Asije Hoxha: “Kongresi i Manastirit 1908 “ dhe Alfabeti shqip 2020. MASR dhe 9 shkronjat dyshe të abetares

1186
Sigal

Në Kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga Rumania, Italia, Greqia, Turqia, Egjipti, Amerika, etj

Ekspozita “ Kongresi i Manastirit 1908”  dhe  Alfabeti shqip  2020

 Ministria e Kulturës organizon një ekspozitë varfanjakësh  për Kongresin e Manastirit 1908. Edi Rama sodit me indiferentizëm 46 shkronjat vendosur në abetare, prodhim të qeverive të  mëparshme dhe kujton thënien e tij profetike:  “Në abetare jemi akoma te Shabani sharron me sharrë.”  Ministria e Arsimit hesht, në pritje të konkursit të harruar të abetares.

 

Mësuesit nuk kanë asnjë vendim nga Ministria, se si duhet të shpjegohen  9 shkronjat dyshe alternative vendosur në abetare

-Pse Alfabeti  në mediat audiovizive pasurohet me shkronja të huaja?!

Asije Hoxha

Kongresi  i Manastirit është Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe; është tubimi i dijetarëve shqiptarë në Manastir; është Kongresi historik, mbajtur më 14 .11. 1908 ;  është Kongresi, që vuri themelet e alfabetit shqip.

Në përkujtim të këtij Kongresi, Ministria e Kulturës  në bashkëpunim  me Muzeun Kombëtar Historik në ambientet e jashtme të saj, në qendër të Tiranës, hapi  ekspozitën “Kongresi i Manastirit 1908.  Në ekspozitë të bien në sy foto me atdhetarë Rilindas:  Jani Vreto, Zef Jubani, Thimi Mitko, Naim Frashëri, Hoxha Tahsim, Konstandin Kristoforidhi, Karl Gurakuqi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Mithat Frashëri, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Refik Toptani, Mati Logoreci e  figura të tjera, që mbeten në  Historinë e Kombit Shqiptar si ndriçues të zhvillimit dhe përparimit shoqëror. Këta atdhetarë, me gjithë se ishin të shpërndarë në shtete të ndryshme të botës, ndjenë dhimbjen e kombit të tyre, që po thërmohej  edhe në fushën e gjuhës. Gjuha shqipe deri në vitin 1908, nuk kishte një alfabet të sajin “që bukur të kumbojë e të kallzojë arbërisht”,- siç shprehet Pjetër Bogdani, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqipe.  Krenohesh kur shikon këto foto dhe parafytyron  këta njerëz të shquar të Kombit,  që mblidhen në qytetin e Manastirit,  jo me ndjenjën individuale, për t’u miratuar alfabeti i shoqërisë së tyre, por me ndjenjën atdhetare “Një komb, një alfabet” dhe e ndjen veten mjerane kur shikon këtë ekspozitë, jo vetëm për varfërinë e saj, por edhe pasaktësinë në transmetimin e njohurive për alfabetin, vizitorëve.

Është një Kongres, që do të përmbyste dhjetëra alfabete  të krijuara me qëllimin atdhetar për të shkruar shqip. Gjuha shqipe shkruhej me disa lloje alfabetesh; alfabeti i Naun Veqilharxhit, përdorur në abetaren e parë shqipe  “Fort i shkurtër e i përdorçim Evëtar shqip” përbëhej nga 36 tingujt e gjuhës shqipe, nga të cilat 30 i ka huazuar nga alfabete të popujve të tjerë si: nga alfabeti sllav, hebraik etj; një alfabet prej 28 shkronjash, nga të cilat 23 janë latine dhe 5 janë shkronja të sajuara ; një alfabet tjetër ekleziastik me 30 shkronja, të cilat u përngjajnë shumë shkronjave fenike, hebraike, armene dhe palmerine; shqiptarët e vendosur në Greqi,  përdornin shkronjat greke, dhe meqë këto nuk mjaftonin për të shprehur të gjithë tingujt e gjuhës shqipe, përdornin pika, të cilat i jepnin shkronjës tinguj të ndryshëm; alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, i shoqërisë “Agimi  ” në Shkodër,  i shoqërisë së Stambollit, që si bazë kishin alfabetin latin dhe për  tingujt shqip, që nuk i përmbante alfabeti latin krijuan shkronja të reja; propaganda e Romës përdorte shkronjat latine së bashku me të pesë  shkronjat origjinale shqipe të formuara nga bashkimi i dy shkronjave latine  etj. Në Kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Në atë Kongres merrnin pjesë edhe shqiptarë të fesë myslimane, katolike, ortodokse dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Mbasi shikon me përkushtim fotot e disa pjesëmarrësve në këtë Kongres ndalon në një stendë dhe lexon tabelën : Pasqyra e krahasimit të Alfabetit sot me alfabetin  e shoqërisë kulturore të Stambollit. Në tabelën  “Alfabeti shqip sot,” renditen 36 shkronja të mëdha të shtypit.  A-B-C-Ç-D-DH-E-Ë-F-G-Gj-H-I-J-K-L-Ll-M-N-NJ-O-P-Q-R-Rr-S-SH-T-TH-U-V-X-Xh-Y-Z-ZH.

Kjo tabelë ka pasaktësi: Hartuesit e tabelave krahasuese nuk njohin Alfabetin,  miratuar në Kongres.

Në komisionet e alfabetit  u vendos që për shkronjat që nuk i kishte alfabeti latin, duke u mbështetur edhe në traditën  e  disa alfabeteve të shoqërive kulturore shqiptare, që kishin krijuar shkronja të reja,  u morën të gatshme shkronjat Dh–Ll –Rr-Sh-Xh-Zh-Th , ndërtuar mbi bazën e alfabetit latin, duke bashkuar dy  shkronja latine, për tingujt që nuk i ka alfabeti latin. Sipas modelit u krijuan edhe dy tingujt  –Gj-Nj-, të cilat  ishin ndërtuar me shenja të ndryshme grafike nga shoqëritë kulturore. Në Kongres u vendos që shkronja e parë të shkruhej me të madhe, ndërsa shkronja e dytë të shkruhej me të vogël. Për shkronjat – Ë-Ç-   u morën shkronjat E-C duke u shtuar shenjat e dy pikave dhe të presjes.

Në  tabelën  “Alfabeti sot”, po të shohim me vëmendje kemi  dy forma grafike të shkronjave  dyshe të mëdha  . Në një tabelë shohim që disa shkronja dyshe janë të njëjtë me ato  të Kongresit, si:  Gj-Ll– Rr– Xh  dhe disa janë : DH-NJ-SH-TH-ZH (të dyja me shkronjë të madhe); në një tabelë tjetër  të gjitha shkronjat dyshe, shkruhen me të madhe: praktikë që ka filluar që në monizëm, pa një miratim shtetëror.  Në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, shkrimi i dy  shkronjave dyshe me shenjë të madhe ishte futur dhe në materialet e Kongresit  që u përdorën , pa ia vrarë syrin asnjë gjuhëtari, me gjithë se ishte Kongres Drejtshkrimi. Edhe fjalorët e  hartuar pas Kongresit përdorën  shkronjat e bashkuara  në dy format grafike si SHQIPTIM-Shqiptim.

 

Me siguri hartuesit e kanë quajtur normale,  sepse edhe abetaret miratuar nga shteti,  viti 2004- 2012, ndërtohen me dy lloje grafike të këtyre  shkronjave. Tekstet e Abetareve, miratuar nga  qeveritë para Edit,  janë ndarë në kapituj. Kapitulli i parë emërtuar Paraabetare është një përsëritje e shkronjave të mëdha të shtypit mësuar në arsimin parashkollor sipas formës grafike: DH-GJ-LL-NJ-RR-SH-TH-XH-ZH, formë që nuk është miratuar në Kongresin e Manastirit. Faqet e Abetareve janë mbushur me shkronja dyshe alternative të dy formave grafike: SH – Sh –  dhe, hartuesit e tabelave e quajnë normale përdorimin  e dy formave grafike të shkronjave dyshe për një tingull vendosur në ekspozitë.

   Pyetja, që i bëjnë nxënësit mësueses janë:

-Në tabelën e alfabetit kemi të renditura 36 shkronja, ndërsa ne mësojmë më shumë? Pse shkronja e dytë njëherë është H—dhe njëherë është -h–? Mësuesit nuk kanë asnjë vendim nga Ministria, asnjë udhëzim nga specialistët e ciklit të ulët në Institutin e Zhvillimit të Arsimit se si duhet të shpjegohen  9 shkronjat dyshe alternative vendosur në abetare. Në vitet ‘80 Ministria e Arsimit dhe Kulturës nxori udhëzimin drejtuar të gjitha shkollave për ndryshimin e shkronjës së dorës -Z z- të alfabetit. (në abetaren shkollore dhe në përdorimin e saj shkruhej me lak të mbyllur poshtë vijës së fletores sipas stilit ‘Vladimir skript’.) Udhëzimi shpjegonte që në vend të kësaj shkronje të përdoret shkronja e dorës – Z – z -sipas alfabetit miratuar në Kongres (Për fat të keq  modelin e vjetër e shohim të miratuar nga Ministria e Arsimit në kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 6”, botimet ‘Albas’).

Së dyti : Këto tabela nuk kanë asnjë vlerë  ashtu si janë konceptuar nga komisioni i ndërtimit krahasues. Ku qëndron krahasimi, kur në kollonën “Alfabeti sot” janë vendosur shkronjat e mëdha të shtypit -A-B-C-,  kurse në tabelat e shkronjave të shoqërive kulturore janë vendosur shkronjat e vogla të shtypit -a-b-c-.  Së treti: Në disa tabela krahasuese  pas 36 shkronjave vendosur në tabelën “Alfabeti sot” vazhdon  renditja me shkronjat  –nd—ng- dhe, në  tabela të  tjera lexojmë shkronjat  –KS-PS-NG. Pse janë vendosur në vazhdim të  alfabetit në përdorim këto shkronja  e di Ministria e Kulturës! Po të shikosh klasat e kopshteve, klasat e para, libraritë, janë të tejmbushura me fletë me shkronja të mëdha dyshe DH-GJ-LL-NJ-RR-SH-TH-XH-ZH, që nuk janë të miratuar në Kongresin e Manastirit. Në  Kongres  u miratuan  dy alfabete : 1. Alfabeti i Stambollit  2. Abeceja thjesht me shkronja latine dhe  alternimin e tyre për ato shkronja, që nuk i ka.  Për dy vjet do të përdoren bashkarisht të dy alfabetët dhe cili alfabet do të ketë një përdorim masiv, do të miratohet në kongresin e ardhshëm.

