PROMOVIMI/ Në Resortin “Te Stela”, gazetari sportiv Agron Kaja solli librin “Në mikrofonin tim”. Personazhe të shumtë vijnë me atmosferën e karrierës së tyre.
Atmosfera e krijuar në promovimin e librit “Në mikrofonin tim” të gazetarit sportiv Agron Kaja, mblodhi në Resortin “Te Stela” ish-sportistë, trajnerë e drejtues të sportit shqiptar, protagonistë të këtij libri të rradhitura në 462 faqe. Një pjesëmarrje modeste, për të cilën vetë autori u shpreh i respektuar, por gjithë të tjerët që folën në këtë promovim, u nisën nga vlerat që libri transmeton te lexuesi. Duhet thënë se libri “Në mikrofonin tim”, vjen edhe si një Ditar ndër vite, apo si një “dokumentar me metrazh të shkurtër” si edhe vetë autori e quan në parathënien e tij. Vlerësuese ishin edhe përshëndetjet e të pranishmëve, të Zotit Agim Çiraku, shkrimtarit Namik Selmani, Komentatorit sportiv Bashkim Mërtiri, gazetarit sportiv Fatmir Mneri, e disa të tjerë që e kthyen në një atmosferë sportive të vërtetë.
Përgatiti: Engjëll Musai, drejtori i Telegraf.al
Një dokumentar me metrazh të shkurtër në rreshtat e librit
Agim Çiraku, President i FSHN
Ndjehem i respektuar të shprehem për këtë libër me vlera, në të cilin Agron Kaja si autor, sjell një Ditar të shkurtër, por domethënës, i cili në 25 vitet e fundit të karrierës së tij gazetareske ka shkruajtur me kilometra rreshta, në të cilët sporti shqiptar është përshkruar në kronika, intervista, opinione apo edhe të tjera shkrime. Të them të drejtën, unë për këtë libër kam informacion dhe e kam inkurajuar Agronin, sepse e gjithë tematika që ai trajton në 243 faqe, mendoj është një vlerë jo vetëm për protagonistët, por për të gjithë ata që i kanë njohur ata në fusha e stadiume, dhe sot disa janë zbardhur në pamje, por jo në shpirtin e tyre sportiv. Dhe këtë këndvështrim mendoj se do ta ketë gjithkush që do ta lexojë librin, besoj se do më japë të drejtë përsa po e përshkruaj. Me Agronin tashmë jemi bërë njohje e vjetër, ku gazeta “Telegraf” na afroi më shumë, por pishinat e Notit shqiptar kanë bërë diferencën. Unë jam mik i librave, dhe si ish-sportist e sot President i Federatës Shqiptare të Notit, jo vetëm se i vlerësoj, por edhe i inkurajoj që rreshtat në librat me tematikë sportive të mos rreshtin asnjëherë.
E falenderoj Agronin për këtë libër, dhe po citoj një paragraf shumë domethënës të librit ku shkruhet: “…Në këto intervista, si në një dokumentar me metrazh të shkurtër, jam munduar t’i sjell protagonistët si ish-sportistë, ish-trajnerë, si sportistë e trajnerë, por ka edhe nga ata protagonistë që vijnë edhe si drejtues institucioni e klubi sportiv, të cilët e kompletojnë sado pak përmbajtjen …” Duke e uruar Agronin për këtë libër, do thoja se ai e ka vendosur në një “banak” të fortë anën historike të sportit, ku jo vetëm ne që e kemi jetuar atë kohë, por edhe brezat ta njohin në këto këndvështrime. Të gjithë juve, por edhe ata që sot nuk e kanë patur mundësinë të jenë në këtë ditë promovimi të këtij libri, i inkurajoj që ta kenë si një bazë njohjeje e respekti për brezat që e kanë shkruar historinë e tyre sportive vit pas viti. Faleminderit Agronit, faleminderit të gjithë ju shok e miq të komunitetit të Sportit dhe jo vetëm, që e respektoni me pjesëmarrjen tuaj këtë vlerë të gazetarisë sportive shqiptare”.
Shkrimtari Namik Selmani
Mirënjohje brezash për një arkitekt të kujtesës sportive
Jo gjithmonë thinjat tregojnë talentin e një njeriu, po te Agron Kaja emër mbreti, ato kanë qenë dhe mbeten pjesa e pasionit dhe e përkushtimit për atë që ai e ka bërë më mirë në jetën e tij. Pas më se 40 viteve të punës si gazetar sportiv, ai del këto ditë me një libër të tij ndër më të mirët e kolanës së botimit, që titullohet “Në mikrofonin tim”. Kjo bëhet në një ditë simbolike e jetës së tij, në atë të 70-vjetorit të ditëlindjes, një libër me një kohë 25-vjeçare që i hap lexuesve një portë të madhe. Një portë që sjell dhe mirënjohjen e brezave të atyre që ka intervistuar ai në vite. Shumë prej të cilëve sot janë ndarë nga jeta. Tek po lexoj faqet e librit, më kujtohet hapi tij i matur në Berat kur ai nisi dhe këtë rrugë të bukur. Me atë mikrofon ai sikur kishte marrë me vete jehonën e mijëra duartrokitjeve, pamjen e tribunave të larta, gëzimin dhe zhgënjimin, lotët e fitoreve dhe të humbjeve, e në mes tyre si lulja më e bukur e kësaj kujtese, është autori Agron Kaja. Gjeografia e librit të tij është mbarëkombëtare dhe i përket të gjithë sporteve. Është një lloj enciklopedie.
