Admir Mehmedi shënon golin e parë shqiptar në Botëror

483
Sigal

 Zvicra fiton 2-1 me Ekuadorin. Katër “kuqezinj” çojnë në delir helvetët

Admir Mehmedi u bë shqiptari i parë që shënon një gol në Kampionat Botëror. Sulmuesi i Kombëtares së Zvicrës, i lindur në Gostivar të Maqedonisë, shënoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1 në fitoren dramatike 2-1 të helvetëve ndaj Ekuadorit. Zvicra e trajnerit Otmar Hitcfeld e nisi takimin me tre lojtarë shqiptarë titullarë: mesfushorët Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami, me këtë të fundit që ndali golin e sigurt kundërshtar, për të nisur një aksion të denjë për filma aksion: galopimin e fuqishëm, rrëzimin, ringritjen, asistin e golit të shënuar nga Seferoviç. Një “replay” për filmat me “happy end”. Në fakt, Zvicra e nisi disi dobët takimin, duke u vendosur menjëherë nën presionin e fortë të Ekuadorit. Zviceranët ishin nervozë, të paqartë, aq sa dhe goli i pësuar erdhi pikërisht nga kjo situatë e errët. Pas një goditje këndi, lojtarët e “kuq” duket se ishin në gjumë, kur Xhaka, Djoru dhe Behrami u rreshtuan keq, teksa Ernest Valencia përfitoi për të realizuar golin e Ekuadorit në minutën e 22-të. Trajneri Otmar Hitcfeld kuptoi se sulmuesi Valentin Shtoker nuk ishte në një ditë të mirë dhe hodhi në fushë me fillimin e pjesës së dytë Admir Mehemedin. Brenda dy minuta e gjysmë erdhi edhe barazimi. Pas një goditje këndi nga Rodrigez, Mehmedi shënoi me kokë golin e barazimit në minutën e 48-të. Gjyqtari i mohoi Zvicrës një penallti, kur Dërmiç u pengua në zonë, si dhe iu anulua një gol po i Dërmiçit, për pozicion jashtë loje. Kur dukej se, ndeshja do të mbyllej në barazim dhe Ekuadori nuk arriti të shënoi në minutën e 92-të, ishte Valon Behrami që këmbënguli dhe pas Rikardo Rodriguez dha pasimin e artë për Haris Seferoviçin që shënoi me një gol të mrekullueshëm në sekondat e fundit. 2-1 për Zvicrën! Zvicra e zotëroi 58% topin, fitoi 8 goditje këndi ndaj 5 të Ekuadorit dhe pati 6 goditje në portë kundrejt 4 të kundërshtarit. Një nisje me fitore, ashtu siç bëri edhe Kampionatin e kaluar në Afrikën e Jugut kur fitoi 1-0 me Spanjën.

  4 shqiptarë

luajtën dje në fitoren e Zvicrës: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi.

 Shaqiri, njeriu i ndeshjes

 Mesfushori Xherdan Shaqiri u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes Zvicër-Ekuador. Kosovari, i cili luan me Bajernin e Munihut, bëri një paraqitje në nivel të lartë, duke merituar edhe trofeun që akordohet nga birra “Budweiser”, një nga sponsorët e FIFA-s.

 

 Tre parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Gjermanisë me Portugalinë, Nigerisë me Iranin dhe Ganës me Shtetet e Bashkuara. Kështu, fitorja e Gjermanisë ndaj Portugalisë parashikohet me koeficientin 2.10 kundrejt 3.60 të portugezëve të Kristiano Ronaldos (barazimi 3.32). Fitorja e Nigerisë ndaj Iranit është parashikuar me një koeficient 2.19 kundrejt 3.55 të iranianëve. Ekuilibër në Ganë-SHBA, por me një parashikim fitues të ganezëve. Kështu, fitorja e Ganës është kuotuar me 2.48 kundrejt 2.96 të SHBA-ve. Barazimi është 3.20

Parashikimet e basteve 1X2

Gjermani-Portugali    2.10       3.32              3.60

Iran-Nigeri          3.55              3.17              2.19

Ganë-SHBA               2.48              3.20              2.96

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Gjermani-Portugali       (fiton Gjermania)

21:00     Iran-Nigeri         (fiton Nigeria)

24:00     Ganë-SHBA                    (barazim)

Roben, më i shpejti i Botërorëve

 Arjen Roben është zyrtarisht njeriu më i shpejtë në historinë e Botërorëve. Në sprintin e tij për golin ndaj Spanjës, Roben regjistroi shpejtësinë prej 37 km në orë. Rekord historik, duke qenë se futbollisti holandez kaloi Uallkot që kishte arritur shpejtësinë prej 30 km në orë.

Pero Pejiç zyrtarisht te Kukësi

 Kukësi bëri të sajin kryegolashënuesin e sezonit të fundit në Kategorinë Superiore me Skënderbeun. Nënkampionët e Shqipërisë firmosën me një nga sulmuesit më të spikatur të sezoneve të fundit në kampionatin shqiptar, Pero Pejic. Kroati i shoqëruar dhe nga menaxheri i tij Elton Marini firmosi një kontratë njëvjeçare me numrin një të Kukësit Safet Gjici që në këtë mënyrë i dhuron bomberin e kërkuar trajnerit Agim Canaj. Pas firmës, Pejiçi u nis menjëherë pa humbur drejt Ohrit për t’u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në përgatitjet për përfaqësimin në paraeliminatoret e Europa League.

 Maradona: “Tiki-taka ka vdekur”

 Legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror, Diego Armando Maradona, ish-kampioni i Botës në vitin 1986 (në Meksikë) beson se, stili i lojës spanjolle i njohur me zhargonin “tiki-taka” ka vdekur. Ish-lojtari i Barcelonës e mbështet idenë e tij në faktin se stili i “furive të kuqe” mori një goditje të rëndë në disfatën 5-1 nga Holanda. Maradona mendon se, Visente del Boske është fajtor që nuk perceptoi mesazhet paralajmëruese nga vuajtjet e Barcelonës në sezonin spanjoll, çka solli dhe kapitullimin. “ Spanja refuzoi të ndryshojë edhe pse kritikët vazhdimisht këmbëngulën se stili i tyre tashmë është ekspozuar dhe kundërshtarët ia kanë gjetur zgjidhjen”.