Qeveria nxjerr Shqipërin në ankand para zgjedhjeve

508
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxjerr në shitje TEC-in e Korçës vetëm dy javë para zgjedhjeve të 25 prillit. Një nga pasuritë më të mëdha të ekonomisë dhe energjitikës shqiptare do të shitet për 31 milion lekë së bashku me mijra hektar tokë mbi të cilën u ndërtua në kohën e monizmit.

Shqipëria në shitje! Dhe, e gjitha vetëm disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Disa ditë më parë, një grup investigativ denoncoi në mënyrë ekskluzive se qindra hektarë në Durrës do të jepeshin me koncesion. Madje, denoncuam edhe dhënien me koncesion të porteve në Durrës dhe Vlorë. Tashmë, qeveria ka zgjeruar hartën, duke përfshirë edhe qytetin e Korçës. Pa asnjë konsultim publik, është nxjerrë në shitje një tjetër pasuri shtetërore; TEC Korçë. Debatet e forta nëse duhet apo jo të rivihet në punë ky TEC, duket se i ka vënë vulën qeveria. Ta shesë për një “copë bukë”. Natyrisht, pas këtij njoftimi duket se fshihen bizneset pranë qeverisë, ndërsa nuk ka asnjë informacion se çfarë do të bëhet në këtë pronë. Do të qëndrojë TEC apo do të përdoret për aktivitet tjetër? Ose, do të shitet për skrap! Asnjë informacion, ndërsa vetëm disa vite më parë banorët u ngritën në këmbë pasi qeveria parashikonte të ndërtohet një TEC në afërsi të qytetit juglindor. Dhe, papritur, vendos të shesë këtë pasuri! Sipas dokumenteve që disponon ky grup investiguesish, disa ditë më parë, Petrol Alba ka hapur një ankand, i cili do të zhvillohet në datën 12 prill 2021 në orën 09.00. Pra, vetëm 13 ditë para zgjedhjeve!

 

Në dokumente thuhet se procedura është ankand i hapur, ndërsa objekti “Shitje TEC Korçë në pronësi të ‘PETROL ALBA’ sha në likuidim. Më tej thuhet se vlera e ankandit është 31.784.473 lekë. “Vendi i zhvillimit të ankandit është Ministria e Financës dhe Ekonomisë. Pikërisht salla e mbledhjeve, në katin e katërt. Afati i fundit kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje do të jetë 12 prill” thuhet në këto dokumente. Më pas, sqarohet se dokumentet e ankandit mund të tërhiqen pranë autoritetit shitës, ku çdo firmë e interesuar duhet që të paraqesë një kërkesë me shkrim në të cilën të jenë të specifikuara adresa me të cilën mund të komunikohet me kandidatin blerës. Pra, shqiptarë përgatituni të humbi një tjetër pasuri. Si ato nën dhe mbi tokësore. Si lumenjtë, detet, portet dhe aereoportet. Madje, edhe si rrugët e gjithçka tjetër. Pa harruar edhe prona publike, kryesisht në Tiranë./ Boldnews.al