Ujësjellësit janë mbytur në borxhe, keqmenaxhimi po i çon drejt falimentit

338
Sigal

 

Edhe pse çmimi i ujit është më i shtrenjti në Europë, rrogat janë më të ulta dhe në çezma nuk vjen ujë i pijshëm, financat e Ujësjellës-Kanalizimeve  janë  në krizë për shkak të “fryrjes” së punësimeve, mungesës së investimeve në rrjetin i cili është i amortizuar dhe po helmon qytetarët. Ja bashkitë më të korruptuara në vend.

Ujësjellës-Kanalizime pësojnë dëme financiare ardhur si pasojë e ‘fryrjes’ së punësimeve, mungesa e investimeve në rrjetin shpërndarës të amortizuar rrezikojnë dhe shëndetin e qytetarëve.

 

Uji i pijshëm mbetet një shqetësim për shumë bashki sidomos në zonat rurale. Por nga ana tjetër, Ujësjellës- Kanalizime duken të pafuqishme për të ndryshuar situatën për shkak të borxheve në vite, por edhe pamundësisë për të dalë me fitim. Ekspertët mendojnë se shkak është keqmenaxhimi i këtyre ndërmarrjeve, fakt i cili vihet re dhe nga auditimet dhe raportet e institucioneve shtetërore.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se krijimi i një shoqërie të vetme me aksionerë do të ishte një zgjidhje e mirë për të siguruar shërbimin e qytetarëve, ndërsa herë pas herë në daljet publike ka nënvizuar se humbjet janë të mëdha në këtë sektor. Ndërsa më 29 tetor  më parë, ai mblodhi kryebashkiakët për të folur për reformën thelbësore, që duhet të pësojë ujësjellësi në këto bashki, duke dhënë gjithashtu edhe direktivat përkatëse.Vihet re se 4 ujësjellës- kanalizime prej tyre dalin me humbje dhe vetëm një ka shënuar rezultat pozitiv në vitin e fundit. Shifrat më të larta tё borxheve vihen re në Vlorë, më pas në Durrës, Fier dhe Dibër. Ndërsa Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Korçë, sipas përgjigjes zyrtare dhënë Portës Vendore, nuk është debitore ndaj palëve të treta.

Shoqëria Ujësjellës -Kanalizime Vlorë mbylli vitin 2020 me humbje

Një nga ujësjellësit e dalë me humbje gjatë vitit 2020 është edhe Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, e cila ka rezultuar me humbje në vlerën 188 milionë lekë, duke e thelluar borxhin që nga viti 2016, në vlerën totale 2.9 miliardë lekë. Bashkia Vlorë analizon më tej ku janë krijuar këto borxhe. Konkretisht, bashkia analizon se:

  • 2,1 milion lekë janë kredi e përthithur nga ujësjellësi Novoselë.
  • 1,1 miliard lekë detyrime ndaj furnitorëve ku vlera më të lartë i kanë detyrimet ndaj OSHE në vlerën 994,8 milion lekë dhe 138, 8 milione lekë detyrime për furnitorë për blerje mallrash dhe shërbimesh.
  • 167,6 milion lekë interesa të papaguar kredie.
  • 106,8 milion lekë taksa të arkëtuar për llogari të Bashkisë Vlorë dhe të papaguara.
  • 2,7 milion lekë debitorë të tjerë jo furnitorë.

Sipas bashkisë“Në zërin e detyrimeve peshën më të madhe specifike e zë kredia, e cila është 53% e debisë totale si dhe debia ndaj OSHE-së, e cila zë 33% ndaj debisë totale. Një nga arsyet e krijimit të këtyre rezultateve është çmimi i ulët i shërbimeve të aktivitetit kryesor të shoqërisë, të cilat ndryshuan dhe u miratuan në vitin 2019 dhe në këtë periudhë çmimi ishte nën koston e shërbimit, që ofrohet nga UK Vlorë. Çmimi nën kosto nuk krijon të ardhura të mjaftueshme të shoqërisë për të përballuar kostot e shërbimeve”, shprehet Bashkia Vlorë.

