Shpendi Topollaj: Prof. Alfred Uçi, njeriu i veprave të mëdha

286
Sigal

Për cilindo që shkollimi, kultura dhe pasioni i kanë dhënë mundësinë që të njihet me kryeveprat e letërsisë botërore të të gjitha kohrave, nuk mund të gjendet një personazh tjetër si Don Kishoti i Mançës që t`i ketë mbetur ndër mend si ai. Aventurier i fantaksur, ky kalorës që dua të besoj se edhe kur flinte nuk e hiqte ushtën nga dora për të qenë i gatshëm që të ndeshej me këdo, mjaft që të ndreqte këtë botë të mbushur me padrejtësi, ai ndofta është heroi më tipik për të ilustruar atë thënien e Jules Michelet te “Historia e Revolucionit Francez” se “Çdo epokë ëndërron tjetrën.” Duke besuar në vërtetësinë e kësaj thënieje, afërmendësh që duhet pranuar se çdo kohë do të nxjerrë edhe Don Kishotët e saj. Ja përse nuk çuditemi aspak, kur studiues, kritikë dhe shkrimtarë të të gjitha vendeve dhe kohëve, merren me këtë figurë kaq simpatike dhe kaq të diskutueshme, por që mbetet padyshim, me universalitetin e vet, nga më interesantet dhe më aktualet njëkohësisht.

 

Ndaj nuk ka sesi të mos i jemi mirënjohës profesorit tonë, akademikut Alfred Uçi, për këtë libër.

Alfred Uçi ka mbetur në sytë tanë si njeriu i veprave të mëdha që na ka mrekulluar përherë me krijimet e tij. Ai pati kurajon e Mark Antonit që edhe në kohën e inkuizicionit komunist, të na çelte dritare prej nga të mund të shihnim sesi kishte ecur dhe ku kishte mbërritur arti dhe letërsia në botën kapitaliste dhe revizioniste. Duke u marrë me temat tabu, prof. Uçi u bë mjaft i kërkuar dhe mjaft i lexuar për artistët, shkrimtarët, intelektualët, por edhe për rininë e asaj periudhe. Ishte ai që e kishte përvetësuar më së miri atë thënien e M. Batkinit se “Ironia në letërsi sjell lirinë”. Vështirë të mos e kuptoje se ajo gjoja përqeshja e tij me artin borgjezo – revizionist, ishte në vetvete përqeshja me shabllonet dhe kufizimet tona të ideologjizuara që s`bënin tjetër vetëm se favorizonin mediokritetin. Ai dinte të na i vinte përpara të dy pamjet e tyre, pra t`i ballafaqonte ato, duke ia lënë gjykimin lexuesit. Dhe po t`a ndjekësh veprën e tij edhe sot, kur janë krijuar hapësira të tjera, përsëri Alfred Uçi, atë mënyrë dhe metodë të të shkruarit praktikon. Këtë e konstatojmë edhe te ky libër i rëndësishëm i tij.

Askush nuk mund të shpjegojë deri në fund të vërtetën e debatueshme se Don Kishoti, ky kalorës mesjetar, tallet me botën apo bota e tall atë dhe autori, Miguel Servantesi, ka pasur për qëllim të stigmatizojë këtë hidalgo të pluhurosur, por me vështrim krenar apo prapësitë e pafundme me të cilat ndeshemi përjetësisht. Por fundja ç`rëndësi ka kjo? Kjo puna e letërsisë dhe e artit në përgjithësi është mjaft e çuditëshme. Ngjet njësoj si me ato pikturat e mesjetës, ku piktori, fjala vjen Leonardo da Vinçi, kur merrej me portretin e Mona Lizës, thjesht e ka pikturuar atë me gjenialitetin e talentit të tij, pa i shkuar aspak ndërmend se edhe pas pesëqind vjetësh, kritikët do haheshin e do grindeshin duke shkruar volume të tëra, se ku ka dashur të dalë ai me atë vështrimin e përhumbur të saj, me atë enigmën e buzëqeshjes, me vendojen e duarve në atë pozicion apo me sfondin pas krahëve. Sikur të ngjiste çudia dhe piktori i madh të ngjallej, vetë ai do qeshte për këtë me aq ironi, sa të tjera volume nuk do e shpjegonin atë edhe pse ajo qeshje e hidhur nuk qe tjetër veçse pyetja: Pse merreni me këto marrëzira dhe pse humbisni kohën kot?

Profesori i letërsisë Migel De Unamuno është njëri nga ata që u morën seriozisht me zgjidhjen e enigmës së alegorisë të romanit kushtuar kësaj figure. Madje, ai pretendonte se e kishte në dorë kyçin e kësaj pune. Por edhe për të, dikush arsyeton, se ai ka ndërhyrë për të zbuluar jo kuptimin që Servantesi dëshironte, por atë që vetë ai supozon.

Gjykatësi i pagabueshëm i një vepre, tashmë dihet se kush është: njerëzit e thjeshtë dhe koha. Leon Tolstoi duke folur për këtë, shkruante: “Veprat e mëdha të artit prandaj dhe janë të mëdha, sepse janë të kuptueshme e të kapshme nga të gjithë.” Kjo përqaset dhe me atë që pohon vetë prof. Uçi se “Them se shtegtimet e Kalorësit të Shpresës dhe të shqytarit të tij vazhdojnë e do të vazhdojnë edhe në të ardhmen jo vetëm se kanë fituar lavdi të pavdekshme, por edhe se janë miqësuar me lexuesit e gjithë rruzullit, që e mbajnë për libër të shenjtë “Historinë e Monsinjor Don Kishotit dhe Sanço Pançës”.

