalisht një ekip me pak më shumë përvojë nuk i bën. Ishte një goditje shumë e rëndë. Mendoj se, rezultati 0-4 nuk do të ishte i tillë po të mos pësonim dy gola brenda tetë minutave të para.

– Shqipëria humbi 2-0 në ndeshjen e parë me Belgjikën. A shihni ndonjë përmirësim të skuadra kundër Holandës, pavarësisht humbjes?

– Sigurisht, veçanërisht në lojën sulmuese. Dolëm më shumë herë pranë portës kundërshtare, ndërsa kundër Belgjikës e konceptuam lojën tonë më shumë në aspektin mbrojtës. Në Belgjikë luajtëm për 90 minuta prapa, ndërsa ndaj Holandës guxuam më shumë dhe patëm disa mundësi të mira edhe për të shënuar.

– Duke e parë lojën në tërësi, cilat nga lojtaret tona do të veçonit?

– Në skuadër nuk kemi kualitete të jashtëzakonshme, por më duhet te veçoj Fortuna Velajn. Ka cilësi shumë të mira. Është lojtare, e cila luan në kampionatin finlandez, një kompeticion thuajse profesionist. Nëse do të kishim dy-tre lojtare si ajo, jam i bindur se do të ishim më rezultateve në lojë.

– Trajneri holandez, Roxher Reijners, e vlerësoi lojën e ekipit tonë, duke veçuar edhe faktin se, futbolli i femrave në Shqipëri luhet vetëm prej pesë vitesh, ndërkohë që në Holandë ai luhet prej më shumë se 30 vjetësh.

 – Kjo është e vërtetë. Dua të jap vetëm një statistikë. Në Holandë janë të regjistruara 120 mijë lojtare, kështu që nuk e kanë aspak të vështirë për të nxjerrë 11 lojtarë, kur ne nuk kemi 120 futbolliste. E vlerësoj konsideratën e trajnerit holandez, pasi ai sheh tek ne, një skuadër që ka rritje në këto dy vjet. Duke e parë në këtë këndvështrim, të humbasësh 4-0 me Holandën me shumë përvojë, mund ta konsideroj pozitiv.

– Rraklli, ju jeni një nga ish-lojtarët e Kombëtares së meshkujve, me mbi 60 ndeshje dhe 11 gola. Sa e ndjen ndryshimin me futbollin e femrave?

– Të jemi të sinqertë, ka një ndryshim kolosal midis dy ekipeve. Ka një tjetër dimension, më shumë profesionalizëm, tjetër atmosferë. Në gjithçka. Të jesh trajner i një ekipi Kombëtar femrash, kur e di se ke përballë vetëm skuadra të forta kjo ta vështirëson jo pak punën, aq më tepër që gjithmonë duhet të mbrohesh. Unë kam qenë lojtar sulmues, dhe pikërisht këtë kërkoj nga skuadra që drejtoj. Unë kam qejf kur i sulmojmë skuadrat. Edhe pse Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia kanë nga 10-15 vjet që janë krijuar, mezi pres të luaj kundër tyre në miqësore, që të luaj në sulm. Ne e kemi treguar se, kemi fituar kundër tyre me rezultate të mira. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim. Megjithatë, më duhet të pranoj se puna e trajnerit është shumë e vështirë.

– Altin, ndeshja e radhës është ajo kundër Norvegjisë, ish-kampione e botës dhe nënkampione në fuqi e Europës, ndërkohë që më pas presim Greqinë në “Qemal Stafa”. A është momenti i duhur për të marrë fitoren e parë në eliminatoret e Botërorit “Kanada 2015”?

– Objektivi ynë si ekip, si staf dhe si federatë është të lëmë pas një skuadër në grupin tonë, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne. Unë mendoj se ajo mund të jetë Greqia. Objektivi ynë është që, të fitojmë ndeshjen kundër Greqisë dhe ta lëmë pas atë.

