Agron KAJA/ “Aroma gjermane” e 7 majit “trazon” Shqipërinë

605
Ka disa ditë që është publikuar lajmi për një ndeshje miqësore veteranësh Shqipëri-Gjermani, e planifikuar të luhet në “Elbasan Arena” në datën 7 maj 2015, dhe faqet e gazetave dhe uebsajtet në internet, më pak në ekranet e televizioneve, kanë shkruar e folur për historinë midis dy kombëtareve. Edhe pse kjo është një ndeshje miqësore luksi, përveç lajmit të thatë të dhënë në media, duke cituar më shumë deputetin Taulant Balla, si kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, deri tani ka edhe një skeptiçizëm, ndoshta mund të duket edhe si një e papritur, që gjithsesi e ka trazuar Shqipërinë e futbollit. Skuadra përfaqësuese e Gjermanisë ka shumë fansa edhe në Shqipëri e ky do të jetë një moment nostalgjik për tifozët e kohës kur kanë luajtur futbollistët që priten të vijnë më 7 maj në “Elbasan Arena”, pa përjashtuar edhe emocionet që krijohen në këtë rast edhe për futbollistët shqiptarë, që do të kenë fatin të jenë në fushë në këtë ndeshje miqësore brezash. Po apo jo! Kjo duket si dilema e zhvillimit të kësaj ndeshjeje miqësore për të cilën ndoshta do të duhet shkruar më shumë se sa këto radhë në Gazetën “Telegraf”, duhet folur më shumë në mediat vizive dhe ato të folura, pasi duke testuar opinionin publik, por edhe ata ish-futbollistë të asaj periudhe, asnjeri prej tyre deri më sot nuk të jep detaje për emrat që do të jenë në fushë nga të dyja skuadrat. Më e veçanta është se nga ish-yjet e Gjermanisë nuk ka shumë të dhëna për pjesëmarrjen e tyre në 7 maj në “Elbasan Arena”, duke e bërë kështu edhe më konfuze “atmosferën gjermane” në ambientet qytetare në Shqipëri. Gjithsesi, duke e dëshiruar shumë zhvillimin e miqësores së brezave Shqipëri-Gjermani, kujtojmë se bilancet midis dy kombëtareve shënohen në përballjet me të dyja Gjermanitë, pasi para viteve ’90-të kur u rrëzua murri i Berlinit, ishin RDGJ-ja (Gjermania Lindore) dhe RFGJ-ja (Gjermania Perëndimore). Më parë jemi ndeshur me Gjermaninë Lindore (ish-RDGJ) në një ndeshje miqësore në 1 maj të vitit 1958 duke shënuar barazimin 1-1, ku golin për skuadrën tonë e ka shënuar Kolec Kraja. Me RDGJ-në jemi ndeshur edhe dy herë të tjera në ndeshje eliminatore të Kampionatit Botëror e në të dyja rastet kemi humbur 2-0 në Gjermani dhe 1-4 në Tiranë. Këtu golin e vetëm për skuadrën tonë e ka shënuar mbrojtësi elbasanas Mihal Gjika në minutën e 16-të. Ndërsa më pas jemi ndeshur me RFGJ-në (ish-Gjermania Perëndimore), në eliminatore në grupe për Kampionate Evropiane dhe Kampionate Botërorë në 8 ndeshje, me 7 humbje dhe 1 barazim. Pas vitit 1990 me bashkimin e dy Gjermanive, me Gjermaninë e bashkuar, Shqipëria është ndeshur 6 herë, me të veçantën se kemi shënuar 6 humbje dhe vetëm 8 gola, kundrejt 15 golave të gjeërmanëve. Pra, nga të gjitha këto përballje, Shqipëria në asnjë rast nuk ka mundur të fitojë një ndeshje me Gjermaninë, ku në total janë luajtur 17 ndeshje me gjermanët, me shifrat 15 humbje dhe 2 barazime, me golavarazhin negativ 12-45, të cilët tregojnë edhe nivelet e dy kombëtareve tona në ndeshjet midis tyre. Nga ana tjetër, kjo “Aroma gjermane” e 7 majit, që po “trazon” Shqipërinë sportive, mbetet e tillë për faktin se aty do të jenë futbollistë të brezave, të asaj Gjermanie që ka fituar 4 herë titullin e Kampiones së Botës dhe 3 herë Kampione e Evropës, pa përmendur këtu edhe fitoret që këta futbollistë kanë në Botë dhe në Evropë me klubet ku ata kanë luajtur gjatë karrierës së tyre. Por në ambinetet publike në Tiranë pak ndjehet kjo atmosferë, për të mos thënë se 25 ditë para një përballjeje të tillë për Shqipërinë sportive sot duhet të “lëshonin xixa” të gjitha mediat, kryesisht ato sportive. Edhe pse ka kohë për të respektuar me profesionalizëm një event të tillë, të cilin gazeta “Telegraf” e ka respektuar në faqet e saj që në marrjen e lajmit të parë, për kureshtjen e gjithë të interesuarve duhet zbardhur më në detaje kjo miqësore luksi Shqipëri-Gjermani. Por deri më 7 maj ka kohë për të plotësuar gjithçka që ofron kjo sfidë!
