Sajmir Patushi: Vit jo i mirë për futbollin, formula s’i përshtatet skuadrave

16

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Sajmir Patushi, ish-mesfushori i Tiranës e përshkruan garën me ulje e ngritje

Sigal

 

Agron Kaja

 

Jemi në prag të ndeshjeve të javës së 28-të të Superiores, ju si e përshkruani rrugëtimin në tre fazat e para?

Mendoj se kanë qënë tre faza me ulje e ngjitje të skuadrave. Një vit jo i mirë për futbollin shqiptar, sepse edhe formula që është zgjedhur nuk i përshtatet skuadrave. Vendimmarrjet e presidentëve nuk i shkojnë ritmikave të skuadrave dhe futbollit.

Kjo javë vjen me kalendar interesant dhe me një “derbi” të kryeqytetit, mendoni se të gjitha sfidat do jenë të tilla?

Unë besoj se çdo javë në fazën e katërt do ketë ndeshje të forta në të dy kahjet e tabelës së renditjes, dhe java e 28-të për çdo ekip është si një finale. Ndërsa “derbi” i gjen dy ekipet me probleme, por mendoj se Tirana do fitojë. Do jetë sfidë e fortë.

Me gjithë rezultatet në tre fazat e luajtura, kreu dhe fundi i renditjes pak po lëvizin, pse ndodhi kështu në këtë javë?

Sepse nuk kemi një ekip lider që të bëjë diferenca të mëdha me të tjerat. Pra, nuk kanë stabilitet në rezultate, e këtu mendoj se ndikon shumë edhe formula me atë “Final 4”. Ndryshe do ishte një garë më e fortë, por do uroja një “Final 4” të fortë.

Mendoni se me këto rezultate në tre faza, “Final 4” e ka marrë një formë të përafërt?

Nuk e shikoj një “Final 4” pa Tiranën. Më duket si një “çmenduri” mos jetë edhe Tirana, ndërkohë që Egnatia, Partizani e Vllaznia e kanë siguruar një vend në këto ndeshje për titullin kampion dhe për një vend në Europë.

Java e kaluar nuk e preku asnjë bankinë, mendoni se në këtë periudhë nuk është momenti për largimin e trajnerëve?

Unë gjithmonë i kam kritikuar afrimet dhe largimet e shpeshta të trajnerëve gjatë kampionatit. Presidentët duhet që t’u besojnë më shumë trajnerëve, sepse gjithçka varet nga përzgjedhjet e tyre në fillimsezoni. Por, ky është futbolli shqiptar.

Kampionati do të ndërpritet për dy javë pasi Kombëtarja luan dy miqësore, si do ndikojë kjo te skuadrat e Superiores?

Unë besoj se skuadrat i kanë patur hapësirat për të gjeneruar lojtarët e tyre, për t’i rikuperuar ata. Më shumë kjo hapësirë dyjavore pa ndeshje zyrtare do të shërbejë për rikthime të lojtarëve të dëmtuar, por edhe për ndonjë rregullim taktik.

Dje Silvinjo e shpalli listën me emrat e futbollistëve për miqësoret me Kilin dhe Suedinë, ju si e shikoni?

Më vjen mirë që Silvinjo ka rikthyer tre futbollistë, të cilët për Kombëtaren tonë do jenë një e ardhme e mirë: Manaj, Broja dhe Kumbulla. Në 26 emrat veçoj edhe sulmuesin Arbër Hoxha, edhe pse reparti ofensiv duket i mbipopulluar.

Mendoni se trajneri do të formatojë një formacion me titullarë, që luajnë periodikisht me skuadrat e tyre në Europë e Botë?

Besoj se Silvinjo e ka të qartë se çfarë formacioni do të ndërtojë me këta futbollistë që ka në këtë listë. Idetë e tij janë të qarta dhe unë uroj që këto dy miqësore t’i shërbejnë konsolidimit të grupit tonë, që për ne është një grup “ferrri”.

Sa shërbejnë këto miqësore në këtë muaj, kur finalet e Europianit nisin në muajin qershor?

Unë besoj se një pjesë e mirë e ekipit tonë kombëtar është e konsoliduar. Ajo çka pret trajneri nga çdo individ, do të presim fundin e sezoneve. Por duhet thënë se Silvinjo do ta ketë të vështirë përzgjedhjen, ndaj edhe duhen këto miqësore.

 

Shpërblime dhe bonuse për fituesit në superiore

Në bazë të Rregullores së aktivitetit, veç 100 milionë lekëve të vjetër që ka marrë ekipi kampion, do të ketë edhe bonuse për skuadrat e “Final 4”. Kështu, vendi i parë do të marrë edhe 100 milionë lekë të vjetër shtesë, vendi i dytë 70 milionë lekë të vjetër, vendi i tretë 50 milionë lekë të vjetër dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër. Për fituesin e Kupës, mbetet në 50 milionë lekë të vjetër.

ABISSNET SUPERIORE     

NDESHJET, JAVA 28
E shtunë, 16 mars 2024
Erzeni-Laçi                     14:00

Teuta-Partizani               17:00

Skënderbeu-Egnatia        17:00

E dielë, 17 mars 2024

Kukësi-Vllaznia             14:00

Tirana-Dinamo City       17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              27      51

2.Vllaznia             27      46

3.Partizani            27      46

4.Skënderbeu        27      37

5.Dinamo City      26      36

6.Tirana                27      36

7.Laçi                    27      30

8.Teuta                 26      28

9.Erzeni                27      26

10.Kukësi             27      22

 

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 25

E shtunë, 16 mars 2024

Bylis-Besa                     14:00

Vora-Kastrioti                14:00

Flamurtari-Lushnja         14:00

Tomori-Luzi 2008          14:00

AF Elbasani-Burreli        14:00

E dielë, 17 mars 2024

Apolonia-Korabi            14:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.AF Elbasani       24      56

2.Bylis                  24      55

3.Vora                  24      45

4.Flamurtari          24      45

5.Apolonia            24      35

6.Korabi               24      35

7.Burreli               24      28

8.Lushnja             24      27

9.Kastrioti            24      23

10.Besa                24      19

11.Luzi 2008        24      18

12.Tomori            24      14

 

Turne me veteranët, Shqipëria sfidon Flamurtarin e Hanoverin

Në datë 23 mars 2024, FSHF do të organizojë në “Shtëpinë e Futbollit” një turne ku do të zbresin në fushën e lojës veteranët e futbollit, me ndeshje që do të luhen tre takime. Turneu do të startojë në orën 12:00 me ndeshjen Shqipëri-Hanover. Më pas do të luhet ndeshja, Flamurtari-Hanover dhe turneu do të mbyllet me sfidën  Shqipëri-Flamurtari. Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë që drejtohet nga trajneri Sulejman Mema, ndërsa FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe një ndeshje miqësore për Kombëtaren e veteranëve të Shqipërisë në muajin prill.