Ndalon te tabela  e alfabetit të krijuar nga Z. Jubani, Th. Mitko , J. Vreto  dhe lexon: -A a – shkruhet te tabela  “Alfabeti sot” dhe  si shembull shkruan “a e rand”.  Tek fjala  rand  shkronja -a- e vogël e shtypit është cirilike (sllave që ka ndryshim nga ajo e alfabetit të Manastirit). me shkronjën -a-cirilike janë shkruar dhe fjalët dhanë, pulla etj.

Shkronja -a –cirilike  tashmë është shtesë e alfabetit shqip. Pse? Në abetaren shkollore “ Shkronjë pas shkronje” në të gjitha faqet dhe fjalët në abetare,  përdoret shkronja cirilike  -a- dhe nxënësi kur mbaron mësimin e alfabetit nuk e njeh shkronjën -a– të miratuar në Kongres. Edhe në këtë rast Ministria e Arsimit, nëpërmjet komisioneve të saj miraton tekste me alfabet, sipas praktikës të autorëve të teksteve. Rastësia e përdorimit të  shkronjës –a– cirilike dhe të shkronjës -l -të vogël të shtypit për shkronjën -I– të madhe të shtypit ( rezultat i  përzgjedhjes të  stilit të shkronjave) tashmë janë bërë pronë e alfabetit shqip, të miratuar edhe nga shteti. Në Maqedoninë të Veriut pasi u miratua përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe si gjuhë amtare e shqiptarëve, përfaqësues shqiptarë  në qeveri iu drejtua  të  gjitha institucioneve që drejtohen nga shqiptarë të përdorin alfabetin e Manastirit dhe kush përdor në shkresat zyrtare shqip alfabetin cirilik do të ketë masa ligjore. Tek ne shteti dje dhe  sot  ka inkurajuar nëpërmjet formave të ndryshme si tekstet mësimore  shtetërore, ekspozitat shtetërore, mediat audiovizive për ta përdorur alfabetin shqip  si t’u vijë për mbarë. Pozitive në këtë ekspozitë  ishte përdorimi i shkronjës– I –të madhe të shtypit  të njëllojtë me Kongresin e Manastirit, në një kohë kur abetaret përdorin shkronjën l (letra ) për  shkronjën  -I -(lrma  dhe jo Irma). Nxënësit kur mbarojnë shkollën

Nuk e njohin shkronjën– I-të madhe të shtypit dhe shkruajnë  lliri për Iliri

 

Në vitin 2015 i dërgova një letër Kryeministrit ku tregoja me argumente përdorimin e disa shkronjave në abetaret shkollore (janë katër abetare) me dy forma grafike, mbi përdorimin e metodës, strukturës, ndërtimit të abetares, që nuk i përgjigjen veçorive fonetike dhe  gjuhësore të shqipes. Mora përgjigje që të interesohem në Ministri. Duke mos marrë përgjigje i dërgova një letër më të zgjeruar ministres, ku me fakte nga “Abetarja e përbashkët  Shqipëri- Kosovë”  2012,  ngrija disa probleme shqetësuese.  Me vërejtjet e parashtruara u ngarkua këshilltari  i ministres A. Leka. U thirr shtëpia botuese përkatëse dhe iu la detyrë që sipas vërejtjeve të bëhen ndryshimet në Abetare. Nuk e di nëse këto korrigjime janë bërë edhe në tekstin e abetares, që përdoret në Kosovë, nga shtëpia botuese “Dukagjini” si bashkautore!

U korrigjua vetëm abetarja e përbashkët, ndërsa abetarja “Shkronjë pas shkronje” vazhdon t’u mësojë nxënësve shkronjën -a –cirilike dhe  abetarja “Hap pas Hapi ”, vazhdon t’u mësojë nxënësve shkronjën –l-, si shkronjë-I-. Edi Rama  sodit (nuk është qeveria e tij që ka miratuar këto abetare) alfabetin e Kongresit të Manastirit me 36 shkronja, sodit alfabetin e Abetareve me 48 shkronja, sodit alfabetin e ri që po krijojnë mediat audiovizive në ndërtimin e shkronjave të reja. Dhe sipas parafytyrimit tim mediton: “Na  ishte njëherë një Kongres i Manastirit, por nuk na kujtohet se përse u zhvillua!! …”

 

Alfabeti miratuar në Kongresin e Manastirit 1908,  Shkronjat e shtypit

 A a   B b   C c   Ç ç   D d   Dh dh   E e   Ë ë    F f    G g   Gj gj   H h   I i    J j   K k    L l   Ll  ll    M m    N n   Nj nj   O o   P p    Q q   R r   Rr rr   S s   Sh sh   T t   Th th    U u   V v   X x   Xh xh   Yy   Z z    Zh zh                

 

Alfabeti në abetaret shkollore përdoret me dy forma grafike në 12 shkronja të shtypit

Dh DH    Gj GJ    Ll  LL     Nj NJ    Rr RR   Sh SH     Th  TH   

Xh XH   Zh ZH

Alfabeti  në mediat audiovizive pasurohet me shkronja të huaja.    

  1. Shkruhet NEËS dhe shqiptohet NjUZ (NE=NJ / Ë=U / S=Z)

 

  1. Shkruhet SCAN dhe shqiptohet SKAN (C=K )
  2. Shkruhet Chanel dhe shqiptohet Çenëll (Ch=Ç  /  a=e).
  3. Shkruhet FAX dhe shqiptohet FAKS (X=KS). Etj

 

Hasan Tahsini ideolog i Rilindjes Kombëtare shprehet: “ Sado që janë të vogla si këmbët e  milingonave, shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe diturisë, prandaj t’i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë, është më e dëmshme se të zgjedhësh një armë të papërdorur dhe të luftosh me të”.

Ministria e Arsimit përsëri hesht, në pritje të konkursit që nuk u zhvillua për abetaren dhe me qetësi dhe përkushtim ka përgatitur një projekt- program të ri. Analizojmë projekt -programin vendosur në portalin e MASR-së me qëllimin që të reflektohet dhe analizohet nga grupet e interesit për  realizimin e një abetareje si vazhdimësi e traditës.

  1. Projekt- programit i mungon metoda që do të përdoret në realizimin e strukturës së abetares! Në kapitullin: “Udhëzime metodologjike” lexojmë: Metoda, strategji dhe teknika të tilla, si: diskutim për njohuritë paraprake, kubimi, diagrami piramidal, lexim i drejtuar etj, shërbejnë si nxitje për nxënësit në procesin e të nxënit dhe si garanci për rezultate të mira në procesin e të nxënit….”  Udhëzimit i mungon boshti kryesor, metoda e ndërtimit të abetares sipas veçorive fonetike-gjuhësore të shqipes. Abetarja do të ndërtohet me metodën analitike-sintetike, me metodën globale, me metodën fonike-silabike apo me gërshetimin e tri metodave? Nuk përmendet asnjë nga këto metoda, të cilat përdoren nga shtete të ndryshme sipas veçorive gjuhësore të gjuhës së tyre.  Në programet 2004 dhe 2011, udhëzohej që metoda kryesore duhet të jetë sintetike-analitike. Ky udhëzim megjithëse ishte vendosur në program nuk u zbatua nga autorët e teksteve alternative, të cilat dolën edhe fituese! Tri abetaret në përdorim kanë përdorur Metodën Globale (shiko dhe lexo), që brenda shkronjave të panjohura mëson shkronjën e re. Vetëm abetarja e Kol Xhumarit është ndërtuar mbi bazën e metodës analitike –sintetike. (mbi bazën e shkronjave të mësuara, mësohet shkronja e re).

Në Abetaren e Përbashkët Shqipëri-Kosovë 2012,  duke u përdorur metoda globale në  mësimin e shkronjës F, nxënësit ballafaqohen me 10 shkronja të pamësuara, Si do ta lexojë nxënësi vjershën “Flamuri ” fq. 55 ? N_ _rë të ku_e ka flamuri,  / me sh_ipo_ën me _ _ krerë,  / na _ep emrin më të bukur,  / __am sh_ptar me besë e n_er.  / N_ a_ përherë për _ _o festë, / _esh me ga_ blu_ë të ku_e.  / Më _otë mami f_t_rë _ eshur: /  Ti më _e si lulëku_e. (janë të pamësuara shkronjat -gj,y,q,nj,d,j,ç, v,z,th, -që vijnë pas shkronjës- f -në tekst). Mbas krijimit të qeverisë shqiptare gjatë viteve 1920 kemi një përpjekje mbarëkombëtare të didaktëve për të studiuar metodologjinë për ndërtimin e abetares, që t’i përgjigjej sistemit fonetik të gjuhës shqipe. Kështu  u përcaktua si formë zyrtare metoda analitike – sintetike. Jani Minga mbas vitit 1920,  e ribotoi abetaren sipas metodës analitike-sintetike. Aleksandër Xhuvani në abetaren e tij, përdori metodën analitike-sintetike (1922-1939). Në vitin 1938 metodisti i njohur Kol Xhumari për 5 vjet eksperimentoi në mënyrë individuale në shkollën “Murat Toptani” metodën globale, të ideuar nga Ovid Dekroli, por dështoi. Metoda globale është përqafuar dhe realizuar me sukses në ato gjuhë, që ndryshe shkruajnë dhe ndryshe lexojnë (anglishtja ). Në vitin 1946, K. Xhumari ngarkohet nga Ministria e Arsimit për të eksperimentuar metodën globale, por përsëri kjo metodë pati rezultate të papërfillshme. Kështu, abetaret, nga viti 1948  deri në vitin 2004 u ndërtuan sipas metodës analitike – sintetike. Abetaret me autor Kol Xhumari në Shqipëri, Mehmet Gjevori dhe Qamil Batalli në Kosovë, Xhevat Gega në Maqedoni kanë përdorur metodën analitike-sintetike. Sot abetaret në përdorim janë ndërtuar me metodën globale. Ndërsa në projekt programin e ri nuk ka asnjë udhëzim metodik se cila metodë do të përdoret.