 

Por nga ana tjetër vihet re se tarifat e shërbimit janë rritur si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset apo institucionet buxhetore, megjithëse kjo rritje, duket se nuk ka ndikuar në eliminimin e borxheve. “Tarifat e shërbimit për shitjen e ujit të pijshëm kanë qenë 30 lekë për familjarë, 80 lekë për buxhetorë, 60 lekë për biznese dhe janë bërë 45 lekë për familjarë, 100 lekë për buxhetorë dhe privat. Tarifa fikse nga 80 lekë për të gjithë konsumatorët është bërë 100 lekë për familjarë dhe 150 lekë për buxhetorë dhe privat. Tarifat për shërbimin e largimit të ujërave të ndotura kanë qenë 11 lekë për familjarë dhe 13 lekë për buxhetorë dhe privat dhe janë bërë 15 lekë për familjarë dhe 25 lekë për buxhetorë dhe privat”, shpjegon bashkia, ndërsa argumenton se kjo rritje nuk ka ndikuar në uljen e borxhit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. “Rritja e çmimit të energjisë në vitin 2016 në 46% bëri që të rritet kosto e shërbimit, e prodhimit dhe shpërndarjes së ujit dhe në anën tjetër duke rritur vlerën e debisë të papaguar ndaj furnitorit OSHEE”, sqaron bashkia elementët, që kanë ndikuar në këtë rezultat negativ. Por nga ana tjetër edhe reforma territoriale ka ndikuar negativisht, pasi zgjerimi i territorit ka shkrirë në një të vetme disa shoqëri,të cilat edhe në gjendjen e mëparshme nuk arrinin të mbulonin shpenzimet, ndonëse bashkimi ishte një nga kushtet e reformës për të rritur cilësinë e shërbimit dhe uljen e shpenzimeve. “Përthithja e ujësjellësve si rezultat i riorganizimit rriti kostot e shërbimit, rriti debitë, pasi këto shoqëri nuk mbulonin dot shpenzimet, sepse ato kanë norma të ulëta të arkëtimeve dhe mungesë për të përballuar mirëmbajtjet e shërbimeve dhe të rrjeteve të amortizuara. Pas riorganizimit UK Vlorë duhet të shërbente për tre shoqëri dhe në një territor shumë herë më të madh. Reforma e riorganizimit të shoqërisë nuk u shoqërua me rritjen e investimeve në drejtim të plotësimit të këtyre shoqërive të riorganizuar me makineri e pajisje që do t’i shërbenin për një rritje të shërbimit më cilësor dhe më të shpejtë ndaj abonentëve. Një ndikim ka dhënë dhe arkëtimi i shërbimit të faturuar, i cili ka qenë në nivelin 62% të vlerës së faturës që shkon në abonentët e UK Vlorë”, deklaron Bashkia e Vlorës.

Tarifa fikse nga 80 lekë për të gjithë konsumatorët është bërë100 lekë për familjarë dhe 150 lekë për buxhetorë dhe privatë në Vlorë.

