Mujo Targaj: Shumakerin e nxorra huq me penalltinë që realizova

803
Autori i golit të parë të Shqipërisë kundër RFGJ-së, Mujo Targaj, atëhere 28 vjeç e sot 60 vjeç, ka një kujtesë të ftohtë, por të kthjellët rreth asaj ndeshjeje të luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” më 30 mars të vitit 1983. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Targaj tregoi momentin e shënimit prej tij të golit me penallti, por edhe emocionet që sjell një miqësore si ajo e 7 majit që është thënë se do të luhet në “Elbasan Arena” me ish-futbollistë shqiptarë e gjermanë të viteve 1980-1990.
– Të shkruash për Mujo Targajn, është e vështirë, apo ju jeni në natyrë larg medias?
– Ky është konstatimi juaj, të cilin ma keni thënën edhe herë tjetër. Nuk e di pse ju duket kështu, por gjithsesi unë do të thoja se në natyrën time nuk më pëlqen të jem shumë i shfaqur mediatikisht. Nuk është mosdashje kjo, por veçse një natyrë njerëzore.
– Në bashkëpunimin tonë, kemi pasur rast të flasim dhe herë të tjera, por kjo është më e veçantë për ju?
– Nëse e keni fjalën për ndeshjen miqësore që do të luhet me veteranët e Gjermanisë më 7 maj 2015, natyrisht që do të jetë e veçantë nëse do të luhet me ata breza që unë kam pasur mundësinë të luaj në kohën time. Një ndeshje e tillë do të na kthejë emocione të bukura të jetës sportive, një nostalgji e madhe kur bëhet fjalë për Gjermaninë e atëhershme.
– Si ish-futbollist e kapiten i Kombëtares, si ndjehet Targaj në këtë atmosferë në prag të ndeshjes me ish-yjet e Gjermanisë të viteve ’80-’90-të?
– Nëse një miqësore e tillë do të mund të luhet, mendoj se do të jetë emocion i madh. Nuk jam i sigurtë nëse do të vijnë ata futbollistë gjermanë me të cilët unë jam përballur, por gjithsesi, ky nuk do të jetë moment që do ta anashkalojë interesimin për këtë ndeshje miqësore brezash.
– Në historinë e përballjeve Shqipëri-Gjermani, një miqësore veteranësh asnjëherë nuk është luajtur. Për futbollin kombëtar shqiptar, kjo është një “Miqësore Luksi”?
– Natyrisht që po, por më shumë kjo ndeshje do të jetë edhe si një relaks nostalgjik për ata futbollistë që do të kenë mundësinë të luajnë në fushë, por edhe për tifozerinë e shumtë që ka skuadra gjermane në Shqipëri.
– Në 7 vite karrierë me Kombëtaren, sa ndeshje keni luajtur në total?
– Në harkun e viteve 1980-1987, unë kam qenë titullar në Kombëtare dhe për shumë vite edhe si kapiten. Kam luajtur gjithsej 29 ndeshje dhe kam shënuar 4 gola, nga të cilët 3 me penallti: 1 ndaj Gjermanisë, 1 ndaj Austrisë dhe 1 gol ndaj Finlandës, të tre me penallti, ndërkohë që kam shënuar edhe 1 gol nga loja në miqësoren kundër Algjerisë.
– Po ndaj Gjermanisë, sa ndeshje keni luajtur, në Kombëtare dhe me klube?
– Ndaj Gjermanisë Perëndimore siç quhej atëhere kur Gjermanitë ishin të ndara në Lindore dhe Perendimore, unë pata fatin të ndeshem tre herë dhe siç ju thashë më sipër kam shënuar 1 gol me penallti. Për këto tre ndeshje unë ruaj kujtimet e mia më të mira, pasi atëhere në skuadrën gjermane luanin yjet e Botës, njëherësh edhe si Kampionë Bote.
– Në 30 mars 1983, në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, Shqipëri-RFGJ 1-2, juve jeni autori i golit të vetëm shqiptar të shënuar me penallti në minutën e 81-të. Si e kujtoni atë moment?
– Kanë kaluar 38 vite dhe kujtesa ime ndoshta nuk do të jetë shumë perfekte për atë moment, por mbaj mend se një mbrojtës i skuadrës gjermane e preku me dorë topin në zonën e tij dhe gjyqtari akordoi penallti. Unë isha i paracaktuar që do të gjuaja penallti, e kështu ndodhi. Portieri gjerman Toni Shumaker nuk arriti të kuptojë krahun, e për pasojë nuk mundi ta presë penalltinë.
– Ky është goli i parë i një futbollisti të kombëtares shqiptare kundër RFGJ-së, pasi në 6 takimet e mëparshme nuk kishim shënuar asnjëherë. Ju si ndjeheni në këtë pozicion?
– Këto janë momente të veçanta të karrierës sportive dhe besoj se ky gol do të mbahet mend gjatë në statistikat tona kundër RFGJ-së. Por unë kam edhe një tjetër gol të parë, kundër Austrisë dhe këtë me penallti.
– Ndërsa tani pas 34 viteve, si ndjeheni emocionalisht që do të keni përsëri përballë ata kundërshtarë që atëhere ishin nga më të mëdhenjtë në Botë?
– Emocionet do të jenë të mëdha nëse më 7 maj në Elbasan do të luajnë ata futbollistë që është shkruajtur në disa media shqiptare. Dhe nëse do të vijnë ata futbollistë që unë kam luajtur në kohën time, ky do të jetë për mua një moment i veçantë i jetës.
