Agron KAJA/ Rikandidimi i Armand Dukës, vlerësim e mirënjohje e merituar

518
Sigal

OPINION/ Diagrama e punës 12 vjeçare në presidencën e FSHF-së,rrugë me standarde të kohës

Pasi kemi lënë pas vitin 2013 me të gjitha “rrokullimat”e tij, në 2014-ën, në axhendën sportive mendohet të ketë më shumë punë për forcimin e konsolidimin e të gjithë elementëve që e mbajnë në këmbë këtë sferë të shoqërisë sonë. Dhe në këtë hapësirë, natyrisht që futbolli ka pjesën më të madhe, edhe për faktin se në fillimin e muajit do të ketë një eveniment të rëndësishëm për ecurinë e tij të mëtejshme, pasi do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Duke u ndalur vetëm në këtë event, një pjesë të rëndësishme e zë edhe zgjedhja e strukturave drejtuese të FSHF-së, ku më kryesori është ai i Presidentit. Deri tani, rreth 60 ditë para zhvillimit të punimeve të Asamblesë, edhe pse fushata ka filluar mediatikisht dhe jo ligjërisht, nuk ka pasur ndonjë person tjetër që të ketë shpallur kandidaturën e tij për këtë post të rëndësishëm përveç zotit Armand Duka, i cili në fundvitin e kaluar konfirmoi se do të rikandidojë për mandatin e katërt në krye të FSHF-së. Ky mund të thuhet se është një lajm i mirë për futbollin tonë dhe për ata aktorë të tij që kanë punuar e punojnë nën “epokën Duka”, për aq kohë sa përballë tij nuk është vënë ndonjë kandidaturë tjetër për të na trazuar opinionet PRO dhe KUNDËR. Sa për kujtesë, pikërisht në datën 6 shkurt 2014, për Armand Dukën mbushen plot 12 vite në krye të FSHF-së si President i saj, që do të thotë se ai ka drejtuar në tre mandate institucionin më të lartë të futbollit shqiptar. Dhe nëse këto tre “dekada 4-vjeçare” do ti sjellim në memorie me realizëm e seriozit me të gjithë problematikën që ka pasur futbolli ynë dhe me ndryshimet që ai ka pësuar në këtë periudhë, natyrisht që së pari duhet të tregohet një mirënjohje e sinqertë për punën e këtij presidenti, i cili gjatë kësaj periudhe postin e tij në krye të FSHF-së e ktheu në një institucion me standarde të kohës. Nëse do të përmendim mandat pas mandati rrugën 12 vjeçare të FSHF-së me President Armand Dukën, do të ishte një rrugë e gjatë, por duke kaluar në to me momentet më të veçanta, ndoshta do ta thyejmë paksa edhe “sklerozën” mediatike, e cila ka raste që shkon “kundër rrymës” kur vendos në plan të parë nihilizmin gazetaresk e mosnjohjen e plotë të situatës gjatë kësaj periudhe kohore. Sa për kujtesë, kur Zoti Armand Duka u zgjodh në mandatin e tij të parë si President i FSHF-së, selia e saj ka qenë e ngujuar në një “garsoniere” poshtë shkallëve të stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” dhe vetëm disa ditë më pas ajo u akomodua në ambientet e ish-Hotel “Internacional”. Paralelisht u rifreskua edhe stafi i FSHF-së, ku duhet thënë se më shumë ai u shtua me emra të njohur e të mëdhenj të futbollit tonë në vite, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Ky ishte hapi i parë që e ndau institucionin e futbollit tonë nga jashtëqitjet nën shkallët e stadiumit, për ta vendosur selinë e saj në qendër të kryeqytetit dhe në kushte shumë komode. Dhe këtë lëvizje duhet ta kujtojë shumëkush kur dëshiron të bëhet elektoral, si një lëvizje institucionale të domosdoshme dhe të arrirë, por edhe si respektuese ndaj institucionit më të lartë të futbollit shqiptar. Deri në vitin 2002 kur zoti Duka u zgjodh për herë të parë President i FSHF-së, në Shqipëri vetëm fusha e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ishte e përdorshme në standard nën mesatarin e kohës, ndërsa në stadiumet e tjera të ndërtuara para vitit 1990 fushat kanë qenë si “parcela patatesh”. 12 vjet më pas, janë ndërtuar mbi 30 fusha në stadiume të ndryshme, diku edhe dy apo tre herë, është vendosur ndriçimi në 8 stadiume, kryesisht atje ku ka skuadra të Kategorisë Superiore. Në skuadrat tona Kombëtare të të gjitha niveleve, gjatë kësaj periudhe kohe thuajse është bërë një revolucion në menaxhim e drejtim, edhe pse fati nuk na ka dashur që ato të shkojmë më lart se tradita historike. Po gjatë kësaj periudhe është rritur shumë interesi për ndeshjet e Kombëtares sonë, aq sa tifozë nga Kosova, Maqedonia, Mali i  Zi e më gjerë, kanë sjellë emocionet e tyre në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, gjë që më parë dukej si një shaka kur e mendoje. Kombëtaren e madhe e kanë drejtuar 7 trajnerë të huaj ku janë