Vladimir Duraj: Njeriu i mirë Sokrat Prifti dhe aviatorët e Qytetit Stalin

404
Sigal

Nëse ushtarakët mund të etiketohen si ajka e shoqërisë shqiptare, dhe këtë e perceptoj, për aviatorët them pa frikë se janë ajka e ajkës, dhe këtë e them me ”prekje” dhe perceptim bashkë pasi punova për 7 vite rresht me ta si teknik radiosh.

Në foton më poshtë, marrë nga Aviacioni Ushtarak Shqiptar, janë fiksuar fisnikë të kësaj arme si Sokrat Prifti, Azbi Serani, Fahri Bubsi, Bardhyl Taçi dhe Qirjako Dhima. Azbi Serani i dha jetën kësaj arme për të mos vdekur kurrë dhe ishte pikërisht ky fakt që e bëri të njohur dëshmorin për veshët e mi.

Bardhyl Taçi ishte komandant i aviacionit në kohën kur unë punoja në ofiçinën tip 6 të regjimentit të aviacionit në Q.Stalin, ndërkohë që Fahri Bubsin e njihja si baban e shokut tim të shkollës nga klasa e parë në të katërtën, të ndjerit Mirjam.

Atë që njoha mirë dhe që u bë shkak për këtë shkrim ishte babaxhani Sokrat Prifti, komisar regjimenti për disa vite kur unë punova në aviacion.

Kisha vetëm 4-5 ditë që kisha filluar punë në aviacion si teknik civil radiosh dhe për fatin tim të keq detyrohem të shtrohem në spitalin e djegie-plastikës në Tiranë, ku pasi qëndrova dy javë i shtruar mora edhe dy javë të tjera raport paaftësie për punë…..kështu u mbush plot një muaj i larguar nga puna.

Gjatë mungesës sime, dikush mes zemërligut dhe merakliut për mbarëvajtjen e punës, kërkon në komandë largimin tim nga puna si i paaftë fizikisht për këtë sektor kyç, siç ishte sektori i ushtrisë, në fakt.

– Me keqardhje më duhet të them se duhet të të largojmë nga puna – më thotë Xhezmi Myftari, në detyrën e shefit të kuadrit në atë kohë.

– Po me ç’motivacion, unë vetëm 4 ditë punova e më pas u shtrova në spital në Tiranë… urdhëroni raportin mjekësor dhe fletë – daljen nga spitali….nuk besoj se kam gabuar diku në ato 4 ditë pune – i them Xhezmiut, serioz e i fyer për atë që po më thoshte.

– Nuk ke bërë ndonjë gabim dhe ne do të sigurojmë një vend punë jashtë nesh, por që të të mbajmë këtu duhet të marrim parasysh cënimin e gadishmërisç luftarake – më thotë i vendosur, Xhezmiu.

– Mirë atëhere, ju e paskeni vendosur një gjë të tillë e mua nuk më mbetet tjetër veç të shkoj e ta bisedoj këtë punë me komandën – i them Xhezmiut e dal nga zyra e tij për të shkuar në atë të komandës dy metra më tej.

– Është biseduar në komandë kjo punë, është vendosur kjo gjë, ndaj mos harxho kohë kot – më thotë Xhezmiu teksa ecja për në zyrën ngjitur me të tijën.

Hyj brenda pasi trokas në derë e dëgjoj një “hyr” nga brenda zyrës, e brenda saj gjej duke biseduar të mrekullueshmit Vasil Andoni dhe Sokrat Prifti, i pari komandant dhe i dyti komisar i regjimentit.

– Ou Ladi, paske ardhur në punë, të shkuara të qofshin….si je tani, a je gati për “luftë” ? – më thotë me të qeshur e dashamirësi Sokrati, por edhe Vasili me një korrektesë për t’u pasur zili e plot xhentilesë më uroj për shëndet e mbarësi.

