Agron Kaja: Mediat dhe kundërshtarët do “sulmojnë” Shqipërinë

106
Sigal

Sot në ora 20:45, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në Grupin E për kualifikueset në Evropianin “Euro 2024”. Përballë kuqezinjve do të jetë Moldavia, një histori e vjetër, me pesë përballje të mëparshme. Me një bilanc pozitiv, Shqipëria ka shënuar 4 fitore me Moldavinë dhe 1 barazim, me golavarazhin pozitiv 12:2. Ndoshta edhe nga ky fakt, përballja e së shtunës Shqipëri-Moldavi, nga kompanitë e basteve në Europë është kuotuar me koefiçientë në favor të Shqipërisë. Fitorja jonë kuotohet 1.40, barazimi 4.50 dhe fitorja e Moldavisë kuotohet 8.50.

“E pozicionuar në vendin e fundit në grupin ‘E’, Kombëtarja jonë është vendosur në qendër të vëmendjes, duke menduar se sfida tjetër Republika Çeke-Ishujt Faroe i favorizon shumë çekët.”

Edhe pse janë duke u luajtur ndeshjet finale të Nations League, vëmendje aktualisht kanë tërhequr edhe ndeshjet në Grupe për Europianin “Euro 2024” që do të luhet në Gjermani. Ndërkohë që Shqipëria është pjesë e grupit ‘E’, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Moldavinë dhe Ishujt Faroe, ka luajtur vetëm një ndeshje ku është mundur 0-1 në Poloni. E pozicionuar në vendin e fundit në grup vetëm me një ndeshje të luajtur (katër skuadrat e tjera kanë luajtur nga dy ndeshje). Kombëtarja jonë është vendosur në qendër të vëmendjes në këtë grup, duke menduar se sfida tjetër Rep. Çeke-Ishujt Faroe i favorizon shumë çekët duke e bërë këtë një takim të paramenduar për fitoren. Dhe duke qenë se Shqipëria pret Moldavinë në Tiranë, e cila ka barazuar në ndeshjen e parë me Ishujt Faroe 1-1, dhe me po këtë rezultat me Çekinë. Nga ky pozicion, por nisur edhe nga historia mes këtyre skuadrave, kryesisht në mediat polake, çeke e moldave, kjo sfidë vlerësohet si e vështirë për Shqipërinë, por jo e pamundur.

Në faqen zyrtare të federatës moldave të futbollit, trajneri Serghei Cleșcenco citohet si kryesori në deklaratat vendase për sfidën me Shqipërinë. “… Po na nënvlerësoni. Jam i sigurtë që ky do të jetë një faktor shtesë për ne, për të dalë me pikë nga ndeshja në Tiranë …”. Ndërsa në Poloni, ku skuadra vendase është pushim në grup dhe do të luajë kundër Moldavisë në Chishinau më 20 qershor, portali sportiv “Alabama Sport”, -shkruan mes të tjerave se: Trajneri Fernando Santos e ka të qartë rrugën e kualifikimit, ajo kalon nga Moldavia. Në Tiranë do ta vëzhgojnë, por edhe Shqipërinë. Sepse në datën 20 qershor, në ora 20:45 në Stadionul Zimbru (Chishinau), polakët do të jenë përballë moldavëve.

Ndërsa në Çeki kanë mendim ndryshe për sfidën Shqipëri-Moldavi. Duket se çekët presin një gabim të kuqezinjve në këtë sfidë për të mos shtuar numrin e rivalëve në grup. Duke qenë se të shtunën çekët luajnë një ndeshje relativisht të lehtë, në transfertë kundër Ishujve Faroe, trajneri Jaroslav Shilhavi është treguar i kujdesshëm. Me mendjen tek 7 shtatori, kur Çekia pret në Pragë skuadrën tonë (Shqipërinë), ai ka deklaruar se do dërgojë vëzhgues në Tiranë. “… Nuk ndjehemi superiorë ndaj Ishujve Faroe. Do jetë një transfertë e vështirë, por ne do dërgojmë njerëzit tanë edhe në Tiranë, pasi do t’i presim këtu (në Çeki) shqiptarët…”.

Gjithsesi, më 17 qershor, Shqipëria duhet të tregojë atë që mediat e kundërshtarët nuk e kanë parashikuar, fitoren kuqezi.

 

Përballje direkte

Shqipëri  –  Moldavi

 

Kualifikueset Euro 1996

Datë 29.03.1995

Shqipëri-Moldavi                    3-0

Datë 7 qershor 1995

Moldavi-Shqipëri                    2-3

Ndeshje miqësore

Datë 15 gusht 2012

Shqipëri-Moldavi                    0-0

Kualifikueset Euro 2020

Datë 11 qershor 2019

Shqipëri-Moldavi                    2-0

Datë 14 tetor 2019

Moldavi-Shqipëri                    0-4

BILANCI TOTAL

Nd 5, F 4, B 1, H 0, Golat 12:2

 

“Shtetrrethim” policor para ndeshjes me Moldavinë

 

Policia e Shtetit ka bërë publike masat që do të marrë në ditën e zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Moldavi. Në planin për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes, policia thekson se punonjësit e saj do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, për parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për zbatimin e rregullave dhe respektimin e masave kufizuese për qarkullimin, në mënyrë që të sigurojmë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Formacioni i mundshëm

Renditja: 1-4-1-4-1

Strakosha (Berisha)

 

Hysaj  Ismajli             Gjimshiti        Mitaj

 

                        Ramadani     

 

Asani  Bare       Bajrami   Uzuni

 

                        Cikalleshi

 

Bastet favorizojnë kuqezinjtë

Shqipëri-Moldavi

1 = 1.4 X = 4.50          2 = 8.50