Trajneri: “Kemi një ekip Kombëtar U-19, prej të cilit në të ardhmen do të marrim disa lojtare”

 “Shqipëria ka perspektivë”

  Trajneri Altin Rraklli beson se, perspektiva e ekipit tonë është mirë. Në program janë dhe tetë ndeshje:nga dy me Norvegjinë, Portugalinë dhe Greqinë, si dhe ato të kthimit me Holandën dhe Belgjikën. “Ne do ta marrim çdo ndeshje, si një luks që kemi, duke luajtur me disa nga ekipet më të mira në botë. Me to mund të përfitojmë, nuk kemi asgjë për të humbur. Kur në Europë, ka skuadra të atilla që humbasin me 8 apo 10 gola, ne duhet të jemi të kënaqur që humbasim me 2 apo 4 gola. Sigurisht, që në të ardhmen shikimi është përpara, për ta përforcua skuadrën me ndonjë element të ri kualitativ. Kemi edhe një ekip Kombëtar U-19, prej të cilit në të ardhmen presim të marrim disa lojtare. Ajo që, unë dua të ritheksoj, ka të bëjë me faktin se ne tashmë e kemi filluar këtë rrugë. Kjo ka nevojë për njerëz, investime, kampionat më cilësor në vendin tonë. Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar një interesim shumë të madh dhe ka dhënë një mbështetje të pakursyer, ndryshe sot (dje) nuk do të luanim në këtë stadium”, – tha Rraklli.

Reijners: “E merituam fitoren!”

 Trajneri i Holandës, Roxher Reijners, u shpreh mjaft i kënaqur pas ndeshjes. “Nuk e prisnim një fitore kaq të lehtë, por e merituam rezultatin ndaj Shqipërisë. Krijuam disa shanse shumë të mira, kështu që jam i kënaqur në lidhje me përfundimin. Unë e di që, Shqipëria ka një ekip të ri. Luajti mjaft mirë kundër nesh. Unë e pashë atë në ndeshjen e së shtunës së kaluar, kundër Belgjikës. Ajo di të mbrohet shumë mirë. Ka një organizim të mirë. Ka një ekip të ri dhe është kënaqësi të shohësh vajza të reja që luajnë futboll. Keni perspektivë”. I pyetur në lidhje me rivalitetin në grupin tonë, Reijners tha: “Mendoj se, Norvegjia është rivali më i fortë në grupin tonë, por futbolli i femrave po rritet shumë shpejt në çdo vend. Po bëhet çdo ditë e më mirë, në Shqipëri, Greqi, Portugali, Belgjikë. Do të jetë një grup i vështirë”. Ndryshe nga Shqipëria, ku futbolli i femrave është zhvilluar pesë vitet e fundit, në Holanda ka thuajse mbi 30 vjet që ai luhet.

 PIKANTET NGA NDESHJA

 Vetëm pesë shqiptare

 Edhe pse luan Kombëtarja e Shqipërisë, në formacionin titullar të ndërtuar nga trajneri Altin Rraklli kishte vetëm 4 lojtare nga kampionati vendas. Pjesa më e madhe ishin kosovare, shumë prej të cilave luajnë në Europë, SHBA dhe Australi.

 Kontroll policor

 Edhe pse hyrja në “Qemal Stafa” ishte falas, dhe në stadium ishin të paktën mbi 800 tifozë, ajo që ra në sy ishte kontrolli i rreptë policor përpara se të hyje në stadium. Intersant ishte fakti, se më shumë kishte police femra.

 Masazhatore femër

 Edhe masazhatorja e ekipit Kombëtar ishte femër. Kjo ishte e natyrshme, pasi asaj i duhet të përgatisë nga ana muskulore vajzat, përpos problemeve të dëmtimeve që futbollistet mund të pësojnë gjatë lojës apo stërvitjeve.

 Gjyqtarja shqiptare

 Ndeshja u gjykua nga një treshe nga Irlanda, me kryesore Rhona Dejli, e ndihmuar nga Mishel O’Neil dhe Shind Ford, por ajo e katërt ishte një shqiptar me banim në Kroaci, Mirela Cemeri, por që për hir të rregullave komunikonte anglisht.

 Tribuna “VIP”

Shumë presidentë dhe ish-presidentë klubesh, emra të njohur të sportit në tribunë: Artan Takaj, Agim Zego, Pashk Laska, Arben Laze, si dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Të pranishëm edhe Skënder Gega, Alban Bushi dhe Edvin Murati.