Rumenige injoron sulmuesin e Dortmundit: Ne kemi lojtarin më të mirë në botë

274
Sigal

Haaland te Bajerni i Mynihut? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur numri dy i klubit të Bajernit, Karl Hainc Rumenige. “Nuk e di se nga vijnë këto thashetheme. Mund të them vetëm gjë: Në atë pozicion kemi një nga lojtarët më të mirë në botë. Robert Levandovski ka një kontratë deri në 2023 me ne dhe jam i bindur që do ta respektojë atë.

Ai është një profesionist i vërtetë që mundohet të japë më të mirën për skuadrën tonë. Mënyra se si stërvitet dhe rritet dita-ditës është për t’u admiruar”, tha Rumenige për polakun i cili në sezonin e kaluar ndihmoi skuadrën për të fituar të gjithë trofetë e mundshëm. Pra, me pak fjalë, për Haland nuk ka vend te Bajerni, të paktën për momentin. “Për momentin nuk po mendojmë për këtë gjë. Ajo që na intereson është që Robert të shënojë dhe fitojë sa më shumë këtu me ne. Ai është në ndjekje të rekordit të Gerd Mylerit dhe mendoj që ky është sezoni i duhur për ta thyer atë rekord historik.

Skuadra po bën çmos për ta ndihmuar lojtarin për të hyrë në histori. Një transferim i Haland në Mynih është i paimagjinueshëm për momentin”, tha Kalle. Norvegjezi po kërkohet nga shumë skuadra të mëdha dhe me shumë mundësi ai do të largohet në fund të sezonit nga Borusia. Kjo e fundit i ka vënë një klauzolë rreth 176 milionë euro për të gjitha skuadrat që duan ta marrin lojtarin pa i skaduar kontrata me verdhezinjtë. Ndërkohë, Rumenige foli edhe për supersfidën me Lajpcigun ku shpreson te një ndeshje perfekte e skuadrës së tij.

“Të shtunën vendosen shumë gjëra nëse arrijmë të fitojmë. Lajpcigu është ndjekësi ynë kryesor dhe nëse e ndalim, do të përfitonim shumë. Por, mund të ndodhë edhe e kundërta dhe lufta për titull do të mbetej e hapur. Mungesa e Levandovskit do të ndihet shumë pasi ai është një nga lojtarët më të mirë për ne dhe golashënuesi i Bundesligës. Por kam besim se pjesa tjetër e skuadrës do të bëjë gjithashtu një ndeshje të madhe dhe trepikëshi do të na takojë neve”, përfundoi Rumenige.