afruar dhjetëra talente, të cilëve vetëm fati u ka munguar për të dalë nga ngërçi i renditjes kualifikuese. Gjatë këtyre 12 viteve në Shqipëri kanë ardhur me dhjetëra figura të futbollit Evropian e Botëror, të cilët pasi kanë njohur topkëmbën tonë, kanë dhënë si e si kontributin e tyre në vendosjen aty të standardeve të kohës. Njëherësh, në këtë hark kohor të drejtimit të FSHF-së nga Armand Duka si President i saj, standardet janë rritur jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në menaxhimin sportiv e administrativ të futbollit, gjë që më parë nuk ishte menduar nga ish-drejtuesit e FSHF-së. Njëherësh, vetë FSHF-ja ka punuar që këto standarde ti transmetojë edhe tek aktorët e tjerë të lojës së futbollit, por edhe në nivelet e klubeve. Nëse do të flasim për një institucion futbolli sot në Shqipëri, ndjehesh krenar kur hyn në selinë e FSHF-së dhe kur kujton se ku e kishin selinë ata që e dorëzuan stafetën 12 vite më parë dhe këtu themi se ndahet nata me ditën në menaxhim e drejtim. Natyrisht që gjatë kësaj periudhe qeverisëse të futbollit shqiptar nga Armand Duka kanë ndodhur edhe ngjarje prej të cilave mund të reagosh kur të duash, por jo si të duash. Sepse po të sillen në kujtesë shumë detaje të tjera që e pështjellin punën e FSHF-së në harkun e 12 viteve të fundit, ka pasur edhe problematika, ngjarje e momente prej të cilëve edhe futbolli në Evropë e në Botë nuk ka shpëtuar. Kështu, në këtë periudhë shumë skuadra të Superiores sonë janë përfshirë në vorbullën e trukimit të ndeshjeve të futbollit, duke i vendosur ato në vendin e parë në Europë. Kjo ka ndodhur dhe nuk mohohet, por vetëm gjatë periudhës që President i FSHF-së është zoti Duka është zbardhur de fakto futbolli ynë, pasi më parë trukimet bëheshin hapur fare, ndërsa për futbollin tonë atëherë Evropa nuk tregonte ndonjë interes të veçantë. Dhe nëse do të ndajmë rolin e FSHF-së si organizatore e garës dhe rolin e klubeve si pjesëmarrës në këtë garë sipas rregullave të përcaktuara së bashku mes tyre, del se trukimet nuk janë “pronë” e FSHF-së dhe e presidentit të saj. Sepse klubet që kanë trukuar ndeshje nuk e kanë patur këtë detyrë nga FSHF-ja, por përkundrazi, rregullat e saj kundër fenomenit të trukimeve janë përsosur nga viti në vit. Në këtë periudhë kanë provuar skajet e renditjes thuajse të gjitha skuadrat e kryeqytetit, aq sa “Legjenda” si Partizani e Dinamo provuan edhe kategoritë inferiore, ndërkohë që edhe Tirana duket se po merr tatëpjetën në Kampionat. Thuajse të gjitha skuadrat e Superiores, por edhe në nivelet e tjera, po tregojnë luhatje në financa dhe në fushën e lojës, por këto dallgë nuk vijnë nga puna e FSHF-së, por se ato janë pjesë e futbollit kudo edhe  në Botë dhe Evropë e jo vetëm në Shqipëri. Kështu që po ta trajtonim këtë situatë si pjesë e mangësive të FSHF-së dhe të Armand Dukës si president i saj, do të thonim se jemi nën efektin e mentalitetit e të gjykimit të para viteve ’90-të me futbollin. Pra, për të gjitha këto fajin e ka FSHF-ja? Të mendosh kështu është e qartë ideja se futbolli nuk njihet vetëm duke mbyllur sytë para realitetit për të përfituar diçka nga dikush që me larghedhje mund të jetë kandidati i radhës për postin e presidentit. Gjithsesi, midis të tjerave ka edhe një pyetje, se: Çfarë nuk bëri dot zoti Duka gjatë tre mandateve të tij në krye të FSHF-së? Po, ai si president nuk arriti që ta qartësonte politikën qeverisëse shqiptare për stadiumin e ri, nuk e futi futbollin nën “shalët” e politikës së kohës, nuk ka ushtruar presion të fortë për skuadrat e trukuara që ato të dilnin edhe jashtë gare (vetëm për ato raste kur kanë ardhur fakte me pikatore), ndërkohë që gjatë këtyre 12 viteve Presidenti Duka është treguar më shumë se zemërgjerë në rastet kur skuadra të veçanta kanë vuajtur lëngatën e dritëhijeve të tyre financiare e administrative. Nëse do të qëndronim më gjatë, gjithkush kujton se ka shumë gjëra për t’i thënë sot kur e sjell në kujtesë të sinqertë memorien se ku ishte futbolli në vitin 2002 dhe ku është sot, thuajse 12 vite më pas, pse jo me arritjet e mangësitë e tij. Përpos kësaj rezymeje, gjithçka e thënë në këto radhë nuk duhen kuptuar se janë paragrafë e nene avokatie për ata që në punën e tyre nuk kanë nevojë për avoketër! Ta njohësh e ta vlerësosh realitetin, kjo është kultura që duhet të ketë shumëkush që merr përsipër të shkruajë radhë të tilla.