– Mirë bën që më pyet “në jam gati për punë” komisar, por ec e fol me Xhezmiun që ka vendosur të më largoj nga puna nga që isha i shtruar në spital – thashë unë duke hedhur sytë, sa nga Sokrati, tek Vasili.

– A Xhezmi, Xhezmi – mërmëriti Vasili nëpër dhëmbë e duke dale nga zyra i thotë Sokratit :

– “zgjidhe ti tani këtë punë”.

– Mo Ladi, po Xhezmiu në fakt nuk ka gjë personale me ty, biles ai ishte njëri prej atyre që u morën me ardhjen tënde tek ne….por besoj se ka merakun e gadishmërisë…1 muaj i larguar vetem pas 4 dite pune, dhe presion mbase ka pasur nga komanda e oficinës…por le t’i lëmë këto e ta thërresim Xhezmiun këtu – më thotë Sokrati e pas pak sekondash Xhezmiu u gjend aty.

– Po mirë mo Xhezmi, kjo është ajo që duhej të bëje me një efektivin tonë pas një sikleti të kaluar ? Pastaj, me kë e ke biseduar ti nga komanda dhe qenka vendosur largimi i Ladit nga puna?

– Kam hallin e gadishmërisë komisar, edhe një rast si ky e nuk do të justifikonim dot mungesën e tij..pastaj largimi është kërkuar edhe nga komanda e oficinës – u justifikua Xhezmiu, tashme pak i kuq në fytyrë .

– E di mo e di, e di që e ke bërë nga meraku për punën se po të ishte ndryshe do të qe maskarallek…por grisi ato shkresat e largimit dhe uroje Ladin për shëndet e punë të mbarë.

Vite më vonë më thërret Sokrati për një difekt në tv, difekt paksa tekanjoz sepse shfaqej kohë pas kohe.

– Po hë komisar, ku e ke difektin, ja, në rregull po punon – i thash Sokratit ndërsa pinim kafen e qirasur nga e zonja e shtëpisë.

– Po tani nuk po e bën, e ben kur i teket, e ben atëhere kur nuk duhet ta bëj – më thotë Sokrati me një pamje shenjtori.

– Keq e kemi, po nuk u shfaq difekti e kam të vështirë te gjykoj – i them buzagaz të mirit komisar.

– Po si do të bëjmë atëhere ? – më pyeti.

– Do të vij përsëri kur difekti të shfaqet më shpesh që ta kapim gafil – i them me të qeshur, dhe ngrihem për të dal nga shtëpia e tij.

– Dale mo dale, ku shkon ti o, sot ka edhe ndeshje.

– E çë pastaj se ka ndeshje?

– Çë – thua?…por ja, gjuan topin sulmuesi e ndërkohë që topi shkon drejt portës, tv jep difektin e unë nuk shoh dot në u bë goll, në doli jashtë a në e priti portieri – me tha me aq lezet Sokrati sa ja dhamë të dy të qeshurit me të madhe.

– Po ç’të të…..

– Ja, ky është difekti, tani e dha – tha Sokrati tërë kënaqësi e i lehtësuar nga një barrë e rëndë që po e mundonte.

Kaq mjaftoi dhe gjthçka u rregullua, difekti ishte tipik e mua nuk mu desh shumë kohë për ta rregulluar.

Nga kënaqesia Sokrati më mbajti edhe për një farë kohe e unë shijova se bashku me asortimentet e servirura plot elegancë nga e shoqja e tij, edhe botën e pasur shpirtërore të komisar Sokratit, ose njërit prej pilotave më cilësore të aviacionit shqiptar – siç shprehet për të zëvëndësuesi i tij në detyrën e komisarit, një tjetër firmë e madhe e kësaj arme, Viktor Vangjeli.

Unë kam shkruar për ushtarakët, për aviatorët e Q.Stalin e më gjërë, dhe këtë e kam bër edhe pse jam i bindur që nuk mund të arrij atë nivel të shkruari që meritojnë këta shqiponja, ajri e malesh bashkë.