Por, ky nuk është shqetësimi i vetëm për ujësjellësin e Vlorës, që nuk shikon një dritë jeshile për uljen e borxheve, pasi ato mund të rriten për shkak të investimeve emergjente që kërkohen, sidomos për furnizimin me ujë të pijshëm të disa lagjeve e zonave rurale që vuajnë prej vitesh. Ujësjellësi i Vlorës ka tubacione gize dhe çeliku të ndërtuara nga vitet 1940-1990-1995, të cilat janë drejt amortizimit dhe duhet të zëvendësohen me tubacione të reja. “Për shkak të amortizimit të rrjetit të furnizimit me ujë, në rrugët dhe trotuaret e qytetit thuajse çdo ditë kemi defekt, duke shkatërruar edhe infrastrukturën rrugore në qytet. Rrjeti i vjetër është afërsisht 83 km, i dimensionit 60-70 mm. Specialistët tanë janë të mendimit se për të ndërtuar një ujësjellës me perspektivë, duhet që tubacionet e vjetra të dalin nga puna dhe të zëvendësohen me tubacione të reja sipas projektit holandez të zbatuar në qytet në vitet 2010- 2011, me rreth 71 km te dimensioneve 90-100 mm”, -thuhet në vijim të interesit të Portës për problematikat e hasura gjatë sezonit turistik.Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura UK Vlorë nuk arrin të mbulojë shpenzimet, teksa këtë e pranon edhe vetë ky institucion. “Subvencionet që Shoqëria përfiton nga qeverisja qendrore dhe qeverisja vendore nuk plotësojnë dhe nuk ndihmojnë situatën financiare të shoqërisë tonë”, shprehet UKV.

UK Dibër, debitore ndaj palëve të treta, shkak borxhet e prapambetura

Por problemet e ujësjellësit të Vlorës janë të ngjashme në shumë bashki, dhe më të theksuara në bashkitë me më pak të ardhura. Një tjetër bashki me borxhe të Ujësjellës Kanalizimeve është ajo e Dibrës. Sh.a Ujësjellës -Kanalizime në Dibër gjatë viti 2020 ka arkëtuar para në vlerën 44.977.916 lekë pa tvsh. Kjo ndërmarrje pranon se është debitore ndaj palëve të treta. “Debia që ka Sh.a. Ujësjellës- Kanalizime Dibër deri në 31.12.2020 është në vlerën totale 70.136.887 lekë. Arsyeja e këtyre rezultateve është krijimi i borxheve ndër vite të prapambetura”,- nënvizon Bashkia Dibër.

Ndërsa sa i takon gjendjes së rrjetit ujësjellës bashkia thotë se: “Rrjeti ujësjellës i Korabit është ndërtuar që nga viti 1986. Infrastruktura nuk është në gjendje shumë të mirë nga burimi i malit të Korabit e deri në depot e ujit në Peshkopi, pasi ka 35 vite që është ndërtuar si vepër, kurse ujësjellësi i Sopanikës është në gjendje të mirë”,- thekson ky institucion.

Dy problematikat kryesore të hasura në Dibër janë pamundësia e vjeljes së detyrimeve të prapambetura në qytetin e Peshkopisë, pasi kolonat e matësve janë të brendshme, dhe e dyta rrjeti i amortizuar.“ Sa u takon investimeve në këtë sektor, mësohet se është ndërtuar ujësjellësi i Luznisë dhe ujësjellësi i Gramës.

Reforma e ujësjellësit dhe krijimi i një ndërmarrjeje të vetme shikohet si një hallkë, që do të rrisë burokracitë. “Për sa i përket reformës së ujësjellësit për krijimin e një ndërmarrje të vetme nuk duket e arsyeshme dhe funksionale, pasi për çdo nevojë që ndërmarrja e ujësjellësit mund të ketë duhet që të bëjë kërkesë tek ujësjellësi kryesor dhe të bëhet plotësimi i kësaj nevoje, kjo gjë do të sjellë vonesa në plotësimin e nevojave të ujësjellësit, pasi do harxhohet shumë kohë deri në shqyrtimin dhe konfirmimin për plotësimin e kërkesës/nevojës që ka ujësjellësi. Nuk mendoj se funksionon për arsyet e shtrirjes se madhe gjeografike që ka Bashkia Dibër. Nga vetë fakti që ujësjellësi është jetik për shoqërinë dhe se shërbimet i ka të domosdoshme në momentin që lind kjo nevojë, dhe duhet me patjetër që kryerja e këtij shërbimi të mos kalojë në shumë faza vendimmarrje”,- thotë bashkia .