  1. Projekt- programit i mungon udhëzimi për ndërtimin strukturor të tekstit.
  2. Abetarja do të jetë një tekst i vetëm? 2. Teksti i abetares do të shoqërohet edhe me fletore pune?  3. Do t’i rikthehemi traditës me dy tekste; “Abetare” dhe “Lexim 1”?  Teksti i abetares planifikuar me 280 orë mësimore, kërkon afërsisht 200 faqe. Sa është në gjendje nxënësi, të mësojë brenda një teksti, shprehitë e të dëgjuarit, shprehitë e të folurit; mësimin e shkronjave të dorës dhe të shtypit; shprehitë e të lexuarit; shprehitë e të shkruarit ; njohuritë e para gjuhësore?  Lind domosdoshmëria e udhëzimit  strukturor të ndërtimit të abetares.

 Nesër do lexoni:

Projekt- programit i mungon udhëzimi për mësimin e shkronjave shqipe.

 -Ka 15-vjet që në abetaret, pa një miratim shtetëror, nxënësit mësojnë të shkruajnë edhe shkronjat e shtypit

– Në Amerikë një ndër kriteret për klasën e parë është vetëm mësim-leximi i shkronjave të shtypit

– Edhe në metodikat për mësimin e gjuhëve të huaja kemi vetëm mësim-leximin e shkronjave të shtypit.

 

ad i erës,

që lmon gjit’e trandofillit:

porsi vala e bregut t’detit,

porsi gjama e rrfes zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmeti

njashtu a gjuha jonë shqiptare.

Pra, mallkue njai bir shqiptari,

që këtë gjuhë të perëndisë,

trashgim që na la i pari,

trashgim s’ia len ai fmis.

Edhe atij iu thaftë, po, goja:

që e përbuzë këtë gjuhë hyjnore,

që n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’vetën len pas dore.

Pra, shqiptarë çdo fes që t’jini:

gegë e toskë; malci e qyteta,

gjuhën tuej kurrë mos ta lini.

Mos ta lini sa t’jetë jeta.

N’për gjuhë shqipe bota mbarë

ka me u njoftë ju për shqiptarë.

Trima n’za sikurse jini:

prandej, pra nëse e doni fisin,

mali, bregu edhe malcia,

prej nji goje sot brohorisin:

me gjuhë t’vetën  rroftë Shqipnija!

 

Gjuha shqipe

Ndre Mjeda

Përmbi za që l’shon bylbyli,

gjuha shqipe m’shungullon.

Përmbi erë që nep zymbyli,

pa da zemrën ma ngushllon.

 

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera

ku e shkoj jetën tash sa mot,

veç për ty m’rreh zemra e mjera,

e prej mallit derdhi lot.

 

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

janë të bukura me themel,

por prap kjo, si diell pa hije,

për mue t’ tanave iu del.

 

Geg’ e Toskë malci jallia,

jan’ nji komb m’u da s’duron.

Fund e majë nji a Shqipnija,

e një gjuhë t’gjith na bashkon.

 

Qoft mallkue kush qet ngatrime,

ndër k’ta vllazën shoq me shoq!

Kush e ndan me fjal’ e shkrime,

ç’ka natyra vetë përpoq!

 

Gjuha shqipe

Ismail Kadare

Kur në sulm hodhën turqit

ordhitë e pambaruara,

kështjellat e sintaksës

s’i muar që s’i muar.

 

Në bedena poemash

popullore, mbetën

kufoma divanesh e

kufoma bejtesh.

 

Kur panë se gjuhës

s’i hodhën dot prangat,

lëshuan drejt saj

gjithfarë merimangash.

 

Parashtesa e pjesëza

e lidhëza së prapthi,

të bukurën gjuhë

ta bënin lesh arapi.

 

Në përçapje ta kthenin

në delir, në jerm.

Ishin vite të rënda,

ishin shekuj plot helm.

 

Të të bënin ty donin,

Shqipëri memece.

Po, ja, erdhi Naimi,

si yll mbi ty ecte.

 

Dorën e zbehtë

mbi ballë ta vuri,

të të hiqte zjarrllëkun

prej të sëmuri.

 

Dhe vdisnin pjesëzat,

thaheshin merimangat,

ndriste si perlat

poezia e madhe.

 

Kjo gjuhë që provoi

akrepët e shkretëtirës,

çdo të thotë përçartje

e di, oh, e di mirë.

 

E di ç’do të thotë

kllapi, hermetizëm,

qoftë e ardhur nga Roma,

qoftë nga Parisi!

 

Kjo gjuhë martire,

lehonë e përjetshme,

që lindi mes dhëmbjesh

art të pavdekshëm.

 

 

Gjuha jonë

Naim Frashëri

Vëllezër shqipëtarë,

të prekim urtësinë,

të zëmë udhën e mbarë

të  ngjallim Shqipërinë.

 

Shqipëria ka qenë,

edhe po, do të jetë.

Po sot në ditët tënë

të metë të mos ketë.

 

E ka nderuar zoti

gjithnjë Shqipërinë.

Ish fort mirë qëmoti.

Do  bëhet dhe taninë.

 

Sa ishte trimëria

n’atë kohë të vjetër:

kish emër Shqipëria,

sa s’kish ndonjë vend tjetër.

 

Sa burra kordhëtarë

ka nxjerrë Shqipëria:

më pastaj e më parë,

që i shkruan historia.

 

Ajo ish kohë e zjarrtë,

dhe kish mundime tepër.

Po sot pendë dhe kartë

Na duhet nukë tjetër.

 

O burra shqipëtarë,

të marrim dituritë.

Se s’është kohë e parë:

tani lipsetë dritë.

 

Të shkruajm’ gjuhën tënë,

kombinë ta ndritojmë.

Gjithë ç’është e ç’ka qenë,

ngadalëzë të mësojmë.

 

Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!

Sa shije ka e hije,

ç’e bukur edhe e lirë,

si gjuhë perëndie.

 

Naim Frashëri

Gjuhën e mëmëdheut mëso,

ajo mund të të ndritojë.

Edhe të tjerat i këndo,

po atë të kesh për zonjë.

Atë ta dha mëma jote

bashkë me qumështin e saj,

pa të tjerat prej bote

e ke mësuar më pastaj.

2.

Nga gjithë bota më parë,

të nderojmë Shqipërinë.

Të duam shqipëtarët,

dhe shqipen si perëndinë.

 

Gjuhës shqipe

Ernest Koliqi

Lshon ame ilire n`gojë agimesh s`vjetra.
ndo `i fjalë e jote than` vetimeveti.
O gjuhë e folun n`botë ende ferishte,
s`cilës Mayeri në të censhmet letra
rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti:
as n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte.
Përse Athina s`kishte emën ,

as Roma, kur e rrept ushtove,
ndër vepra katallajsh që npër jehona,
vigma t`fuqishme qitshin hove-hove,
tue ndërtue ledhe përmbi troje t`ona.

…O gjuhë e folun për trimij pranvera,
e tok na mbajte ndër pushtime t`hueja,
sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe,
as kur u ndam n`besime e doke tjera;
e shekujve potera,
që me vrull u përplas mbi tok` shqiptare.

…Motrat e tueja që kumbuene n`shekull
bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete
e tjetra ligj`t e Arsyes që mbarshtrojn` fise,
heshtën e rrojn` veç n`karta: ti, për mrekulli,
Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete
edhe kumbon e gjall` po n`ato vise
ku me lshue tingujt nise
n`foshnjin e botës. Pse t`ka ruejtun fati
t`njom edhe virgjin? Egërsija jote
Mos mban n`at gji, që hueji nuk pecati,
Stinën e fundme t`poezis s`ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash,
që me `i fjal` t`vetme lidheshin për laku
dhe soje, as vdekja s`mujte kurr me i trandë,
shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash
për kang`t ë burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
e t`lavdis s`re që me t`fitue na kande;
thjeshtin e ambël t`ande
me ndjell` dashnin e vashavet që t`flasin.
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
buzës amtare kush ia ven?
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.

 

Pashko Vasa

Këto fjalë’ na i shkrueme, që

djelmnia të mësohet me ligjërue

E me marrun vesht në gjuh’ të

vet farën e fisit prej të cilit ka rrjedhë.

Prandaj e par’ e punëve që

 

Sami Frashëri

duhet të ketë kujdes një komb,

që do ta ruajnë kombësinë e tij,

është ta humbasin e ta rufitin atë

komb, vënë këmbë t’i ndalojmë

të shkruarët në gjuhën e tyre.

 

 

Pjetër Bogdani

… të mos e lamë

dijën e gjuhënë e dheut me u

dvarun, pasi lëfton gjithë dheu

e shekulli për të vet, po tue

nalcuem prej urtis.

 

Kostaq Cipo

Naimi për shërbimet që i ka sjellë gjuhës, kombësisë,

vëllazërisë është at i nderuar ,të cilit i puth dorën dhe

në mësimet e të cilit e ndiej veten time njeri e shqiptar.

 

At Gjeçovi

Ky dheu asht i joni që

t’parët na a lan n’trashëgim.

E gjuhën tonë don me e qit

n’lulzim.

 

Petro Nini Luarasi

Edhe në më vrafshin,

gjakun ma mblidhni që

me të të shkruajnë gjuhën

shqipe fëmijët tanë.

 

Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare

Shqipe

Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik

Kriteri bazë i përdorimit të shkronjave të mëdha të jetë dallimi i emrave të përveçëm nga emrat e

përgjithshëm

Nëntori: Muaji i gjuhës  standarde  gjithëkombëtare shqiptare

 Më 14 .11. 1908 në Manastir u zhvillua “Kongresi i Alfabetit shqip”. Më 20.11. 1972  u  zhvillua “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” . Më 11.11. 2002 zhvilloi punimet Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot ”. Një komb – Një gjuhë”, rruga që projektuan këto Kongrese.

Asije Hoxha

Kujtesë:  “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 1972”

Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) Nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongres u përfaqësuan studiues në fushën e shkencës gjuhësore, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Të pranishëm ishin 87 delegatë nga ShqipëriaKosovaMaqedoniaMali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia.

Tematika kryesore e kumtesave ishte: “Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe si shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës: fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore.

