KOMBËTARJA/ Për sfidën me Serbinë, flet për “Telegraf” ish-mesfushori kuqezi Altin Lala
Agron KAJA

Kanë kaluar ditë, por si vjen prej jush atmosfera e fitores të ndeshjes me Serbinë?
Kjo është një fitore e rëndësishme për Kombëtaren tonë, si nga ana sportive, ashtu edhe emocionale për gjithë shqiptarinë. Unë do thoja se ishte si një ndeshje “derbi”, që brënda saj kishte edhe nota të tjera, të cilat dolën në plan të dytë. E merituar dhe emocionuese.
E kishit menduar se Kombëtarja jonë të arrinte sukses në Leskovac?
Të them të drejtën, unë kam folur të premten në mbrëmje në një televizion të madh gjerman për ndeshjen, dhe kam dhënë parashikimin për fitoren tonë. Kisha shumë besim te fitorja, sepse edhe Serbia ka pasur shumë presion për këtë ndeshje.
Ku mendoni se skuadra jonë ishte më superiore ndaj Serbisë: Në mbrojtje e mesfushë, në sulm apo në qetësi dhe në organizim?
Unë mendoj se ishim të organiziuar mirë në mbrojtje, ku nuk u lanë shumë hapësira për kundërshtarin. Por edhe në mesfushë kishte një ndërlidhje mes të reparteve, ndërsa sulmi tregoi se niveli i lojtarëve tanë ka shumë për të thënë.
Fituesi nuk gjykohet, po ku gaboi Kombëtarja jonë në këtë përballje?
Nuk mund të them se kishte gabime, por topi i fundit në sulm në disa situata nuk u shfrytëzua mirë. Sepse Broja kishte dy mundësi që mund të shënonte, dhe po ashtu Manaj më parë. Detaje të vogla, por që edhe mund ta ndryshonin rezultatin.
Nacionalizmi serb nuk mungoi edhe në këtë sfidë, çfarë tregon kjo për tifozerinë serbe?
Me sa kam marrë unë informacion, në stadium nuk kishte incidente, veç atyre koreve “Kosova është Serbi”, etj. Tashmë është bërë evident fakti se serbët viktimizohen kur flasin për nacionalizmin. Patriotizmi dhe urrejtja janë dobësi e tyre.
Sportivisht, e quajmë këtë fitore si një “hakmarrje” për barazimin 0-0 që Serbia na morri këtu në Tiranë?
Po, sportivisht quhet një hakmarrje e asaj humbje në Tiranë në muajin qershor. Sepse takimin e parë me Serbinë në Tiranë, ne duhet të kishim fituar. Jo vetëm se humbën penalltinë, por edhe pse Serbia na e dha shansin ta bënim realitet.
Tashmë Shqipëria ka 11 pikë dhe 2 ndeshje, Serbia 7 pikë dhe 3 ndeshje, sa mundësi kemi ta mbajmë vëndin e 2-të në grup?
Festa do zgjasë, por duhet fitore me doemos me Andorrën që të mendojmë kualifikimin tonë për vëndin e dytë në Grupin K. Sepse me Anglinë edhe nuk i dihet rezultati, edhe pse në futboll çdo gjë mund të ndodhë.
Ku mendoni se duhet të përmirësohet skuadra jonë në dy ndeshjet e mbetura të Grupit K kualifikues?
Kombëtarja jonë duhet të ritet më shumë, sepse ne kemi patur edhe komplekse në drejtim të mentalitetit në raport me kundërshtarët. Çdo skuadër në fushë hyn vetëm për fitore, dhe këtë Shqipëria duhet ta përmirësojë, sepse mundësitë i ka.
Ndeshja e fundit me Anglinë më 16 nëntor në Tiranë, është sfida më e rëndësishme e kualifikimit tonë?
Ne duhet të fitojmë me Andorrën, kjo është e rëndësishme, dhe aty them se jemi të kualifikuar. Edhe me Anglinë duhet të luajmë futboll, të matemi me të si një skuadër e madhe. Nuk ka asgjë të pamundur në futboll, mjafton dëshira për të fituar.
Miqësorja me Jordaninë, festë, relaks dhe kolaudim
Sot në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja do të luajë një ndeshje miqësore me Jordaninë, duke nisur nga ora 19:00. Atmosfera në kampin kuqezi është shumë pozitive, dhe pas këtij suksesi, të gjithë lojtarët e Kombëtares ftojnë tifozët shqiptarë, që sot ndaj Jordanisë të mbushin shkallët e stadiumit “Air Albania” për një atmosferë festive, ashtu siç u festua në rrugët e çdo qyteti e vendi ku flitet shqip. Biletat për ndeshjen Shqipëri-Jordani janë në shitje online dhe në pikën fizike pranë stadiumit “Air Albania”.
Kualifikueset-Botërori 2026
Shqipëria në Grupin K
Ndeshjet e luajtura
Angli-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Andorra 3-0
Shqipëri-Serbi 0-0
Letoni-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Letoni 1-0
Serbi-Shqipëri 0-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Anglia 5 15
2.Shqipëria 6 11
3.Serbia 5 7
4.Letonia 6 5
5.Andorra 6 1
Ndeshjet që do të luhen
Datë 13 nëntor 2025
Andorra-Shqipëri 20:45
Datë 16 nëntor 2025
Shqipëri-Angli 18:00
Rrëfehet Silvinjo: Llogaritë vetëm për ndeshjet tona

Dje, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, gjatë një konference për mediat ka prezantuar të rejat e fundit nga kampi kuqezi para ndeshjes miqësore me Jordaninë. Por braziliani u ndal edhe për sfidën ndaj Serbisë, ku veçoi faktin se lojtarët i ndihmoi edhe eksperianca e Europianit në menaxhimin e ndeshjes. “Llogaritë tona janë ndeshjet tona, kemi dy ndeshje të rëndësishme në nëntor. Të lumtur po. Për herë të parë Shqipëria shkon të luajë dy ndeshjet e fundit me shanse që të luajë në play-off, është e bukur. Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme, llogaritë janë për ndeshjet tona. Me Jordaninë do bëjmë pak nga gjithçka. Nuk është e thjeshtë. Nuk besoj te miqësoret, luajnë të gjithë për të fituar dhe nuk besoj se duhen futur 11 lojtarë që nuk kanë qenë kurrë bashkë”. Në këtë dalje për mediat foli edhe mbrojtësi Klisman Cake, i cili është debutues në Kombëtare.
Sot luhen dy ndeshje të Grupit K
Ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, për muajin tetor do të mbyllen sot, për t’ia lënë radhën dy sfidave të fundit në grupe, të cilat do të luhen më 13 e 16 nëntor 2025. Në grupin K, duke nisur nga ora 20:45, sot luhen dy ndeshje: Andorrë-Serbi dhe Letoni-Angli. Por Anglia duket e sigurtë drejt kualifikimit, pasi kryeson me 15 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Serbia luan me Andorrën që mbyll Grupin K me 1 pikë. Pas fitores me Serbinë, vëndi i 2-të në këtë grup duket si një fjalëkryq i zgjidhur në favorin e Shqipërisë.





















