Vladimir Duraj: Rushan Dosti, gazetar, publicist, shkrimtar dhe intelektual me vlera

Një ditë pas Ditës së Verës, më 15 Mars të 1958-ës, në Koprënckë të Skraparit, vendlindjen e patriotëve të mëdhenj të Pavarësisë Kombëtare, kushurinjëve Ali e Xhelal Koprëncka, u lind vlera e radhës e Skraparit mbushur me vlera, Rushan Dosti. Koinçidencë e këndshme ardhja në jetë më 15 Mars, duket sikur Pranvera dhe Rushani erdhën së bashku, kapur dorë më dorë njëri pas tjetrës. Koinçidencë po e quaj unë, por në fakt kjo më shumë duket si e “kurdisur” nga ai lart, ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që Rushanit nuk i është ndarë për asnjë çast pranvera nga zemra dhe shpirti i tij i madh.

Sigal

Rushani erdhi në jetë me bonuse mirësie në gen dhe kjo u vu re qysh në fëmijërine e “hershme”. Ishte një fëmijë i bukur, i zgjuar, i dashur, energjik, i fuqishëm, me sytë që i qeshnin e dukej sikur i thonin njerëzisë: “- Ky fëmijë do bëhet i suksesshëm në jetë!”

Dhe nuk vonoj shumë që të vërtetohej ajo çfarë sytë tregonin. Erdhi momenti i shkollimit dhe Rushani 7 vjeçar, nxënës i klasës së parë, kryer në vendlindje si edhe gjithë 8-vjeçaren, të identifikohej si një nxënës i dhjetës dhe me të ardhme në arsimim. Dhe kështu, vit pas viti e në çdo lëndë, mbërrin në klasën e Vlll me rezultatin “Shkëlqyeshëm”.

Për këtë periudhë, pyetjes sime se: “- Si e kujton 8-vjeçaren dhe a të ka mbetur diçka në memorje se, helbete, kanë kaluar 52 vjet nga përfundimi i saj ?”, Rushani i përgjigjet :

“- Arsimin fillor e atë 8 vjeçar e kreva në vendlindje në vitet 1965 – 1973. Duke patur mësues të përkushtuar që nga klasa e parë (kujtoj mësuesin e parë, korçarin Ymer Nameti) dhe deri në

klasën e tetë, kur shumica ishin vendas, gjirokastritë dhe vlonjatë, pasioni për dije dhe kulturë jo vetëm u motivua, por edhe u kultivua. Në një ambjent të tillë, arritja e rezultateve të larta në mësime, për mua, mbetej thjeshtë një detyrë për t’u kryer.

Përsa i përket diçkaje të mbetur në memorje nga 8-vjeçarja, them se: “Po! Atë ndodhi nuk do ta harroj kurrë. Kur isha nxënës në klasën e VIII, në vitin 1973, provova talentin tim me një vjershë humoristike, të cilën e recitova në një mbrëmje në vatrën e kulturës së asaj kohe. Vjersha titullohej “Hallet e fshatit tim” dhe fshikëllonte problematikat e shumta të fshatit në atë kohë. Duke menduar se vura vetullat, për pak desh nxorra sytë, pasi u alamua partia në fshat dhe rrezikova seriozisht vijimin e studimeve në shkollën e mesme. Falë notës mesatare 10 dhe këmbënguljes së drejtorit të shkollës, të paharruarit Neshat Dyrmishi, munda të siguroja një të drejtë studimi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, në shkollën e ëndrrave të mia, siç e quaj edhe sot e kësaj dite. Është pikërisht kjo shkollë, të cilës unë i dedikoj gjithçka në formimin tim të përgjithshëm dhe kulturor.”

Arsimin e mesëm Rushani e filloi në vitin 1973 në Shkollën Pedagogjike në Elbasan. Për katër vite këtu ka qënë një nga aktivistët më të mire dhe bashkëpunëtor me shtypin lokal siç ishte Gazeta “Shkumbini”, që në atë kohë drejtohej nga euriditi Astrit Bishqemi. Shkollën e mesme e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1977.

