Zgjedhjet e pjesshme/ Halil Bregasi: Kryetar bashkie duhet vënë ai që di të organizojnë, e jo ai që ka para dhe miqësi në parti

190
Sigal

Në Vlorë: “Pylli i Sodës” ka 30 vjet që nuk është vënë dorë për pastrim

Zgjedhjet lokale janë përgjegjësi. Kandidatët të jenë jo partiakë

  • Kemi kryetarë bashkish me përgatitje të përgjithshme, që nuk lidhet fare me detyrat që do të kryejë
  • -Kryetari Bashkisë duhet të ketë konceptin e mbledhjes së vartësve, kërkesës së llogarisë dhe dhënies së detyrave
  • -Kryetar Bashkie duhet vënë jo ai që ka para dhe miqësi në parti, por ai që di të organizojë
  • -Kryetarët e Bashkisë nuk duhet të dalin njëherë në vit për të pastruar ambientin si në Vlorë
  • -Nuk zgjidhet problemi i pastrimitë të Vlorës as kur mbledh papastërti kryeministri

 

Kanë kaluar tre dekada, që bëhen zgjedhje për Deputetë dhe drejtuesit e bashkive. Ndoshta diçka gjatë këtyre dekadave edhe mund të jetë artikuluar për të spjeguar jo vetëm rëndësinë e zgjedhjeve, por më kryesorja, individin që do të zgjidhet. Them se kjo ka rëndësi të madhe për ta kuptuar: do zgjidhet apo do emërohet? Kur mendon se kandidatin e cakton partia, në një farë mase, ai zgjidhet se e do partia e tij, gati emërohet për të kryer atë detyrë, që i caktohet nga ajo parti. Për zgjedhjet e përgjithshme, them se nuk ka shumë rëndësi aftësia e tij, sepse thjesht do jetë politikan, pra do flasi në Parlament, do marrë pjesë në komisionet parlamentare, do jetë i pranishëm në ceremoni të veçanta. Të gjitha këto, nuk kërkojnë ndonjë gjë që individi të ketë aftësi të veçanta, mjafton të jetë njeri i mirë e i bindur tek mësimet e partisë së tij. Por krejt ndryshe qëndron problemi tek zgjedhjet vendore. Në këto zgjedhje, individi duhet të ketë disa karakteristika, të cilat jo kushdo i ka. P.sh, ai duhet të njohë artin e drejtimit, të jetë njohës i elementëve, të cilët përbëjnë atë që individi ka njohjen e duhur të territorit që do drejtojë, të njerëzve dhe mentaliteteve të tyre dhe të kesh aftësinë që t’i korigjosh këto kërkesa në interes të detyrës që do të caktohet.

Çështë arti i drejtimit?

Në një përkufizim të kësaj shprehje, mund të them se është:“Tërësia e rregullave dhe e metodave, që kërkohen për ta kryer me mjeshtëri e në mënyrë të përsosur një punë që shpesh lakohet me shprehjet:Arti i të folurit (i të shkruarit). Arti i drejtimit (i komandimit). Arti i luftës. Arti i kuzhinës (i qëndisjes) etj. Nga këtej del kërkesa për individin, i cili do zgjidhet kryetar bashkie, ose drejtues institucioni, duhet të ketë nivel të veçantë njohjeje dhe përgatitjeje. Duhet analizuar se çfarë niveli përgatitjeje ka ai që të zbatojë këto kërkesa? A ka eksperiencën e duhur të drejtojë institucionin? A i koncepton dot ç’janë institucionet, si drejtohen e menaxhohen ato? A i ka njohuritë se ç’janë institucionet? Çfarë përfaqësojnë etj.

