Agron Kaja: Vasilika Beja, “flutura” e ujit që notoi si një “përbindësh” në stilin e lirë

16
Sigal

PROFIL/ E shpallur 15 herë Kampione, ka thyer 3 rekorde kombëtare brënda një gare dhe ka marrë 5 Medalje Ari në Spartakiadë, kështu vjen notarja vlonjate edhe në vlerësimet e mjeshtrave të këtij sporti

Agron KAJA

Agron Kaja

Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në qytetin tuaj, si respektoheshin kampionet e rekordmenet në ambientin qytetar?

Gjatë gjithë karrierës sime si notare e Flamurtarit, unë jam respektuar nga të gjithë ambientet sportive dhe shoqërore. Në Vlorë, sporti i notit ishte masiv dhe i dashur për të gjitha shtresat e shoqërisë, ndaj dhe respekti për ne si notare ishte i madh.

Kjo ka qënë arsyeja që ju ushtruat notin dhe jo me ndonjë sport tjetër, apo ju tërhoqi diçka tjetër?

Natyrisht se, edhe kjo ka qënë një arsye që unë vazhdova karrierën time si sportiste  në sportin e bukur të notit. Por përpos këtij respekti e vlerësimi, arsye themelore ka qënë pasioni që unë kisha për këtë sport, të cilin ende e dashuroj edhe sot.

Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?

Në kujtesën time, garën e parë zyrtare e kam zhvilluar me fëmijët në moshën 7 vjeçare (viti 1971). Ka qënë një garë e zhvilluar në Skelë të Vlorës mes klasave sportive të qytetit, ku në garat e Stilit të Lirë 100 m e 200 m dola kampione absolute.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare në elitë që ju keni zhvilluar, dhe ku është zhvilluar ajo?

Unë atëhere kam qënë 13 vjeç kur garova në elitën e notit shqiptar. Në vitin 1977 garova në pishinën e Durrësit në garën 800 m Stil i Lirë. Për mua ishte jo vetëm një garë e parë me të Rriturat, por ishte edhe e para që e shtroi rrugën e fitoreve në karrierën time.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj?

Në kujtesën time, trajneri im i parë ishte Bashkim Aliraj, një njeri shumë i mirë dhe një trajner pasionant, me të cilin hodha bazat si notare e elitës. Pas tre viteve,  kur isha me të rejat, trajnere ishte Shpresa Ferko, dhe me të Rriturat, Pavllo Kisi.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Unë kam konkuruar në të gjitha garat e stilit të lirë, një stil që e kisha dhe e kam me shumë pasion. Madje, kam garuar në Stilin e Lirë dhe gjithmonë kam dalë kampione në të gjitha garat që zhvillova. Me këtë stil ndjehesha si “flutur” mbi ujë.

Ju kujtohen rivalet tuaja në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Në fakt, gjatë gjithë karrierës sime, rivalet më kryesore kanë qënë Mimoza Aliraj, Valentina Mustafaj dhe Fatbardha Hasani të ekipit tim, Flamurtarit. Ndërsa kujtoj edhe Yllka Kodra të Lokomotivës dhe një notare të Vllaznisë, së cilës fatkeqësisht nuk ja kujtoj emrin.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notare, stili dhe gara?

E përmënda më sipër, se rruga ime si kampione dhe rekordmene në sportin e notit në Shqipëri nisi me fëmijët. Atje nisi karriera ime dhe trajnerët zbuluan talentin tim si fëmijë që kisha të dhënat më të mira për të qënë një garuese e denjë. Kështu vjen kujtesa ime si rekordmene.

Në karrierën tuaj si notare kampione e rekordmene, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe momente jo të mira në karrierë?

Nëse do më mirëkuptoni ju, por edhe lexuesit, në karrierën time unë asnjëherë nuk kam patur momente të dobëta në garat që kam zhvilluar. Momentet kanë qënë shumë, të cilat shpreheshin me një përkrahje të madhe të publikut në pishina.

Po infrastruktura në sportin e notit në Vlorë e gjithë Shqipërinë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport? 

Në periudhën që unë ushtrova sportin e notit në përbërjen e ekipit të Flamurtarit, nga pasioni notonim më shumë në det në Zadra, dhe më pas te pishina. Atëhere filloi një përmirësim i infrastrukturës, por ishte stinore dhe jo gjithëvjetore.

Pas largimit nga aktiviteti si notare, ju e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?

Nga largimi im si sportiste në vitin 1989, unë nuk jam marrë më pjesë në gara të notit në Shqipëri, apo edhe me trajningun. Por gjatë kësaj periudhe kam fituar të gjitha maratonat kombëtare, madje në të dytën e thyeva me 15 minuta më mirë,  duke kaluar edhe shumë garues meshkuj.

Në gjithë karrierën tuaj si notare, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në Shqipëri?

Shoh që ka ndryshime, por ne kemi punuar më shumë se tani, përpos vështirësive që kishim, kryesisht në infrastrukturë. Unë mendoj se evolimi në sportin e notit në Shqipëri mbetet vetëm te masiviteti dhe pak në infrastrukturë, por jo si pasioni ynë.

Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notare, po si trajnere, cili ka qënë vlerësimi për trajningun në sportin e notit?

Unë asnjëherë nuk kam qënë trajnere me ekipe noti, gjithmonë kam qënë trajnere e Vasilika Bejës (vehtes). Ndoshta ishin rrethanat e kohës, por edhe mundësitë e pakta që mu krijuan, ndërsa vlerësimi me tituj sportivë më ka krijuar një brengë  mosmirënjohjeje!

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni ta vazhdoni pasionin me trajningun në sportin e notit?

The se jo, pëvr faktin se gjithçka për mua është e mbyllur të merrem me jetë sportive aktive. Unë notoj gjithmonë kur kam kohën dhe mundësinë, madje këto ditë këtu në Vlorë kam notuar në det disa kilometra, dhe konstatova se ndjehesha mirë.

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Unë mendoj se Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit Shqiptar, është një bashkim vlerash të historisë në sportin e notit në Shqipëri. Njëherësh ajo mban gjallë edhe traditat e mira të tij, ndaj organizatorët i falenderoj për këtë nismë vlerash.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, e keni një urim për sportin e notit në Shqipëri?

Natyrisht që urimi im është se, ky sport i bukurisë dhe vitalitetit të jetë prioritet në tërësinë e sporteve në vëndin tonë, nisur nga moshat e reja. Uroj që shumë të rinj dhe të reja që ta ushtrojnë këtë sport të veçantë dhe të bukur. Kushtet janë, por  duhet më shumë pasion.

Rruga ime si kampione dhe rekordmene në sportin e notit në Shqipëri nisi me fëmijët. Unë atëhere kam qënë 13 vjeç kur garova në elitën e notit shqiptar. Në vitin 1977 garova në pishinën e Durrësit në garën 800 m Stil i Lirë, gara e parë me të Rriturat. Dhe kjo ishte e para garë që e shtroi rrugën e shumë fitoreve, vetëm kampione dhe rekordmene…

15 herë

Në karrierën e saj si notare elitare, Vasilika Bejo është shpallur 15 herë Kampione noti e Shqipërisë

3 rekorde

Gjatë karrierës, Vasilika ka thyer tre rekorde kombëtare brënda një gare, dhe 5 Medalje Ari në Spartakiadë

Trajneri Pavllo Kisi

Vasilika ka qënë perfekte në garë, notare e veçantë

Trajneri që punoi më gjatë me Vasilika Bejan si notare e elitës, ishte Pavllo Kisi. Tek të gjitha notaret femra të Flamurtarit, por edhe të gjithë Shqipërisë e asaj periudhe, Kisi e veçon Vasilikën si një notare të veçantë nga pikpamja teknike, për forcën dhe këmbënguljen e saj në stërvitje dhe garë. “Nga pikpamja teknike, Vasilika ka qënë perfekt, si dhe në luftën sportive gjatë procesit stërvitor dhe gjatë garave ishte e veçantë. Nuk ishte rastësi që garonte në 200 m, 400 m dhe 800 m stil i lirë, sepse janë gara që duan forcë dhe këmbëngulje. Ajo ishte një notare e veçantë e elitës së notit në Shqipëri, ndërkohë që në ekipin e të rriturave të Flamurtarit që u ndërtua në vitin 1978 dhe u mbyll 1990, kontributi i Vasilikës ishte i rrallë. Një kampione shembull që ende nuk është arritur në notin shqiptar. Do ta mbyllja këtë vlerësim me një kujtesë të paharruar të vitit 1984, në garën më të bukur të saj. Në 800 m Stil i Lirë thyeu tre rekorde kombëtare: 200 m, 400 m dhe 800 m. Kjo ishte Vasilika Bejo, kampione dhe rekordmene”.

HISTORI

Në historinë e notit shqiptar, dy notare elitare kishte Flamurtari, Vasilika Beja dhe Elida Xhindi, të cilat cilësoheshin si dy “përbindësha” kur garonin. Ndërsa Vasilika është “pronare” e 15 rekordeve kombëtare dhe 5 Medalje Ari në Spartakiadë Kombëtare

AKTUALITET

Mjeshtri i Merituar Ilirjan Kreshpa, dje i dha lajmin gazetës “Telegraf”, se ditën e shtunë, datë 14 qershor ora 11:00, në emrin e Vasilika Bejas do të organizohet në Vlorë një garë maratone noti. Do të garojnë shumë figura të notit shqiptar, së bashku edhe me Vasilika Bejan