Për shtatë muaj shërbeu si mësues letërsie në Malind, në vendlindjen e poetit të madh Xhevahir Spahiu. Ëndrra e jetës së tij ka qënë dhe të vijoj të jetë edhe sot e kësaj dite, letërsia, të cilën e kërkoi me çdo lloj sakrifice, por për kushte që nuk vareshin nga ai dhe për shkak të ekonomisë së dobët familjare, përfundoi student në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, gjë që as e kishte menduar ndonjëherë. Gjithsesi këtu gjeti një terren të mirë, përsa i takonte aktivizimit në rrethin letrar të shkollës, krahas poetëve të njohur, Arben Duka, Misto Anastasi, Kujtim Boriçi e shumë emra të tjerë. Gjatë viteve të shkollës me përkrahjen e mësueses së gjuhës Flutura Xoxe dhe me mbështetjen e të madhit Dritëro Agolli, mundi të botonte cikël me poezi në gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”.

Me mbarimin e Shkollës së Bashkuar në vitin 1981 në Specialitetin Gjitharmësh, Rushani emërohet në Berat, ku kryen stazhin dhe pas tij, i titulluar “Oficer” shërben për 11 vjetë në Bazën e Furnizimit në Berat për 14 vjetë, si Drejtor i Shtëpisë së Ushtarakëve po në Berat.

Ky ishte rrugëtimi i Rushanit ushtarak, ndërkohë që si letrar rrugëtimi i tij është si më poshtë, treguar nga vet Rushani në respekt të pyetjes sime të mëposhtëme :

“- Pasioni juaj për letërsine ju shoqëroi në çdo kohë e situatë, apo ju pushtoi qysh në lindje si talent dhe vazhdon ende t’ju mbajë të pushtuar. Ç’mund të më thuash për rrugëtimin tuaj në këtë fushë ?”

“- Është i hershëm ky rrugëtim, fillesën e ka në 8 vjeçare dhe vijimin në Shkollën e Mesme dhe atë të lartë për “Oficer”. Por më intensivisht dhe si “profesion” mund të përmend emërimin në Berat dhe bashkëpunimin atje me gazetën “Kushtrimi”, ku botoja kryesisht fejtone dhe artikuj tematikë. Nga viti 1998 deri më 2002 drejtova si Kryeredaktor Gazetën e pavarur “Orakulli i Tomorrit” që botohej në Berat. Gazeta shpërndahej në gjithë Qarkun Berat dhe u vlerësua si një risi për kohën. Këtu punova me njerëz të afirmuar dhe me përvojë të gazetarisë siç ishte publicisti Zylyftar Hoxha, gazetari dhe shkrimtari Enver Caka, si dhe bashkëpunëtorët e gazetës në Berat, Kuçovë e Skrapar si Hajri Nuhu, Arben Turhani, Agron Guri, Kastriot Caka, Arjola Azizolli, Sulo Gozhina, Shkëlqim Ago, Estref Matarangasi, Dilaver Xhelili etj. Gjithçka për këtë investim informimi për atë kohë, ai ia dedikon botuesit të gazetës, biznesmenit Zylyftar Plaku.”

Edhe në këtë pohim, Rushani tregon altruizmin e tij, fisnikërinë që përshkon çdo qelizë dhe organ të tij. Edhe kur pyetet për të treguar për vete, ai kërkon dhe gjen mënyrën për ta adresuar këtë të fundit te të tjerë. Nuk është i paqëllimshëm përmendja e emrave të gjithë gazetarëve bashkëpunues me të dhe sidomos mirënjohja e shprehur për botuesin e ”Orakulli i Tomorrit”.

Nuk mund të mos e veçoja këtë cilësi të Rushanit në një kohë kur të tilla cilësi sot kanë ikur në drejtim të paditur.

Por le të vijojmë me rrugëtimin e Rushanit letrar dhe pikërisht me librat e botuar prej tij si :

“Burrat e shtetit, shteti pa burra”, vëllimin poetik “Ujëvarat e shpirtit”, monografitë “Vala Frashëri, luftëtare e orëve të para”, “Xhevit Zaçe, greshicioti”, “Rehovica, djepi ynë”, “E mira nënë Mirije” (bashkëautor me të pavdekshmin Arben Duka), vëllimin poetik “Letër Nënës”, monografitë “Rrugëtimi i një inxhinieri”, “Hoxhajt, sofra e madhe e mikpritjes”.

