Edmond Dalipi: Gara është e “egër” për të gjitha vëndet e renditjes

Edmond Dalipi

KATEGORIA E PARË/ Zëvendëstrajneri i Laçit, Edmond Dalipi, e konsideron kampionatin të fortë

Agron KAJA

NOA

Java e 29-të e Kategorisë së Parë konfirmoi se kampionati ka hyrë në fazën më delikate të sezonit. Janë luajtur 174 ndeshje e kanë mbetur për tu zhvilluar edhe 24 të tjera, dhe katër javë nga fundi çdo pikë peshon sa një sezon i tërë. Gara në të dy kahjet e renditjes është kthyer në një betejë të vërtetë. Në krye të renditjes janë Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci, në zonën Play-off skuadrat duken si më të qeta, ndoshta se atje mund të “sundojë” njëra prej treshes së parë. Ndërsa në zonën e mbijetesës dhe Play-out, ethet kanë kapur tre skuadra: Apoloninë, Lushnjen dhe AF Luftëtarin. Java që u mbyll, kishte penallti, polemika e përmbysje, por ja si e analizon këtë situatë zëvendëstrajneri i Laçit, Edmond Dalipi, ku për gazetën “Telegraf” ai tregoi edhe për ndeshjet e javës së 30-të, pritshmëritë dhe të rrezikuarit. “Në përgjithësi, Laçi është skuadra më në formë e momentit, sepse në 15 ndeshje kemi marrë 14 fitore dhe 1 barazim. Edhe Skënderbeu me Pogradecin futen në tre pretendentët me ecurinë më të mirë në këto 29 javë. Për skuadrat e tjera, mendoj se çfarë kanë dhënë në fushën e lojës, e kanë marrë me renditjen e tyre. Lufta është e “egër” në të gjitha vëndet e renditjes, sepse skuadrat duken se janë të ndara në tre grupe. Tre të parat për ngjitjen direkte në Superiore, katër të tjera për zonën Play-off, dhe katër të fundit për mbijetesë dhe Play-out”, kështu e nisi dje bisedën Edmond Dalipi, i cili veçon edhe faktin se skuadra ku ai drejton, ka moshën mestare 22 vjeç, duke e quajtur skuadër të perspektivës dhe me elementë “Bio” shqiptarë. “Laçi e ka moshën mesatare të skuadrës 22 vjeç dhe është “bio” shqiptare. Është një ekip me talente dhe me perspektivë për sezonin e ardhshëm në Superiore. Kjo është një punë e mirë, duke i dhënë stimul lojtarëve vëndas. Tashmë janë edhe katër javë, ku bëhen mirë hesapet për çdo skuadër. Sepse çdo gabim i vogël, apo hap falls, të ndëshkon. Ne luajmë jashtë me Kastriotin dhe më pas presim Pogradecin, dhe në këto dy javë do zgjidhet përfundimisht se cilët do jenë dy skuadrat që do ngjiten në Superiore. Besojmë shumë se do jemi njëra nga këto dy skuadra në këtë objektiv sezonal. Renditja deri në javën e 33-të nuk besoj se do ketë shumë ndryshime”, kështu e përshkroi dje situatën në skuadrën laçiane, zëvendëstrajneri Edmond Dalipi.

KUPA E SHQIPËRISË

Një “Final 4” edhe në Kupë, katër skuadra në garë

TURI GJYSMËFINAL

Ndeshjet e para

E mërkurë, 8 prill 2026

Dinamo City-Vllaznia 1-1

Egnatia-AF Elbasani   1-1

Ndeshjet e kthimit

E mërkurë, 22 prill 2026

AF Elbasani-Egnatia   19:00

E enjte, 23 prill 2026

Vllaznia-Dinamo City 19:00

Këtë mesjavë, Kupa e Shqipërisë hyri në mes të kampionatit me ndeshjet e para gjysmëfinale. Në këtë tur, në garë janë katër skuadra që në Abissnet Superiore renditen në vendet e zonës “Final 4”. Vllaznia, Egnatia, AF Elbasani dhe Dinamo City. Kësisoj, ato mund të quhen krahasimisht se janë “Final 4” i Kupës, dhe emocionet e dy finalistëve do të jenë prezente në dy ndeshjet e fundit. Dinamo shënoi me penallti me ndihmën e VAR-it, pasi e kishte humbur një të tillë dhe e barazoi 1-1 Vllazninë. Ndërsa Elbasani luajti më mirë nga Egnatia, por barazimi  e mbat të hapur në gjysmëfinale që do të përcaktojnë dy skuadrat finaliste më 22 e 23 prill 2026. Finalja më 13 maj 2026 do të mbyllë rrugëtimin në stadiumin “Air Albania”. Në sezonin e kaluar, Kupën e Shqipërisë e fitoi Dinamo City.

Lojrat e Fatit marrin rrugë, përcaktohen mekanizmat

Dje, Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve, strukturë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Vendimi përcakton mënyrën e ngritjes, organizimin dhe funksionimin e këtij këshilli. Sipas vendimit, janë përcaktuar kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet për të përfituar financim, si dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim. Ai do të ndikojë në rritjen e standardeve të menaxhimit dhe mbikëqyrjes te lojërat e fatit, dhe hyn në fuqi menjëherë.

Java e 30-të sot, liqenorët me mëndjen në Krujë dhe Burrel

Java e 30-të e Kategorisë së Parë do të luhet e gjitha sot (të shtunën më 11 prill). Nisur nga kalendari, kjo mund të jetë edhe java e përcaktimeve në të dyja anët e renditjes. Pogradeci luan në fushën e tij me Kukësin, dhe pret se si do të dalin në transfertat e tyre Skënderbeu në Burrel dhe Laçi në Krujë. Dy sfidat e tjera mbeten si kryendeshjet e mbijetesës, ku Iliria ka në dorë fatin për AF Luftëtarin, ndërsa Besa-Lushnja ka brenda saj një sezon për të dyja skuadrat.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026       

Ndeshjet-Java 30

E shtunë, 11 prill 2026

Pogradeci-Kukësi                   15:00

Kastrioti-Laçi                          15:00

Burreli-Skënderbeu                 15:00

Iliria-AF Luftëtari                   15:00

Besa-Lushnja                          15:00

Korabi-Apolonia                     15:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              29        70

2.Laçi                          29        67

3.Pogradeci                 29        64

4.Iliria                          29        38

5.Kastrioti                   29        36

6.Besa                         29        34

7.Burreli                      29        33

8.Korabi                      29        32

9.Kukësi                      29        27

10.Apolonia                29        26

11.Lushnja                  29        25

12.AF Luftëtari           29        22

Neritan Novi, trajneri i tretë i sezonit te AF Luftëtari!

Gjatë kësaj mesjave, te AF Luftëtari nuk kishte qetësi në bankinë. Humbja 2-3 me Besën në javën e 29-të të kampionatit, ka sjellë edhe shkarkimin e Bledar Devollit si trajner. Ky është ndryshimi i dytë në stolin e Luftëtarit për këtë sezon, pasi më herët Devolli kishte zëvendësuar Besmir Shabanin. Ndërsa Neritan Novi është emri i tretë që ulet në bankinën gjirokastrite brënda këtij sezoni. AF Luftëtari ndodhet në vendin e 12-të në tabelën e renditjes me 22 pikë, duke e bërë të vështirë misionin për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Ndërsa trajneri i ri, Neritan Novi do të ketë detyrën për të rivalizuar me ekipe si Kukësi, Apolonia dhe Lushnja.