Nga punimet e Kongresit shkëputim disa pjesë:

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe analizoi : parime të përgjithshme, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi, si: Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe; njësimi i mëtejshëm i normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta dialektore, që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj. Analizoi parimin themelor të drejtshkrimit të shqipes, që është parimi fonetik. Ky parim në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme i shkruan ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Parimi fonetik synon vendosjen e një lidhjeje sa më të ngushtë midis trajtës së shkruar dhe trajtës së folur të gjuhës letrare. Prandaj, kur në shqiptimin letrar ka variante të lejuara nga norma e sotme, drejtshkrimi mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të shqipes letrare. Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike, që veprojnë sot në gjuhën tonë. Gërshetimi i parimit fonetik me parimin morfologjik në drejtshkrimin e shqipes plotësohet edhe nga zbatimi i disa parimeve të tjera, siç janë: parimi leksikor-kuptimor, ai historik-tradicional etj. Në Kongres u theksua se pas vendimeve të Konsultës Shkencore të Prishtinës (1968), si rezultat i zhvillimit kulturor të shqiptarëve dhe i përpjekjeve të vetëdijshme të punonjësve të kulturës, të arsimit dhe të shkencës, kjo gjuhë letrare e njësuar po përdoret pothuajse pa përjashtim edhe nga shqiptarët që jetojnë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë  në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, në të gjithë veprimtarinë shoqërore, ndër të tjera edhe në gjinitë e ndryshme të letërsisë artistike, në prozë e në poezi, gjë që dëshmon si për gjerësinë, ashtu edhe për thellësinë e përvetësimit të normës letrare kombëtare…

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe konstatoi:

Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar. Ajo funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Kjo shkallë e lartë zhvillimi kërkon edhe përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme…  Drejtshkrimi ka ecur përpara krahas zhvillimit të vetë gjuhës, është përsosur vazhdimisht në sajë të zhvillimit të shkencës gjuhësore shqiptare dhe është përvetësuar e ngulitur nga shkolla jonë e re, nga shtypi e botimet e të gjitha llojeve. Ashtu si gjuha letrare në përgjithësi, edhe drejtshkrimi i saj ka qenë i pashkëputur nga gjuha e popullit… Projekti i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” që u botua më 1967 në Tiranë, u mirëprit nga bota shkencore, arsimore e kulturore shqiptare dhe gjeti një miratim të përgjithshëm teorik dhe praktik. Parimet themelore mbi të cilat mbështetet ky projekt, ndërtimi i tij, si edhe zgjidhjet kryesore u vlerësuan shkencërisht të drejta. Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të 1967-s ka sjellë rrafshimin e mëtejshëm të shumë lëkundjeve drejtshkrimore dhe ka njësuar pothuajse plotësisht gjuhën e të gjitha botimeve shqipe…

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vendosi:

Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare

shqipe. Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ky parim do

të zbatohet në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar; në këtë mënyrë do të

vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare. Kur në

shqiptimin letrar ka variante normative, drejtshkrimi do të mbështetet tek ajo trajtë që është më e

përgjithshme, dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare. Meqenëse

shkrimi pasqyron jo vetëm strukturën fonetike, por edhe veçoritë e strukturës gramatikore, leksikore e

fjalëformuese të  gjuhës, rregullat e drejtshkrimit do të mbështeten edhe në parimin morfologjik, i cili

kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen

njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet e gjalla fonetike që veprojnë

në gjuhën tonë. Parimi historik-tradicional do të pranohet në pak raste, kur në gjuhën letrare ka një

traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh. Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më të thjeshta, të

qarta e përgjithësuese. Të ketë sa më pak rregulla e sa më pak përjashtime.

Për drejtshkrimin e zanoreve u vendos:

Të jepen rregulla sa më konsekuente për shkrimin e zanores -ë- të patheksuar, sidomos në trup të fjalës,

duke marrë më shumë parasysh parimin fonetik (shqiptimin e sotëm letrar).  Në përgjithësi, pasqyrimi në

drejtshkrim i zanores -ë- të patheksuar të udhëhiqet nga synimi për rregulla sa më të njësuara. Rënia e

zanoreve të patheksuara gjatë shqiptimit për arsye të elizionit, të mos pasqyrohet në shkrim; fjalët

dhe trajtat e tyre gramatikore të shkruhen gjithnjë të plota. Grupet e zanoreve -ue, ye, ie- të ruhen të plota

në shkrim. Në pajtim me traditën, për të shmangur homoniminë si edhe për të ruajtur strukturën e

formimit, trajtat e shkurtra proklitike të përemrave -ia, iu-, të shkruhen me -i- dhe jo me- j -(ia, iu dhe jo

ja, ju).

Për shkrimin e fjalëve dhe të emrave me prejardhje të huaj:

Për fjalët me burim nga gjuhët klasike, drejtshkrimi i shqipes të bazohet në trajtat e këtyre gjuhëve dhe jo

në trajta që paraqesin veçori fonetike të kësaj ose asaj gjuhe, nëpërmjet së cilës ka ardhur fjala në gjuhën

shqipe. Për ata tipa fjalësh, shqiptimi letrar i të cilëve është i njësuar dhe i përgjithësuar me kohë, ky

kriter të jetë vendimtar në caktimin e trajtës së tyre drejtshkrimore; kështu të shkruhet aksion, funksion;

biçikletë, çimento; kontroll, llogari etj.Te fjalët e huaja që kanë- ia, ie, io, iu -me- i-të patheksuar në trup

të tyre, të ruhet në shkrim zanorja -i-, pavarësisht nga shqiptimi i saj si -j- në disa prej këtyre fjalëve.

Emrat e përveçëm të huaj të shkruhen duke u mbështetur në traditën e përdorimit të tyre në gjuhën

shqipe dhe duke marrë parasysh shqiptimin në gjuhën përkatëse…

“Rregullat për përdorimin e shkronjave të mëdha:

Kriteri bazë i përdorimit të shkronjave të mëdha të jetë dallimi i emrave të përveçëm nga emrat e

përgjithshëm. Njësimi i rregullave të përdorimit të shkronjave të mëdha të mbështetet edhe më shumë

në traditën tonë drejtshkrimore. Pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të organeve shtetërore,  të

institucioneve arsimore-shkencore, të ndërmarrjeve e të qendrave të punës të shkruhen me shkronjë të

madhe: Ministria e Arsimit dhe e KulturësInstituti i Gjuhësisë dhe i LetërsisëInstituti

Albanologjik,  Teatri Popullor,  Shtëpia Botuese e Librit Shkollor etj.Të njësohet më tej drejtshkrimi i

emrave gjeografikë, i datave, i ngjarjeve dhe i periudhave historike…Kongresi porositi që, duke marrë

parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika

gjuhësore. Rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen,  në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet

dhe plotësimet e duhura.

Në mënyrë të veçantë Kongresi bëri thirrje

Shkollës shqiptare, si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj, që i edukon ata me dashuri për gjuhën amtare dhe u zbulon thesarin e pashtershëm të saj, ta vlerësojë përvetësimin e normave të njësuara të gjuhës letrare e të drejtshkrimit të miratuar nga Kongresi si detyrë themelore dhe të zbatojë plotësisht rregullat e reja të drejtshkrimit. Duke filluar nga viti 19731974  Institucionet  e teksteve shkollore: të përgatisin dhe të botojnë tekste ndihmëse dhe mjete të tjera të nevojshme për përvetësimin dhe zotërimin praktik të normave të gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj. Shkrimtarëve shqiptarë, të cilët me fjalën e gjallë artistike luajnë një rol të dorës së parë në kristalizimin dhe ngulitjen e normës letrare kombëtare, të punojnë me këmbëngulje për zbatimin e përhapjen e normës drejtshkrimore të njësuar. Institucione botuese, që t’i zbatojnë me përpikëri rregullat e drejtshkrimit dhe të ndihmojnë gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të popullit.  Enteve shtetërore, organizatave shoqërore, institucioneve të shkencës e të kulturës, që të marrin masa për të zbatuar në gjuhën e shkruar rregullat e drejtshkrimit. RadioTelevizionit, teatrit,  kinematografisë, që të zbatojnë rregullat e drejtshkrimit dhe rregullat e drejtshqiptimit për të ndihmuar në përhapjen dhe ngulitjen e normave të trajtës së folur të gjuhës letrare. Institucioneve shkencore-arsimore që merren me studimin e gjuhës shqipe, që t’u kushtojnë vemendje të vazhdueshme problemeve të drejtshkrimit dhe të ndërmarrin studime të mëtejshme në këtë fushë.

Nëntori: Muaji i gjuhës  standarde  gjithëkombëtare shqiptare

 Më 14 .11. 1908 në Manastir u zhvillua “Kongresi i Alfabetit shqip”. Më 20.11. 1972  u  zhvillua “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” . Më 11.11. 2002 zhvilloi punimet Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot ”. Një komb – Një gjuhë, rruga që projektuan këto Kongrese.

Kujtesë: Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” 2002

 

Shaban Demiraj

Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde.