 

Reforma territoriale ka ndikuar negativisht, pasi zgjerimi i territorit ka shkrirë në një të vetme disa shoqëri, të cilat edhe në gjendjen e mëparshme nuk arrinin të mbulonin shpenzimet, ndonëse bashkimi ishte një nga kushtet e reformës për të rritur cilësinë e shërbimit dhe uljen e shpenzimeve

Edhe UK Fier, me borxhe e fonde të pamjaftueshme

Edhe Ujësjellës -Kanalizime SH.A Fier është debitore ndaj palëve të treta dhe e ka mbyllur vitin 2020 me humbje. Sipas këtij institucioni vitin e kaluar u arkëtuan 348,673,893 lekë, ndërsa debia ndaj palëve të treta është në vlerën monetare 934,397,433 lekë, ose tre herë më i lartë se arkëtimet. “Arsyet janë se shoqëria nuk i mbulon dot shpenzimet me të ardhurat që realizohen dhe fondet e akredituara nga qeveria nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve”, -thotë bashkia. Ndërkohë, ende nuk ka një opinion të qartë për projektin e krijimit të një shoqërie të vetëm të ujësjellësve, dhe sipas bashkisë një analizë mund të jepet vetëm kur studiohet plani i detajuar.

Borxhi i UK Durrës ndaj OSHEE, 3 miliardë lekë

Ujësjellës -Kanalizime Durrës rezulton debitore ndaj OSHEE në vlerën 3 miliardë lekë me tvsh. Sipas saj, infrastruktura e ujësjellësit është pjesërisht e amortizuar dhe pjesërisht e rikonstruktuar. “Gjatë 10 viteve të fundit janë rikonstruktuar rreth 350 km tubacion ujësjellësi në të gjithë zonën e shërbimit”, -sqaron më tej. “Vënia në funksion e burimit të ri Fushë Milot, ujë i shtuar vetëm për zonën e qytetit, ka nxjerrë në pah amortizimin e rrjetit shpërndarës në këtë zonë. Me rritjen e presioneve dhe prurjeve janë shtuar dhe humbjet teknike në këtë rrjet”,- thotë bashkia, e cila nënvizon se fondet e marra nga qeveria për likuidimin e faturave të OSHEE-së dhe për investime në infrastrukturë në zona të ndryshme janë të pamjaftueshme. Për krijimin e një kompanie të ujësjellësve në vend Bashkia Durrës thotë: “Nuk kemi dijeni në lidhje me këtë çështje”. Bashkia synon që detyrimet financiare t’i shlyejë duke rritur të ardhurat si rezultat i investimeve të kryera si dhe subvencioneve nga qeveria.

UK Korçë, e vetmja bashki me bilanc pozitiv

Një nga bashkitë, e cila duket se ka arritur të nxjerrë me fitim ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve është Bashkia e Korçës, e cila thotë se ka mbyllur vitin 2020 me një bilanc pozitiv të të ardhurave të arkëtuara. Sipas saj, norma totale e arkëtimit ka qenë në nivelin 95% dhe nuk ka detyrime financiare ndaj palëve të treta. Bashkia pranon se infrastruktura e ujësjellësit është instaluar 20 vite më parë dhe nuk janë kryer investime, por shton se është në gjendje të mirë. Sipas këtij institucioni janë eliminuar ndërhyrjet në rrjet, ndërsa bashkimi i ujësjellësve në një shoqëri të vetme do të kishte rezultat pozitiv vetëm nëse dega kryesore e qarkut do të ishte në pozita të qëndrueshme financiare. “Reforma e rajonalizimit, në opinionin tonë do të funksionojë e do të ketë rezultat në rast se kompania Ujësjellës Kanalizime më e madhe në rang qarku, do të jetë në pozita të qëndrueshme financiare”, -thuhet në shkresën zyrtare.

