Amarildo Zela: Trajnerët nuk guxojnë shumë, ndaj kampionati ka ulje e ngritje

INTERVISTA/ Nga Austria për gazetën “Telegraf”, ish-mesfushori i Partizanit, Tiranës e Kombëtares, Amarildo Zela, tregon recetën

Agron KAJA


Sigal

Në Abissnet Superiore janë luajtur 30 javë me 150 ndeshje e 312 gola, si e përshkruani këtë rrugëtim?

Unë e ndjek Superioren shqiptare, edhe pse punoj dhe jetoj në Austri. Deri në këto 30 javë, është duke u zhvilluar një kampionat jo shumë i fortë. Janë disa skuadra, kryesisht ato kryesuese, që po tregojnë nivel gare, me Vllazninë më protagoniste.

Në këndvështrimin tuaj, renditja e skuadrave në këto 30 javë është plotësisht e merituar?

Renditja tregon se çfarë ke dhënë në fushën e lojës, edhe pse ka raste që tregohet edhe e padrejtë në fat. Gjithsesi, tek të gjitha skuadrat, Dinamo më çudit se aty diçka nuk shkon. Do ta kenë të vështirë me Partizanin, nuk është për “Final 4”.

Tek cila skuadra pritshmëritë kanë qënë më të larta, dhe cilat janë në dështim?

E përmënda se, te Dinamo ishin pritshmëritë më të mëdha. Fillimisht ajo mendohej si pretendete kryesore për titullin kampion. Kishte edhe te skuadra të tjera, kryesisht Tirana e Flamurtari, pasi me merkaton që kishin bërë, duhet të ishin më lart në renditje.

Java e 31-të çelet sot në Vlorë me sfidën Flamurtari-Vora, si e parashikoni?

Do jetë një nga sfidat e vështira të kësaj jave për zonën e mbijetesës. Do jetë një ndeshje, sportivisht për jetë a vdekje. Mendoj se fiton Flamurtari, pasi edhe Vora është kandidate për mbijetesë, edhe pse ka diferencë prej 5 pikësh me vlonjatët.

Të dielën luhen dy ndeshje, Tirana-Egnatia dhe Vllaznia-Teuta, i mendoni favorite skuadrat pritëse?

Janë disa arsye që sfidën Tirana-Egnatia e fiton skuadra e Tiranës. ndërsa Vllaznia-Teuta, pa diskutim që fiton Vllaznia. Durrsakët e kanë prerë biletën, nuk janë as për sipër dhe as për poshtë në renditje. Tani është vetëm për ekuilibër në tabelë.

AF Elbasani-Partizani luhet të hënën, nisur nga renditja e skuadrave, mbetet një ndeshje e veçantë e kësaj jave?

Kjo do jetë ndeshja e AF Elbasanit, dhe këtë e them sa kam parë tek të dyja skuadrat. AF Elbasani ka më shumë kualitet, ndërsa Partizani nuk e ka ekipin në nivel për “Final 4”. Dhe nëse do ketë fatin të jetë aty, nuk besoj se I “kërcënon” skuadrat e tjera.

Cilën nga skuadrat e mendon më të rrezikuar deri në mbylljen e kampionatit, dhe pse?

Në vëndet e fundit të renditjes, të kërcënuara për rënien nga kategoria janë Flamurtari me Bylisin, Vlonjatët kanë bërë shumë gabime në menaxhimin e skuadrës dhe me zgjedhjen e trajnerit. Rrezikojnë edhe Vora me Tiranën, por më pak.

Çfarë mundet të rregullojnë skuadrat në lojën e tyre në ndeshjet e 5 javëve të mbetura?

Nuk ka më kohë për të rregulluar asgjë. Ky kampionat ka patur shumë ulje e ngritje, nuk ka patur asnjë ekip që të luajë me vazhdimësi. Ka nivel të dobët, edhe për faktin se ka trajnerë frikacakë që nuk rrezikojnë, luajnë vetëm të mbrojnë  rezultatin.

Si e parashikoni ecurinë e garës në 6 javët e mbetura e deri në mbylljen e kampionatit?

Do jenë ndeshje të vështira për të gjitha skuadrat, sepse vetë renditja e tyre e kërkon që të marrin maksimumin në çdo ndeshje të mbetur. Në kampionatin shqiptar, rezultati zgjidhet nga episodet, nuk luhet futboll me raste dhe volum loje.

 

SOT/ FLAMURTARI-VORA 19:00

Luhet “derbi” i mbijetesës, shansi i fundit për vlonjatët

Java e 31-të e Abissnet Superiores do të çelet sot në ora 19:00 me ndeshjen Flamurtari-Vora. Nisur nga pozicioni që kanë të dyja skuadrat në tabelën e renditjes (Vora në vëndin e 7-të me 30 pikë dhe Flamurtari në vëndin e 10-të me 25 pikë), kjo sfidë e merr statusin e një “derbi” për mbijetesën, dhe për vlnjatët mbetet si shansi i fundit për të shpresuar këtë mbijetesë. Kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në mbylljen e kampionatit, verdiktet e tij mbeten ende në lojë.

NDESHJET NESËR NË AKTUALITET E BILANC

Tirana-Egnatia                        16:00

Në bilanc dhe renditje, bardheblutë inferiorë

Tirana e pret Egnatian me bilanc sezonal negativ, pasi në tre fazat e para ka arritur rezultatet: 0-2, 0-1 dhe 1-0. Nesër ndeshen si dy skuadra me synime të kundërta, Tirana kërkon ti largohet kthetrave të mbijetesës në Superiore, ndërsa Egnatia kërkon të përforcojë pozitat në kreun e renditjes, si pjesë e zonës “Final 4”. Tirana vjen në këtë përballje, pasi në 30 javë ka marrë 28 pikë, me 6 F, 10 B e 14 H dhe golavarazhin negativ -17. Nga ana e saj, Egnatia vjen në Tiranë me 15 F, 9 B dhe 6 H dhe golavarazhin pozitiv +15.  Në bilanc dhe renditje, bardheblutë janë inferiorë.

Vllaznia-Teuta                       19:00

Të barabartë në rezultate, jo në renditje

Për Vllazninë, ende mbetet e “gjallë” kujtesa e humbjes ndaj Teutës në fazën e dytë, 0-1, fitore e arritur nga durrsakët në fundin e ndeshjes. Kështu, në tre ndeshjet e luajtura në tre fazat e para, janë regjistruar 1 F për Vllazninë dhe 1 F për Teutën. Barazimi 1-1 u fiksua në fazën e parë, ndërsa shkodranët renditen në vëndin e 1-rë me 56 pikë dhe Teuta në vëndin e 6-të me 38 pikë. Të dyja janë të barabarta në rezultatet e fiksuara në këtë sezon me nga 1 F, 1 B dhe 1 H, por Vllaznia ka golavarazhin pozitiv +17, ndërsa Teuta me golavarazh negativ -1.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026

Ndeshjet-Java 31

E shtunë, 11 prill 2026

Flamurtari-Vora                      19:00

E dielë, 12 prill 2026

Tirana-Egnatia                        16:00

Vllaznia-Teuta                        19:00

E hënë, 13 prill 2026

Bylis-Dinamo                          16:00

AF Elbasani-Partizani             19:00

RENDITJA         

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    30        56

2.Egnatia                     30        54

3.AF Elbasani              30        53

4.Partizani                   30        44

5.Dinamo City             30        43

6.Teuta                        30        38

7.Vora                         30        30

8.Bylis                         30        30

8.Tirana                       30        28

10.Flamurtari               30        25