Alban Tafaj, akuza Rubios: “Më la një skuadër të lodhur”

760
Sigal

Trajneri Tiranës fiton por, nuk kënaqet nga loja: “Më gëzuan vetëm tri pikët me Shkumbinin”

Trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, ishte i lumtur pas fitores 3-0 me Shkumbinin, që i mbajti kryeqytetasit në krye së bashku me kampionen e vendit, Skënderbeun, me gjashtë pikë në dy ndeshjet e para, përpara ndërprerjes së kampionatit për shkak të angazhimit të Kombëtares në ndeshjet e Qipros dhe Zvicrës. Edhe pse fitoi pastër, Tafaj ishte kritik ndaj skuadrës së tij, madje për “Telegraf”, ai u shpreh se ishte e “rëndë” nga këmbët.

 Tafaj, një fitore e pastër 3-0 ndaj Shkumbinit. Sa e lehtë ishte?

Për atë që nuk e ka parë ndeshjen, do të gjykonte për një fitore të lehtë, por në të vërtetë nuk është e tillë dhe ne kemi vuajtur për ta fituar takimin. Për mendimin tim, me atë tregoi skuadra në fushë patëm goxha probleme, sidomos në aspektin fizik. Lojtarët ishin me këmbë të rënda.

A mos është ky një mesazh për ish-trajnerin Hulian Rubio?

S’ka lidhje me ish-trajnerin, por me atë që unë pashë në fushën e lojës.

Tri pikë në këtë ndeshje dhe gjashtë në total, një fillim i bukur apo jo?

Më shumë jam i kënaqur nga trepikëshi kundër Shkumbinit.

Tafaj, a është gati skuadra për të përballuar sezonin dhe të rikthejë titullin pas tre vitesh mungesë?

Besoj se, me rikthimin e lojtarëve të dëmtuar, por dhe plotësimin me futbollistët e tjerë që kemi blerë së fundi në merkato, besoj se skuadra do të dijë të luftojë fort në kampionat. Ai sa ka filluar. Këto dy javë pushim, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, do të na bëjnë mirë përpara ndeshjes me Teutën. Pasi do të rritemi nga ana fizike e skuadrës.

Shënuan të dy sulmuesit, si Morina ashtu dhe Çota. A është ky një mesazh për forcën goditëse të vijës së parë?

Është një sinjal i mirë. Dua të them se, kur luanim në sistemin 4-4-2 e patën të vështirë të shënonin, por finalizuan më mirë kur luajtëm 4-4-1-1. Skuadra ka ende fytyrën e trajnerit të mëparshëm dhe është e vështirë ta kthesh atë brenda një jave. Ne do të aplikojmë sistemin tradicional të Tiranës, kjo dhe në bazë të organikës.

Tafaj, keni fituar titullin e fundit të Tiranës, ndërkohë që jeni drejtor teknik. Ju kënaq më shumë stoli apo zyra?

Ky ishte një rikthim. Fusha më jep gjithmonë kënaqësi. Gjithsesi, edhe në zyrë mendoj dhe punoj për skuadrën.

A do ta pranonit zyrtarisht stolin e Tiranës?

Po, jam i gatshëm nëse do të ma kërkojnë.

Magani: “S’është turp të të mundë Tirana”

 Gugash Magani, trajneri i Shkumbinit, ishte shumë i dëshpëruar pas humbjes 3-0 me Tiranën, pasi pësoi dy gola në minutat e fundit, teksa peqinasit rezistuan gjatë lojës.

 Magani, rezistuat gjatë, por u shkërmoqët në minutat e fundit. Çfarë ndodhi me skuadrën?

Mendoj se, skuadrat që luajnë në Superiore nuk duhet të ndëshkohen në këtë mënyrë. Ne luajtëm me tre sulmues, dhe ndoshta kaluam paksa në aventurë. Nëse nuk do të gabonin dy lojtarët e qendrës së mbrojtjes sonë, nuk do të ishim ndëshkuar kaq keq. Edhe në patëm raste për të barazuar rezultatin, por nuk arritëm të finalizonim.

Pamë një Peqin që guxoi në sulm..

Po, është e vërtete. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të mos jemi ekip fushe, pra të luajmë në sulm vetëm në Peqin. Ndaj Tiranës ne guxuam dhe dolëm në sulm. Dua ta theksoj se, nuk është turp që të të mundë Tirana.

Dy ndeshje, dy humbje, çfarë funksionin te ky Shkumbin?