Nuk bëhet fjalë dhe as që vihen në dyshim vlerat e mëdha, lidhur me mënyrën e të shkruarit të këtij romani. Se në pastë diçka që dallon me një herë për harmoninë e formës me përmbajtjen, është pikërisht kjo vepër të cilin Gj. Lukaçi qysh në vitin 1920 e rendit tek ato të idealizmit abstrakt dhe të tjerë pas tij, si fillimin e romanit modern. Prof. Uçi argumenton mësë miri ndikimin estetik të tij në gjithë rrjedhat e historisë të të shkruarit të një romani. Në vetvete “Don Kishoti” i ka bërë karshillëk si rrallë tjetër letërsisë së traditës. Ai, për nga roli që ka luajtur ka qenë i barasvlefshëm me ndikimin që kanë realizuar në shekuj poetikat e Aristotelit, Horacit (“Arti poetik”) dhe Nikolas Bualosë (po “Arti poetik”, v. 1674) që u shndërruan në kanune, por natyrisht jo si fjala e fundit. Xh. Papini thotë për të se ai futi me sukses në letërsi popullin dhe si i tillë ai “ka qenë libri i shtresës së tretë, i botës së fshatarësisë, të haneve, të kaçakëve, aventurierëve, hajdutëve e vagabondëve, që sillte aromat e tokës dhe të djersës së punonjësve të saj.”

Duke qenë i tillë, ai pëlqehet nga të gjithë, pa pretendimin absurd të përzgjedhjes së një lexuesi elitar. S. Moem, duke qenë në të njëjtin mendim me Kostandin Stanislavskin, diku ka shkruar se “Arti është i madh dhe i vërtetë në qoftëse atë e shijojnë të gjithë.” Don Kishotin dhe Sanço Pançën i duan, i kuptojnë dhe i shijojnë të gjitha kategoritë e lexuesve, qofshin ato edhe me diferenca të dukshme kulturore. Dhe ata e arrijnë këtë fare thjeshtë dhe pa ndihmën e teoricienëve. Sikurse këta, duke bërë punën e tyre, do mprehin lapsat për analiza, pasi një vepër, sa më e lexueshme që të jetë, aq më shumë do diskutohet, pasi këndvështrimet nuk mund të unifikohen kurrsesi. Vetë prof. Uçi që e studion gjerë e gjatë këtë libër, shumë sinqerisht shprehet se “… kur jeta tregohej dorështërnguar në gëzime dhe sa herë ajo të mashtronte me eufori shpresash të kota, sa herë kam pas ndier zbrazëti gërryese ose kam qenë pushtuar nga valë trishtimi e hidhërimi, kam zgjatur dorën në raftin e librave të parapëlqyer dhe kam gjetur ngushëllim e kënaqësi të mirëfilltë, duke rilexuar librin mbi aventurat e të famshmit Don Kishot.”

Pikë së pari, Uçi na jep një tabllo të plotë të mendimeve që kanë shprehur studiuesit dhe kritikët më të rëndësishëm për Servantesin dhe heronjtë e romanit të tij. Ato janë të shumta, sikurse janë të shumta edhe faqet që i kushtohen ndikimit të këtij romani te shkrimtarët e tjerë të shquar, deri në vendin tonë. Se si kudo në botë edhe këtu, e ndofta pikërisht këtu më shumë, kishin zënë vend ato fjalët e predikuesit të madh të tolerancës, humanistit Erazmi i Roterdamit se “Nuk ka gjë më të çuditshme sesa brishtësia e veshëve të njerëzve të këtij shekulli në të cilin po jetojmë.” Dhe mendoni që ai bën fjalë për shekullin e XV kur jetoi vetë. Pra, ai nuk dinte gjë sesa të brishtë na i bëri ne veshët ideologjia e socializmit “shkencor”, ku në sajë të vigjilencës revolucionare, çdo paragraf i këtij libri shihej me dyshim. Dhe jo vetëm i këtij libri, por i shumë librave, duke u kthyer vetë çensorët në figura groteske si ajo e Don Kishotit. Ja si thotë autori për këtë: “Nuk besoj se ka pasur ndonjë shkrimtar ose artist shqiptar, që pat lexuar në vitet 60 – 70 “Don Kishotin” që të mos e ndiente veten si në kohën e Inkuizicionit, kur gjykohej e dënohej letërsia kalorsiake.”

Pra, ndofta te ne, u bë shumë i dashur ky roman, pasi në jetën e përditshme, nuk na u ndanë Don Kishotët. Ata, shpesh ishin në krye të punëve, merrnin poza sikur do ndërtonin një botë të re, ku e ku më të mirë se kjo e jona dhe nuk shihnin ose bënin sikur nuk shihnin, greminën ku po na çonin. Edhe ata hiqeshin si gjysmë shenjtorë, pikërisht kur s`ishin tjetër veçse gjysmë budallenj. Kuptohet që vetë konstitucioni shpirtëror i Don Kishotit të ndershëm të romanit, ishte tjetër; aqsa për të ndjenim në mos dashuri, simpati e në mos simpati, keqardhje. Edhe pse ai s`ishte tjetër veç frut i asaj që vëren Markezi, luftës midis fantazisë dhe arsyes.