Rama: Ndërmarrjet e ujësjellësit të bashkohen në një. Ekspertët, kundër

Avokati Dhimitër Zguro bën edhe një sqarim të ligjit për krijimin e një shoqërie të vetme të ujësjellësit. “Kryeministri flet në fakt për krijimin e një shoqërie të re tregtare dhe i referohet ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, nenit 215 e në vijim të ligjit nr. 9901, dt. 14.4.2008. Sipas këtij neni, sha-të, kanë mundësinë e bashkimit ose në formën e përthithjes (psh 60 shoqëritë e ujësjellësve përthithen nga UKT sha) ose në formën e krijimit të një shoqërie të re tregtare, duke bërë që aktivet dhe pasivet e tyre t’i kalojnë kësaj shoqërie të re. Për shembull: Të gjithë ujësjellësit bashkohen në Shoqërinë e Ujësjellësve të Shqipërisë sha”,- tha Zguro. Megjithatë, kjo nuk shihet me pozitivitet nga ekspertët.

Eksperti Rezart Kthupi, ish drejtor i UKT thotë se bashkimi nuk zgjidh ndonjë nga problemet që hasen në shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve.“E vetmja e mirë që sjell është se redukton (në teori) kostot administrative të menaxhimit, por jo domosdoshmërisht do sjellë rentabilitet. Debia thjesht do transferohet tek entiteti i ri që do krijohet besoj por nuk mund të shuhet. Edhe ujësjellësit kanë shumë detyrime për të vjelë. UKT 2015 kishte kredi tek të tretët afro 2 mld lekë të reja. Bashkimi nuk zgjidh problemin e furnizimit me ujë. Duhen investime masive në rrjetet e shpërndarjes brenda qyteteve. Tirana mbijeton me ndërhyrje të pjesëshme. Cilësia e ujit varet nga cilësia e rrjetit shpërndarës. Nëse rrjeti është i amortizuar është e pamundur që uji të bëhet i pijshëm”,- thotë eksperti. Sipas tij “Lidhjet e paligjshme janë fasada që na serviret për të mbuluar keq menaxhimin konstant të ndërmarrjeve, por nuk përbëjnë as 1% të humbjeve”,- thotë Kthupi.

Ndër të tjera ai argumenton se ka disa të dhëna, të cilat nuk duhet të anashkalohen. “Së pari raporti ndërmjet sasisë së ujit të prodhuar dhe sasisë së ujit të faturuar. Kjo përqindje tregon efikasitetin e rrjetit të shpërndarjes. Së dyti raporti ndërmjet sasisë së ujit të faturuar dhe atij të arkëtuar. E para do të jepte koston reale të prodhimit të ujit dhe një ide të përgjithshme të amortizimit të rrjetit shpërndarës. Sipas të dhënave të UKT në 2015 faturohej vetëm 18% e sasisë së ujit të prodhuar. 81- 82% ishte humbje në rrjet. Ndërkohë që nga sasia e faturuar arkëtohej mesatarisht 85% e vlerës”,- thotë eksperti duke sjellë në vëmendje të dhënat e vitit 2015, të cilat mund të kenë ndryshuar ndër vite.

Edhe Zef Imeraj, eksperti i mjedisit dhe menaxhimit të ujërave, thotë se nuk i pëlqen fare kjo mënyrë menaxhimi e ujit në vendin tonë.“Keqmenaxhimi aktual vjen edhe nga humbjet e mëdha në rrjet, pasi ka 365 mijë puse të hapura private, ndaj shteti duhet të kryejë kontrolle e monitorime të vazhdueshme.”, -u shpreh Imeraj.

Raportet e institucioneve shtetërore nxjerrin zbuluar ujësjellës -kanalizimet

Por sikur të mos mjaftonin borxhet, problem mbetet dhe keqmenaxhimi i fondeve nga ujësjellës kanalizime. Në një audit të kryer nga KLSH, sipas buletinit të publikuar për disa bashki për periudhën Janar -Tetor 2020, ka konstatuar disa shkelje në Ujësjellës Kanalizimeve Kavajë dhe Fier.