Nuk jam i kënaqur me pjesën e re të skuadrës, pasi kur shikon se lojtarët me eksperiencë luajnë mirë dhe vrapojnë shumë, atëherë futbollistët e rinj duhet ta kuptojnë se fanella nuk dhurohet, por meritohet.

A është kjo defekt i formimit të vonshëm të skuadrës, kjo dhe për shkak të merkatos?

Me gjithë problemet ekonomike, pra ato financiare, unë mund të them, që kur lojtari futet në fushë, pasi gjërat e tjera zgjidhen jashtë terrenit.

Çfarë ju zhgënjeu më shumë në këtë ndeshje?

Ajo që më zhgënjeu më shumë, është fakti se në dy ndeshje ne nuk kemi shënuar asnjë gol. Nuk po finalizojmë dhe për këtë ka faj e gjithë skuadra, nga sulmi në mbrojtje.

 Tirana “than” Shkumbinin

 Dy gola të Mario Morinës dhe një i tretë i sulmuesit tjetër, Mirel Çota, i dhuruan një fitore të pastër 3-0 Tiranës ndaj Shkumbinit, duke i bashkuar me pikë të plota bardheblutë me Skënderbeun kryesues. 24 herë kampionët patën në bankinë Alban Tafajn, trajnerin që u dha edhe titullin e fundit në sezonin 2008-2009. Takimi më “Selman Stërmasi”, që u ndoq edhe nga Paolo Tramexani, ndihmësi i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ishte i barabartë në minutat e para, ndërkohë që regjia bardheblu u ekzekutua nga Klodian Duro, i cili ka rifituar vendin e titullarit pas largimit të ish-trajnerit spanjoll Hulian Rubio. Mesfushori veteran gaboi në minutën e 17-të, kur pas një kombinimi midis tij dhe mesfushorit të Kombëtares, Gilman Lika u shfaq para portës së mbrojtur nga Elivs Kotori. Duhej të vinte minuta e 30-të, që i riu Morina të zhbllokojë rezultatin e sfidës. Pas një goditjeje këndi nga e majta e sulmit bardheblu, sulmuesi i ri shfrytëzon lëmshin e krijuar mes lojtarëve në zonën e vogël të Kotorrit dhe e shtyn topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Tafaj hodhi në fushë sulmuesin Mirel Çota, dhe është pikërisht është ky i fundit ai që duke shfrytëzuar një gabim të pafalshëm të qendërmbrojtësit Bledar Devolli shënoi një gol të bukur në minutën e 89-të, pas disa veprimeve të zgjuara në zonën e vogël. Një minutë më pas, ishte “Super Mario”, siç është dhe nofka e Morinës, që shënoi në gol inteligjent për të vulosur përfundimisht rezultatin 3-0. Në javën e parë, Tirana fitoi 1-0 me Tomorin në Berat, ndërkohë që për Shkumbinin kjo ishte humbja e dytë në po aq ndeshje. Java e dytë e Kategorisë Superiore nisi të premten me dy sfidat hapëse të saj: Skënderbeu-Apolonia 2-0 dhe Flamurtari-Laçi 0-1, ndërsa vijoi një ditë më pas me dy sfidat të tjera, që prodhuan një barazim dhe një fitore: Kukësi-Vllaznia 0-0 dhe Kastrioti-Bylis 2-1. Ballafaqimi përmbyllës i kësaj jave luhet të hënën në stadiumin e Kavajës, ku Besa pret nën dritën e projektorëve Tomorin e Beratit, në orën 19:00.

Luftëtari shkatërron Teutën

  Luftëtari shkatërroi 4-1 Teutën, duke regjistruar fitoren e parë dhe arritur rezultatin më të thellë në dy javët e para të Kategorisë Superiore. Një fitore e merituar e kampionëve të Kategorisë së Parë, ndaj nënkampiones së vendit, e që u vendos me nga dy gola në çdo pjesë loje. Sulmuesi serb Milan Nikoliç shënoi i pari në minutën e 21-të, për t’ia lënë radhën vlonjatit Ledjan Liçaj të dyfishonte rezultatin. Penalltia e realizuar nga Bledar Mancaku në të 36’ (faull i Shametit) shërbeu vetëm sa për garniturë, pasi Luftëtari realizoi edhe dy gola të tjerë më anë të Jasmin Raboshtës (51’) dhe Fejzo Shenajt (66’). Formacioni i Nevil Dedes e dominoi krejtësisht lojën dhe mund të kishte shënuar edhe gola të tjerë, ndaj një Teutë krejt amorfe, e që e nervozoi në jo pak rastin trajnerin e saj, Hasan Lika. Teuta, në javën e parë fitoi 1-0 ndaj Shkumbinit, në Peqin, por ndaj Luftëtari në Gjirokastër ishte hija e sezonit të kaluar.