Çjanë institucionet

Fjala institucion (institutum in.), rrjedh prej latinishtes instituo (krijoj, formoj). Zakonisht, sidomos në këtë ueb, fjala institucion  ka kuptimin politik dhe atë juridik, por shpesh ajo ka edhe kuptime të tjera, sidomos fetar, ekonomik, sociologjik, filozofik apo akademik. Në kuptimin politik, fjala institucion përcakton tërësinë e strukturave politike që rezultojnë prej sistemit politik dhe që funksionojnë sipas Kushtetutës, ligjeve, rregulloreve dhe zakoneve. Në kuptimin juridik përcakton  institucionet  e drejtësisë, domethënë gjykatat etj. Në planin sociologjik një institucion përcakton një strukturë sociale (ose një sistem raportesh sociale) e të qëndrueshme në kohë. Sipas një përkufizimi më sintetik,  një institucion është një “rregull loje” e pranuar shoqërisht. Secili institucion nënkupton një tërësi normash, të cilat individët duhet t’i zbatojnë. Të tilla norma mund të jenë me natyrë morale, zakone të vendit dhe norma të shtetit. Gjithashtu ato janë parime themelore juridike të shtetit dhe janë organizmat politike kushtetuese, që i shprehin ato. Kur është fjala për struktura dhe mekanizma të rregullit shoqëror, institucionet janë objekt i studimit të shkencave shoqërore: të sociologjisë, shkencave politike dhe ekonomike. Këtu del domosdoshmëria, që i zgjedhuri i ri të ketë njohje të plotë për përmbajtjen e fjalës institucion e të jetë në gjendje ta zbërthejë atë nëpërmjet punës. Për sa i përket institucioneve politike, zakonisht pranohet përkufizimi, që lidhet me institucionet demokratike:  ato janë rregullime institucionale përgjithësisht të pranuara në një sistem politik, që lejojnë të marrin vendime politike dhe në të cilat personat drejtues e marrin pushtetin e vendimarrjes nëpërmjet garave elektorale. Në praktikë institucionet demokratike janë të lidhura me ekzistencën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, përgjegjësinë e politikanëve kundrejt zgjedhësve dhe me pjesëmarrjen e lirë të qytetarëve në aktivitetet politike. Në kuptimin juridik, një institucion publik është një person juridik, i cili në veprimtarinë e vet financohet nga fonde publike dhe kontrollohet nga shteti. Drejtimi i një institucioni publik mund të bëhet nëpërmjet një personi të vetëm ose prej një bordi apo Këshilli Administrativ, anëtarët e të cilit janë të gjithë nënpunës të shtetit dhe të emëruar prej tij për një periudhë kohe të caktuar. Veprimtaria e institucioneve politike është objekt i së drejtës kushtetuese, ndërsa veprimtaria e institucioneve publike është objekt i së drejtës civile. “Institucionet Publike kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe për një komb. Nëqoftëse ato përdoren në mënyrë të përshtatshme për hartimin e politikave, për zbatimin dhe administrimin e tyre, atëhere institucionet publike do të jenë po aq të rëndësishme për zhvillimet dhe perspektivën kombëtare, sa ç’janë edhe burimet ekonomike natyrore. Problemi shtrohet se sa saktë ndërtohen këto institucione me qëllim që të funksionojnë në mënyrë sa më efektive perspektivat administrative dhe menaxheriale”. Bashkitë dhe institucionet vendore kanë pikërisht këtë rëndësi të madhe dhe që lidhet drejt përsëdrejti me aftësinë e atij që do të zgjidhet: do jetë ai në gjëndje që institucionin e ngarkuar do ta bëjë që të funksionojë në atë mënyrë për të krijuar perspektiva sa më efektive?

Kemi përpara zgjedhjet për 6 bashki, por pse mos të flasim edhe për të kaluarat?

