REAGIM/ Asnjë ekran shqiptar nuk transmetoi ndeshjet evropiane të Skënderbeut dhe të Kukësit
Bravo Kukësi! Ky është refreni që futbolli shqiptar duhet të krenohet sot e në vazhdim, por aktualisht jemi duke kaluar një mot të nxehtë dhe këtë pik më shumë duket se po e vuajnë sportdashësit shqiptarë. Po vuajnë nga terri që i ka pllakosur ekranet televizive shqiptare për evenimente të mëdha siç janë Kupat e Evropës. Po ndodh kështu këto ditë kur futbolli shqiptar është në kulmin e historisë së tij, kur Kukësi kalon një tur historik në Evropa Ligë dhe ku kampionia jonë Skënderbeu është duke luajtur sfida shumë të vështira në Ligën e Kampioneve. Të dyja këto skuadra, aktualisht më të mirat në futbollin shqiptar që momentalisht janë duke shkruar faqe të reja në historinë e “topkëmbës” sonë, janë të braktisura nga ekranet televizive, ku as edhe ekrani që e paguajnë me taksat e tyre (TVSH-ja) nuk po u shërben për të parë takimet e fundit që këto skuadra po luajnë brenda e jashtë vendit. Po pse vallë të ndodhë kështu? Thuajse të gjitha mediat e shkruara kishin qëmtuar disa radhë për këtë handikap, duke nxjerrë në plan të parë anën financiare. Bukur, se jemi në kapitalizëm dhe çdo transmetim televiziv duhet të ketë vlerën e tij për ta parë në ekran atë që kërkohet, për rastin konkret dy ndeshjet e Kukësit e të Skënderbeut në Europë. Paguaj të shohësh? Ky është rregulli, e me sa duket ky ka fituar. Por njëherësh ai ka mbyllur sytë e mijëra e mijëra teleshikuesve futbolldashës, jo vetëm atyre kuksianë e korçarë, por të gjithë Shqipërisë brenda e jashtë saj. Sepse në këtë situatë krize financiare që është duke kaluar Shqipëria, jo të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë mundësinë e pagesës për të parë një ndeshje të veçantë në ekranet me pagesë. Është mësuar se drejtuesit e klubeve të Kuksit e Skënderbeut nuk kanë gjetur akordin e shumave të mëdha që u janë kërkuar për t’i transmetuar këto ndeshje në ekranet e televizioneve private, por kanali televiziv shtetëror që vjel taksat e gjithë shqiptarëve futbolldashës, ose jo, e në këtë rast të kuksianëve e të korçarëve, çfarë pagese kërkon më shumë nga këto klube? Në këto situata, Televizioni Publik Shqiptar duhet të tregohej mëse shqiptar, të tregonte se aty ka drejtues, kameramanë e gazetarë që paguhen nga taksat e atyre që kur është fjala për sportin sakrifikojnë edhe bukën e gojës për ta parë atë në ekran. Kësisoj, të gjitha këto ekrane janë treguar mëse qylaxhinj me teleshikuesit, përderisa nuk kanë marrë parasysh as edhe ndjenjat e tyre që gjatë gjithë vitit i shohin, i duartrokasin nëpër koncerte e spektakle televizive, u bëjnë elozhe dhe u thurrin lavde në ekranet e tyre kur ata u vendosin një kamera përballë. Nëse Kukësi do të luante me Metalurg Donjetskun në Kukës dhe Skënderbeu do të luante në Korçë kundër Shakhter Karagandy, edhe mund të mbyllej një sy e të zihej një vesh se është distancë e largët e sinjali mund të ketë “vapë” nga kjo largësi. Por, kur si Kukësi ashtu edhe Skënderbeu luajnë në Tiranë, atëhere pse nuk u pa një pikë “mëshire” që këto ndeshje të shikoheshin në një nga ekranet televizive kombëtare? Dhe për futbollin është shumë diskrete kjo dukuri, kur kujton që këto televizione kombëtare e jo kombëtare u zhgarravitën me ditë të tëra në fushatën elektorale të 23 qershorit në çdo cep të Shqipërisë, ku dhanë falas e në kohë reale çdo bla, bla, bla që bënin politikanët, ndërsa sot nuk denjojnë të japin falas një apo dy ndeshje të nivelit evropian. Kjo nuk shkon, të paktën moralisht. Nëse edhe në televizione, sikundër edhe në politikë, morali është elementi i fundit dhe paraja është në krye të qoshesë së logjikës e respektit reciprok, aferim u qoftë të gjithëve për të ardhmen. Nuk do të harrohet kollaj ky terr që televizionet bënë me ndeshjet e Kukësit dhe të Skënderbeut. Futbolli nuk e njeh hakmarrjen, por një ditë ndoshta do ta thotë fjalën e tij, atje ku ajo zë vend!