KATEGORIA SUPERIORE

Java II

 31.08.2012

SKENDERBEU – APOLONIA    2-0

Golat: Plaku 57’ (pen), Orelesi 64’

FLAMURTARI – LAÇI              0-1

Golat: Emurllai 51’

01.09.2012

KUKESI – VLLAZNIA               0-0

KASTRIOTI – BYLIS                2-1

Golat: Sekseni 40’, Gocaj 52’ / Mohamed 59’

02.09.2012

TIRANA – SHKUMBINI              3-0

Golat: Morina 30’, 90’, Çota 89’

LUFTETARI – TEUTA                4-1

Golat: Nikoliç 21’, Liçaj 28’, Rraboshta 51’, Shenaj 66’ / Mancaku 36’ (pen)

03.08.2012

BESA – TOMORI  (ora 19:00)

RENDITJA

 1    Skënderbeu      2    +4   6

2    Tirana          2    +4   6

3    Luftëtari       2    +3   4

4    Kastrioti       2    +1   4

5    Laçi            2    +1   4

6    Teuta           2    -2   3

7    Kukësi          2    +0   2

8    Besa            1    +0   1

9    Bylis           2    -1   1

10   Flamurtari      2    -1   1

11   Apolonia        2    -2   1

12   Vllaznia        2    -2   1

13   Tomori          1    -1   0

14   Shkumbini       2    -4   0

Prag-Qipro

Shqipëria, sot më aromë Botërori

 Kombëtarja do të nisë sot në Durrës, përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Botëror 2014, ato kundër Qipros në Tiranë (7 shtator, në “Qemal Stafa”, 20:30) dhe Zvicrës në Lucernë (11 shtator, në “Sëisspoarena”, 20:30). Trajneri  i Kombëtares, Xhani De Biazi, publikoi të shtuënn listën e 24 lojtarëve të thirrur, ku për herë të parë do të veshin fanellën kuqezi, mesfushori i Padebornit, Alban Meha, dhe ai i Zyrihut, Burim Kukeli. Vija e parë sulmit përbëhet nga Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i Kombëtares, 16 gola, si dhe Hamdi Salihi (9 gola), Edgar Cani (1), Armando Sadiku dhe Ahmed Januzi. Vetëm pesë nga 24 lojtarët e grumbulluar luajnë në kampionatin shqiptar. Në katër ndeshjet miqësore, Xhani De Biazi arriti dy fitore, një barazim dhe një humbje. Gjatë grumbullimeve për katër ndeshjet e drejtuara deri tani nga ana e Xhani De Biazit, italiani ka thirrur 34 lojtarë, ndërkohë që në fushën e lojës kanë zbritur 25 të tillë. “Kam dashur të testoj sa më shumë lojtarë, që të krijoj një bindje reale se cilët futbollistë do të më shërbejnë për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014”, – shpjegon De Biazi. Shqipëria për herë të fundit ka fituar 6-1 me Qipron (një miqësore, me trajnerin kroat Josip Kuzhe në bankinë), ndërsa në ndeshjen e fundit me Zvicrën, Kombëtarja jonë humbi 3-2 (Euro 2004), me gjermanin Hans-Peter Brigel.

LISTA

1 Samir Ujkani

2 Etrit Berisha

3 Orges Shehi

4 Lorik Cana

5 Armend Dallku

6 Tefik Osmani

7 Andi Lila

8 Mergim Mavraj

9 Renato Arapi

10 Sabien Lilaj

11 Franc Veliu

12 Jahmir Hyka

13 Emiljano Vila

14 Burim Kukeli

15 Ansi Agolli

16 Alban Meha

17 Gilman Lika

18 Ervin Bulku

19 Armando Sadiku

20 Odise Roshi

21 Hamdi Salihi

22 Edgar Çani

23 Erjon Bodgani

24 Ahmed Januzi

KALENDARI I ELIMINATOREVE

“BRAZIL 2014”

07.09.2012      Shqipëri-Qipro

11.09.2012      Zvicër-Shqipëri

12.10.2012      Shqipëri-Islandë

16.10.2012      Shqipëri-Slloveni

22.03.2013      Norvegji-Shqipëri

07.06.2013      Shqipëri-Norvegji

06.09.2013      Slloveni-Shqipëri

10.06.2013      Islandë-Shqipëri

11.10.2013      Shqipëri-Zvicër

15.10.2013      Qipro-Shqipëri