Vrasja e rreshterit Muhamed Lika në Kosovë: Shtatë persona vihen në pranga, një 18-vjeçar dyshohet të jetë ekzekutori

58
Sigal

Shtatë persona janë arrestuar në Kosovë, pasi dyshohen se kanë planifikuar dhe kryer vrasjen e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill. Arrestimet janë kryer gjatë një aksioni të gjerë policor mëngjesin e së hënës.  Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çekini, thanë gjatë një konference për media se motivet e vrasjes së tij ka mundësi të kenë lidhje me “punën e tij si zyrtar policor”.

Hoxha bëri me dije se disa nga të dyshuarit në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, kanë të kaluar kriminale. Ai tha se disa prej tyre kanë qenë të arrestuar për raste që lidhen me thirrje ekstremiste.

“Ne kemi arritur të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Mbetet të shihet backgroundi i tyre. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë të arrestuar edhe për raste të mëhershme, e që ndërlidhen me thirrje ekstremiste. Për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet duhet të vazhdojnë tutje për ta vërtetuar këtë punë, por janë persona të dyshuar, të rrezikshëm, të cilët ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje, e kanë planifiku dhe po ashtu e kanë ekzekutuar”, tha ai.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), thanë ata, pa treguar identitetin e tij.  Pas arrestimit, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor ku pritet të intervistohen nga prokurori i rastit, i cili do të vendosë për masat e mëtejshme. Dyshohet po ashtu se ekzekutori është një 18-vjeçar.