Agron Kaja: Ethet e “Euro 2024” po trokasin në “dyert” kuqezi

19

KOMBËTARJA/ Trajneri Silvinjo shpalli dje listën e dy miqësoreve të marsit, teste para Europianit

Sigal

Agron Kaja

Tashmë është bërë e ditur nga vetë kalendari i sezonit 2023-2024, se gjatë muajit mars do të ndërpriten kampionatet shqiptare të futbollit, pas datës 17 mars kur Superiorja luan javën e 28-të dhe Kategoria e Parë javën e 25-të. Shkak për këtë ndërprerje do të jenë ndeshjet miqësore që do të zhvillojë skuadra jonë Kombëtare, e cila do të luajë dy takime: Në datën 22 mars 2024 kuqezinjtë do të përballen me Kilin, ndeshje, e cila do të luhet në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, në ora 20:45. Ndërsa tre ditë më vonë, më 25 mars, do të luajë me Suedinë në stadiumin “Friends Arena“ të Stokholmit, ora 19:00. Për këto dy miqësore, trajneri Silvinjo dje e publikoi listën me lojtarët që mendon t’i aktivizojë në dy miqësoret e muajit mars, njëherësh që të shohë gjendjen e tyre në prag të finaleve të Europianit të Gjermanisë. Ndërsa në muajin qershor 2024, Shqipëria do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, me Lihtenshtejnin më datë 3 qershor dhe me Azerbajxhanin më datë 7 qershor. E gjithë kjo axhendë tregon se ethet e “Euro 2024” kanë filluar të trokasin në “dyert” e Shqipërisë kuqezi. Këtë e nisi trajneri Silvinjo teksa publikoi listën me 26 lojtarë, të cilët i mendon të gatshëm për dy miqësoret e para, me Kilin e Suedinë. Pas mbarimit të angazhimeve me klubet e tyre në këtë fundjavë, ekipi kombëtar do të nisë grumbullimin ditën e hënë në datën 18 mars, ndërkohë që do të zhvillojë tri seanca stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” (në FSHF). Në datën 21 mars, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Parmës për të zhvilluar edhe një seancë të lehtë stërvitore në “Ennio Tardini”, ndërsa miqësorja do të luhet në mbrëmjen e së premtes në këtë stadium. Pas ndeshjes, ekipi do të udhëtojë direkt për në Suedi ku do të vijojë përgatitjet për miqësoren e datës 25 mars, ndeshje që do luhet në stadiumin “Friends Arena”, duke nisur nga ora 19:00. Nisur nga lista e lojtarëve të grumbulluar për këto dy miqësore të muajit mars 2024, duhet thënë se rikthimi i Rei Manajt mbetet si më i veçantë, por edhe i Armando Brojës. Nëse Manaj që luan në kampionatin turk me Sivaspor ka qënë periodikisht në fushë dhe ka shënuar 15 gola, Broja nuk po kalon momente të mira në Angli me Fulhem, dhe aktivizimi i tij ka qënë ulët në Premier Ligë. Por, Gjasula, Muja, Daku, dhe Ajeti nuk do jenë pjesë e Kombëtares për këto dy miqësore. Kjo është situata para këtyre dy miqësoreve, të cilat do të jenë teste para Europianit për të gjithë të besuarit e kësaj liste.

Liga e kampionëve-Liga e Evropës-Konferencë Ligë

 

Shortet trazojnë Europën, asnjë italian në Champions

Dje në mesditë u hodh shorti për Ligën e Kampionëve, Europa Ligë dhe Konferencë Ligë. Në shortin e çerek të Ligës së Kampionëve, goglat dhuruan duele të forta dhe interesante. Arsenal-Bajern Mynih, Atletiko Madrid-Borusia Dortmund, Real Madrid-Mançester Siti dhe PSG-Barcelona do të jenë çiftet që do të nxjerrin katër skuadrat gjysmëfinaliste me këtë formulë: Fituesi i çiftit Atletiko Madrid-Borusia Dortmund do ndeshet me fituesin e çiftit PSG-Barcelona, dhe fituesi do të jetë Finalisti 1. Ndërkohë, fituesi i çiftit Arsenal-Bajern Mynih do ndeshet me fituesin e çiftit Real Madrid-Mançester Siti dhe fituesi do të jetë Finalisti 2. Në Ligën e Europës, ka klasike italiane Milan-Roma, ndërsa Liverpuli sfidon Atalantën. Takim i fortë është edhe ai mes Bajer Leverkusenit dhe Uest Hemit, ndërsa Benfika përballet me Olimpik Marsejë. Në gjysmëfinale, fituesi i Milan-Roma do të ndeshet me fituesin e Leverkusen-Uest Hem, ndërsa fituesi i Benfika-Marsejë do të luajë kundër fituesit të Liverpul-Atalanta. Liga e Konferencës, pretendentët e Aston Vilës do të ndeshen me Lilën ku luan Edon Zhegrova, Fiorentina luan kundër Viktoria Plzen. Duel i fortë pritet mes Olimpiakos dhe Fenerbahçes, ndërsa Klub Bryzh pret PAOK.

 

LIGA E KAMPIONËVE

Çerekfinalet/ 9 e 16 prill

1.Atletiko Madrid-Borusia D.

PSG-Barcelona

2.Arsenal-Bajern Mynih

Real Madrid-Mançester S.

 

LIGA E EUROPËS

Çerekfinalet/ 11 e 18 prill

Benfika-Marsejë

Bajer Leverkusen-Uest H.

Liverpul-Atalanta

Milan-Roma

 

KONFERENCË LIGË

Çerekfinalet/ 11 e 18 prill

Viktori Plzen0Fiorentina

Aston Vila-Lilë

Olimpiakos-Fenerbahçe

Klub Bryzh-PAOK

Lista e 26- të grumbulluarve

Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati; Mbrojtësa: Berat Gjimshiti, Neser Aliji, Frederik Veseli, Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marrash Kumbulla, Jon Mersinaj; Mesfushorë: Keidi Bare, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Kristian Asllani. Sulmues: Sokol Cikalleshi, Jasir Asani, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Marlind Daku, Armando Broja, Rei Manaj, Arbër Hoxha. Trajner: Sylvinjo Mendes Kampos J.

 

NDESHJET MIQËSORE

E premte, 22 mars 2024

Shqipëri-Kili                  20:45

Stadiumi “Enio Tardini”

Në Parma, Itali

E hënë, 25 mars 2024

Suedi-Shqipëri               19:00

Stadiumi “Friends Arena”

Në Stokholm, Suedi

 

Ndeshje historike, Kili me dy mungesa ndaj Shqipërisë

Kombëtarja e Kilit është kundërshtari i parë i Kombëtares tonë për vitin 2024, pasi do të ndeshen mes tyre në miqësore më 22 mars, ora 20:45. Është hera e parë në histori që Shqipëria do të luajë me Kilin, ndërkohë që trajneri i ri Rikardo Gareca, që debuton në detyrën e re përballë Shqipërisë, e ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për dy miqësoret ndaj Shqipërisë dhe Francës. Në listë është rikthimi i portierit Klaudio Bravo dhe sulmuesit Edouardo Vargas, por tekniku Gareca nuk do të ketë në dispozicion Medel dhe Arturo Vidal, të cilët janë dy mungesat e mëdha të kësaj sfide për kilenët.