Drejtori i Telegraf Engjëll Musai me Agim Lamaj, Haxhi Ballgjini dhe Kreshnik Çipi
Trokitjet e hapit të tij në Korçën e serenatave i dhanë mugëllimën e pasionit të ardhshëm. Më tej në Berat çdo fëmijë, çdo sportist e nderonte atë si fitimtar i padiskutueshëm i asaj çka i jepte ai këtij qyteti. Po Agronin e pritnin të tjera maja më të larta se sa vetë Tomorri që ai e përshëndeste çdo agim. Tashmë mikrofoni që i ishte bërë pjesë e çantës, e jetës, nisi t’i thoshte miqësisht me ca fjalë që vetëm ai dinte t’i dëgjonte: “Ej, Agron, bëhu vëllam me shkronjën!” Dhe ai e dëgjoi këtë zë. Botoi dhe tani ka arritur në lartësi mjaft të ylberta të shkronjëzimit.
I rëndë në është ky libër me 462 faqe. I rëndë në emocion. I dobishëm në kujtesën që rrezaton. Ishte koha kur sporti ishte pasion i vërtetë dhe jo i shartuar me paranë, apo me menaxherët që ulen në tavolina e në trokitjet e gotave, në tymin e purove, të pjatave që mbushin tavolina, flasin për miliona euro, dollarë, lekësh për shitje dhe blerje për sportet e sportistët. Ky libër është pasqyra e vërtetë e asaj kohe e më gjerë. Libri është ndërtuar saktë shkencërisht me një listë emërore në fund që e bën më praktik leximin. Për këtë punë është po kaq i lartë dhe Monumenti i Mirënjohjes së sportistëve, trajnerëve, arbitrave, presidentëve, donatorëve, familjeve të tyre apo dhe i studiuesve të sporteve që do ta përdorin nesër këtë libër si pikë referimi për historikun e sportit shqiptar. Në këtë shkrim doja dhe unë të vlerësoja punën e mirë të redaktorit Bashkim Mërtiri, të drejtorit të Gazetës “Telegraf” zotit Engjëll Musaj, të botuesit Agim Çiraku dhe të mbështetësit fianciar Arben Dervishaj, që të emocionon me thënin e tij aq të mirëpritur nga të gjithë: “ Unë për libra nuk kursehem. I dua njerëzit që shkruajnë për to …”
Redaktori i Librit, Bashkim Mërtiri
Merreni librin dhe kujtoni karrierën tuaj të shkuar
Në foto: Bashkim Mërtiri
Të nderuar pjesëmarrës, të ftuar në këtë veprimtari, ish-sportistë e ish-trajnerë, apo drejtuesa të sportit ndër vite, ju përshëndes dhe ju falenderoj për praninë tuaj në këtë promovim libri me tematikë sportive të gazetarit sportiv Agron Kaja. Në 462 faqet e këtij “Ditari-Historik” të shkruara nga autori në 25 vitet e fundit, historia çerekshekullore sportive e 240 sportistëve, trajnerëve, drejtuesve të sportit, por edhe ish-sportistë dhe ish-trajnerë apo edhe ish-drejtuesa të sportit në këtë hark kohor, nga rreshtat e librit “NË MIKROFONIN TIM”, do përballen me vetë historinë. Do takohen sot së bashku për të kujtuar kohën e shkuar, në të tashmen e ndryshuar ose jo. Në këtë libër, Agroni ka treguar se është një “dokumentar” në rreshta, ai ka treguar se vlerat e historisë sportive duhen kujtuar kur ato shprehen edhe kështu, në këtë libër ku protagonistët e intervistuar do të kujtojnë se ku ishin vite më parë dhe ku i ka sjellë koha sot. Kur Agroni më tregoi për këtë libër, në cilësinë e Redaktorit të tij, unë u ndjeva i vlerësuar, sepse kjo është një histori që rrallë qëmtohet në rreshta librash të kësaj forme. Duke e vlerësuar autorin, njëherësh më lejoni t’u them ju protagonistë të librit, dhe gjithkujt këtu në sallë, merreni librin dhe kujtohuni këtë herë për karrierën tuaj të shkuar, që sot vjen me nostalgji të zbardhur në rreshta. Faleminderit Agron, dhe do t.u thoja se mosha nuk numëron vetëm vitet, por edhe gjurmët që u ke lënë viteve”.
Ky libër: Një vepër e veçantë që zbardh historinë
Gazetari Sportiv Fatmir Mneri
Gazetari sportiv Fatmir Mneri, në përshëndetjen e tij për librin “Në mikrofonin tim”, vlerësoi autorin për këtë “vepër” që ai u lë brezave në sportin shqiptar. “Nuk e kam lexuar librin, por sa po dëgjoj këtu, e them me bindje se është një vepër që do e zbardhë historinë te brezat, por do zgjojë edhe nostalgjinë e atyre që e kanë shkruar këtë histori. Agroni mbetet një arshivë në këtë rast, dhe kur më tregoi se intervistën me mua e kishte zhvilluar rreth 15 vite më parë, natyrisht që u habita, por u ndjeva edhe i respektuar. Urime Agronit për këtë libër, që sot me këtë pjesëmarrje me vlera shumë të larta”.
Me gazetaren Enkeleida Zekon
Me Fatmir Eficën
Me Haxhi Ballgjinin
Mjeshtri Madh Sadik Mema
Me Mjeshtrin e Madh, Rauf Dimraj
Poezi nga Shkrimtari Namik Selmani
I bukur hapi dhe ligjërimi yt në vite.
E ngrohtë
buzëqeshja që të jepte obligimi dhe jeta!
Maturia jote
merrte diplomë madhështie.
Bari i fushave
kishte për ty jehonën e mijëra duartokitjeve.
Tani vjen sërish mes nesh me këtë thesar;
me një libër si testament të ri pasioni.
Kurrë nuk je futur në kasafortën e vetmisë;
janë pak këto fjalë që burojnë nga emocioni;
ngjitur në shkallët e merituara të lavdisë.