(pse dialekti jugor u miratua si gjuhë standarde)

 

Edhe tridhjetë vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972, ku u vendos përfundimisht përdorimi i shqipes standarde nga të gjithë shqiptarët është e natyrshme të ngrihen probleme lidhur me këtë gjuhë letrare, e cila de fakto u vendos qysh në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968. Natyrisht caqet e një kumtese nuk lejon që të trajtohen të gjitha problemet e ngritura deri sot për këtë, prandaj në kumtesën time unë do të ndalem shkurt vetëm në disa çështje kryesore. Dhe po e nis me pyetjen nëse vendimi për shqipen e sotme standarde ishte shkencërisht i mbështetur? Të gjithë jemi në dijeni se lidhur me këtë vendim ka pasur dhe ka vërejtje të mbështetura në arsyetime të ndryshme dhe sidomos të karakterit politik, duke e lidhur marrjen e vendimit të vitit 1972 me ndikimin e pushtetit monist të asaj kohe. Lidhur me këtë vërejtje unë e shoh të nevojshme të vë në dukje se në rrethanat shoqërore-politike të shqiptarëve në shekullin XX, çfarëdo vendimi për një shqipe standarde për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar, nuk mund të ishte i pakritikueshëm. Prandaj në këtë rast duhej parapëlqyer ai variant letrar, që paraqitej më i njësuar dhe më i konsoliduar dhe që si i tillë paraqiste më pak vështirësi për t’u standartizuar e për t’u përvetësuar nga të gjithë shqiptarët e krahinave të ndryshme. Historia e gjuhës shqipe dëshmon, se të paktën qysh nga shekulli i Buzukut dhe i Matrëngës të folmet e dialektit verior janë diferencuar gjithnjë e më shumë njëra nga tjetra, ndërsa të folmet e dialektit jugor gjatë këtyre shekujve kanë pasur një zhvillim më konvergjent. Si rrjedhim, edhe shkrimtarët që kanë shkruar në dialektin jugor, kanë përdorur një toskërishte letrare gjithnjë e më të njësuar, sidomos që nga Rilindja e këtej. Prandaj Namik Resuli në parathënien e veprës së tij Gramatica Albanese (Bologna 1985), faqe XXXVII. pohon: “Kështu, kur erdhi çasti për të vendosur për zgjedhjen e dialektit bazë të gjuhës së përbashkët studiues të Tiranës, përkrahës të dialektit jugor e gjetën atë pothuajse të gatshme, të njësuar në vijat e saj kryesore, ashtu siç e kishte përgatitur dhe ofruar Konica”. Natyrisht edhe Konica është mbështetur në punën e kryer nga pararendësit e tij Kristoforidhi, Naimi, Samiu. Të kihen parasysh edhe botimet e Nolit, Poradecit etj, që kanë përdorur një shqipe letrare, e cila ndryshon fare pak nga shqipja e sotme standarde. Por,  siç e kam pohuar edhe më parë (shih Demiraj, 1996. fq 121), edhe dialekti verior mund të kishte shërbyer si bazë për shqipen standarde, natyrisht  duke iu nënshtruar një procesi standardizimi, që me siguri do të kërkonte  më shumë punë për shkak të dallimeve të shumta midis të folmeve të ndryshme të atij dialekti. Dhe përpjekjet për këtë qëllim nuk kanë munguar në të kaluarën. Mjafton të kujtojmë Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës (1916) si dhe përpjekjet e bëra në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore (shih për këto përpjekje: R Smajli 1998, fq 121).  Por siç dihet, të gjitha këto përpjekje nuk arritën të siguronin një shqipe standarde mbarëkombëtare. Mjafton të kujtojmë botimet e Nolit, të Poradecit, të Ali Asllanit, të Kutelit, të Spases etj, para Luftës së Dytë Botërore, si edhe botimet gjatë vjetëve 1939-1945 në Shqipëri. Pra qëndrimi zyrtar i kohës nuk mundi t’i imponohej traditës së krijuar për variantin letrar jugor dhe kështu mbetën në përdorim dy variante të shqipes letrare, pa përfshirë këtu atë të arbëreshëve të Italisë. Në këto rrethana përpjekja për të vendosur një shqipe standarde të përbashkët do të ishte padyshim e mirëpritur, sipas disa studiuesve në këtë rast duhej parapëlqyer varianti verior, duke qenë se shumica e popullsisë shqiptare brenda dhe jashë kufijve të shtetit shqiptar flisnin gegërisht. Mirëpo në rrethanat e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe pas vitit 1944, u përhap më shumë në të shkruar varianti letrar jugor e kjo bëri që më në fund në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972 të vendosej ky variant si shqipe standarde. Por, siç u vu në dukje edhe pak më sipër, kjo shqipe standarde nuk do të mund të ishte bërë mbarëkombëtare pa vendimin e mëparshëm të Konsultës së Prishtinës, si edhe pa mbështetjen e përfaqësuesve të shqiptarëve të ish Federatës Jugosllave dhe të diasporës arbëreshe të Italisë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. Në këtë rast vlen të vihet në dukje se ka edhe raste të tjera që gjuha standarde e një kombi për një arsye a një tjetër, është mbështetur në një dialekt të caktuar, folësit e të cilit nuk përbënin shumicën e kombit përkatës, mjafton të kujtojmë këtu italishten standarde, që është mbështetur në dialektin e Toskanës, ose frëngjishten standarde, që është mbështetur në dialektin e zonës së Parisit, ose gjermanishten standarde që është mbështetur në variantin letrar të gjermanishtes së mesme lindore (Saksonia). Në raste të tilla veprojnë më fort faktorë të tjerë, që ndonjëherë kushtëzohen edhe nga faktorë të karakterit politik-shoqëror. Gjithsesi në rastin tonë ka rëndësi të kihet parasysh nëse zgjidhja (ose më saktë e vitit 1968) ka ndeshur në vështirësi të tilla, që do ta vinin në pikëpyetje drejtësinë e saj. Përvoja e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të fundit ka dëshmuar se kjo shqipe e njësuar letrare i ka plotësuar mirë të gjitha kërkesat e një gjuhe standarde, si në botimet letrare, shkencore, kulturore, gazetare e politike, ashtu edhe  nëpër kumtimet gojore, në radio televizion etj. Në këto rrethana, mendimi i shprehur nga disa intelektualë  për t’u kthyer prapa në gjendjen e dikurshme të dy varianteve letrare të gjuhës shqipe, del i papërligjur e, për më tepër, do të ngjallte frymën e përçarjes në një kohë, kur kombi shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim. Natyrisht është e kuptueshme që përvetësimi dhe zbatimi i shqipes standarde nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare paraqisnin dhe paraqisin ende vështirësi, sepse midis shqipes standarde dhe dialekteve dhe të folmeve të ndryshme të gjuhës shqipe ka ndryshime, ndonjëherë të mëdha, sidomos në të folurit e shpejtë. Por ndryshime të tilla, madje edhe më të mëdha,bien në sy edhe në gjuhë të tjera, si p.sh. midis gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes standarde dhe dialekteve e nëndialekteve të ndryshme të atyre gjuhëve. Mjaftojmë të kujtojmë, sa për shembull,  ndryshimet e mëdha midis të folmeve popullore të Sardenjës e të Siçilisë, nga njëra anë, dhe italishtes standarde, nga ana tjetër. E njëjta vërejtje vlen edhe për gjuhë të tjera, si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja , spanjishtja, portugalishtja etj. Madje sipas Pedersenit (1917, fq 235) “Ndryshimi  midis të dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël se ndryshimet që vihen re në shumë gjuhë të tjera; nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi”. Një tjetër çështje që është bërë objekt diskutimi, është ajo e përfshirjes në shqipen standarde të disa elementeve karakteristike të dialektit verior që do ta bënin atë më të zhdërvjellët si edhe më shumë gjithëpërfshirëse. Këtu është fjala në radhë të parë për përdorimin e sa më shumë fjalëve e shprehjev të dialektit verior, gjë që edhe është kryer, me gjithë se jo në masën e duhur. Për sa i takon sistemit fonologjik dhe strukturës gramatikore, siç dihet, ndryshimi  midis të dy dialekteve të shqipes janë të pakta dhe në përgjithësi nuk janë të tilla që të pengojnë marrëveshjen midis folësve të këtyre dy dialekteve. Kështu p.sh. rotacizmi i dialektit jugor në një numër të caktuar fjalësh e formash nuk përbën ndonjë pengesë për folësit e dialektit verior, ku fonema (r) është e pranishme në çdo pozicion fonetik. Edhe mungesa e zanoreve të gjata dhe e zanoreve hundore në shqipen standarde nuk përbën gjithashtu ndonjë pengesë për banorët veriorë, sepse kundërvënia midis zanoreve hundore dhe johundore dhe sidomos midis zanoreve të gjata dhe jo të gjata ka ardhur duke u zbehur, sidomos në disa të folme të atij dialekti. Për këtë mjafton të kujtojmë se shënjimi i zanoreve të gjata nëpërmjet dyzimit të shkronjave përkatëse ka ardhur duke u dobësuar tek autorët e vjetër veriorë të shekujve të ndryshëm. Kurse zanoret hundore ata, në përgjithësi, nuk i dallojnë grafikisht. Edhe në gjendjen e sotme disa të folme të dialektit verior, si p.sh. ato të Ulqinit e të Dibrës nuk kanë zanore hundore (shih Çabej 1960, fq 101; Gjinari 1989, fq 189).

