Ylli Polovina: Përse gjirokastritët e duan Kadarenë !

347
Sigal

Libri i Ylli Polovinës: “Komunizmin siç e pashë ”

  • – Për të ndërtuar antena të televizorëve në Gjirokastër priteshin kazanë prej bakëri të kohës së Ali Pashë Tepelenës
  • -Si e përdornin të rinjtë shqiptarë parfumim “1 Maji”
  • -Përse gjirokastritët e duan kaq shumë Ismail Kadarenë?
  • – Gjirokastritët në monizëm s’pranojnë asnjë femër nëpër presidiume
  • – Sa herë shkoja me tren për Tiranë dëgjoje fishkëllimën e trenit për Shkurte Pal Vatën
  • – Operacioni i Dimrit, i dhjetorit, u bë prej 3000 ballistëve e mijra gjermanëve kundër 1600 partizanëve të tërhequr në Skrapar
  • Në këtë pjesë të kujtimeve të tij shrimtari Ylli Polovina përcjell si festoheshin festat komuniste në Shqipëri, si dëgjoheshin këngët italiane në monizëm,

dhe Parfumi “1 Maji” që përdornin të rinjtë. Një episod interesant është dhe “Përse gjirokastritët e duan kaq shumë Ismail Kadarenë?!

 Parfumi “1 Maji”

1 tetor 1971

Sot Kina popullore feston 22 vjetorin e jetës së saj. Për këtë gjë në shkollë na mbajtën një fjalim. Nxënësit nuk duartrokitën dot, sepse i kishin duart të zëna me çantat.

Ora 10.35

Këngët italiane kanë shumë trishtim, por edhe një të mirë: kanë njëkohësisht nota optimizmi. Sidoqoftë borgjezia ia ka gjetur oreksin njeriut apolitik.

 4 tetor

Ora 7.10, Portat e së ardhmes duhet t’i shqyej. Me një të trokitur të lehtë mund të mbetem përjashta.

Fëshfërima e gjetheve të plepit është më e gëzueshme se e pishave. Kur era fryn lehtë e pemët fëshfërijnë ne jemi të kënaqur. Kur era fryn fort e i thyen pemët s’jemi aspak të kënaqur. Kur një njeri flet butë kënaqemi. Kur flet egër, jo.

Ora 10.50. Bëhet mbledhje për planin vjetor të shkollës. Me një durim të madh po lexohet numëri i mbledhjeve.

E humba rrjedhën e numrave.

Ora 21.40. Pashë filmin italian “Kaloi një grua”. Regjizori poetik. Aktorët pak diletantë. Tema e fuqishme dhe pak mosekuilibrim politik. Sot hëna reflektohej mbi ujë. Ecja buzë Osumit dhe hëna vraponte pas gjetheve të rrepeve mbi lumë. Më dukej sikur ishim dy të dashuruar që po i shkonim në takim njeri tjetrit.

 5 tetor

Ora 16.00. Një fjalë e urtë kalabreze thotë: “Ushqimin zgjidhe sipas shijes tënde, por vishu sipas shijes së të tjerëve”.

Ora 18.40. Sot bleva parfum “1 Maji”.

Ora 20.30. U sigurua makina e daktilografimit.

6 tetor

Ora 17.00. Nga dritarja gjysëm e hapur pashë Tomorrin të ndriçuar nga dielli, ndërsa krejt qyteti kish rënë në hije. Ky mal edhe kur lind dielli e merr dritën i pari, edhe kur perëndon dielli e braktis i fundit këtë dritë. Ja çdo të thotë të jesh mbi të tjerët.

7 tetor

Diskutimet për filmin “Kaloi një grua” janë kaq të mëdha si edhe spekullimet.

Këmbana u dëgjua brenda në Kala kur unë po shpjegoja për javën e përgjakshme të komunarëve të Parisit. Nuk e di kush i binte, por m’u duk sikur ranë për kujtim të gjakut të tyre.

Gjithnjë i dëgjoj me qejf orkestracionet e Pol Moriakut.

Sa mirë do të ishte të krijohej një digë poshtë urës së madhe të Goricës dhe kështu në Osum të krijohej një breg i tillë nga ku mund të shkëputeshin barka me dashnorë.

Ora 22.10. Eksperienca nuk është zgjuarsi.

9 tetor

Ora 12.40. Autobuzi i linjës Berat -Lushnjë. Shkoj në Tiranë.

Fishkëllimë treni. Për Shkurte Pal Vatën.

Ora 15.40. Këtu në Kavajë fëmijët vrapojnë sa pengohen. Shesin disa misra që mund të blihen, por jo të përtypen.

Ora 16.00. Stacioni i trenit Durrës. Mijra kujtime. Jo rrallë tek mua duket njeriu i dobët. Veçanërisht këtë e ndjej në udhëtime.

 Përse gjirokastritët e duan kaq shumë Ismail Kadarenë?