VEÇOHEN
* Gjermania është skuadra që ka zhvilluar më shumë ndeshje me Shqipërinë për eliminatoret e Kampionateve Botërore dhe Europianë. Fillimisht me RDGJ-në, më pas me RFGJ-në e së fundmi me Gjermaninë e Bashkuar.
* Në këto përballje kombëtarja shqiptare e futbollit rezultatin më të mirë ndaj RFGJ-së ka barazimin 0-0 në 17 nëntor të vitit 1967, ndërsa rezultatin më të dobët ka në humbjen 8-0 në 18 nëntor të vitit 1981.
* Shqipëria është ndeshur 17 herë me Gjermaninë (Lindore, Perendimore, e Bashkuar) dhe në asnjë rast nuk ka mundur të fitojë. Ka arritur vetëm 2 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh 12-45.
* Kolec Kraja është shënuesi i golit të parë kundër Gjermanisë Lindore në miqësoren e vitit 1958, ndërsa Bledar Kola ka shënuar golin e fundit kundër Gjermanisë në Eliminatore e Kampionatit Botëror në vitin 2001.
* Bledar Kola është golashënuesi më i mirë shqiptar në ndeshjet kundër Gjermanisë me 3 gola: më 2 prill 1997 (2-3) dy gola me penallti, më 24 mars 2001 një gol, ndeshje për eliminatoret e Kampionatit Botëror.
* Në historinë e përballjeve Shqipëri-Gjermani, një miqësore veteranësh asnjëherë nuk është luajtur në këtë histori. Për futbollin kombëtar shqiptar kjo është e para dhe një “Miqësore Luksi”.
PËRBALLJET ME GJERMANINË
(Eventet, datat, golashënuesit)
1 maj 1958/ Miqësore
Shqipëri-RDGJ 1-1
Shënues: Kolec Kraja 6’
8 prill 1967/ Kamp. Evropian
RFGJ-Shqipëri 6-0
17 nëntor 1967/ Kamp. Evropian
Shqipëri-RFGJ 0-0
17 shkurt 1971/ Kamp. Evropian
Shqipëri-RFGJ 0-1
12 qershor 1971/ Kamp. Evropian
RFGJ-Shqipëri 2-0
7 prill 1973/ Kamp. Botëror
RDGJ-Shqipëri 2-0
3 nëntor 1973/ Kamp. Botëror
Shqipëri-RDGJ 1-4
Shënues: Mihal Gjika 16’
1 prill 1981/ Kamp. Botëror
Shqipëri-RFGJ 0-2
18 nëntor 1981/ Kamp. Botëror
RFGJ-Shqipëri 8-0
30 mars 1983/ Kamp. Evropian
Shqipëri-RFGJ 1-2
Shënues: Muhedin Targaj (p) 81’
20 nëntor 1983/ Kamp. Evropian
RFGJ-Shqipëri 2-1
Shënues: Genci Tomori 22’
16 nëntor 1994/ Kamp. Evropian
Shqipëri-Gjermani 1-2
Shënues: Hysen Zmijani 32’
18 dhjetor 1994/ Kamp. Evropian
Gjermani-Shqipëri 2-1
Shënues: Altin Rraklli 58’
2 prill 1997/ Kamp. Botëror
Shqipëri-Gjermani 2-3
Shënues: Bledar Kola (p) 61’, (p) 90’
11 tetor 1997/ Kamp. Botëror
Gjermani-Shqipëri 4-3
Shënues: Kohler (a) 57’, Igli Tare 80’, Rudi Vata 88’
24 mars 2001/ Kamp. Botëror
Gjermani-Shqipëri 2-1
Shënues: Bledar Kola 66’
6 qershor 2001/ Kamp. Botëror
Shqipëri-Gjermani 0-2
Shënim: Golashënuesit janë
vetëm ata shqiptarë
BILANCI
Shqipëri-RDGJ
Nd 3, F 0, B 1, H 2, Golat 2-7
Shqipëri-RFGJ
Nd 8, F 0, B 1, H 7, Golat 2-23
Shqipëri-Gjermani
Nd 6, F 0, B 0, H 6, Golat 8-15
NË TOTAL
Nd 17, F 0, B 2, H 15, Golat 12-45
IN MEMORIAM
Si kam ecur në këmbë për rreth 12 km për të parë Gjermaninë 44 vite më parë në TV e fshatit Lapardha në Berat
Rrugëtimi pa lejë për 90 minuta gjermane