Gjithashtu përvoja e derisotme ka treguar se edhe trajtat e fjalëve me zanoren (ë), të theksuar dhe të patheksuar, nuk kanë përbërë ndonjë pengesë për shkruesit dhe folësit e dialektit verior; të kihet parasysh se kjo zanore në pozicion të patheksuar, ndeshet dendur te autorët e vjetër veriorë, pra ka qenë e mbarë shqipes. Nga ana tjetër do pasur parasysh se gegërishtja letrare, sidomos e shekullit XX, ka luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e disa normave drejtshkrimore të shqipes standarde. Këtu nuk është fjala vetëm  për forma të tilla me togun zanor (ue) si mësues, përçues, zhurmues etj, por për një ndikim më të madh, që do të meritonte të bëhej objekt i një hulumtimi të posaçëm. Mjafton të kujtojmë, sa për shembull mënjanimin e trajtave me (nj) në disa forma kohore si: bë-j, bë-j-a, bë-j-e,  puno-j, puno-j, puno-j-a, puno-j-e etj. E siç dihet, në këtë rast kemi të bëjmë me një normë drejtshkrimore, që ka përfshirë  shumicën dërmuese të foljeve të gjuhës shqipe. Përsa i takon strukturës gramatikore, këtu dallimet  midis të dy dialekteve të shqipes kanë qenë relativisht më të pakta dhe më lehtësisht të kapërcyeshme. Natyrisht ka raste që në njërin dialekt është më e përhapur një formë gramatikore se një tjetër, si p.sh. Në rastin e kohës së ardhme ndërtuar me pjesëzën -do-, të ndjekur nga e tashmja e lidhores (do të punoj), që është më e përhapur në dialektin jugor, kurse në dialektin verior ndeshet vende-vende më fort tipi i së ardhmes me ndihmesën kam, të ndjekur nga paskajorja (kam me punue). Megjithatë në dialektin verior nuk është i panjohur edhe tipi i së ardhmes me -do-, që e gjejmë të përdorur një herë  edhe te Buzuku ( a nuk do të pi këlqinë që më ordhënoi Ati)? Ashtu sikurse edhe në dialektin jugor nuk është e panjohur e ardhmja e tipit me ndihmesën kam (kam për të punuar) dhe kam të punoj-kjo e fundit sidomos te arbëreshët e Italisë dhe dëshmohet qysh te Matrënga. I vetmi ndryshim i rëndësishëm midis dy dialekteve tona në rrafshin gramatikor është mungesa e paskajores perifrazike të tipit  me punue në dialektin jugor. Por a ka përbërë kjo mungesë një pengesë në funksionimin e rregullt të shqipes standarde? Siç dihet në gjuhën shqipe, ashtu si në gjuhët e tjera ballkanike, është zhvilluar prej kohësh prirja për përdorimin e rregullt të formave të mënyrës lidhore edhe në ato funksione, që janë karakteristike për paskajoren. E një prirje e tillë bie në sy edhe tek autorët e vjetër veriorë, të cilët e përdorin lidhoren edhe pas foljeve modale “mund” dhe “duhet”, të cilat në gjuhët e pajisura me paskajore ndiqen rregullisht nga kjo formë e pashtjellë. Natyrisht, pas këtyre foljeve modale ata përdorin edhe paskajoren (shih hollësisht Demiraj 2002 fq 369), por fakti që tek ata në ndërtimet me këto dy folje modale, ndeshet edhe lidhorja, dëshmon se edhe dialekti verior ka qenë i përfshirë  nga prirja e përgjithshme ballkanike për përdorimin e lidhores edhe atje ku zakonisht pritej paskajorja. Për më tepër, gjatë këtyre katër-pesë shekujve të fundit në mbarë  shqipen ka marrë një përhapje gjithnjë e më të madhe forma e pashtjellë e tipit për të punue, për të punuar, funksionet e së cilës përkojnë me ato të paskajores. Madje, kjo formë e pashtjellë  dëshmohet më parë në dialektin verior, pasi e gjejmë të përdorur qysh te autorët e vjetër të asaj treve, sidomos te Bogdani (shih Demiraj 2002 , fq 427). Është e vërtetë se kjo formë e pashtjellë nuk ka arritur të përdoret normalisht edhe në funksionet kryefjalore, kundrinore, karakteristike për paskajoren, por në këto funksione përdoren fare natyrshëm format kohore të mënyrës lidhore. Pra, shqipja standarde ka mundësi t’i shprehë fare natyrshëm të gjitha funksionet sintaksore karakteristike për paskajoren. Megjithatë, me këtë unë nuk dua të them që të ndalohet krejt përdorimi i paskajores të tipit “me punue” në letërsinë tonë artistike, në ato raste kur e kërkon nevoja për të tipizuar gjuhësisht personazhet e një vepre letrare, të cilët në gjuhën e tyre familjare e përdorin rregullisht këtë formë të pashtjellë. Pastaj vetë koha do ta tregojë  nëse një formë e tillë e pashtjellë  do të jetë e nevojshme të përfshihet  edhe në shqipen standarde. Gjithsesi kësaj forme foljore duhet t’i kushtohet më shumë vend se deri sot në gramatikat shkencore të gjuhës shqipe. Së fundi dëshiroj të theksoj se bashkohem me kërkesën e disa studiuesve për një përmirësim të mëtejshëm të Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke  synuar sidomos mënjanimin e përjashtimeve jo të pakta, që shoqërojnë shpesh disa

Rregulla të përgjithshme. Për këtë qëllimm është e nevojshme të ngarkohet një komision i posaçëm që do të bënte sugjerimet e nevojshme, duke patur parasyshrdhe vërejtjet e kumtuesve të kësaj Konference.

 

 

 

 

Konferenca Shkencore  “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” në kumtesat dhe diskutimet që u mbajtën nga studiues dhe lëvrues të gjuhës shqipe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, , Mali i Zi, nga arbëreshët e Italisë, albanologë nga Amerika, Hungaria, , bullgaria, nga pedagogë dhe mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe, shkrimtarë, punonjës të shtypit, medias etj ; u trajtuan probleme  me të cilat ballafaqohet gjuha shqipe standarde në rrafshin e kulturës së gjuhës, të normave gramatikore, të pastërtisë dhe të pasurimit të leksikut dhe në letërsinë artistike.

 

 

 

 

 

 

 

 

Prandaj në këtë rast duhej parapëlqyer ai variant letrar, që paraqitej më i njësuar dhe më i konsoliduar dhe që si i tillë paraqiste më pak vështirësi për t’u standartizuar e për t’u përvetësuar nga të gjithë shqiptarët e krahinave të ndryshme. Historia e gjuhës shqipe dëshmon, se të paktën qysh nga shekulli i Buzukut dhe i Matrëngës të folmet e dialektit verior janë diferencuar gjithnjë e më shumë njëra nga tjetra, ndërsa të folmet e dialektit jugor gjatë këtyre shekujve kanë pasur një zhvillim më konvergjent.
Nëntori: Muaji i gjuhës  standarde  gjithëkombëtare shqiptare

 Më 14 .11. 1908 në Manastir u zhvillua “Kongresi i Alfabetit shqip”. Më 20.11. 1972  u  zhvillua “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” . Më 11.11. 2002 zhvilloi punimet Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot ”. Një komb – Një gjuhë, rruga që projektuan këto Kongrese.

 

Kujtesë: Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” 2002

 

 Rexhep Qosja

Kongresi i Drejtshkrimit –tridhjetë vjet pas

 

 

  Gjuha nuk duhet t’u lihet  vetëm gjuhëtarëve:

Kam kënaqësi të veçantë që mund të marr pjesë në këtë  konferencë shkencore me të cilën shënohet 30-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Para 30-vjetësh isha pjesëmarrës në punimet e këtij Kongresi dhe ndihesha krenar, pse, si delegat edhe  unë do të vija nënshkrimin në rezolutën që do të miratonte ai, me të cilën ligjësohej gjuha letrare gjithëkombëtare. Dhe, si të mos ndihesha ashtu krenar? Isha pjesëmarrës në Kongresin që shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare, madje në jetën e popullit shqiptar në përgjithësi-pjesëmarrës në Kongresin që popullit shqiptar, të ndarë në katër shtete i sillte faktorin themelor të njësisë kombëtare, të cilën nuk kishin arritur ta thyejnë kufijtë dhe, të shkallës së arritur të qytetërimit. Filozofi i madh gjerman, i shekullit njëzetë, Martin Haideger, ka thënë: “ Gjuha është diçka aq e rëndësishme, saqë nuk duhet t’ua lëmë vetëm gjuhëtarëve”. Të gjithë popujt,  që tashmë janë bërë me gjuhë standarde, kanë arsyet e veta pse këtë gjuhë, jo pa arsye të quajtur edhe gjuhë e kulturës a gjuhë e qytetërimit, nuk ua lënë vetëm gjuhëtarëve. Edhe ne i kemi arsyet tona  për këtë, që janë edhe më të veçanta, edhe më të shumta sesa të disa popujve të tjerë. Dhe kur them kështu,  kam parasysh se jemi popull me tri fe: se shumë shekuj kemi jetuar me pushtime të pushtuesve të ndryshëm: se pushtimet kanë bërë që të vonohemi shumë në histori: se, si pasojë e kësaj vonese, kemi mbetur të ndarë në katër shtete e vetëm në njërin prej tyre sovranë: se jemi vonuar të bëjmë gjuhë standarde: se rrethanat e tilla historike dhe politike më shumë se integrimin kanë nxitur çintegrimin në jetën dhe kulturën tonë. Është Shqipëria, që me vetë qënien e saj ka bërë të mundshme që edhe shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit kombëtar të mbahen në trojet e veta dhe të ruajnë identitetin.

 

Kontestimet e gjuhës standarde:

Për gjuhën standarde pranuar njëzëri para tridhjetë vjetësh nga delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, sot dëgjohen zëra kontestues dhe kërkohet mbajtja e një Kongresi të ri, që do të krijonte gjendje të re e të ligjësonte dy gjuhë standarde dialektore!  Megjithëse këto kontestime të gjuhës standarde, të  shqiptuara kur më heshtur e kur më zëshëm, priten me lavdërime në disa gazeta evropiane, deri sot nuk kanë hasur në përkrahjen  e asnjë bashkimi politik në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Por kjo nuk do të thotë se e ashtuquajtura  “Luftë për pushtet brenda gjuhës”, që bëhej para tridhjetë vjetësh, një ditë nuk mund të kthehet në luftë brenda pushtetit për gjuhën e dytë standarde. Është e drejtë themelore e njeriut që të flasë e të shkruajë dialektin a të folmen që dëshiron vetë: dhe është e drejtë themelore e krijuesit letrar a shkencor që të shkruajë në gjuhën standarde, në gjuhë dialektore, a, madje në të folme…megjithëse kontestimi  i gjuhës standarde mund të zgjerohet në vitet që vijnë, mendja historike thotë se gjuha standarde, e njësuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, është gjuha e sotme dhe e ardhme e kulturës  dhe e qytetërimit shqiptar , është pasuria jonë e përbashkët shpirtërore më e madhe dhe arsyet për një pohim të tillë janë gjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve  gjuha standarde është bërë gjuhë e qëndruar në veprimtarinë administrative shtetërore, në politikë, në diplomaci, në arsim, në kulturë, në mjetet e informimit, në jetën e shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë e ngadalë po bëhet edhe në Maqedoni. Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve në këtë gjuhë janë shkruar shumë, më shumë se gjatë gjithë kohës së shkuar prej se shkruhet libri shqip, vepra letrare, shkencore, publicistike e arsimore, në këtë gjuhë janë përkthyer shumë vepra nga fusha e letërsisë, e filozofisë dhe e shkencës. Kthimi prapa-e kthimi në gjuhë dialektore vetvetiu do të thotë kthim prapa-do të kishte pasoja të mëdha kulturore, artistike, shkencore, arsimore, që do të kishin çmim shumë të lartë material. Por shumëfish më i lartë do të ishte çmimi politik, do të thotë çmimi kombëtar, sepse një kthim i tillë do të sillte tronditje  tmerrësisht të mëdha morale e shpirtërore në jetën e popullit shqiptar në përgjithësi. Të kontestosh gjuhën standarde dhe të mos i mendosh këto pasoja, do të thotë që për shkak të reve të paragjykimeve, të mos shohësh diellin e së vërtetës.