SADIK MEMA, MJESHTËR i MADH

Vaislika Beja, është dhe mbetet një emër i madh i Notit shqiptar

Edhe pse përkon me një periudhë garimi më para se Vasilika Beja, Mjeshtri i  Madh Sadik Mema i ka të “rregjistruara” në memorrjen e tij cilësitë e saj të garimit. “Në vlerësimin tim, Vasilika Beja është emër i madh i notit shqiptar. Me mua përkon në moshë më të re, por më kujton historia se ajo ka fituar gjithçka në Stilin e Lirë me Femrat e notit në Shqipëri. Madje edhe në maratonat kombëtare të Notit që janë zhvilluar pas vitit 1980, Vasilika ka qënë kampione. E kam admiruar e respektuar për pasionin, për punën me të cilën ajo arriti rezultate të larta, dhe një notare si Vasilika do kujtohet me respekt në historinë e notit shqiptar, për punën e pasionin e saj, për vlerat që ajo i dha këtij sporti në vëndin tonë. Sot, unë nuk di të specifikoj vite e rezultate të Vasilikës, tashmë ato janë pjesë e arkivës më të mirë, por di të them se ajo ka qënë ndër notaret më të mira në Notin shqiptar. Një femër që në Maratonë konkurronte me meshkujt dhe kalonte pjesën më të madhe, natyrisht që duhet vlerësuar për këtë kontribut. Një notare puntore, shembullore dhe kampione, kështu do ta kem në kujtesë notaren elitare Vasilika Beja”.

MJESHTRI I MERITUAR I SPORTIT, ILIRJAN KRESHPA

Vasilika kishte mundësi që të kalonte edhe Otranton me not

Nuk mund të mungonte me një vlerësim teknik edhe Mjeshtri i Merituar i Sportit Ilirjan (Liro) Kreshpa. Si një protagonist në trajningun e notit vlonjat dhe në atë kombëtar, Mjeshtri Kreshpa tregon se Vasilika Beja është notarja femër më e fuqishme, ku si karakteristikë kishte qëndrueshmërinë në gara. “Për mua, Vasilika Beja ka qënë një notare e madhe në historinë e notit shqiptar. Ajo mbetet notarja femër më e fuqishme, e cila nuk kishte rivalitet të dukshëm në garë, sepse përgatitej dhe synonte që në çdo garë të ishte kampione. Vasilika kishte karakteristikë qëndrueshmërinë në gara, madje në maratonë ajo kishte mundësi që të kalonte edhe Otranton. Këtë e them me bindje, sepse edhe në këto ditë të nxehta të këtij qershori, ajo u zhyt në det duke kaluar një distancë të gjatë, deri tek anijet e ankoruara. Në atë periudhë, dy notare kishte Flamurtari, Vasilika Beja dhe Elida Xhindi, të dyja ishin si dy “përbindësha”. Edhe pse diferenca e stërvitjes së femrave ka qënë shumë më ndryshe, te Flamurtari nuk kishte notare më konkurruese. Këto muaj ne do organizojmë një kupë për Vasilikën”.

CV sportive

VASILIKA BEJA

Datëlindja: 16 janar 1964

Vendlindja: Vlorë

Vendbanimi: USA

Arsimi: Shkolla e Mesme Veterinare

Profesioni: Veterinere

Sporti që ka ushtruar: Notin

Karriera si sportiste: Në vitin 1972 me Fëmijët, në vitin 1974 me të Rejat, 1976 me të Rriturat     

Skuadrat: Flamurtari

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1972 në garat 200 m, 400 m dhe 800 m.

Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1976 në 200 m dhe 400 m Stil i Lirë

Sukseset si notare: Gara më interesante në vitin 1984, gjatë garës 800 m ka thyer njëherësh tre rekorde: 200 m, 400 m dhe 800 m

Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1976 me kinezët në garat 200 m, 400 m dhe 800 m Stil i Lirë

Tituj e trofe në karrierë: Mjeshtre Sporti, Mirënjohje e Bashkisë Vlorë, Qytetare Nderi e Vlorës, Pesë Medalje Ari në Spartakiadën Kombëtare

Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1989 Spartakiada Kombëtare

Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1984 në 800 m, tre rekorde kombëtare brënda një gare

Tituj personalë në sport: Mjeshtre Sporti, 5 Medalje Ari në Spartakiadën Kombëtare

Aktualisht: Jaton në USA

Këndvështrim për një kampione që duhet respektuar shumë

Teksa shkruaja këto rradhë në këtë Profil për ish-notaren vlonjate Vasilika Beja, mësova se kisha të bëja me një kampione të madhe, me një ish-notare që edhe në konkurrencë me meshkujt kishte diferenca. Ndjehem mirë që këtë CV do ta mësojnë të gjithë lexuesit e gazetës “Telegraf”. Dhe pse jo, edhe atje në Amerikë ku Vasilika jeton për gati dy dekada, ta mësojnë se janë bashkë me historinë e një kampione shqiptare. Në kilometrat që kam shkruar për sportistë elitarë në Shqipëri, mendoj se kur flasin edhe mjeshtra të këtij sporti, kuptohet që brënda vlerësimeve të tyre nuk ka vetëm emocion, por edhe vlerësim teknik, i cili e dallon çdo sportist në vlerat që ka dhënë. Dhe konkretisht Vasilika Beja, si një notare absolute në garat 200 m, 400 m dhe 800 m Stil i Lirë. Dhe jo pa qëllim në këtë titull, them se Vasilika Beja është një nga notaret elitare, është një nga kampionet që sot duhet respektuar shumë. Jo vetëm me Kupën “Vasilka Beja” që komuniteti i notarëve të Vlorës e gjithë Shqipërisë do organizojë ditën e shtunë, 14 qershor 2025.