– Atëhere në vitin 1983, ishte një Mujo Targaj 28 vjeç, sot kemi një Mujo Targaj 60 vjeç, e ndjeni peshën dhe emocionin e moshës?
– Natyrisht që po. Së pari, sepse rikthehen kujtimet sportive të 32 viteve të shkuara, e së dyti, kur bëhet fjalë për një skuadër të madhe si Gjermania, rritet adrenalina në të gjitha këndvështrimet e përjetimet emocional të saj.
– Në kuptimin fizik, sa minuta mund të luani në këtë miqësore?
– Nuk mendoj se do të luaj. Këtë ndeshje kam dëshirë që ta shoh si spektator në shkallët e stadiumit. Nuk është çështje moshe, por kështu e kam menduar.
– Çfarë efektesh mendoni se do të sjellë kjo miqësore në futbollin tonë në përgjithësi dhe në atë Kombëtar?
– Kjo do të jetë një miqësore që do të ketë efekte emocionale te ne ish-futbolllistët, njëherësh edhe tek tifozët nostalgjikë të Gjermanisë që në Shqipëri janë të shumtë.
– Krahasuar me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në vitin 1983 kur ju luajtët kundër RFGJ-së, sot në vitin 2015 si ju duket stadiumi “Elbasan Arena” ku mendohet të luhet kjo miqësore brezash?
– Ndryshimi është shumë i madh në të gjithë treguesit që ka një stadium: në tapet, në shkallë, në tribuna e kudo. Për mua është një luks që të luash sot një ndeshje në stadiumin “Elbasan Arena”.
– Dalim nga miqësorja e shkojmë te Kombëtarja e sotme. Ju si e mendoni vazhdimësinë aktuale të saj në eliminatoret e Kampionatit Evropian?
– Me punën që po bën trajneri Xhani De Biazi, unë mendoj se është një rrugë e mirë e standardeve të kohës që asnjë trajner më parë nuk ka mundur ta kryejë në këto nivele. Të gjithë të aktivizuarit prej tij janë futbollistë profesionistë që luajnë me dinjitet në skuadra të ndryshme në Evropë, e në këto kushte unë kam shumë shpresë se do të shkojmë në finalet e Kampionatit Evropian që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.
– Duke qenë se UEFA i dha Rusisë 3 pikët për ngjarjen me Malin e Zi, krahasismisht duhet që ta bëjë këtë edhe për sfidën tonë me Serbinë?
– Shpresat tona logjike dhe juridike janë të mëdha për të na dhënë tri pikët që i meritojmë. Unë do të thoja se po të isha futbollist, me atë çka ndodhi në stadiumin e Beogradit kur ne luajtëm kundër Serbisë, nuk do të dilja në fushë. Futbolli nuk luhet nën terror, këtë duhet ta ketë mirë parasysh UEFA në vendimin që do të marrë javën e ardhshme.
Skeda/ Mujo Targaj
Datëlindja: 17/03/ 1955 
Vendlindja: Tepelenë
Sporti që ka ushtruar: Futboll 
Roli në fushën e lojës: Mbrojtës qëndre
Skuadrat ku është aktivizuar: Minatori Tepelenë 1970-1972; Dinamo Tirana 1972-1987, luajtur afërsisht 500 ndeshje, shënuar 25 gola
Tituj e trofe të fituara: Me Dinamon lampion 5 herë: 1972-1973, 1975-1976, 1976-1977, 1979-1980, 1985-1986; Kupën e Shqipërisë 3 herë: 1973-1974, 1977-1978, 1981-1982 dhe 2 Spartakiada Kombëtare
Me kombëtaren: Në periudhën 1980-1987, luajtur në 29 ndeshje, shënuar 3 gola
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Legjenda e Futbollit Shqiptar, Nderi i Sportit Shqiptar
Aktualisht: Anëtar i Komitetit Ekzekut në FSHF që nga viti 2006
Goleadori i parë
Ish-futbollisti e kapiteni i Kombëtares sonë të futbollit në vitet 1980-1987, Mujo Targaj, në karrierën e tij me Kombëtaren ka shënuar dy gola, të cilët në bilance janë të parët të shënuar nga Shqipëria dhe që të dy me penallti: ndaj Gjermanisë dhe ndaj Austrisë
Brenga e Genci Tomorrit “Gol dhe dënim me Gjermaninë”
Një nga ish-futbollistët e Kombëtares shqiptare që i ka shënuar Gjermanisë është edhe Genci Tomori. Ja si e kujton ai golin gjatë një interviste të tij në muajin prill të vitit 2010, dhënë për gazetën “Telegraf”. Pyetja e “Telegraf”: “Keni qenë edhe pjesë e Kombëtares Genci, por statistikat tuaj tregojnë për pak ndeshje të luajtura. Pse”? Përgjigja e Genci Tomorrit: “Po, më kujtohet që në ndeshjen me Gjermaninë në nëntor të vitit 1983 në Gjermani, ku unë u dënova për 5 vjet. Çfarë ndodhi do të thoni ju? Kujtoj që ishte një ndeshje për eliminatoret e Kampionatit Evropian, e cila u luajt në 20 nëntor të vitit 1983. E kemi humbur atë ndeshje 2-1, ndërkohë që unë luajta si titullar për 44 minuta, bëra gol në minutën e 23-të, por në minutën e 44-ët arbitri më nxorri mua me karton të kuq që nuk pata kontakt, kur mbrojtësi ynë Petro Ruci u konfliktua me sulmuesin gjerman Rudi Fëler. Kjo bëri që të mos aktivizohesha më me Kombëtaren. Kjo është një brengë për mua në raport me Kombëtaren”.