 

Zhvillimi i gjuhës standarde sot:

 Që nga Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në mënyrë të veçantë gjatë dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit gjuha standarde ka shënuar një zhvillim të shpejtuar dhe ka përvetësuar shumë risi. Shtrirja, kultivimi, zhvillimi, risitë e përvetësuara-të gjitha këto janë aq të dukshme, saqë sot mund të thuhet: historia e gjuhës shqipe është bërë histori e zhvillimit të gjuhës standarde, në të vërtetë e gjuhës letrare gjithëkombëtare… Risitë e përvetësuara  në gjuhën standarde më të shumta janë në leksik, i cili është pasuruar në pikëpamje sasiore dhe në pikëpamje cilësore. Në letërsi, më shpesh se në shkencë a në publicistikë, janë rikthyer jo pak fjalë të vjetra, të qëmtuara qoftë në letërsinë e vjetër  a të Rilindjes, qoftë nga dialektet dhe të folmet. Përpos risive leksikore, në sistemin e gjuhës standarde  mund të vërehen edhe risi sintaksore. Ato janë të nxitura nga përmbajtjet dhe situatat e reja të trajtuara në veprat letrare, nga llojet dhe zhanret e reja letrare, nga llojet e ndryshme të dialogut, nga monologët e brendshëm,  nga nevojat e shtuara të stilit shkencor, të shprehjes për përkthimet letrare, shkencore e filozofike. Janë bërë ndryshime në ndërtimin e fjalive, në lidhjet mes fjalive pyetëse dhe çuditëse: janë paraqitur tipa të rinj  të rendit të fjalëve: janë bërë ndryshime në raportet mes ligjërimit të drejtpërdrejtë dhe ligjërimit të ndërmjetuar: janë vënë në raporte të paprovuara më parë kohët e ndryshme gramatikore: janë bërë copëzime të dialogëve, ndarje të tekstit, lojë fjalësh: janë provuar  ritme të paprovuara të shprehjes e intonacione të reja: dhe të gjitha këto risi  në shkrimet letrare e kanë sfiduar fort sintaksën e shqipes, duke e zgjeruar mundësinë e saj.

 

Gjuha standarde dhe procesi i globalizmit:

Ky proces i zhvillimit të shpejtuar dhe i përsosjes së gjuhës sonë  standarde, ndërkaq shoqërohet dhe nga dukuri të cilat, ku pak, ku më shumë  e shfytyrojnë pamjen e saj. Globalizmi, aq i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të lirë  dhe për shoqërinë e hapur, për zbatimin e parimeve të demokracisë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përpjestime botërore, njëkohësisht po bëhet rrezik për kulturat dhe gjuhët kombëtare. Historianët e gjuhëve thonë se në botë  sot fliten rreth afër dhjetëmijë gjuhë, por deri sot kanë  vdekur dy herë më shumë. Ne sot nuk mund të dimë të sigurtë se sa gjuhë dhe aq më pak se cilat gjuhë do të vdesin gjatë shekullit tonë. Por, me hamëndje, pak më të sigurtë mund të thuhet se në dy shekujt e ardhshëm numri i gjuhëve të gjalla në botë mund të përgjysmohet. Nuk duhet shumë mend për të ditur se gjuhët e popujve të vegjël janë më të rrezikuara në procesin e globalizmit. Gjuha, e cila mund t’u caktojë gjuhëve fatin e gjuhës së hazarëve është anglishtja. Kjo gjuhë është bërë botërore në një kuptim shumë më epror se ç’e kishte ky togfjalësh dikur. E gjithë bota e kulturuar kujdeset të mësojë anglisht. Si thuhet në enciklopedinë gjuhësore të Kembrixhit të Dejvit  Kristalit, si gjuhë zyrtare dhe gjysmë zyrtare anglishtja përdoret në më shumë se 60 shtete, kurse vend të dalluar ze edhe në 20 të tjera.; në anglishte shkruhen dhe botohen libra, revista, gazeta; në anglishte flasin radio dhe televizione në këto vende; në anglishte shkruajnë dy të tretat e shkencëtarëve në botë, kurse nga sasia e përgjithshme e informatave në kujtesën e sistemeve elektronike tetëdhjetë përqind janë në anglisht. Nën ndikimin e anglishtes shkombëtarizohen gjuhë amtare.  Ndikimi i gjuhëve të mëdha, si i anglishtes në gjuhët e vogla ka frymëzuar kallëzimin e njohur simbolik mbi Raxha Raun, i cili thoshte se do ta mësojmë anglishten si gjuhë tonën të njëmbëdhjetë, por ngadalë do t’ia përshtasim sintaksës sonë dhe në mes të shumë fjalëve të shkurtra të anglishtes do të fusim ndonjë fjalë tonën të gjatë. E mandej, thonë, krijuesit e këtij kallëzimi, raxhaut raut e ndryshëm të popujve të ndryshëm gjuhët e veta do t’ia përshtasin sintaksës dhe shijes së gjuhës prej fjalëve të shkurtra të huaja të qëndisur me ndonjë fjalë të gjatë amtare.  Besoj se ne ende nuk kemi shumë raxha rau, por nuk jemi krejt pa ta. Duhet të dëgjohen radiot e të shihen televizionet, duhet të lexohen gazeta e të dëgjohen a të lexohen paraqitjet e disa njerëzve të politikës për të parë se si departamentet, normalitetet, paritetet, komunitetet, fleksibilitetet, stabilitetet, kompabilitetet, homogjenitetet, konfidencialitetet, asociimet, negocimet janë bërë ato fjalët e raxha raut tonë që futen në mes të fjalëve tona dhe i mbulojnë me kuptimin dhe me tingullin. Në qoftë se përdorimi i tyre vazhdon me shpejtësi dhe me dendurinë e tanishme , mund të merret me mend se çka e pret shqipen në shekullin në të cilin kemi hyrë.  Ky kërcënim nuk do të duhej të përçmohej, jo vetëm pse po rritet ndikimi i kësaj gjuhe në shqipen, por edhe pse po vjen duke rënë vetëdija për rolin e faktorëve jashtëgjuhësorë, prej të cilëve varet ardhmëria e gjuhës standarde. Në mjetet e  informimit për herë të parë po flitet për “shoqëri shqiptare”, në vend të “shoqërinë shqiptare” dhe po lavdërohen qendrat politike në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë, pse nuk i përzihen njëra tjetrës në punët politike. Meqenëse këto lëvdata sot kalojnë në heshtje, ose, madje, gëzojnë duartrokitje, nuk duhet të çuditemi, në qoftë se nesër do të dëgjojmë lëvdata pse nuk i përzihen njëra-tjetrës as në punët arsimore, shkencore, kulturore dhe, sidomos, gjuhësore. E, kur ata që e flasin dhe e shkruajnë  të njëjtën gjuhë standarde nuk i përzihen njëri –tjetrit në punë gjuhësore e në punë të tjera, mund të supozohet se çka e pret gjuhën standarde dhe çka i pret ato në punët e tjera.

 

Gjuha standarde dhe planifikimi gjuhësor:

S’i mund t’u rezistojë shqipja standarde sfidave të kontestimit dhe të globalizmit? Kanë kaluar kohët kur gjuhët liheshin në mëshirën e fatit dhe zhvilloheshin pa ndërhyrje të institucioneve shkencore e shtetërore në zhvillimin e tyre. Popujt e mëdhenj evropianë: italianët, francezët, anglezët,  dhe gjermanët, që në shekullin 16 dhe 17 kanë krijuar të ashtuquajturat shoqata gjuhësore, të cilat kishin për detyrë të mbrojnë gjuhët prej fjalëve të huaja dhe prej ndikimeve të ndryshme çoroditëse. Pikërisht vendet demokratike të Perëndimit kanë krijuar togfjalëshin planifikim gjuhësor, që nënkupton një përkushtim shumë më të fortë ndaj gjuhës standarde sesa togfjalëshi që përdorej në vendet ish komuniste politikë gjuhësore. Me planifikim gjuhësor duhet të ndihmohet shqipja standarde që t’i përballojë sfidat e sipërtheksuara dhe dukuritë e ndryshme shfytyruese. Dhe, ky planifikim, sipas mendimit tim, duhet të mbështetet në parimin që e ka theksuar Xhevat Lloshi: gjuha shqipe standarde duhet të jetë gjuhë e hapur; e hapur në radhë të parë ndaj gjuhës popullore-dialekteve, të folmeve të saj. Gjuha popullore  është thesar që vjen duke u shtuar dhe që kurrë nuk mund të shfrytëzohet deri në fund; ajo ishte dikur liria jonë e vetme dhe në të kemi mundur të tregojmë të gjitha dhuntitë krijuese. Në sajë të konceptit të gjuhës standarde të hapur bëhet e mundshme që ndikimi i kundërnormës të vihet në shërbim të normës, që ndikimi afatshkurtër shpërbërës të bëhet ndikim afatgjatë qëndrueshmërie.

 

Mendja historike thotë se gjuha standarde, e njësuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, është gjuha e sotme dhe e ardhme e kulturës  dhe e qytetërimit shqiptar , është pasuria jonë e përbashkët shpirtërore më e madhe dhe, arsyet për një pohim të tillë janë gjuhësore dhe jashtëgjuhësore.

 

 

Për gjuhën standarde pranuar njëzëri para tridhjetë vjetësh nga delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, sot dëgjohen zëra kontestues dhe kërkohet mbajtja e një Kongresi të ri, që do të krijonte gjendje të re e të ligjësonte dy gjuhë standarde dialektore!

 

 

 

 

 

 

 

 

Kujtesë: Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” 2002

 Shefkije Islamaj

Vëzhgimet rreth Shqipes Standarde në Mjetet e Informimit në Kosovë.

