Agron KAJA/ Derbi i lavdisë, me kahje Europe e mbijetese

527
Sigal

 TIRANA-PARTIZANI/ Luhet sot në orën 18:00 ndeshja e 137-të mes legjendave të futbollit tonë

Që nga 12 tetori i vitit të kaluar, kur në javën e 7-të Partizani e fitoi derbin e fazës së parë 1-0, kanë kaluar afërsisht 4 muaj, periudhë në të cilën emocionet e një derbi kaq të madh na kanë munguar. Gjithsesi, sa për kujtesë, atë derbi e humbi vetëm portieri Marsel Caka i Tiranës, i cili me gafën e tij në minutën e 57-të i dha mundësinë Ertan Demirit të Partizanit ta përcillte topin lehtësisht në rrjetën bardheblu. E tashmë, ai derbi i 136-të do të kujtohet vetëm në statistika dhe në histori si fitorja e 54-t e Partizanit, ndërkohë që aktualisht për ndeshjen e sotme do të kemi tjetër atmosferë, së pari se gjatë periudhës së merkatos dimërore skuadrat kanë pësuar ndryshime cilësore në përbërjet e tyre. Tirana do të ketë 5 ndryshime nga 12 tetori i fazës së parë: I. Lika, Korreshi, Morina, Kahata dhe Gilberto, ndërkohë që Partizani në numër ka më pak lëvizje në formacionin e tij: Anastasijeviç, Dunkoviç e Sacer. Ndërsa balancat në renditje anojnë në favor të Partizanit, duke ju referuar gjithmonë vetëm aktualitetit të këtyre skuadrave, sot do të kemi një tjetër atmosferë në fushën e lojës, dhe aq më shumë në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjithë e kemi të qartë se sot nuk do të kemi në fushë Panajot Panon, Refik Resme, Jani Kaçin, Perlat Mustën apo edhe  legjenda të tjera të Partizanit, e nga ana tjetër nuk do të kemi në fushë një Ali Mema, një Arben Minga, Agustin Kolën e plot emra të tjerë të historisë bardheblu, por e kemi të qartë se do të jemi nën efektin e traditës së një derbi kryeqyetas: histori+realitet. Më shumë se kaq, nga ajo histori e shkruar ndër vite nga të dyja këto skuadra të mëdha në futbollin shqiptar, sot do të kemi një dekor ndryshe në shkallët e stadiumit, dekor i cili ka nisur të “lëvizë”në media, në fushat stërvitore të skuadrave, por edhe në sportelet e e biletarive. Të gjitha këto, por edhe të veçanta të tjera do të rikthejnë elementin e munguar në futbollin e viteve të fundit ”tifozerinë në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, duke hyrë profesionalisht në prognozën e këtij derbi, duhet thënë se 90 minutat zyrtare dhe minutat shtesë do të “prodhojnë” gjithçka që të sjellë një ndeshje futbolli e përmasave të tilla, por Partizani duket se kërkon tri pikët, teksa trajneri Hasan Lika “kërcënon”me “ASI”-in e tij nën mëngë, Migen Memellin, një goleador i madh në dekadën e fundit të futbollit tonë. Nga ana tjetër, Magani “mbrohet”me kolektivitetin e grupit të tij, por edhe me mbështetjen që pritet të ketë Tirana nga tifozët e saj “Fanatiks”, natyrisht si skuadër pritëse e këtij derbi. Të gjithë aktorët bardheblu dhe ata të kuq të këtij derbi, në media janë deklaruar se kanë “frikë”vetëm nga gjykimi, duke kujtuar ato polemika që bënë ish-trajneri Nevil Dede dhe drejtuesit e Tiranës për gjyqtarin e FIFA-s, Lorenc Jemini, i cili gjykoi derbin e 12 tetorit, që Partizani e fitoi 1-0. E kështu, duke i marrë së bashku të gjitha detajet, të gjithë aktorët e fushës, të drejtimit teknik e të shkallëve të stadiumit, përfundimisht mund të thuhet se sot do të luhet një derbi i lavdisë së dy skuadrave më të mëdha të futbollit shqiptar, por do të jetë edhe një derbi që kahjet aktuale në renditje i ka të ndryshme: një Partizan që kërkon edhe titullin Kampion, por edhe një renditje në vendet e kreut, ndërkohë që Tirana kërkon një fitore për të shpresuar mbijetesën e saj në Kategorinë Superiore, sepse ndodhet në vendin e 12-të me vetëm 13 pikë. Ja pse ky derbi i 137-të i historisë së legjendave të futbollit shqiptar do të jetë po aq i madh sa edhe ato, do të jetë po aq madh sa edhe vetë historia e tyre. Për të gjitha këto arsye do të “pushtohet”sot “Qemal Stafa”, por edhe ekranet e televizioneve. Le të ndodhë kështu që sot shkallët e stadiumit të mos kenë vend për të gjithë ata që duan ta ndjekin derbin Tirana-Partizani.