“Ujësjellës -Kanalizime Kavajë SHA ka dëm financiar në vlerën 92,984 mijë lekë, të ardhur si pasojë e punësimeve mbi strukturë, pra tejkalim të strukturës së shoqërisë nga ajo e miratuar me vendim të Këshillit Administrativ deri në 150 punonjës mbi strukturë (gjatë muajve; tetor, nëntor, dhjetor, 2019 numri total i punonjësve ka arritur mbi 315 punonjës nga 152 punonjës që ka në strukturë e miratuar)”. Raporti i KLSH 2020, vijon me konstatimet në shpenzime po për UK Kavajë, në vlerën 4 milionë e 307 mijë lekë, teksa konsiderohet shpenzim i fondeve publike pa ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet.“Në procedurat e prokurimit publik për vitin 2019, blerje me vlerë të vogël, u konstatua mungesa e plotësimit të kritereve të veçanta të vendosura në DST nga Komisioni i Prokurimit me vlerë të vogël”,- thotë raporti.

Ndërkohë nga auditimi i KLSH-së rezultoi se Ujësjellës Kanalizime Fier SHa nuk ka Strategji për Teknologjinë e Informacionit, mungesa e të cilës sjell mospasqyrimin e objektivave lidhur me infrastrukturën, burimet e nevojshme si dhe instrumente të nevojshëm për matjen e objektivave.“Mungesa e Planit Strategjik, mbart riskun e keq të adresimit të burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së Ujësjellës -Kanalizime Fier Sha”, shprehet më tej KLSH.

Ndërsa në Raportin e performancës për shoqëritë ujësjellës kanalizime për vitin 2020, nga Enti Rregullator i Ujit në Shqipëri citohen disa detaje interesante me trendin e arkëtimeve dhe se si kanë ndihmuar ngjarjet që ndodhën në vendin tonë si tërmeti dhe pandemia në këto institucione.

“Problem për Sektorin UK vazhdojnë të mbeten detyrimet e prapambetura që një pjesë e konsiderueshme e shoqërive kanë ndaj OSHEE-së, të cilat në mbyllje të vitit 2020 raportohen rreth 7.5 miliard lekë ose rreth 61% të detyrimeve që sektori UK ka ndaj të tretëve. Mjaft problematike me debi të konsiderueshme nga 0,2 deri 2, 3 miliard lekë paraqiten shoqëritë Durrës, Vlorë, Patos, Tiranë, Kavajë, Fier, Kurbin, Peqin, Lushnje etj, që i kanë ujësjellësit me ngritje mekanike. Përgjithësisht shlyerja e këtyre detyrimeve ndaj OSHEE kërkon zgjidhje në nivel të qeverisë qendrore, sepse është e pamundur që ajo të realizohet me anë të rritjes së tarifave të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve”,- thuhet në raportin e ERRU-së, ndërsa theksohet gjithashtu se objektivi afat shkurtër i qeverisë qendrore me investime nga buxheti i shtetit nëpërmjet AKUM është që të ofrohet shërbimi i furnizimit me ujë 24 orë deri në vitin 2023, për 58 nga 66 qendra urbane, projekt ky që ka filluar të zbatohet që në vitin 2018.

Ndërkohë raporti vë në dukje gjithashtu faktin se nga viti 2020 krahasuar me vitin 2019 ka një ulje të arkëtimeve, me 3.18% “Kjo situatë justifikohet dhe me pamundësinë financiare të klientëve për të paguar si rezultat i impaktit negativ që ka dhënë Pandemia Covid-19 në të ardhurat e qytetarëve, si edhe nga pasojat post tërmetit të nëntorit 2019. Mbyllja e bizneseve për një periudhë të gjatë ka sjellë një rritje të papunësisë (sezonale ose jo) dhe ky efekt është reflektuar tek situata financiare e shoqërive UK”, artikulohet në raportin e ERRU-së. /

 

Albina Hoxhaj/ Porta Vendore