Artur Metani: Procedimet disiplinore ndaj 22 gjyqtarëve e prokurorëve janë standarde për të gjithë magjistratët

250
Sigal

22 procedime disiplinore ndaj 22 gjyqtarëve e prokurorëve janë standarde të vendosura për të gjithë magjistratët

 Flet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani është prononcuar gjatë një bashkëbisedimi  për Euronews mbi ecurinë e punës së institucionit, që mbush dy vite jetë më 1 Shkurt të këtij viti.

I pyetur për vështirësitë në këtë rrugëtim, z. Metani tha se pas dy vitesh, edhe pse ende ka, vështirësitë duhen lënë pas, pasi fokusi tashmë duhet të jetë tek ngritja e performancës së institucionit, ndërsa për punët e mira që mund të jenë bërë në ILD, duhet ta gjykojnë të tjerët:

Nuk do doja të ndalesha tek vështirësitë sepse në fund fare, qytetarëve nuk u interesojnë më vështirësitë që kemi në ngritjen e institucioneve. U interesojnë standardet, u intereson produkti ynë, u intereson puna jonë. Ne duhet të fokusohemi tek standardet dhe rritja e performancës për t’iu përgjigjur interesave të qytetarëve dhe shoqërisë për rritjen e performacës së sistemit të drejtësisë në përgjithësi.”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Duke folur për punën në shifra të ILD-së, një proces që është transparent në faqen zyrtare të institucionit, z.Metani sqaroi metodologjinë e përcaktuar të trajtimit të mbi 4300 kërkesave të depozituara në ILD, për të shmangur kalimin e afateve ligjore të shyrtimit të tyre:

“Janë mbi 4300 ankesa të ardhura deri tani dhe në këtë shifër, përfshihet numri i ardhur nga momenti që është krijuar institucioni, por edhe numri i ankesave të vjetra, të trashëguara nga ish KLD, nga Ministria e Drejtësisë, nga KLP, KLGJ, nga Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë periudhë pune janë trajtuar rreth 1600 ankesa nga ky grup i madh, e në këtë numër prej 1600 ankesash përfshihen ankesat e reja dhe ankesat e vjetra. Ka një urdhër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, metodik, për të vlerësuar mënyrën se si do trajtohen ankesat e vjetra e të reja, pra që të mos jetë preferenciale tërheqja e ankesave, por të jetë në bazë të kritereve të përcaktuara me rregull dhe të paravendosura, duke u bazuar në ligj e barazinë e palëve. Në këto 1600 ankesa të trajtuara ne kemi rreth 140 ankesa që janë në proces verifikimi, 40 janë në proces hetimi dhe 22 janë procedime disiplinore, që janë dërguar në Këshilla, në Këshillin e Lartë Gjyqësor e Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilat kanë përfunduar procedurialisht, përvec 2 apo 3 që i kemi në proces pune me Këshillat.”, sqaroi z. Metani.

I pyetur nëse kjo shifër mund të perceptohet si e ulët, Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpjegoi natyrën dhe procedurën e një hetimi disiplinor, që nga mënyra sesi kryhet kontrolli, tek koha ligjore që merr një hetim, nga 6-9 muaj.

“Nuk është një kontroll klasik i punës së gjykatave e prokurorive, sepse ai kontroll klasik bëhet nga vetë sistemi, nga vetë gjykatat më të larta apo prokuroritë më të larta. Së dyti, procesi që ndjek Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një proces i parashikuar në ligj dhe me afatet e veta, që do të thotë minimalisht, hetimi për një rast apo shkelje është 6 muaj. Në varësi të kompleksitetit të cështjes mund të shkojë edhe në 9 muaj. Cështjet janë komplekse. Pra mund të vijë ankesë për një magjistrat, por problematika mund të lidhë disa magjistratë, disa cështje. Jo cdo ankesë që vjen është brenda natyrës dhe objektit të punës që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka. Të gjitha këto përbëjnë një kompleksitet arsyesh, për të cilat në syrin e publikut mund të mos duket një numër i i lartë, numri 22 i procedimeve disiplinore, por në këndvështrimin profesional, unë mendoj që është një numër i konsiderueshëm, sepse tek e fundit fare, rëndësi ka standardi që vendoset ndërmjet këtyre procedimeve disiplinore dhe jo numri. Pra 22 procedime disiplinore do të thotë që janë vendosur 22 standarde pune nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kanë miratuar kërkesat që ka bërë Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Dhe këto janë standarde pune për të gjithë magjistratët e tjerë, që efektivisht apo natyrisht e llogjikisht të cojnë në mendimin, se standardet e punës do përmirësohen në të ardhmen. Të paktën për këto 22 procedime disiplinore dhe kështu vazhdon puna cdo ditë.”, tha z.Metani.