3 mandate

Kjo është periudha që Armand Duka e drejton FSHF-në si president i saj, që nga 6 shkurti i vitit 2002

2 rezidenca

Gjatë mandatit 3 vjeçar që Armand Duka e drejton FSHF-në, është ndërruar dy herë selia e saj

8 stadiume

Gjatë mandatit 3 vjeçar që Armand Duka e drejton FSHF-në, është vendosur  ndriçimi në stadiumet e futbollit

Rreth 30 fusha

Gjatë mandatit 3 vjeçar që Armand Duka e drejton FSHF-në, janë ndërtuar

mbi 30 fusha të reja futbolli

SKEDA

ARMAND DUKA

Datëlindja: 7 tetor 1962

Vendlindja: Durrës

Arsimi: Universiteti i Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë, dega ekonomist për industrinë

Profesioni aktual: Biznesmen

Lidhjet me futbollin: Nga viti 1992 deri në vitin 2002, sponsor në skuadrën e Teutës së Durrësit dhe te Erzeni i Shijakut. Nga viti 2002 e deri më sot drejton në tre mandate si President i FSHF-së

Në drejtimin e FSHF-së: Nga 6 marsi 2002 e në vazhdim

Për president në FSHF: Rikonfirmon kandidadurën për një mandat të katërt