 11 tetor 1971

Koha në Gjirokastër është shumë e mirë. Në seminarin kombëtar të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës po tregohem i rregullt. Në Kala janë grumbulluar disa topa modernë kaq të mëdhenj, sa më duket e çuditshme të jetë bërë edhe këtu luftë me to. Kolegu i dhomës ka fizionominë e Kadaresë dhe bën një gjumë si qingj. Ky qytet ka një të mirë, që nuk ka baltë. Këtu çdo gjë rrjedh, ikën. Thatësira e gjellëve në Gjirokastër ka të bëjë me siguri me shpirtin e karakterin e tyre. Në Gjirokastër është e rrallë të hash gjellë me lugë. Këtu ka vetëm gjellë të thata. Ka disa ditë që në Gjirokastër nuk ka birrë.

Këtu në Gjirokastër përsheshet çdo gjë, bile dhe… pilafi…

Flitet kaq shumë për Kadarenë sa thua që është dashuri e të gjitha nënave gjirokastrite.

Në disa familje këtu ka një etiketë të thënieve e një lehtësi e madhe për të shqiptuar fjalët “zotni” e “zonjë” dhe “hanëme”.

Për të ndërtuar antena të televizorëve në Gjirokastër priten kazanë prej bakëri të kohës së Ali Pashë Tepelenës.

Në Gjirokastër flasin me kënaqësi për një televizor, të çdo lloj marke qoftë.

Gjirokastritët s’pranojnë asnjë femër nëpër presidiume.

Në qytet ka një ngjyrë gri. Megjithatë qiellin e ka shumë të kaltër.

Gjirokastritët paskan shumë respekt për Kadarenë.

Gjirokastritët janë mjaft kopracë, por çuditërisht bëjnë shumë reklamë.

11 tetor

 Zhurma e makinave në këtë qytet është aq e rrallë sa mund të quhet edhe e çuditshme.

Ky qytet na priti me sirenë provë alarmi. Futem në Kala. Rrëmujë. Fragmente nga romani “Kronikë në gur” të Kadaresë. Një darkë e varfër. Çeta popullore dhe njerëz të armatosur që vrapojnë në rrugë.

Ora 21.00. Sapo ra ora e qytetit. Nëntë goditje. Jam ulur në një stol të vetmuar dhe shoh Gjirokastrën. Lehje qensh diku.

 Flitet se qenkam kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë

18 tetor 1971

Berat. Kadare thotë se të gjithë popujt janë të ndjeshëm ndaj ritmit. Ritmi është shumë masiv si mjet i muzikës. Edhe njeriu shumë i pamësuar e pëlqen atë. Nëpërmjet muzikës së ritmit borgjezia kërkon sot me ngulm të gënjejë sa më shumë njerëz.

Ka ardhur Estrada e Ushtarit. Interesante. Më pëlqen Tonin Tërshana. N. Gjergji i kapsallis shumë sytë.

I lagur nga shiu mali i Tomorrit duket shumë i zymtë dhe si i tkurrur. Në faqen përballë malit duken pyje të kuqërremtë. I shoh për herë të parë. Po bie edhe mbi këtë mal vjeshta.

Mbi lumë cicërijnë zogj të vetmuar. Po iki. Ata kanë diçka të përbashkët me vetminë time.

E ardhmja është e të gjithëve. E ardhmja është shtëpia jonë. Atje nuk duhet trokitur a të pritet sa të hapet dera. Hyni, thjesht duke shtyrë derën!

Sot pres makinën e daktilografimit. Premtimi është për të shtunën.

17 tetor

Mëngjes nuk ka në shtëpi. Gjithashtu nuk ka edhe njerëz.

Jashtë dëgjohen këngë të lehta e popullore prej një altoparlanti të fuqishëm. Bëhet një aksion me goditje të përqëndruar. Si gjithnjë mungesë e plotë organizimi dhe rrëmujë njerëzish, borsetash e çadrash.

Lëvizjen fizike po e edukoj të më bëhet veti karakteri e nevojë shpirtërore.

Në gazetën” Drita” është botuar një fragment nga poema ime “Shtegëtimi i bardhé”, prej më tepër se 100 vargje. Në po këtë gazetë përmendej përsëri emri im, ku poezia cilësohej si një mendim që godet. Tani duhet vetëm botimi i librit “Nëpër stacione”. Me të duhet të nxiren me domosdo lekët e makinës së daktilografimit. Kjo ende s’po duket. Pres i karakterizuar nga një durim i madh.

Lexova vëllimin me tregime të Dh. Xhuvanit “Nëpër kantjere”. Është një autor që duhet të zerë sa më shpejt vendin e tij mbas Kadaresë dhe Dritëroit.

18 tetor

 Mbi Berat ka rënë mjegull. Është një mjegull e butë dhe e dendur. Po vishem. Kam qejf të eci nëpër mjegull.

