Vizita studimore me studentë e pedagogë të Universitetit Mesdhetar në Kosovë, gurthemel i një të ardhmeje të përbashkët akademike

25
Sigal

Nga Abel Brahusha

Vizita studimore në Kosovë ndihmoi shumë studentët të njihnin më tepër një pjesë tjetër të kombit tonë, nga  përpjekjet për arritjen e pavarësisë, njohjen me organet drejtuese të Kosovës dhe fillimit të një bashkëpunimi dhe shkëmbimi institucional studentor mes UMSH dhe Universitetit të Prishtinës

Në kuadër të veprimtarive në nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një grup studentësh, ndër ta edhe Kryesia e Këshillit Studentor, si dhe pedagog të UMSH ishin të ftuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Studentët e UMSH u shoqëruan në këtë vizitë nga Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane të UMSH Prof. Ksenofon Krisafi, Përgjegjësi i Departamentit të së Drejtës Prof. Besmir Premalaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Shkollës Doktorale Prof. Redion Luli.

Ndalesa e parë e udhëtimit ishte Kukësi, me takimin e zhvilluar me nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela” me qëllim njohjen e tyre me aktivitetin që zhvillon Klinika Ligjore UMSH, duke u ndalur kryesisht tek ofrimi i ndihmës juridike falas. Më pas grupi mori rrugën drejt Prishtinës, me studentët, që u akomoduan në një nga konviktet publike të Universitetit “Hasan Prishtina”. Studentët nga Tirana u pritën nga ata të Prishtinës dhe prof. Arsim Bajrami, pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës me një kontribut të gjerë në fushën e së drejtës në Kosovë.

Gjatë dy ditëve të kaluara në Prishtinë, studentët zhvilluan disa takime të rëndësishme. Vizita ditën e parë filloi në Kuvendin e Kosovës, ku pati dhe një fjalë përshëndetëse nga Znj. Saranda Bogujevci, Zv/Kryetare e Kuvendit, e cila bëri me dije për deputetët mbi prezencën e studentëve të UMSH në seancën parlamentare. Më pas takimi vijoi në zyrën e ish-Presidentit Fatmir Sejdiu. Si një ndër themeltarët e shtetit të Kosovës, Z.Sejdiu mbajti një ligjëratë të shkurtër mbi rëndësinë e lirisë e demokracisë dhe në fund mirëpriti kuriozitetet dhe pyetjet e studentëve. Grupi i përbërë me studentë dhe pedagogë nga Tirana e Prishtina më pas do t’i drejtohej busteve të Gjergj Kastriotit dhe Ibrahim Rugovës duke shkrepur disa foto për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre në shërbim të atdheut.

Dita e dytë nisi me një intervistë në RTK me përfaqësues të delegacionit të UMSH, prof. Ksenofon Krisafi, Kryetari i Këshillit Studentor Abel Brahusha dhe delegacionit pritës, prof. Arsim Bajrami dhe studentja e Drejtësisë, Aurora Zymberi. Në këtë intervistë u diskutua rreth rëndësisë së bashkëpunimit studentor ndërshqiptar si gurthemel i një të ardhmeje të përbashkët. Profesorët Krisafi dhe Bajrami shpjeguan pjesën e bashkpunimit ndërinstitucional, ndërsa studentët Brahusha dhe Zymberi vunë theksin e tyre në bashkëpunimin, që i shpërfill burokracitë, me aspiratë përfundimtare Bashkimin Kombëtar.

Më pas, studentë dhe pedagogë nga të dyja universitetet morën pjesë në leksionin e përbashkët të Dekanit, Prof. Ksenofon Krisafi, i cili ligjëroi mbi përvojën e tij si Ambasador i Shqipërisë në zyrën e OKB në Gjenevë dhe mbrojtjen e jashtëzakonshme që i ka bërë Kosovës në ato vite të vështira duke rrezikuar disi dhe pozitat diplomatike të shtetit të brishtë shqiptar dhe prof. Arsim Bajrami, akademik, i cili foli ndër të tjera dhe mbi pjesëmarrjen e tij në grupin e punës që ka hartuar Kushtetutën e Kosovës. Më pas, vizita e radhës ishte ajo në Gjykatën Kushtetuese dhe aty studentët diskutuan me Kryetaren Znj. Gresa Caka-Nimani rreth shtetndërtimit dhe kushtetutshmërisë. Tema më pikante në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese vazhdon të mbetet Asociacioni, për të cilin pati interes të shtuar se si mund të funksionojë pa cënuar ligjin themeltar të shtetit të Kosovës.

Në kthim, ndalesa e fundit ishte në shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vend në të cilin ka lindur ideja e krijimit të shtetit modern shqiptar. Aty studentët u thelluan më tej me veprimtarinë e lidhjes dhe panë nga afër objektet, që mbahen aty, që janë në një numër të pakët duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre janë djegur nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, krim për të cilin ende nuk janë zbuluar të gjithë përgjegjësit konkretë.

Kosova në përgjithësi dhe Prishtina e Prizreni në veçanti janë vende që frymojnë shqip dhe energjia e tyre pozitive ndihet në çdo hap gjatë shëtitjes në këto qytete. Kjo vizitë studimore në Kosovë ndihmoi shumë studentët të njihnin më tepër një pjesë tjetër të kombit tonë, duke e shndërruar kufirin shtetëror në të padobishëm e me shpresën se në një të ardhme jo të largët do të mund të zhduket përgjithmonë.