Shyqyri Rreli: “Kemi talente, por na duhet cilësi sportive”

891
Sigal

Ish-trajneri i ekipit Kombëtar boton librin “Evoluimi profesional i trajnerit të futbollit shqiptar”.

Prof.As.Dr. Shyqyri Rreli, ish-trajneri i njohur i ekipit Kombëtar (1982-1990) dhe i Shpresave (1972-1982) botoi para pak ditësh librin e tij të çmuar “Evoluimi profesional i trajnerit të futbollit shqiptar”. Ish-trajner i Tiranës nga viti 1987-1990, i cili ka lindur më 18 maj të vitit 1930, vetëm pak ditë para se të themelohej zyrtarisht Federata Shqiptare e Futbollit (6 qershor 1930) vlerësohet si një nga mendjet e ndritura dhe një prej figurave kryesore të futbollit shqiptar. Shyqyri Rreli do të mbahet mend si trajneri i kastës së shkëlqyer të futbollistëve si Arben Minga, Shkëlqim Muça, Mirel Josa, Perlat Musta, Sulejman Demollari, Agustin Kola etj, të cilët formonin një ekip yjesh, për ta pasur zili. Por fatkeqësisht në atë kohë zhvilloheshin shumë pak takime ndërkombëtare. Rreli debutoi më moshën 18-vjeçare me ekipin e Tiranës. Ai përfundoi studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi” ku u diplomua si “Mësues i Edukimit Fizik” profesion që e ushtroi në shumë shkolla të Tiranës. Në vitet 1969-1989 ishte shef i katedrës së futbollit në AEFS “Vojo Kushi”. Si futbollist ka zhvilluar 400 ndeshje zyrtare duke u shpallur 4 herë Kampion dhe 5 herë fitues i Kupës së Republikës. Më 1955 bëhet “Mjeshtër i Sportit”. Karriera e tij si trajner gjithashtu është shumë e pasur dhe plot suksese. Ne vitin 1978 me ekipin “Shpresa” u shpall Kampion Ballkani. Rezultate te shkëlqyera ai arriti dhe me ekipin Kombëtar ne vitet 1982-1990. Janë të famshme fitorja 2-0 me Belgjikën dhe barazimi 2-2 në Poloni. Ekipi ynë Kombëtar me shumice lojtarësh që vinin nga ekipi i “17 Nëntorit” grumbulloi 33% të pikëve në grup që përbën një rekord qe reziston dhe ne ditët tona. Po dhe me ekipin e “17 Nentorit” ka arritur të fitojë dy kampionate në vitet sezonet 1997-1988 dhe 1998-1999, duke kaluar dhe dy ture ne Kupën e Kampioneve (sot Champions League) dhe duke e renditur ekipin e “17 Nëntorit” në 16 skuadrat më të mira të Europës. Prof. Rreli ka shkruar dhe shumë libra dhe për meritat e tij është nderu me shumë tituj si “Mjeshtër i Madh” dhënë nga ish-Presidenti Alfred Moisiu; “Nderi i qytetit të Tiranës”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, urdhrat “Naim Frashëri” të klasit të II-të dhe të III-të ,si dhe Titullin ” Fisnikëria Tironase” dhënë nga “Shoqata Tirana”. Prof. Rreli është nderuar me Certifikatë Mirënjohje edhe nga ish-Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Huan Antonio Samaranç.

– Profesor Rreli, sapo keni botuar librin “Evoluimi profesional i trajnerit të futbollit shqiptar”. Cili është thelbi i tij?

– Është një libër në të cilin është përmbledhur mendimi dhe koncepti im për trajnerin, jo vetëm në detyrën specifike të tij, por dhe në problematikën e futbollit. Është një libër i radhës, por me të cilin jam marrë një kohë të gjatë, për të nxjerrë një produkt sa më të mirë. E kam titulluar “Evoluimi profesional i trajnerit të futbollit shqiptar”.

– Titulli është shumë intrigues….

– Sigurisht nuk bëj histori, pasi ajo nuk bëhet me opinione. Kam prekur e përmendur ato emra, të cilët kanë dhënë më shumë për futbollin, pasi në fakt, ka shumë kontribuues. Prandaj, dëshiroj të mirëkuptojnë trajnerët të cilët nuk i kam përmendur me emër, pavarësisht se për mua ata janë aty brenda. Jam përpjekur të përmend ata trajnerë e kolegë, të cilët i kam njohur më përpara, kam pasur kontakte me ta.

– Cilët janë ata?

– Duke filluar që nga ata të moshës së vjetër, si Selman Stërmasi, të cilin e vlerësoj si trajnerin e parë të futbollit në Shqipëri, Adem Karapicin, Zyber Konçin, Lym Alllën, të cilët i kam njohur, apo Anton Mazrekun, i cili konsiderohet si themeluesi i gazetarisë sportive në Shqipëri. Sigurisht

– Ju personalisht, i keni kaluar të gjitha stadet e një trajneri, duke filluar nga ai klubit të Tiranës, ekipit Shpresa dhe Kombëtares A. Sa reflektohet në libër kjo përvojë?

– Sigurisht që, unë jap përvojën time në libër, në kushtet aktuale të futbollit sotëm. Ky ka qenë një nga pikësynimet e librit. Në libër janë ata trajnerë që kanë bërë punë të planifikuar, duke i kujtuar me respekt për punën e tyre që kanë bërë, madje edhe pa pagesë, por që me kontributin e tyre kanë venë bazat e shëndosha të futbollit që ka ardhur deri sot. Gjithsesi, jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur as trajnerët më të rinj, për t’u dhënë dhe atyre një mesazh, se çfarë pasioni duhet për të kryer detyrën e trajnerit me kërkesat e kohës.