 Veçohet

Ky është derbi i parë që luhet mes Tiranës e Partizanit, në kushtet e një renditjeje mbijetese për skuadrën bardheblu

 Ndryshimi

Në fazën e parë, më 12 tetor 2013, derbi Partizani-Tirana u luajt në orën 20:00, ndërsa sot do të nisë në orën 18:00

 Trajneri De Biazi

Pas një shkëputje relativisht të gjatë me Kampionatin shqiptar të futbollit, trajneri i Kombëtares sonë, Giani De Biazi, do të jetë sot në tribunë për të ndjekur derbin Tiran-Partizani. E ka menduar një derbi me fund barazimin

BILANCI I PËRGJITHSHËM

Nd. 136, F 42, B 40, H 54, Golat 158:196

Fitoret e thella

PARTIZANI

Të kuqtë e kanë mundur Tiranën 8-0 më 30 mars 1947, në ndeshjen e parë zyrtare ndërmjet tyre

TIRANA

Skuadra bardheblu e ktheu “reston”e fitores së thellë më 22 shtator 1985 duke e mundur Partizanin 7:3

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVII

Sot, 7 shkurt

Tirana-Partizani           18:00

Lushnja-Kastrioti

Kukësi-Bylisi

Flamurtari-Besa

Laçi-Skënderbeu

Vllaznia-Teuta

RENDITJA

1 Skënderbeu    17   +13  36

2 Partizani     17   +3   27

3 Teuta         17   +4   27

4 Laçi          17   +3   26

5 Kukësi        17   +1   26

6 Flamurtari*   17   +4   25

7 Besa          17   -3   22

8 Bylis         17   +2   22

9 Vllaznia      17   +0   21

10 Lushnja      17   -10  18

11 Kastrioti    17   -6   17

12 Tirana       17   -11  13

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Partizani, dhjetë të huaj në skuadër

 Menaxhimi i të huajve do të jetë një problem i vërtetë për Hasan Likën për pjesën e mbetur të sezonit, pasi mund të aktivizohen vetëm katër prej tyre në fushë. Janë në total plot dhjetë të huaj por Oshobe Oladele dhe Feliks Udoh duket se janë jashtë planeve dhe kanë pak mundësi aktivizimi. Stafi po mundohet të pajise me pasaporta shqiptare shqiptarët e Maqedonise që janë Demiri, Murati, Nexhipi dhe Sali, gjë që pothuajse do të zgjidhte problemin e të huajve. Kujtojmë se shqiptarët e Kosovës që janë gjithashtu të shumtë në numër në skuader, nuk llogariten më si të huaj. Lojtarët kosovarë te Partizani janë: Liridon Ahmeti, Labinot Ibrahimi, Besnik Krasniqi, Behar Maliqi, Mentor Mazrekaj. Kështu, bashkë me pesë kosovarët, bëhen 15 lojtarë jo shqiptarë.

1.Feliks Udoh (Nigeri)

2.Mevlan Murati (Maqedoni)

3.Oshobe Oladele (Nigeri)

4.Dragan Antanasijeviç (Serbi)

5.Ertan Demiri (Maqedoni)

6.Antun Dunkoviç (Serbi)

7.Nderim Nexhipi (Maqedoni)

8.Mario Saçer (Serbi)

9.Almir Pliska (Bosnjë H.)

10.Ersen Sali (Maqedoni)

Tirana, vetëm katër të huaj 

Skuadra e Tiranës është pak më e kursyer, përsa i përket numrit të të huajve që ka në ekip. Madje ata kanë ardhur gjatë merkatos dimërore. Te bardheblutë jaën malazezi Ivan Daliç, braziliani Gilberto si dhe burundasi Selemani Ndikumana. Te 24 herë kampionët aktivizohet nga fillimi i kampionatit mesfushori kosovar Mensur Limani. Nëse Partizani mund të aktivizojë vetëm katër nga dhjetë të huajt që ka, Tirana është brenda limiteve të lejuara, pasi pa vetëm 3 të huaj nga katër të mundshëm që lejohen të aktivizohen brenda një ndeshje të vetme. Të dyja ekipet, Tirana e Partizani, kanë në gjirin e tyre, jo pak, por 19 lojtarë jo me pasaportë shqiptare.

