Frank SHKRELI/ Gazetarët e pësojnë keq në Ukrainë

547
Sigal

Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull, duke kërkuar mbështetje jashtë vendit.  Ndërkohë që, thuhet se, Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15 miliardë dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën.  Gjendja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin “Maidan”.  Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe nga ndërhyrjet e ashpra të policisë  dhe forcave të Ministrisë së Brendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarëve që mbulojnë protestat, sulme këto, që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare. Gjithmonë, në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë  të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë.   Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë.  Jo se gazetarët ukrainas kanë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënës të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Prandaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, kështu që gazetarët të qëndrojnë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet. Njoftohet se, gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur duzina gazetarësh.  Instituti Ukrainas për Media thotë se, ka përpiluar një listë me 60 emra gazetarësh të rrahur e të plagosur.  48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq, organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qendër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazetarëve në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarëve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarëve që nuk përfshihen në listën e Institutit Ukrainas për Median. Human Rights Watch u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.  Organizata Human Rights Watch citon përfaqësuesen e saj Anna Neistat, e cila gjendet në Kiev se: “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me duzina përfaqësues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqësues të medias.  Organizata e të Drejtave të Njeriut, Human Rights Watch thotë se: “Sulmet kundër gazetarëve, të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër Ukraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.” “Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të paarmatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”,- tha Ana Neistat e Human Rights Watch.   Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale, të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut.  Më herët, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e saj mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarëve në protestat e Kievit, gjatë dy muajve të fundit. Edhe Organizata për Mbrojtjen e Gazetarëve, “Reporterët pa Kufij” me qendër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunshme kundër gazetarëve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës.  “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqësuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqësuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, -thuhet në deklaratën e “Reporterëve pa Kufij”. Sulmeve kundër përfaqësuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një njoftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorëve që mbikëqyrë transmetimet  ndërkombëtare të  Shteteve të Bashkuara njoftoi se, Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për t’u takuar me gazetarët që punojnë për entet amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë dhe njëkohësisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarëve dhe për t’u bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarëve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna.  Përfaqësuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar protestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjithë vështirësitë, me të cilat janë përballuar.  ”Një shoqëri e lirë nuk rreh gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre”, tha Kevin Klose. Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikëqyrë transmetimet e “Radio Europës së Lirë” dhe të “Zërit të Amerikës”, tha se, Bordi që ai përfaqëson, “dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarëve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të “Radio Europa e Lirë” dhe të “Zërit të Amerikës” që punojnë këtu, është e palëkundshme”.  Ai shtoi se: “Ne bëjmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarëve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”.  Sipas njoftimit të Bordit të Transmetimeve Amerikane Ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, z.Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu, bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas, që të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë profesionale, duke respektuar dhe duke mbrojtur të drejtën e gazetarëve, që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt”. Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarëve, përfaqësuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi.   Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur, gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve.  Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i përdorimit të dhunës kundër gazetarëve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarëve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë.  Fatkeqësisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të së drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarëve.  Sepse, siç vë në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Shtypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median,  pikëpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarëve dhe njëkohësisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lirë anë e mbanë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshherë janë një tregues se, pasi t’i kenë shpallur luftë medias, qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike. Prandaj,  për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve.  Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit -“shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demokracie”.  Kështu që, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare, kudo qofshin ato, në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.