Kam filluar të bërtas edhe në gjumë komandat e orës së edukimit ushtarak me nxënësit: “Majtas e djathtas kthehu!”

19 tetor

Më paskan pranuar automatikisht kandidat të Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kështu thonë.

Mbrëmë pashë filmin “Mrekullia e ujqërve”. Do të ish një mrekulli e vërtetë të mos e kisha parë.

Duhet të shkruaj një artikull për librin e Kadaresë “Linja të largëta”.

Ora 16.40. Në shkollë po bëhet një prej mbledhjeve më të rëndomta, karakteristike për një burokraci në stadin e kalbëzimit. Po reklamohet kaq shumë organizata e rinisë së shkollës, sa presidiumi po djersitet. Ka ardhur koha që njerëzit po shikojnë me zili derën.

Ora 21.10. Njerëzit janë të mirë dhe të këqinj. Por më i keqi është ai me të cilin nuk mund të flasësh sinqerisht.

Më zgjodhën zv/sekretar rinie të shkollës dhe sekretar rinie të mësuesve.

Ora 21.40. Në radio ekzekutohet një tarantelë. Në piano një farë Mihallovnaja.

Meqënëse unë duhet të bëhem komunist, duhet të jem i ndërgjegjshëm që kam përpara një jetë shumë të vështirë. Sidoqoftë nuk duhet të jem nga ata që të gjithë barrën ta mbajnë vetë.

Pjanistja po godet fort tastjerën. Jam ulur buzë Osumit. Ky është pikërisht edhe lumi i fëmijërisë. Dëgjoj cicërimat e zogjve…

Trakti i parë i Partisë në rrethin e Beratit është sjellë në fund të nëntorit. Celula e parë komuniste është themeluar në 5 shkurt 1942. 7 Janar 1943 shënon datën kur nën udhëheqjen e Ajet Xhindoles është rrëmbyer shaptilografi fashist. Lufta jonë ka qenë me tërë mend një luftë e çuditshme. Kemi luftuar me po ato gjëra që më parë na luftonin armiqtë. Në Berat na paska qënë një gjeneral italian i quajtur Silvio Robini.

Operacioni i Dimrit, i dhjetorit, u bë prej 3000 ballistëve e mijra gjermanëve kundër 1600 partizanëve të tërhequr në Skrapar. Koço Koleci është torturuar prej fashistëve dhe pastaj i vdekur është pushkatuar. Margarita Tutulani ka lindur në Goricë. Vishej shumë thjeshtë, me një grykëse të zezë dhe me flokët e ndara me vijë anash. Margaritën e paskan thirrur Rita. Margarita lé shkollën në Tiranë e me urdhër të Partisë vjen në Berat.

Fashistët kanë organizuar shoqëritë femnore fashiste.

Lagja Murat Çelepi është e njohur për fanatizmin.

Demostrata antifashiste nga fusha e sportit tek sheshi i prefekturës e prej këtu drejt burgut më 28 Nëntor 1942. Mitrolozët heshtën. Griset flamuri italian. Bëhet ndalim qarkullimi edhe mbasdite.

Mendohet se mund t’i kenë tradhëtuar, për vendin ku u kap Margarita dhe Kristaqi. Shefi i SIM-it në Berat ka qënë Francesco Rossi, kapiten i karabinierisë, Antonio Bela dhe marshall Martini.

Në mëngjesin e 6 korrikut 1943 i nisin për në Porto Romano, në internim, por ndoshta dhe për t’i zhdukur.

Gorica paska patur burg.

Kaminonin e ndalin në Gosë të Kavajës disa milicë. Kërkojnë Margaritën e Kristaqin. Lodër e kurdisur. I çojnë pak më larg dhe i torturojnë. I drejtojnë mitralozin Kristaqit dhe e qëllojnë. Margarita hidhet mbi trupin e tij e qan. Pastaj godet marshall Martinin. Ky bie përtokë i gjakosur. Pastaj i vërsulet dhe zbraz të gjithë karikatorin, por nga që i dridhet dora, asnjë plumb nuk e zë për vdekje. Prandaj e vrasin dhe e masakrojnë Margaritën.

Kanë qënë në Berat në 1944: 300 gjermanë, dy batalione artilerie, tre bateri mortajash, dy kompani tankesh, mbi 250 xhandarë. Në shkollën qytetëse kanë qenë pozicionet gjermane.

Sulmi i parë për çlirimin e Beratit është bërë në orën 22.00 të datës 7 shtator. Sulmi i parë dështoi. Përsëritet në të njëjtën orë në datën 11.

Gjermanët tanket i ndezin tek fusha e sportit. Nyje që kapet prej partizanëve është edhe Ura e Goricës. Gjatë betejës gjermanët dogjën lagjen Vakëf, Goricë dhe dyqanet e tregut.