Ivan Daliç (Mali i Zi)

Selemanai Ndikumana (Burundi)

Gilberto (Brazil)

Sulmuesi është blerja më e shtrenjëtë në historinë e klubit izraelit. 29 mijë dollarë në muaj

 Hamdi Salihi vendos rekord te Hapoeli

 Hamdi Salihi është blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit izraelit, Hapoel Ako, porsa i përket transferimit të një lojtari të huaj. Sulmuesi shkodran firmosi një kontratë prej një viti e gjysmë me klubin modest izraelit, por me shumë klauzola dhe bonuse në kontratën e Salihit. Mediat hebraike të cilat kanë bërë publike edhe shumën që përfiton çdo muaj sulmuesi i Kombëtare shqiptare. Bëhet fjalë për 94,441 shekel izraelit, ose rreth 20 mijë euro bruto në muaj. Për katër muajt e mbetur të këtij sezoni futbollistik, Salihi do të përfitojë 80 mijë euro në total. Ka shumë klauzola në kontratën e Salihit, teksa në sezonin tjetër rroga e tij do të shkojë në 103,811 shekel, ose rreth 22 mijë euro bruto. Salihi konsiderohet si një nga blerjet e bujshme të klubit izraelit, pasi sulmi i skuadrës së drejtuar nga Juval Naim është tejet i dobët: 16 gola në 20 ndeshje, për më tepër që nga katër lojtarët e repartit e sulmit është realizuar vetëm një gol (nga serbi Nenad Nerankoviç). Salihi mund të largohet nga klubi, pa asnjë detyrim, nëse Hapoel Ako rrëzohet një kategori më poshtë. Gjithsesi, nëse Ako do të qëndrojë në Superligën izraelit, Liga Ha’El, ai do të marrë 22 mijë euro në muaj, ndërkohë që ka dhe bonuse nëse ekipi mbijeton. Nga ana tjetër, nëse Salihi do të shënojë më shumë se dhjetë gola, ai do të marrë 6063 shekel për çdo gol ose mbi 1200 euro, duke u nisur nga goli i 11-të i tij. Menaxherja izraelite Viki Vaknin, e agjencisë “Lian Sports”, që udhëhiqet nga shqiptari Fali Ramadani, në bashkëpunim me ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Adrian Aliaj, kanë bërë të mundur kalimin e sulmuesit shkodran në ekipin izraelit. Ekipi i fundit i Salihit ishte Jiangsu Sainty në Kinë. Salihi nuk ishte një emër i panjohur për klubet izraelite, pasi ai i kishte shënuar dy gola Hapoel Beer Shevës, kur Vllaznia luajti kundër tij në Kupën Intertoto në vitin 2004. Salihi ka luajtur edhe kundër Hapoel Tel Avivit në Kupën UEFA, kur shkodrani ishte pjesë e Rapidit të Vjenës. Të hënën e ardhshme (10 shkurt),  Salihi do të jetë i gatshëm për trajnerin Juval Naim për ndeshjen e rëndësishme kundër gjigantëve të Hapoel Tel Aviv, më këtë të fundit luan sulmuesi shqiptar me pasaportë kroate, Besart Abdurahimi (3 gola në 7 ndeshje). Hapoel Akre nuk fiton prej tetë ndeshjesh në kampionat, nga 7 dhjetor 2012, kur mundi 2-1 Hapoel Ironi Kirjat. Aktualisht, Hapoel Akre pozicionohet në vendin e 11-të me 19 pikë. Hapoel Tel Aviv ndodhet në vendi e tretë. Liga Ha’Al (Superliga izraelite) ka 14 skuadra. Në përfundim të sezonit të rregullt (dy faza), gjashte ekipet e para (1-6) luftojnë për titullin kampion, ndërkohë që vendet 7-14 luajnë për mbijetesë.

 Pezullohet pa afat gjyqtari Jorgji

 Katërshja e arbitrave me kryesor Enea Jorgjin të cilët gjykuan ndeshjen Besa–Laçi janë pezulluar pa afat nga FSHF nga ushtrimi i kësaj detyre në Superligë. Siç raporton ”Top-Channel”, burime të sigurta pranë FSHF bëjnë të ditur se arsyeja kryesore e këtij vendimi është gafa që bëri Jorgji në anulimin e pashpjegueshëm të 11-metërshit që u shndërrua në gol nga Sefa. Pas ndeshjes, e cila përfundoi në barazim 2-2 drejtuesit e të dyja skuadrave ka deklaruar se gjykimi i Jorgjit i cili mban dhe stemën e FIFA-s ka qenë tendencioz. Me sa duket Federata Shqiptare e Futbolli ka dashur ta ndajë gafën e Jorgjit edhe me gjyqtarët anësorë dhe atë të katërt duke i ndëshkuar edhe me ata me pezullim pa afat.

  PSG, 40 milionë sterlina për Adnand Januzaj

 Mançester Junaitid e bleu tre vjet më parë 16-vjeçarin Adnan Januzaj, për vetëm 300 mijë euro nga belgët e Anderlehtit, por sot 19-vjeçari kushton disa dhjetëra milionë. Paris Saint Zhermeni po përgatit një ofertë prej 40 milionë sterlina në drejtim të Mançester Junaitid për Adnan Januzajn. Kampionët e Francës panë një ofertë prej 15 milionë Paund që t’iu refuzohej për 19-vjeçarin muajin e kaluar në merkaton e dimrit, por siç raporton në një ekskluzive të saj “Daily Star” drejtuesit e PSG refuzojnë të dorëzohen dhe kanë gati një ofertë vërtet madhështore për të arritur te futbollisti me origjinë shqiptare në verën e ardhshme.