 

Gjuha e shtypit:

Në shtypin tonë të sotëm, në pikëpamje gjuhësore, përfshihet një spektër i gjërë e i larmishëm i shkrimeve, më i gjerë se në çdo fushë tjetër të veprimtarisë gjuhësore, sepse në gazetat ditore e javore, në revistat javore a mujore, mund të gjenden llojet më të ndryshme të rubrikave, duke filluar nga lajmet e informatat, raportet, komentet, artikujt imagjinarë, shkrimet paraqitëse, reportazhet, esetë, letrat e lexuesve, fejtonet, shpalljet, informatori i programit televiziv, filmat vizatimorë, emisionet humoristike, proza, poezia, kritika, recensionet, fjalëkryqet, përkujtimet, reklamat. Të gjitha këto, siç dihet, kanë përmbajtje të ndryshme dhe shkruhen, huazohen ose përkthehen nga autorë e gazetarë të ndryshëm, të përgatitur e të papërgatitur gjuhësisht e intelektualisht, nga autorë profesionistë e joprofesionistë, që punojnë në redaksitë e tyre ose janë korespondentë. Është e tepërt të flitet për gjuhë dhe stil të njësuar në këto shkrime. Hiq një gazetë javore në Kosovë, të gjitha të tjerat, numri i të cilave kalon 25 (vetëm gazeta ditore janë  gjashtë) , shkruajnë në gjuhën letrare dhe dallimi prej gazete në gazetë është i hetueshëm sa i përket zbatimit të normës letrare. Mund të thuhet se vërejtjet më serioze i takojnë rrafshit të leksikut, sidomos teprimit me fjalë të huaja, por edhe shkeljes së rregullave të drejtshkrimit e të gramatikës, dhe, sidomos gabimeve në rrafshin e sintaksës, përmes ndërtimeve të natyrës jo shqipe  etj. Me gjuhë të dobët na dalin, të gjitha shkrimet, por prijnë shkrimet e përkthyera, raportet e gazetarëve nga komunat, njoftimet e reklamat, rubrikat e sportit, letrat e lexuesve, shtojcat e shpalljet e përgatitura nga shërbimet e UMNIK-ut… Nuk do të jap shumë shembuj ilustrues për shmangiet as tipologjinë e këtyre shmangieve, se ato janë vërtet të shumta dhe për to kanë folur e kanë shkruar gjerësisht shumë herë këto kohët e fundit kolegët e mi në Kosovë e këtu në Shqipëri, po për fat të keq pa ndonjë jehonë e pa ndonjë rezultat në këtë drejtim për ata të cilëve u janë drejtuar.

 

Gjuha e radios dhe televizionit:

 Si media me shumë rëndësi shoqërore me ndikim e veprim të fuqishëm, me dëgjueshmnëri e shikueshmëri të lartë, radioja e televizioni me të drejtë sot konsiderohen fuqi shoqërore. Ky përcaktim për median  parakupton edhe fuqinë e saj ndikuese e vepruese në rrafshin gjuhësor. Dëgjueshmëria dhe shikueshmëria e madhe, në mënyrë të vazhdueshme dhe për çdo ditë, me orë të tëra, nga një numër i madh njerëzish shton para mjeteve të informimit detyrime të shumta e të veçanta, edhe në rrafshin gjuhësor. Po kështu është e vërtetë se mjetet e informimit po ndikojnë për keq në përvetësimin e në zbatimin e gjuhës letrare. Ky ndikim për keq, po kështu, na vjen nga shumë anë, ashtu siç e shohim nivelin e ulët të kulturës gjuhësore edhe në fusha të tjera të përdorimit të shqipes. Vetëm brenda një dite ose një mbrëmjeje, duke dëgjuar ose duke shikuar radiot e televizionet tona, mund të bindemi se ka emisione, në të cilat hetohet kujdesi i ndërgjegjshëm për zbatimin e gjuhës letrare dhe për një kulturë të mirë gjuhësore. Po kështu vetëm për aq kohë do të dëgjojmë një larmi të madhe të folmesh të nënstandardit. Për një kohë po aq të shkurtër, gjithashtu do të kemi mundësi të dëgjojmë e të shohim se shpërfillje përjeton shqipja, jo vetëm në gjuhë letrare, sidomos në radio e në televizion. Dhe kjo shpërfillje prek të gjitha rrafshet e sistemit të saj. Prijnë për të keq emisionet kontaktuese, anketat me shikues, emisionet për të rinj, emisionet argëtuese dhe humoristike, përkthimet e filmave dhe të emisioneve të huaja, transmetimet sportive, shpalljet e reklamat. ..

 

Hsni Hoxha

Maqedoni

Shqipja standarde si faktor kulturor dhe shkencor.

 

Shqipja standarde është faktor kulturor dhe shkencor. Themelet e saj më të forta u vunë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në 1972. Si e tillë kjo gjuhë  u zhvillua dhe u pasurua jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare, që janë ndarë nga shteti amë me kufij administrativë. Shqipja është e përbërë nga dy shtylla të forta gjuhësore nga dy burime të fuqishme gjuhësore, nga toskërishtja dhe gegërishtja. Duke krahasuar tekstet më të vjetra të letërsisë shqipe të këtyre dialekteve të gjuhës sonë, profesor Eqrem Çabej është i mendimit se ndërmjet dialekteve të gjuhës sonë ka më tepër pika afrimi. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me dialektin e “grekoshqiptarëve dhe italoshqiptarëve, që janë mbeturina e toskërishtes nga mbarimi i mesjetës”, shkencëtari ynë i madh Çabej thotë:  “Sadoqë këto janë të folura toske jugore dhe Buzuku është gegë i Veriut, ne me gjithë ndryshimet që shohim gjejmë prapëseprapë afëri në mes të tyre”. Ndryshimet janë bërë më vonë të kushtëzuara nga faktorët e jashtëm. Mirëpo këto ndryshime nuk janë pengesë për marrëveshje ndërmjet gjuhës sonë. Përkitazi me këtë çështje albanologu Holger Pedersen thotë: “Ndryshimi midis të dy dialekteve të shqipes është shumë më i vogël se ndryshimet dialektore që vihen re në shumë gjuhë të tjera: nga pikëpamja praktike ndryshimi midis të dy dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi ”. Më parë këtë dukuri e ka vënë re dhe e ka vlerësuar drejt edhe Kristoforidhi. I lindur afër kufirit ndërmjet dy dialekteve tona (fshati Ladorisht, komuna e Strugës), gjatë kontakteve me banorët e anës që e flasin gegërishten, shprehet: “ …prej gojës së tyre kam dëgjuar se gjatë bisedimeve të tyre nuk ka asnjë pengesë për t’u marrë vesh toska me gegën. ” Prandaj kot e kanë kundërshtarët e gjuhës standarde  kur flasin për dallime të mëdha ndërmjet dy dialekteve tona. Kundërshtarët e gjuhës standarde kanë theksuar jo një herë se marrëveshja për krijimin e gjuhës së mësuar është bërë me direktivë, me presion dhe forcë, në kohën e rregjimit totalitar të Enver Hoxhës. Por ata nuk përmendin faktin se në kongres kanë qenë edhe gjuhëtarë, shkrimtarë dhe intelektualë të shquar (nuk kishin lidhje me regjimin) , të cilët pas diskutimeve që janë zhvilluar i kanë përkrahur vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit. Disa kundërshtarë me ndjenjë fanatike , lokaliste, krahinore, akuzojnë edhe sot shqipen standarde, sepse siç thonë ata, në këtë rast është marrë për bazë vetëm dialekti tosk, ndërsa dialekti geg nuk është përfillur. Sipas disa është ndaluar të përdoret gegërishtja. Kjo nuk është e vërtetë. Për këtë dëshmojnë veprat e botuara në gegërisht. Nuk duhet të harrotet fakti se gjuhëtarët tanë të spikatur, autorë të veprave me interes për shkencën e gjuhësisë, para Kongresit të Drejtshkrimit më 1972, e kanë paraparë toskërishten si bazë të gjuhës standarde të ardhshme. Në këtë aspekt profesor M Çeliku, ndër të tjera me plot të drejtë thekson : “Gjuhëtarë  të mirënjohur gegë, kryesisht elbasanas, disa nga të cilët edhe autorë ortografish, si Kristoforidhi, Xhuvani, Shuteriqi, Cipoja, Domi, e kanë parë toskërishten letrare, shumë kohë më parë si variantin e mundshëm a të pritshëm për t’u ngritur në standard në të ardhmen”.  Sipas profesor  I Ajetit “ edhe sikur të mos gëzonte përkrahjen e faktorit politik, epërsia e toskërishtes letrare do të çonte me siguri të madhe në vënien e saj në themel të gjuhës së njësuar  letrare shqipe”.

Shqipja standarde është bërë realitet dhe kthim prapa nuk do të ketë. Një autor, që është kundër shqipes standarde shkruan: “Nuk është në nderin e një gjuhe letrare të njësuar që brenda pak vjetësh… të cilat në historinë e një populli  nuk janë kurrgjë, t’i nxjerrë jashtë përdorimit disa prej veprave më madhore të kulturës kombëtare”. Autori në këtë kontekst përmend krijimtarinë e Gjergj Fishtës, ciklin e këngëve kreshnike, “Visaret e kombit”, “Kanunin” e Lekë Dukagjinit, thesaret e pafund të lirikës dhe epikës sonë historike. Një fat të tillë,- sipas autorit,- kanë pasur edhe Ndre Mjeda dhe Ernest Koliqi, të cilët i konsideron shkrimtarë të spikatur dhe modernë. Nuk është e vërtetë se me njësimin e gjuhës shqipe,- si mendon autori, -janë lënë jashtë përdorimit veprat e shkrimtarëve të spikatur, të cilët ai i përmend, si dhe ato të trashëgimisë sonë popullore. Përveç Fishtës dhe Koliqit, që kanë qenë të ndaluar, veprat e Mjedës dhe të krijuesve të tjerë të Veriut edhe para rënies së sistemit totalitar në Shqipëri kanë qenë në duart e lexuesve dhe janë ribotuar disa herë. Ndryshe nga gjuha letrare, gjuha standarde nënkupton rregulla të përcaktuara sipas normave të gjuhës së folur dhe të shkruar, e cila duhet të përdoret me kujdes dhe përkushtim nëpër mjetet e informimit në përgjithësi: nëpër institucione arsimore, kulturore, shkencore, si dhe në institucione të tjera: nëpër ndërmarrje të ndryshme dhe në shërbime të tjera. Ndërkaq , shkrimtarët, përsa i përket përdorimit të gjuhës, janë të lirë në krijimtarinë e tyre. Në këtë aspekt profesor Çabej ,që herët ka thënë , se ata mund të përdorin dialektin e tyre…

 

 

 

 

.