Kemi kryetar bashkishë me përgatitje të përgjithshme, që nuk lidhet fare me detyrat që do të kryejë. Mund të shprehem gabim dhe për këtë kërkoj edhe falje, por edhe ndonjë debat, por si mund të drejtojë një institucion vendor një njeri që nuk ka drejtuar asnjë institucion sado të vogël? Të paktën drejtuesi i bashkisë duhet të ketë eksperiencën e drejtimit qoftë dhe të një institucioni të vogël, psh: brigadë, sektor, drejtor ndërmarrje e të tjerë të kësaj natyre. Ai duhet të ketë konceptin e mbledhjes së vartësve, kërkesës së llogarisë dhe dhënies së detyrave. Të dijë të kontrollojë e të angazhojë vartësit për të zbatuar detyrat. Në jo pak raste, në emisionet televizive jepen kryebashkiakë që shkojnë vetë për të pastruar territorin, sidomos pas urdhërit që dha Kryeministri se po nuk pastruat qytetin do u marrim bashkitë. Ruajna Zot. Po pse veshja e kryebashkiakut me çizme e me rroba të pastruesve do e bëjë qytetin të pastër? Vallë nuk ka ai vartës që drejtojnë sektorët përkatës e që duhet të përgjigjen? Të shkojë për të kontrolluar është tjetër mënyrë veprimi, ndërsa të shkojë e të punojë bashkë me pastruesit, mendoj se është gabim. Ka gati më shumë se dy muaj që Televizioni Rajonal “6+1 Vlora” ndjek nga pas shkuarjen e kryebashkiakut për të pastruar. Mirë bënë se dhe lajme të tjera nuk gjejnë dot, por kjo nuk duhet bërë përditë. Vlora ka një pyll që quhet ndryshe “Mushkëritë e Qytetit” diku në pjesë perëndimore të qytetit. Aty për 30 vjet nuk ishte vënë dorë për pastrim. Mbeturinat në shumë vende kishin krijuar kodra. Në këtë rast them se shkuarja disa herë e kryebashkiakut në ndihmë të drejtuesve të ndërmarrjes pyjore apo të ndërmarrjeve të tjera, që shkuan në ndihmë të këtij aksioni, por jo përditë, sikur të mos ketë punë tjetër. Vallë kjo është mënyra e zgjidhjes së problemit të pastrimit. Nuk e di saktë se nuk jam anëtar i këshillit bashkiak, por ndërmarrja pyjore ka një drejtues, ka punëtorë e mjete. Pse nuk e thërret në zyrë Kryetari i Bashkisë e t’i thotë: deri në këtë datë dua planin e masave për pastrimin e “Pyllit të Sodës”. Në plan dua të detajuara forcat që ka ndërmarrja, mjetet dhe mënyrën e veprimit. Mbasi vjen plani i masave shikohet e korigjohet dhe jepet leje për veprim. Shkon Kryebashkiaku për ta kontrolluar, shikon punën që bëhet, sasinë e forcave, të cilat duhet të jenë sipas borderosë, ndryshe duhet të kërkohet llogari, e kështu edhe për ndërmarrjet e tjera. Jo shumë ditë më parë TV “6+1 Vlora” e tregoi kryebashkiakun duke pastruar me nja 4 – 5 punëtorë një kanal të ujrave të larta në “Lungomare” me gjatësi diku 10 – 15 a më shumë metra. Këtë e ka bërë edhe Kryeministri. Kjo është zgjidhja e këtij problemi? Të shkoj Kryetari i Basshkisë të pastrojë një kanal, i cili të nesërmen do mbushet përsëri me mbeturina? Jo kjo nuk mund të quhet metodë drejtimi! Mjafton që ai kanal të mbulohet deri në buzën e ujit dhe mbeturinat nuk bien më brenda, ashtu si dhe eleminohet era e keqe, që krijohet në verë. Nuk besoj se është evident slogani i sistemit të kaluar: “Të udhëheqim me shëmbullin personal”, apo slogani tjetër: “Të kalitemi në kudhrën e klasës së pastruesve (Klasë punëtorë tek ne nuk ekziston e aq më pak sindikata). Jo! Veprimet, që solla më sipër e kanë një farë tymnaje të përafërt, por sikur nuk shkon të përmenden.