Personalisht asnjëherë nuk kam qenë tifoz me Përfaqësuesen e Gjermanisë, por kur ishtë fjala për një nga skuadrat më të mëdha në Botë, sakrifica për të parë një 90 minutësh me yjet e saj të kohës, ja vlente. Kështu ndodhi me mua në mesin e shkurtit të vitit 1971, atëhere kur Gjermania Federale (RFGJ) ka luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe unë isha në një moshë të re. Nuk i kisha mbushur 16 vjetët dhe nuk isha tip që të shëtisja shumë, aq më tepër që edukata e kultura familjare nuk na kishte mësuar atëhere që të largoheshim pa lejë nga shtëpia. Por, në mungesë të një televizori, unë e theva këtë detyrim të moralit të familjes sime, vetëm në datën 17 shkurt 1971, atëhere kur në Tiranë luante Gjermania e madhe me yjet e saj të kohës. Në Këndin e Kuq të ish-Kooperativës Bujqësore të fshatit Lapardha, ku në krye të skenës ishte vendosur një televizor bardh e zi i markës “ILIRIA”, kujtoj se mund të ishin më shumë se 300 vetë, ndërsa vite më vonë mësova se kapaciteti i saj nuk i kalonte 150 vetë. Por nuk harroj të kujtoj se jashtë sallës ishin po aq njerëz sa edhe brenda, të cilët zgjateshin nëpër dritare, apo kërkonin të shikonin ndonjë qoshe nga e cila të shihte sado pak çaste këtë ndeshje, e cila nga aq larg sa ishte gjatësia e sallës, mundësonte vetëm për gjysmën e atyre që e “zaptuan” të parët këtë ambient. Eh, këtu munda të isha edhe unë së bashku me shokun tim të fëminisë Kristaq Gallani, i cili ishte shkaku që e morëm udhën në këmbë për këtë ndeshje në fshatin Lapardha. Kujtoj se në Berat, në atë ditë me re dhe të ftohtë, marshuan shumë qytetarë beratas, apo edhe nga rrethinat e tij, në katër apo pesë ekranet e televizioneve që posedoheshin nga njerëz të ndryshëm me banim në qytet. Në atë kohë në qytetin e Beratit mbaj mend se kishte shumë tifozë të skuadrës gjermane, të cilët edhe pse ndodheshim në një sistem diktatorial, nuk nguronin shpesh që të tregonin pasionet e tyre, kjo në kuadrin e ndonjë debati e të shikimit me tifozllëk të ndeshjeve në TV. Atëhere nuk bëhej fjalë për flamurë e postera, nuk bëhej fjalë për shetitje me automjete (ishin vetëm shtetërorë), njëherësh edhe për sllogane që binin ndesh me idealizmin e sistemit komunist që Shqipëria përjetoi për më shumë se 45 vjet. Se si e kam ndjekur atë ndeshje që RFGJ-ja e fitoi 1-0 me golin e Mylerit në pjesën e parë (saktësisht në minutën e 38-të), sot më duket si një ëndërr, veç mbaj mend disa emra lojtarësh gjermanë, si Majer, Bekenbauer, Shnelinger, Vogst, Overat, Myler, etj. Por mbaj mend që në formacionin e Kombëtares sonë ishte edhe një ish-futbollist i Tomorit të Beratit, Astrit Ziu, si mbrojtës i majtë. Natyrisht që kujtoj Panajot Panon si kapiten me ato shpërthimet e tij, pritjet e vështira të Koço Dinellës, apo edhe driblimet që bëri shpesh Sabah Bizi. Gjatë ndeshjes i shkëputa kontaktet disa herë me shokun tim, por në fund e gjetëm njeri-tjetrin, sepse kështu e vendosëm që në fillimin. Madje kujtoj se gjatë rrugës së kthimit për në Berat (përsëri u rikthyem në këmbë), formuam justifikimet se si do t’u thonim prindërve tanë, të cilët ishin merakosur për vendndodhjen tonë dhe kishin filluar “kërkimin” në lagje e në shkollë. Kur e kujtoj atë “ëndërr” të 44 viteve më parë, sot më duket më shumë se sa një sakrificë, njëherësh edhe kujtoj vuajtjet e privimet që brezi im kaloi në sistemin e kaluar në Shqipëri për të parë një ndeshje sportive në televizion. Kjo ishte Gjermania e atyre yjeve që më 7 maj nuk dihet se cili do të vijë në “Elbasan Arena”, por duke përfituar nga këto radhë kujtoj se në karrierën time 31 vjeçare në mikrofon si komentator dhe si gazetar sportiv ndjej keqardhje që nuk më është dhënë asnjëherë rasti e mundësia të transmetoj apo të shkruaj për një ndeshje të vetme të Shqipërisë me Gjermaninë, dhe anasjelltas.
Sigal