– Sporti ynë vuan nga disa problematika. Sipas jush si mund të zgjidhen ato?

– Sigurisht, që nuk mund të ri pa e prekur problematikën që ka futbolli ynë sot. Shtroj problemin qoftë për drejtuesit vendorë, por dhe ata qendrorë. Unë mendoj se këtu, nuk është problemi që Qeveria të zgjidhë qesen e të japë thjesht paratë sportit, por unë e kap problemin qysh tek edukimi fizik, sesi është katandisur ai, duke filluar nga orët e edukimit fizik në shkolla dhe deri të shndërrimi në aktivitet masiv. Nuk e di se, ku do të shkojë rinia sot, me kalimin e kohës me orë të gjata nëpër kafe.

– Nga se vuan sporti ynë?

– Kemi një infrastrukturë të dobët. Duhet të mendohet shumë në këtë aspekt, kjo e parë edhe në këndvështrimin e shëndetit, në vlerat që ka edukimi fizik. Duhet të tregojmë një kujdes shumë të madh ndaj shëndetit, baraz me atë që vlerësohet mjekësia. Kështu vlerësohet në botë, pasi do të kemi më pak të sëmurë, do të harxhojmë më pak para për t’i kuruar të sëmurët. Edukimi Fizik dhe Sporti shërbejnë si parapritë. Edhe cilësia sportive del nga masiviteti. Kjo ven vetvetiu.

– Ju jeni një trajner kampion, si me Tiranën ashtu dhe me ekipin Kombëtar Shpresa, duke stërvitur disa nga futbollistët më të shquar në vendin tonë. Duke parë dhe realitetin e sotëm të Kategorisë Superiore, pa përmendur atë të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, si e konstatoni atë?

– Dua ta përkufizoj me një pak fjalë: në raport me kohën jemi prapa. Ka disa gjera pozitive në raport me cilësinë, por me kohën jemi prapa. Janë pikërisht këto problematika, që përmenda më sipër, për ta vendosur sa më shpejt mbi baza të shëndosha, pa humbur kohë, pa iu zbehur dëshira të rinjve që të merren me sport.

– Është krijuar përshtypja se mungojnë talentet e dikurshëm…

– Jo, vendi ynë ka talente, por duhet të ekzistojnë dhe disa kushte që ato të rrisin nivelin e tyre. Rinia e kërkon sportin, këtu e shoh unë të ardhmen. Ne kemi trajnerë të kualifikuar, por na duhen investuar në infrastrukturë. Neve na ka ardhur Europa në Shqipëri, po bëhen kurse për trajnerët e kategorive ndërkombëtare, pra me licencë të UEFA-s, kur ne dikur e quanim veten me fat të shkonim në ndonjë kurs në Europë për të marrë njohur.

Skeda

Emri: Shyqyri Rreli

Datëlindja: 18.05.1930

Vendlindja: Tiranë

Roli në fushë: Mbrojtës

Numri i fanellës: 3

Karriera si futbollist

Erzeni, sezoni 1948-1949. Tirana (Puna), sezoni 1949-1951. Dinamo, sezoni 1952-1962.

Trofetë e fituara 4 tituj kampion dhe 4 Kupa të Shqipërisë (Dinamo).

Pjesëtar i ekipit kombëtar 1955-1958 (kur trajner ka qenë Adem Karapici, më pas Loro Boriçi dhe Andrea Lukshinov).

Karriera si trajner

Trajner-futbollist me ekipin e moshave të shkollës “Petro Nini Luarasi”, në vitin 1961. Mësues i edukimit fizik. Trajner i klasave sportive. Pedagog i Mjeshtërisë së Lartë Sportive. Trajner-Pedagog me ekipin e Shkëndijës, fillimisht me të rinjtë në kategorinë e dytë dhe më pas në të parën.

Trajner i Tiranës nga viti 1987-1990. Trajner dhe drejtor teknik i ekipit të sapoformuar, Albanët nga 1994-1998, duke dalë në vendin e dytë, në kategorinë e dytë. Konsulent dhe më pas trajner i Teutës në vitin 1993.

Trajner i Shkumbinit në vitin 1996.

Trofetë e fituara si trajner 2 tituj kampion me Tiranën.

Trajner i ekipit Shpresa 1972-1982 (2 herë kampion ballkanik).

Trajner i ekipit kombëtar 1982-1990.

Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta Dashamir Gëzdari

 Futbolli shqiptar në zi në ditët e para të një viti të ri kalendarik, 2014. Ish-trajneri i portierëve të Kukësit, Dashamir Gëzdari, u nda nga jeta nga jeta në moshën 60-vjecare. Gëzdari ka qenë më parë në këtë rol edhe te legjenda e kuqe, Partizani, pjesë e së cilës ka qenë edhe si futbollist. Ai është shuar në mënyrë fare të papritur pas një sulmi në zemër, duke lënë një boshllëk të madh te familja dhe të afërmit, por edhe tek tërë familja e madhe e futbollit shqiptar, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte deri ditën e fundit, aktiv duke trajnuar portierët e Kukësit, Koci dhe Halilaj. Gazeta “Telegraf” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit! Ngushëllime familjes Gëzdari i kanë shprehur edhe drejtues të lartë të sportit shqiptar, trajnerë dhe sportistë të ndryshëm, përfshirë klubet e Kukësit dhe të Partizanit.