MIQËSORJA/ Shqipëria dhe Armenia kanë vetëm dy precedentë në përballjet e tyre: një barazim dhe një humbje
Armenia publikon listën
e lojtarëve anti-Shqipëri
Kur kanë mbetur më pak se një javë deri te ndeshja miqësore Shqipëri – Armeni, trajneri i kësaj të fundit Vardan Minsayan e ka publikuar listën e lojtarëve të cilët do t’i grumbulloj për miqësoren e 14 gushtit në Tiranë. Trajneri Minsayan ka publikuar një liste të zgjeruar me 29 lojtarë ku bie ne sy mungesa e yllit të skuadrës, transferit më të ri të Borusia Dortmundit, Henrik Mkhitarian i cili është i lënduar. Ashtu si kundërshtari i tyre Shqipëria, edhe Armenia shumicën e lojtarëve që luajnë me Kombëtare i ka në kampionatet jashtë Armenisë, kryesisht në Rusi apo edhe Ukrainë. Ndeshja Shqipëri–Armeni do të zhvillohet, më 14 gusht ora 20:45.
PRECEDENTËT
Shqipëria dhe Armenia numërojnë vetëm dy precedentë në përballjet e tyre. Të dyja ndeshjet janë zyrtare, te vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Francë 1988”. Bilanci me armenët është negativ: një barazim 1-1 në Tiranë (trajner Neptun Bajko) dhe një humbje 3-0 në Jerevan (trajner Astrit Hafizi). Kombëtarja jonë ndodhej në grupin 9, së bashku edhe me Gjermaninë, Ukrainën, Portugalinë, Armeninë dhe Irlandën e Veriut. Ajo që duhet veçuar nga ato ndeshje janë rezultatet e ngushta me Gjermaninë: humbëm 3-2 në Granada të Spanjës dhe 4-3 në Hanover. (Në të dyja trajner ishte Astrit Hafizi).
Në takimin e parë kundër Armenisë, më 9 nëntor 1996 (në “Qemal Stafa”), Shqipëria vinte pas humbjes 3-0 me Portugalinë (në Tiranë). Ndeshja u mbyll 1-1: shënoi e para Shqipëria me anë të Bajram Frahollit në minutën e 57-të, ndërsa Armenia barazoi në minutën e 90-të me anë të zëvendësuesit Hakob Ter-Petrosyan. Një fitore e ikur nga duart. Bajko dha dorëheqjen pas ndeshjes së humbur 2-0 me Irlandën e Veriut, ndërsa drejtimin e mori Astrit Hafizi. Pas katër humbjeve rresht me Ukrainën (0-1, në fushë asnjanës, në Granada të Spanjës), Gjermaninë (2-3, po në Granada), Portugalisë (0-2, në Porto) dhe sërish Ukrainën (0-1, në Kiev) erdhi ndeshja me Armeninë (6 shtator 1997). Një humbje 0-3 në Jerevan, por Rrakllin tonë që doli me të kuqe, kur ai shkaktoi penalltinë e golit të tretë. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërkohë që në të dytën Armenia shënoi tre gola: Vardanyan 56′, Asadourian 81′, Avalyan 87′ (pen). Shqipëria në ato eliminatore grumbulloi katër pikë: një fitore me Irlandën e Veriut dhe një barazim me Armeninë, duke u renditur e fundit. Armenia doli e treta në grup me 8 pikë.
Portierë
Roman Berezovsky – Dinamo Moskë
Gevorg Kasparov – Zob Ahan
Arthur Harutytunyan – FC Shirak
Gor Manukyan – FC Pyunik
Mbrojtës
Robert Arzumanyan – Aktobe
Valeri Alexanyan – Rah Ahan
Hrayr Mkoyan – FC Gandzasar
Artyom Khachaturov – Tiraspol
Varazdat Haroyan – FC Pyunik
Taron Voskanyan – FC Pyunik
Kamo Hovhannisyan – FC Pyunik
Levon Hayrapetyan – Vidzev, Poland
Arthur Avagyan – FC Gandzasar
Mesfushorë
Karlen Mkrtchyan – Metalurg Donetsk
Arthur Edigaryan – Kairat
Henrikh Mkhitaryan – Borussia Dortmund
David Manoyan – FC Pyunik
Gevorg Ghazaryan – Shakhtar Karaganda
Marcos Pizelli – Krasnodar
Aras Ozbiliz – Spartak Moskë
Edgar Manucharyan – Ural
Norayr Aslanyan – Villem II
Karen Muradyan – FC Shirak
Vardges Satumyan – FC Mika
Sulmues
Yura Movsisyan – Spartak Moskë
Arthur Sarkisov – Ural
Mikhail Markosov – Sibir
Sargis Adamyan – Hansa Rostock
Aghvan Papikyan – FC Pyunik
ELIMINATORET E BOTËRORIT
“FRANCË 1998”
SHQIPËRI-ARMENI 1-1
Shënues: Fraholli 57’/ H.Ter-Petrosyan 90’
9 nëntor 1996, stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë
ARMENI-SHQIPËRI 3-0
Shënues: Vardanyan 56′, Asadourian 81′, Avalyan 87′ (pen)
6 shtator 1997, stadiumi “Razdan”, Jerevan