Ai është gjithashtu redaktor i mbi 50 librave monografikë dhe artistikë.

Aktualisht është duke përgatitur për botim librin “Dostllarët, gjaku i fisit tim” si dhe disa vëllime me poezi të hershme dhe të kohës. Në arkivën personale të Rushanit gjenden mbi 5000 poezi me tematikë të ndryshme, ose e kthyer në letër, 20 kg letër ku janë fotokopjuar poezitë. Janë aq shumë, saqë vështirë të botohen. Çdo ditë publikon në faqen e fb deri dy poezi të papublikuara.

Këtu e ndërpresim aktivitetin e Rushanit letrar, për ta ndjekur në përditshmēri në fb ose në librat e radhës që pritet të botojë ky “Mal Tomorri” në të shkruar dhe “Mal Korabi” në të jetuar, ky personifikim i arrirë i fisnikërisë njerëzore.

Ndërpresim përshkrimin e aktivitetit letrar, por do të vijojmë edhe ca me pyetjen e radhës për Rushanin, e cila është:

“- Si mund ta përshkruani, ju mjeshtër, këtë nahien tonë, Skraparin, Beratin, Kuçovën me vlerat njerëzore dhe gjithçka tjetër që përbëjnë atë?

“- Skrapari për mua është djeplindja, djepi drudëllinje ku jam përkundur. Asgjë nuk vlen më shumë se sa një shënim në pasaportë: “lindur në Koprënckë, Skrapar”. Nëse harroj këtë, kam harruar veten. Kam shkruar shumë për Skraparin dhe skraparllinjtë, por nuk kam mundur ta pi gjithë bukurinë.
Sa për Beratin dhe Kuçovën, më ngacmon kot, sepse janë dy dobësitë e mia që më mbajnë gjallë. Kuçova dhe kuçovarët, ku kam shumë shokë e miq, kanë qënë dhe janë europianë, djepi i intelektualizmit dhe artit shqiptar, fisnikë deri në përsosmëri.

Sa për Beratin, Shqipëria ka shumë qytete të bukura, por më të bukur se Berati, vështirë se mund të gjesh në botë. As më ka ardhur në mëndje ndonjë mendim se mund të largohem nga Berati. Aty kanë lindur dhe janë rritur fëmijët e mi dhe kjo nuk është pak për të më mbajtur të dashuruar me këtë qytet magjik, të cilin e shijoj edhe nëpër ëndrra….”

Postulati i jetës së Rushan Dostit, të cilin e përsërit shpesh është : “Sa të kem frymë, çdo grimcë jete do ta shndërroj në vargje! Nuk e di, por pa bukë mund të jetoj, pa poezi e kam të vështirë.”

“Gjithsesi, krahas diplomave, krahas gjithçkaje të arritur në jetë, pasioni im është krijimtaria, libri dhe poezia. I kam thënë vetes: “Jeto dhe krijo! Nëse një ditë nuk shkruan zbrite nga vitet e jetës tënde!” – shprehet i miri Rushan.

Rushani është pjesë e studentëve, dëshmitar okular i tragjedisë së Fekenit më 6 Shkurt 1981, ku dhanë jetën 11 studentë dhe u plagosën 100 të tjerë.

Dhe fundin e këtij shkrimi po ia lë përsëri Rushanit, mjeshtrit të gërmës, fjalës, vargut dhe rreshtit, mjeshtrit të logjikës dhe artikulimit, mjeshtrit të së mirës dhe të së bukurës, i cili thotë sa më poshtë:

“- Kam një grua dhe dy djem, njëri ekonomist dhe tjetri inxhinier. Gruaja punon mësuese dhe e kam zgjedhur nga vendi im, Skrapari, siç thoshte Markezi:”Gruan, këpucët dhe buajtë, zgjidhi nga vendi yt!”

Jeta, oksigjeni im, që më rinojnë janë nipi, Deani, 13 vjeç, Juna 7 vjeç dhe Dea 5 vjeç.”